14.5 C
Tiranë
E premte, 20 Shtator 2024

Nga :Kastriot Fetahu

AUTOINTERVISTË

Ese
Vetja – Do të bëjmë një intervistë të shkurtër…
Unë – Ok, do të kumtoj “grafikisht” disa koncepte ashtu si i mendoj vetëm kur jam me ty.
Është e rrezikëshme të thuash të vërteta në një botë të pavërtetash!
Emrat e huaj, të lutem, shkruaji si i kam lexuar në librat e kohës së shkollës.
Le të mbajmë në vemendje Albert Ajnshtajn kur thotë: “Gjëja e rëndësishme është të mos ndaloni së pyeturi.”
Vetja – Çfarë kujton nga arsimi fillor?
Unë – Dy gjëra interesante, që nuk i kam përmendur ndonjëherë.
Në klasën e tretë, mësuesja na kishte dhënë një detyrë shtëpie që të gjenim fjali me frazeologjizma.
Kërkova dhe gjeta një fragment nga një pjesë me titull “Admirali Ushakov”.
Pasi e lexova në klasë, mësuesja ngeli e shtangur pak kohë e nuk fliste, më pas erdhi dhe më vuri dorën në kokë, më përkëdheli…
Do ju tregoj dhe diçka tjetër, po për ato vite.
Kur arrija që të kisha në xhep dyzet qindarka (katër lekë të vjetra) blija një libër, që ishte me çmimin më të ulët në librari dhe ai fliste për… higjenën.
Po kështu edhe nëse mblidhja pesëdhjetë qindarka blija një të tillë përsëri, po me më shumë faqe.
Ideja që të kisha një bibliotekë në shtëpi nuk u realizua kurrë në ato kohëra.
Vetja -Ti ke qenë komandant i shkollës, në arsimin tetëvjeçar, çfarë mbresash ruan?
Unë – Ndihesha i rëndësishëm dhe mësuesit më dukeshin si shokë e shoqe.
Drejtoresha e shkollës ishte një personazh absolut karizmatik, gjithë kohën e angazhuar me një lloj stili që më dukej sikur fshihte kujdesin e saj për frikën ndaj pushtetit të asaj kohe.
Është nga gratë më të mençura që njoh personalisht, “Alda Merini” e quaj kur flasim, kurse nëndrejtori ka ngelur në vemendje si një nga mësuesit më të ashpër gjatë gjithë periudhës së edukimit tim arsimor, i ngjante aq shumë njerkut të David Koperfild.
Vetja – Dhe pastaj në shkollën e mesme?
Unë – Në klasën e tetë na organizuan në rradhët e bashkimit të rinisë.
Por fillimisht nuk e kuptova dot se përse ishte një rregull i pashkruar që sekretarët e rinisë së shkollës kërkoheshin të ishin puritanë dhe jo të bukur, burrnesha apo njerëz që nuk ndikoheshin nga asgjë, që mund t’u zbuste qëndrimin, për këto ata duhej ta braktisnin shpirtin.
Ishte koha kur ne e konsideronim sfidë të fituar kundër idealizmit, (sistemit kapitalist në të vërtetë), pyetjen që formuloi Lenini në veprën e tij “Materializmi dhe empiriokriticizmi” se a ka ekzistuar natyra para njeriut?
Arti i pakontrolluar ishte armiku i tyre, sepse të bënte borgjez, nëse nuk do të ishe i pandjeshëm.
Më kujton një thënie nga Kenneth Hare, klimatalog, akademik kanadez, kjo vijë politike e asaj kohe.
“Puritani në kopshtin e ëmbël të jetës shkon për të këputur gjembin dhe për ta hedhur tutje trëndafilin.”
Unë kërkoja të bukurën bashkë me shokët e mi.
Nuk mund të jesh kokëbllok nëse lexon Stendalin, Mopasanin, Cvajgun, Remarkun e të tjerë.
Shëtitnim nga kodrat mbi qytet me pak ushqim me vete dhe një kitarë, me të cilën këndonim si grup shokësh.
Kitara është një orkestër në miniaturë në vetvete, thotë Beethoven.
Ajo që më induktohej, ishte se ai sistem nuk e donte të bukurën shpirtërore e vizive, aventurën e energjisë rinore, sepse ndryshe devijonim nga të qenit një popull eunuk ushtar.
Por edhe atëherë kam njohur njerëz që luanin rolin e të devotshmit ndaj sistemit.
Unë nuk kam besuar kurrë se drejtori i shkollës ka qënë vërtet komunist.
Ai vishej në mënyrën më të mirë të mundshme aristokrate, që lejonte koha dhe kur na shpjegonte lëndën e materializmit, nuk e shqiptonte fjalën borgjez saktë, duke e artikuluar “burgjez, burgjezia”.
