
Nuk jam me ju që nuk lexoni,
sepse më keni injektuar varfërinë e shpirtit.
Një tufë dënglash xanxare,
formula e përditëshme që ju ngop me jetë;
edhe pse kutërboni epidemi formulash gjirizi.
Bisedat për lirinë
i barazoni me fjalët për miopitë asimetrike,
e keni gjakosur atë
kur si ëndërrimtarë të magjepsur këndoni internacionalen
dhe lëvdoni diktatorët me kore skllevërish grekë.
Lavdia nuk është e përjetshme,
përjetësinë tuaj e vdisni kur nuk luftoni.
Votoni si gazelat për luanët,
se nuk keni mbaruar me diskutimet për rublën ruse.
Jeni kthyer në endacakë kafenesh,
myku i duarve po ju gërryen,
pasi depozitat kanë ujë të baltosur që nuk rrjedh.
I gëzoheni takimeve në funerale,
keni harruar dasmat;
amnezia nuk ju thotë asgjë.
Mos më kërkoni,
jeni kthyer në enigma të vetvetes,
mos më shani pse nuk ndodhem me ju
që kapërceni pragje dyersh të verbra.
Nuk jam dadaist,
në një përmbajtje platonike, zemërthyer ndala
i zënë në kurth nga frika.
I ngjaj një kërpudhe në një trung të kalbur,
zverdhur, me njolla të ngrëna, nga helmi juaj.
Më mësuat vetëm Marksin,
dhe më fshehët “Candide” të Volter,
duke më mbajtur pafundësisht në pauzë filozofie.
Ndaj nuk jam me ju,
se më keni grabitur edhe dritën.