SHKRUAR NGA:GazetarI, publicistI, redaktorI, shkrimtarI:
XHELAL MARKU

Kur studion dhe zbulon figura të shquara dhe më kontribute, doemos shkrimtari frymëzohet, por ndjen dhe një kënaqësi të veçantë, pasi përmbush një nga qëllimet e tij, që është përzgjedhja e personazheve, që ai i ka vënë detyrë vetes, për t`i përfshirë në librin e tij të radhës. Dhe këtë kënaqësi, e pata dhe unë, miqtë e mi, kur mësova vlerat e spikatura të emigrantes shqiptare në Itali, poetes dhe prozatores – Vera Gjonaj. Ajo përfaqëson denjësisht figurën e ndritur dhe fisnike të femrës shqiptare në diasporë. Vera Gjonaj është një grua e thjeshtë dhe me një kulturë të gjërë, komunikuese dhe e aftë, e cila gjatë gjithë karrierës së saj, ka ndriçuar si një yll i vërtetë, duke shpalosur në veprimtarinë e saj, vlerat e veta intelektuale e njerëzore.

Pra, është një aktiviste atdhetare, publiciste dhe shkrimtare, që mbart vlera dhe virtyte, të cilat përcjellin përherë, mirësi e pozivitet dhe rrezaton dritë në punën e saj. Kjo është poetja Vera Gjonaj, një grua intelektuale kuksiane, e cila sot, është bërë një emër i njohur në diasporën shqiptare në Itali. Emrin e Vera Gjonaj, unë e mësova nëpërmjet rrjeteve sociale, ku prej vitesh, ajo ka shpalosur gjithë veprimtarinë e saj krijuese, humane dhe atdhetare, me një kontribut të shquar për Kombin tonë Shqiptar. Ajo është një grua emigrante, që me punën e saj dinjitoze, ka rritur vlerat e shqiptarisë në mbarë globin. Dhe për të arritur deri këtu, Vera ka sakrifikuar shumë, ka përballuar shumë sfida, por me këmbënguljen e saj, i ka kapërcyer ato dhe ka ndërtuar jetën e vet normale, bashkë me familjen, në shtetin fqinj, në Itali.

Idea për të emigruar, thotë Vera, erdhi ashtu spontanisht, si shumë emigrantë të tjerë, në vitin 2000, me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë. Kushtet e vështira ekonomike dhe sidomos trazirat e vitit të mbrapshtë të 1997-tës, ku mbizotëronte kaosi dhe pasiguria në vend, na imponuan këtë largim, edhe pse ishim pa mbështetje dhe pa adresë, se ku do të shkonim. Emigrimi ynë, tregon Vera, ishte një aventurë e vërtetë, pasi ne luajtëm me fatin, duke udhëtuar në det të hapur, me mjete të pasigurtë, me dy fëmijë të vegjël, ku veç Zoti na ka ruajtë…! E megjithatë ia dolëm, shpëtuam nga ky rrezik, por na u deshë të sakrifikonim shumë, edhe për t`u strehuar, e akomoduar edhe për t`u integruar, në një shoqëri të re e të panjohur italiane. Punësimi ishte më kryesori, më pas erdhi edhe problemi i shkollimit të dy djemëve tanë, që kërkonte investime dhe sakrifica të mëdha. Për shumë arsye, ka qënë një sakrificë e jashtëzakonshme, rritja, edukimi dhe shkollimi i fëmijëve në emigracion. Jemi krenarë ne si prindër, për dy djemtë tanë (Veridjonin dhe Rezarjanin), vazhdon tregimin Vera Gjonaj, që nuk na e humbën mundin dhe i mbaruan me sukses studimet e dëshiruara. Kështu, djali i madh, Veridjoni, ka mbaruar studimet e larta për kontabilitet dhe ka marrë doktoraturë, ndërsa djali i vogël, Rezarjani, është diplomuar në degën mekanik-elektronik.
Origjinna e familjes së Vera Musliut Gjonajt