Qeshja, e kuptoja dhe e bisedonim me shokë, se ishte nga më të mençurit edhe sikur vetëm për termin “burgjezia”, gjë që e bënte me kast, se fliste me gjuhën e klasës punëtore.
Ishte koha e revolucionit kulturor kinez, koha e “Detashmenti i kuq i grave” dhe Lejfenit… apo “Lindja është e kuqe”, koha kur Hoxha artikulonte “vëllezërit tanë kinezë dhe shokët tanë kosovarë”…
Vetja – Lëndët që të pëlqenin…
Unë – Matematika, Fizika, letërsia, adhuroja Aleksandër Voltën dhe Vilhelm Lajbnicin edhe Lui Paster nga biologjia, më kishte tronditur fakti që Paster e shpiku vaksinën e tërbimit pasi vdiq ai djali i vogël që i shkoi në shtëpi me nënën me shpresë se do shërohej e u bë shkak i këtij zbulimi dhe vaksinën Paster e vendosi mbi varrin e tij.
Isha pjesëmarrës në olimpiada të matematikës dhe nuk njihja pengesë, por askush nuk më drejtoi të zhvilloja këtë talent.
Kurse nga filozofia Immanuel Kant me “arsyen e kulluar,” më dukej gjeni absolut, aq sa unë kuptoja intuitivisht edhe pse literatura e asaj kohe e etiketonte negativ, në anën e humbësve.
Vetja – Kur fillove të konceptoje lirinë, politikën?
Unë – Në klasën e gjashtë në lëndën e historisë kam mësuar për herë të parë mbi historikun e lëvizjes punëtore.
Më dukeshin legjenda figurat si Zhyl Ged dhe Pol Lafarg në Francë, Roza Luksemburg dhe Karl Libkneht në Gjermani, po ashtu dhe Klara Cetkin.
E ndjeja si lidhje me perëndimin në fantazi dhe isha edhe idealist nga natyra, një lloj eklektizmi fëminor.
Filmi “Sako dhe Vanceti” më impresionoi dhe më shtyu më tej drejt idealizmit, po ashtu edhe vdekja e Rozenbergëve në karriken elektrike ishte një çimentim i ideve.
Nuk e mbaj veten për disident, po për njeri që vuaja mungesën e lirisë.
Kam admiruar Karl Kautskin, i cili ishte lideri i internacionales së dytë socialiste dhe bëri përpjekje për reformimin e ideve teorike të lëvizjes punëtore.
Mësova për Maksimilian Robespierin dhe jakobinët e terrorit i dija revolucionarë nga historia, e zhirondinët kundërrevolucionarë!?
Zhan Pol Marat, idhull i revolucionit, u vra me thikë nga një zhirondine…
Çfarë është e vërteta në histori?
Vetja – Po në jetën studentore
Unë – Është pjesa më e bukur, por edhe një trishtim i pambarimtë kur mbarova shkollën, pasi nuk doja te ikja nga Tirana.
Dramë e padramatizuar e jetës kjo dëshirë e pathënë.
Më dukej se jetoja në gulagun rus atje ku do shkoja të filloja punën.
Tirana ishte perëndimi im, Tirana ishte liria e fshehur në mendim.
Kam pasur profesor kujdestar Pirro Bozdon, njeri i kantiereve të naftës, inxhinier i zoti me një prakticitet proverbial.
Nga ai kam dëgjuar përkufizimin më të veçantë të komunizmit.
Ai thoshte: “Komunizmi është një kile mish dhe një kile raki në ditë.”
Jeta si student kishte pavarësi dhe aventurat e moshës arrinin në zenith aq sa lejonte sistemi.
Kam njohur studentë që lexonin libra edhe pse ishim në një fakultet teknik. Romani i Balzakut “Lëkura e shagrenit” qarkullonte midis tyre dhe mbaj mend njërin, Besnik Fecani, nëse nuk gaboj, që ishte shumë i lexuar dhe i ditur.
Isha një student vëzhgues i atyre që jetonin me art.
Një shok dhome kishte një mik tek Instituti i Arteve dhe kur ai vinte në dhomën tonë, flisnim për pikturën, ishte piktori Z.V. nga Vlora.
Menca jonë mbante numrin 3 dhe ndodhej anës rrugës para se të dilje te filologjiku.
Shikoja me zili studentët e arteve, kur haja mëngjesin dhe kjo më jepte trishtim, që nuk studioja për çfarë ëndërroja, letërsia, gazetaria, filozofia.
Ngushëlloja veten se jetoja në atë rrugë, ku mbaj mend që shkëlqente kur kalonte studentja e arteve Suzana Qatipi me shoqet e saj.
Më dukej vetja një “509” në atë mjedis të mëngjesit në rrugën e zhurmshme të qytetit “Studenti,” rruga më e bukur, “Champs Elysees” ime.