Poetja dhe gazetarja e talentuar Vera Gjonaj, është një grua me origjinë nga qyteti i Kukësit. Madje, familja e saj është denbabaden qytetare kuksiane, e cila para se të përmbytej nga Liqeni i Hidrocentralit të Fierzës, ka banuar në një lagje të Kukësit të Vjetër dhe më pas është vendosur me banim në Kukësin e Ri, ku një pjesë e familjarëve të saj, banojnë edhe sot. Dy prindërit e Verës: babai Musli Etemi dhe nëna Hate Bogdani Etemi, të cilët nuk jetojnë më, njihen si njerëz fisnikë e të sakrificës dhe mjaft punëtorë, që vetëm me punë krahu, kanë rritur dhe edukuar gjithsej, tetë fëmijë, pesë djem dhe tre vajza. Vera është më e vogla vajzë e familjes, të cilën nëna e ka lënë jetime, në moshë 15 vjeç. Babai i Verës – Musliu ishte një burrë i njohur në Kukës, i brumosur me traditat e hershme të besës e të fjalës, ishte pashkollë, por i zgjuar, ishte i muhabetit në odat e miqëve, por ishte dhe human, që i dëgjohej fjala dhe bënte mjaft ndërmjetsime, për pajtime në mes familjeve dhe individëve, sepse komuniteti ku jetonte, besonin tek gjykimi dhe drejtësia e tij. Ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë në Kukës, pasi ai, si zemërmirë e shpirtpastër që ishte, veç të mira kishte bërë, gjatë gjithë jetës së tij. Dhe si i tillë, Musliu ishte një emër autoritar, që i shkonte fjala, jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri, në miqësi dhe në komunitet.
Vera Gjonaj – vajza e vogël e Musliut dhe e Hates, ishte një fëmijë i shkathtë dhe mjaft energjik, me një vullnet të fortë për dije e për shkollim. Qysh kur ishte e vogël, ajo shfaqi prirjet dhe dëshirat e saj për t`u arsimuar, si dhe talentin e pasionin për poezinë. Shkollën fillore, tetëvjeçaren dhe të mesmen (gjimnaz), ajo i mbaroi me rezultate shumë të mira, në vendlindjen e saj, në qytetin e Kukësit, ndërsa arsimin e lartë, në profilin ekonomik, ajo e mbaroi në një fakultet të Tiranës, ku u diplomua si specialiste e financës. Pas diplomimit, ajo u kthye në vendlindje, në Kukës, ku pati fat të njihej, me një djalë të shkëlqyer, të quajtur Idriz Gjonaj, nga Reçi i Malsisë së Madhe i Qarkut të Shkodrës, i cili asokohe, qe emëruar kryezooteknik në rrethin e Kukësit. Idrizi dhe Vera, do të ishin çifti i ri ideal, i bashkëshortëve të mëvonshëm, që i njohu jeta, puna dhe aktiviteti i tyre, si bashkëqytetar të Kukësit. Dhe nuk do të zgjaste shumë, koha e fejesës së tyre, pasi shpejt do të vinte edhe martesa e çiftit, me një dasëm të bukur, që u bë në Reç të Malësisë së Madhe, ku Vera Musliu, do të shkonte nuse, në një trevë tjetër të veriut, me tradita të panjohura prej saj.
Dasma e çiftit: Vera Musliu dhe Idriz Gjonaj

Ka qënë një ditë e bukur vjeshte, ajo e 6 tetorit të vitit 1989, kur u bë dasma e çiftit Vera Musliu nga Kukësi dhe Idriz Gjonajt nga Reçi i Malësisë së Madhe të Qarkut të Shkodrës. Tradita e dasmave të Kukësit, është mjaft e njohur, ku spikat muzika tipike me lodër e crule, si vallet pafund të veriut, me kryevallen e Kukësit, që të shkund me ritmet e saj. Madje Vallja e Kukësit, me motivet e saj, është po aq e njohur dhe e përhapur, që kërcehet nga veriu në jug, sa dhe Vallja Podgonishte, apo Vallja e Tropojës, e cila kohët e fundit, u bë pjesë e UNESCO-s.

Pas asaj atmosfere të bukur dasme, që Vera përjetoi ditën e shtunë, në shtëpinë e vet në Kukës, të nesërmen ajo do të udhëtonte me plot emocione, për të shkuar nuse, në Reç të Malësisë së Madhe, ku e priste dhëndërri Idriz Gjonaj, bashkë me dasmorët, në një tjetër dasmë të bukur, por me një tjetër traditë. Sapo ka hyrë në oborrin e shtëpisë, ajo u befasua me pritjen shumë të ngrohtë të dasmorëve të shumtë, që këndonin të gjithë bashkë, si në kor, këngën e njohur: “Sa e bukur na ka dalë nusja…”, të shoqëruar me duartrokitje të zjarrëta, ku spikatnin veçanërisht gratë reçjane, me veshjen fantastike të krahinës, që ishte xhubleta, tashmë edhe kjo pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. U befasova thotë Vera dhe më mbetën sytë tek ajo veshje e bukur dhe karakteristike e Malësisë së Madhe, që shkëlqente. Kjo ishte surpriza e parë, e kësaj dite të shënuar për mua. Surpriza e dytë ishte kultura muzikore, ku binte në sy veçanërisht, një vegël muzikore tipike e kësaj treve – Lahuta, me këngë majëkrahu, siç i thonë vendasit, ku këngëtarët e këtij zhanri, ia prisnin me zë të lartë njëri tjetrit. Por surpriza më e këndshme për mua, në atë dasmë, ka qënë ajo, kur vjehërra ime Feride Gjonaj, një grua fisnike dhe e zgjuar, e cila nuk jeton më, më hoqi vellon dhe më veshi Xhubletën e Famshme të Kelmendit. Ky moment, ka qënë kulmor për mua, ka qënë një çast tepër i gëzueshëm dhe emocionues, që më befasoi pa masë…, aqsa kur e pashë veten në pasqyrë, m`u duk krejt ndryshe…! Ishte hera e parë, që e shikoja në trupin tim një veshje të tillë, me vlera të jashtëzakonshme historiko – kulturore. Ndaj e përqafova me shumë, dashuri vjehrrën time Feride Gjonaj, të cilën e kam dashur qa shumë, si të ishte nëna ime biologjike. Ruaj kujtimet e mbresat më të mira prej saj, pasi ajo ishte një grua dinjitoze dhe me vlera njerëzore. Pasi vesha xhubletën, erdhi dhe surpriza tjetër e radhës, në këtë dasmë, në Reç të Malsisë së Madhe, që ishte dalja ime para dasmorëve me veshjen e bukur të xhubletës. Sapo kam dalë në oborr, dasmorët filluan të këndonin përsëri këngën: “Sa e bukur na ka dalë nusja…”. Veç këngës, aty kam dëgjuar nga dasmorët edhe fjalët: “Mos ia hiqni më xhubletën ! Le ta mbajë për gjithë jetën, sepse i shkoka shumë ! Dikush tjetër thoshte: U bënë dy bukuritë bashkë (nusja e bukur dhe xhubleta e bukur)…”! Ai çast me xhubletë ka mbetur i ngulitur në kujtesën time, por më mbeti merak, sepse nuk patëm fotograf për ta mbajtur si kujtim të veçantë të ditës së dasmës time. E megjithatë, kam vendosur, që kur të shkoj me pushimme në Koplik, do ta vesh sërish xhubletën dhe do të realizoj edhe fotot e bukura, që dëshiroj.
Jeta bashkëshortore në Koplik dhe emigrimi në Itali
Pas dasmës, për mua dhe për Idrizin, thotë Vera, nisi një jetë e re. Të dy ne bashkëshortët filluam punë në Koplik, ku Idrizi punonte kryezooteknik dhe unë kryellogaritare. Më pas, ne u larguam nga fshati Reç dhe u vendosëm me banim në Koplik, ku jetuam për rreth dhjetë vite me radhë. Aty linda edhe dy djemtë: Veridjonin dhe Rezarjanin. Jeta jonë në Koplik, ka qënë e mirë dhe unë ruaj kujtime të mira nga ai vend. Ne si çift, kemi kaluar shumë mirë dhe kemi pasur marrëdhënie shumë të mira edhe me banorët e komunitetit të Koplikut.