Në pushimet midis orëve dilnim pothuaj gjithë grupi te sheshi para filologjikut… një botë me ngjyrat e “Lizës së çudirave”.
Biçikleta vietnameze, që kisha në atë kohë, ishte mundësi për classin që kërkoja, për të mos u ndjerë inferior karshi atyre që studionin në fakultetet që i ëndërroja.
Kështu e konceptoja jetën; këndvështrim i kohës.
Vetja – Dhe më tej?
Unë – Është histori e gjatë dhe dua të shkruaj një roman për të, por mendoj se nuk jam i zoti.
Dua të jem në sinkron me Franz Kafkën “Historia doli nga unë si një lindje e vërtetë, e mbuluar me zhul dhe gjak”.
Vetja – Si e shikon edukimin arsimor të njeriut?
Unë – Dikur rastësisht nga viti ‘95, ndodhem në një tavolinë ku ishin kolegë të mi në një lokal me pronar, shoku ynë, që e kishim teknik të mesëm.
Ai ndezi një debat barazitizmi midis teknikut dhe inxhinierit nga pikpamja e dijes si profesionistë, me një lloj megallomanie që ia jepte biznesi dhe paraja.
S’e di pse njerëzit me para, besojnë se janë më të mençurit dhe seç kanë dhe një ngërdheshje hileqare.
Diogjeni jetonte në një fuçi dhe atje i shkoi Aleksandri i madh, Dostojevski vdiq i varfër.
Pasi e dëgjova, nuk m’u durua dhe i them:
– Dëgjo këtu miku im.
Ne jemi vërtet njëlloj, por me një ndryshim të vogël.
Në muzikë ka artistë të popullit që i bien fyellit dhe ka edhe tenorë si Gaqo Çako.
Të dy palët jemi artistë të popullit, por ti je ai i fyellit, je rapsod popullor, kurse ne si inxhinierë jemi tenorë si Gaqo Çako.
Ai heshti me një buzëqeshje të sikletëshme përballë ilaritetit të kolegëve të mi.
E shkrova siç ka ndodhur, me grotesken që vjen padashur si arrogancë, (gjë për të cilën kërkoj mirëkuptimin tënd), por ne ishim shokë të gjithë aty.
Edhe pse si opinion nuk është i saktë në 100%, se p.sh. rasti i Thomas Edison më kundërshton, ai nuk kishte studiuar as në kolegj dhe as në të mesme dhe është nga shkencëtarët më të mëdhenj në botë me shpikjet e tij.
Por ekziston mendimi im si opinion i përgjithshëm se dija nuk njeh kompromis dhe arsye nëse të mungon.
Vetja – Ç’është për ty, libri, poezia, muzika…
Unë – Në xhungël ndeshen gjithmonë bualli dhe luani. Bualli është më i fuqishëm se luani, por…
– Lexoni libra që të jeni “Luani!”
– Jam edukuar, në kërkim të lirisë, me muzikë të ndaluar në atë kohë, sikurse me libra të ndaluar dhe edhe me muzikën klasike.
– A nuk të duket e drejtë thënia e Friedrich Nietzsche se pa muzikë jeta do të ishte një gabim?
– Poezia… sikur t’i flasësh në vesh lexuesit dhe ai ta ndiej që është i vetmi në këtë raport.
Edhe filmi është i rëndësishëm.
Neorealizmi italian, për fuqinë emocionale, është i paarritshëm për mua. Edhe sot e dua filmin. Jack Nicholson në “Pak njerëz të mirë” në rolin e kolonelit në njësinë e të cilit zbatohej “Kodi i kuq”, rol dhe lojë absolute.
Në një çast, kur i drejtohet avokatit, (Tom Cruiz) i thotë:
” Bir, çdo mëngjes 300 metra larg nesh stërviten 4 mijë ushtarë kubanezë për të më vrarë mua.”
Janë gjithmonë dy botë.
Vetja – Ke pak vite në rrjetin social të facebook, çfarë mund të na thuash?
Unë – Ne, shqiptarët, jemi dashamirës edhe në komunikimin virtual. Ka shumë informacion me vlera të vërteta.
Kam lexuar shkrime dhe poezi shumë të bukura dhe mendoj se shkrimtarët e poetët e socrealizmit do e kishin të vështirë dallimin si të tillë, krahasuar me çfarë kam lexuar në rrjete sociale.
Më pëlqen liria e shprehjes së njerëzve dhe mënyra sesi ata e shfrytëzojnë.
Ndërkohë shikoj dukuri negative, si bullizëm, një lloj racizmi kulturor, klane të organizuar në celula, që më kujtojnë skuadrat e mëhallave të fshatit kundër njëra-tjetrës, ka aparteid artistik.
Ka gjithmonë njerëz që shetisin ditën bulevardeve të fcb dhe të tjerë natën, rrugicave të tij pa dritë.