Unë dhe Idrizi, shim të përkushtuar ndaj punës e profesionit, por me ndërrimin e sistemit, u mbyllën ndërmarrjet, shumë njerëz mbetën pa punë dhe kushtet ekonomike në çdo familje u vështirësuan. Kjo situatë preku edhe familjen tonë. Ngjarjet e trazirave të 97-tës, sollën një kaos të vërtetë, ku shteti ra dhe siguria për jetën, nuk funksiononte, pasi rendin e komandonin bandat dhe grupet mafioze të rrugës. Në këtë kushte, ne si familje vendosëm të emigronim në Itali. Fillimi ka qënë tejet i vështirë për emigrantët, që keqtrajtoheshin, sepse pas ngjarjeve të 97-tës, ishte krijuar një opinion tepër negativ për shqiptarët. Kështu, që ne si familje, na u desh të përballonim shumë sfida, për të siguruar punë dhe kushte jetese. Por, meraku më i madh ishte edukimi dhe shkollimi i dy djemëve, që ata të mos e harronin gjuhën shqipe, të donin vendlidjen, Atdheun dhe njerëzit tanë të gjakut. Dhe me sakrifica, ne si prindër ia dolëm me sukses. Ndaj sot ne kemi arritur të arsimojmë me të lartën të dy djemtë tanë, të cilët janë përshtatur mjaft mirë me komunitetin italian dhe gëzojnë respektin e tyre. Të dy djemtë janë martuar dhe ne kemi bërë dy dasma të bukura një në Itali dhe një në Koplik të Shqipërisë, ku kanë lindur. Djali i madh, Veridjoni, 33 vjeç është martuar me një vajzë italiane, e cila është një nuse e mrekullueshme dhe është përshtatur mjaft mirë me familjen tonë, e don Koplikun, e don Shqipërinë, e don Atdheun tonë dhe e don edhe gjuhën shqipe. Ndërsa djeli i vogël, Rezarjani, 29 vjeç është me një vajzë shqiptare nga fshati Reç i Sipërm i Malësisë së Madhe dhe ka një vajzë shumë simpatike, që quhet Veralda Gjonaj, e cila është 7 vjeç. Unë thotë Vera Gjonaj në tregimin e saj, e dcua shumë Veraldën, sepse ajo më ka dhënë për herë të parë, statusin e gjyshes në familjen tonë.
Jeta në emigracion e poetes Vera Gjonaj

Duke qënë një grua me kulturë të gjërë profesionale dhe me pastërti shpirtërore, me nivel të lartë dhe me aftësi drejtuese, Vera Gjonaj prej vitesh, ka hyrë në botën e virtyteve, sepse jeta e virtyteve, të do të mençur, të matur dhe të guximshme. Vera ka investuar shumë në rrugën e dijes, ku secili prej nesh, duhet të jetë vetvetja, ndaj e çmoj dhe e vlerësoj këte intelektuale, me vlera të veçanta në Shqipëri dhe në Diasporë. Zoti i ka falur asaj, bukurinë fizike, por me aftësitë e veta, me sakrifica dhe me përkushtim në shkollim dhe në punë, Vera ka lartësuar ndër vite edhe bukurinë shpirtërore, të cilën unë e shikoj në sytë e saj, që janë dritarja e shpirtit, janë fisnikëria, çiltërsia dhe pastërtia shpirtërore e njeriut të mirë…! Asaj i ka lezet fjala, i ka hije vargu e poezia, i shkëlqen si diell mendimi dhe zgjuarësia, e cila me urtinë e saj të trashëguar prindërore, afirmon kudo vlerat e femrës dinjitoze shqiptare. Dhe kjo është një krenari kombëtare, jo vetëm për Verën, por dhe për të gjithë shqiptarinë, brenda e jashtë vendit…!

E themi këtë, pasi poetja Vera Gjonaj, që nga viti 2000, për një çerek shekulli, jeton e banon bashkë me familjen e saj në Itali, ku ka ndërtuar një profil të fuqishëm, si aktiviste kulturore, krijuese letrare dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut. Ajo mban titullin e Ambasadores së Paqes Botërore, si dhe është e angazhuar si misionare, në pajtimin e gjaqeve – një mision me rëndësi të jashtëzakonshme, që ajo e ka të trashëguar si amanet nga babai i saj fisnik, Musli Etemi, që nuk jeton më. Ndaj, në çdo bisedë, sa herë e përmend babë Musliun, ajo emocionohet dhe thotë: “Unë jetoj për babain tim, që e kam idhull në jetë. Para tij, jam betuar qysh kur isha fëmijë, se do t`ia shtoj krenarinë dhe dinjitetin dhe këtë premtim, do ta mbaj gjithë jetën time. Dhe sa herë shkoj tek varri i tij, dialogoj metaforikisht me të, duke i thënë: A ke ndonjë porosi për mua babë? A ta kam mbajtur fjalën? Pusho i qetë baba, se amanetet tuaja, unë nuk i harroj kurrë…”!

Shpirti human i intelektuales së njohur të Diasporës – Vera Gjonaj, shprehet edhe në ruajtjen e harmonisë sociale dhe të vlerave njerëzore në komunitetet shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut, duke treguar modelin e një gruaje fisnike e të ditur, që i duhet vendit dhe shoqërisë. Duke parë tek Vera Gjonaj, një femër të zgjuar e të ditur dhe me shumë kontribute, që di t`i bluaj mirë mendimet, që ka një linjë të saktë arsyetimi, që flet pak dhe punon shumë, atë e kanë vlerësuar vazhdimisht edhe në Diasporë, duke i dhënë vende pune të rëndësishme, të cilat ajo i ka mbajtur me aftësi e përkushtim, duke afirmuar dukshëm vlerat e saj intelektuale e drejtuese, në çdo punë, që i është besuar. Zgjuarsinë e saj, ajo e shpreh në aftësitë e veta intelektuale, në kapacitet drejtuese e organizuese, në korrektësinë, në angazhimin dhe në përgjegjshmërinë, që e karakterizon gjithnjë, në realizimin e detyrave të ngarkuara.
Znj. Vera Gjonaj është kryeredaktore e Gazetës “Albania Press”, si dhe anëtare aktive e Klubit Letrar të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Veriut, përveç shumë shoqatave dhe revistave kulturore, ku ajo kontribuon rregullisht me artikuj, poezi dhe ese të pasura, në përmbajtje dhe në mesazhe. Ajo ka organizuar dhe ka marrë pjesë në dhjetëra aktivitete kulturore e promovime letrare, në vende të ndryshme, duke përfaqësuar me dinjitet kulturën, artin dhe fjalën shqipe, në arenën ndërkombëtare. Ajo, gjithmonë ka ecur me hap të matur dhe jo të nxituar, ka ecur gjithmonë me këmbë në tokë. Deri më sot, ajo ka botuar gjashtë libra, të cilët janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika letrare, për stilin e saj të ndjeshëm dhe elegant, për tematikën humaniste dhe përkushtimin në pasurimin e letërsisë shqipe bashkëkohore. Ndërkohë, Vera po punon për përgatitjen për botim edhe të librit të shtatë të saj, me poezi. Veprat e saj përfshijnë titujt: “Mall Largësisht”, “Princesha e Gjyshes”, “Ëndrrat e Veraldës”, “Rrënjët dhe stuhi”, “Në Flatrat e Mallit”, si dhe “Përse e Dua”. Krijimtaria e saj është një thirrje për paqe, është dashuri dhe kujtesë kulturore, e cila lartëson identitetin shqiptar në diasporë dhe frymëzon brezat e rinj, për të ruajtur gjuhën, traditat dhe trashëgiminë e Kombit tonë. Ajo është gjithashtu promotore e shumë bashkëpunimeve, mes autorëve të rinj shqiptarë dhe botuesve, duke ofruar mbështetje për afirmimin e zërave tè rinj në letërsinë shqipe.