Ngjyrat e dashurisë dhe urrejtjes nuk janë ndryshe.
Ka dhe që kujtojnë se…
Shiko, bretkosa nuk bëhet buall edhe pse amfibi dhe gjitari nuk janë një familje.
Bëni durim, se pas 100 vjetësh rrezikojmë mos të kemi as pllakë me emrin te varri.
Nga shkrimtarët e shquar të brezit të viteve ‘30, pa u mbushur një shekull, Migjeni, Lasgushi, apo dhe ndonje tjetër si Fishta lakohen në përditshmërinë tonë.
Vetja – Cila është lidhja e poetit me politikën?
Unë – Kam qeshur kur dikush më etiketoi “të blerë,” se postova një shkrim kritik politik.
Mjerimi militantesk është vdekja e demokracisë.
Më duket sikur kam lindur antiestablishment dhe nuk e kam kuptuar kurrë as Shollohovin, as Majakovskin dhe as Ezra Paund, që anonin nga politikat ekstreme. Dhe kemi të bëjmë me gjeni.
Një poet, (dyshoj gjithmonë se jam), nuk është kurrë palë me politikën, sepse ai i prin zhvillimit me fantazinë e tij krijuese, metaforën, pasi është një reaksion për çdo argument në prehje, arrogant filozof, duket si dualist (në filozofi) që bashkon shpirtin me trupin dhe në disekuilibër çasti, një kompleks idesh në kërkim të vetvetes së panjohur me ngjyrat e së ardhmes, intelektual romantik që luan me epiken, një meteor që nuk bie kurrë në tokë.
Poeti nuk është magmë e fjetur vullkani me krater të mbyllur, por një kuant energjie bërthamore.
Ai i arratiset realitetit, në kërkim të lirisë dhe as zoti nuk e rreshton dot e jo më ta rreshtojnë ca vdekatarë mëkatarë, të orientuar pas materies financiare, demagogë të rëndomtë, përgjegjës për palumturinë e një populli, kur dihet që njeriu nuk lind i palumtur.
– Ka dhe do të ketë një mijë princa; ka vetëm një Beethoven.
Një maksimë e më të madhit të botës së muzikës, që ilustron çfarë shkrova më sipër në një dimension të caktuar, Lasgushi e vërtetoi këtë.
Poeti është zhgënjim i heshtur i realitetit të vetvetes, një përbindësh kundër konformizmit, arratisje në shkretëtirë, ku nuk ka shtet, ku liria ka ngjyrën e qiellit pa smog dhe rrezja e diellit nuk përthyhet askund.
Poeti është një puro e pandezur, që nuk shuhet kurrë!
Duket si një trajtë amorfe mendimi, sikur i mungon një arkivol për egoizmin, por kështu fsheh misterin e dashurisë që ju dhuron me poezinë e tij.
S’e di saktë vërtetësinë se sa ai dhe shteti janë armiq të papajtueshëm.
Më duket ndonjëherë se aleati i poetit është vetëm vdekja!
Ai është preludi i botës së re, uvertura e simfonisë së pashkruar të së ardhmes.
Vetja – Lexuesit duan më konkretisht.
Unë – Mendoj më djathtas se udhëheqja e të djathtës dhe më majtas se udhëheqja e të majtës.
Nuk përmenda individë, por fenomene, për të përcjellë te lexuesi me këtë rebus, politikën shqiptare.
Jemi duke folur për tregun e ideve…
Monumentet janë për Lasgushin, Arapin…
Vetja -Po dashuria…
Unë -A e përcakton dot ndokush figurën gjeometrike që krijon oktapodi në det?
Vetja – Çfarë është Atdheu për ty?
Unë – Emigranti është gjithmonë dy vende, dy gjuhë, një Atdhe!
Atdheut i kam shkruar edhe këto fjalë në një poezi.
Atdheu im është klithmë netëve në kufi;
qan sa herë hidhemi në gardhe fqinjësh
e sytë marrin me vete ajrin që mbështjell loti,
në kthesën e fundit të rrugës,
prej së cilës shpirti nuk na ndjek më pas.
Vetja – Dështimet e jetës…
Unë – Ka beteja të humbura dhe luftë të fituar, ashtu sikurse ka luftë të humbur dhe beteja të fituara.
Triumfi im është paqja me ty!
K.F.
BOSTON 11/04/2023
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

1 KOMENT

  1. Ndjen shumë krenar për ju patrioti , poeti dhe miku im i nderuar Kastriot !
    Inteligjenca , kultura , stili i të shkruarit në formë dialogu , niveli juaj shkencor dhe letrar , më bën të ndjehem i privilegjuar që të kam mik dhe patriot ! Ndjehem keq që s’kam mundësi për shkak se ndodheni në Sh B A , Të bisedonim nga afër dhe të pinim ndonjë kafe së bashku!

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.