Përmes Gazetës “Albania Press”, ku është kryeredaktore, Vera Gjonaj ka hapur një dritare të rëndësishme, për kulturën dhe krijmtarinë e shqiptarëve në mërgatë. Gjithashtu, duke qënë edhe drejtoreshë e një Radio Shqip on line, në Suedi, që mban emrin “Minatori”, Vera ka kontribuar shumë, në forcimin e marrëdhënieve në mes shqiptarëve të Diasporës, si dhe ka rritur prestigjin dhe emrin e mirë të emigrantëve shqiptarë, kudo në botë. Veprimtaria kulturore e Znj. GJONAJ, nuk është thjeshtë një angazhim personal, por një mision i vazhdueshëm, në shërbim të komunitetit dhe të vlerave, që i japin shpirt dhe integritet një Kombi në arenën ndërkombëtare, siç janë: fjala, arti, dashuria për identitetin kombëtar, etj. Vera, në shkrimet e saj të publikuara, ka derdhur në to, gjithë pasuritë e botës mendore dhe të shpirtit të vet poetik, ku fjalët i dalin rrjedhshëm, si një lumë kristalesh me shumë peshë, të cilat këndojnë, ndjejnë, pulsojnë e frymojnë dhe ngrihen deri në qell, ku vallëzojnë me yjet dhe vijnë tek ne, më të ndriçuara, më të bukura, sepse ato (fjalët) flasin me gjuhën e atdhetarisë e të patriotizmit shqiptar, flasin për krenarinë tonë kombëtare, flasin për historinë e lashtë e të lavdishme të Kombit Shqiptar…! Dhe poetja Vera Gjonaj, flet me këtë gjuhë, sepse ajo e ngjyen penën, në gjakun e zemrës, për të treguar se gjaku është jetë, është identitet, është histori dhe trashëgimi vlerash, që përcillet me dashuri ndër breza. Pra, në shkrimet e saj, Vera ka vulosur shpirtin e vet, të cilin lexuesi e ndjen, në çdo germë e në çdo fjalë, që del si një ujëvarë e kristaltë, nga shpirti behar dhe mendimi diellor, që rrezaton Frymëzim e dashuri për Kombin dhe për Shqiptarinë…! Me shkrimet dhe me krijimtarinë e saj, Vera Gjonaj, nxit dhe kultivon tek brezat e rinj, dashurinë për librin dhe dashurinë për leximin, duke jua bërë të qartë atyre, se libri është esenca e kulturës dhe e dijes, që nuk e humb vlerën e tij asnjëherë. Me këtë mesazh, ajo kërkon nga të rinjtë, që t`i përkushtohen me më shumë dashuri leximit, të duan fort librin dhe të mos jetojnë kulturën e “boshit”, duke u dhënë pafund pas dixhitalizimit.
Ky është profili i poetes dhe prozatores së talentuar Vera Gjonaj, e cila duke qënë kryeredaktore e një gazete prestigjioze, siç është “AlbaniaPres.com” në Itali, ka luajtur një rol të rëndësishëm, në përcjelljen e shumë mesazheve me vlera kombëtare, ka ndikuar në bashkimin e poetëve shqiptarë, duke i frymëzuar e nxitur ata, që të ecin pas dritës, e cila mbron dhe publikon vlerat dhe historinë e kulturës tonë identitare të Kombit shqiptar, si kombi më i lashtë autokton i Kontinentit. Në këtë kuptim, kontributi i Vera Gjonajt, si kryeredaktore, në mbrojtjen e gjuhës, të historisë, të traditave e të trashëgimisë tonë kulturore, nga lashtësia e kohës së ilirëve, e deri në ditët e sotme, merr një vlerë të madhe e të veçantë, që rrezaton atdhetarizëm dhe frymë kombëtare, brenda e jashtë Shqipërisë, në Diasporë dhe kudo tjetër, ku jetojnë e banojnë shqiptarët. Urime dhe suksese shqiptares fisnike të Diasporës Vera Gjonaj !
Tiranë, më: 16 / 09 / 2025