HALIL RAMA – “MJESHTRI” QË E KTHEN FJALËN NË ORTEK DREJT RRËNJËVE TË IDENTITETIT

Nga Nexhbedin Basha • Publicist, poet dhe kritik letrar

NJË LIBËR QË E KTHEN KUJTESËN NË VLERË
Ky libër i Halil Ramës vjen pas një krijimtarie të gjerë, të shtrirë në disa dekada, me monografi, profile, reportazhe, tregime, poezi dhe kritikë letrare. Ndër veprat e tij kryesore veçohen “Dine Hoxha – një filozof popullor në oborrin mbretëror“, “Muharrem Xhediku, kompozitori i tangos shqiptare“, “Gjeneral Rrahman Parllaku, një legjendë në kufirin e dy kohëve“, “Liri Belishova – gruaja që sfidoi diktaturën“, “Muhurri – histori dhe personalitete“, “Fluturon shqipja mbi Korab“, “Magjia e fjalës“, “Ekzaminimi i diktaturës në vepra letrare“ dhe „Rilindja e emrave“, “Oda Dibrane”, vëllimi i parë “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” etj. Ai mban titullin “Qytetar nderi” i Bashkisë Bulqizë, “Ambasador i paqes”. Është Kryeredaktor i gazetës “Veterani” organ i OBVL, drejtues i revistës “Dituria”, botim i Akademisë Shqiptaro- Amerikane të Shkencave, me qendër në Njujork etj.
Krijimtaria e tij, është e vlerësuar nga studiues e shkrimtarë si Shaban Sinani, Zaho Golemi, Fatmir Terziu, Bujar Kapexhiu, Preç Zogaj, Mujo Buçpapaj, Bashkim Hoxha, Sakip Cami dhe shkrimtarë e poet të tjerë, ku dëshmon përkushtimin ndaj dokumentimit të historisë, portretizimit të personaliteteve dhe pasurimit të kujtesës kulturore shqiptare. Në këtë krijimtari, Dibra zë një vend të veçantë si burim frymëzimi dhe kujtese historike. Vëllimi i dytë i “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave“ vijon këtë përkushtim, duke sjellë në vëmendje njerëzit dhe kontributet që pasurojnë trashëgiminë dibrane e kombëtar.
Libri ka 298 faqe, redaktor Prof. As. Dr. Zaho Golemi, grafikë nga Dashamir Vraniçi dhe parathënie nga Dr. Mujo Bucpapaj, drejtor i Botimeve Nacional dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë. Këta elementë plotësojnë një vepër që synon të ruajë kujtesën dhe të vlerësojë personalitetet e krijimtarinë dibrane. Merita e Halil Ramës qëndron te mënyra si ai i lidh njerëzit dhe veprat me kohën, vendlindjen dhe kulturën që i ka formuar. Dibra shfaqet jo vetëm si hapësirë gjeografike, por si një realitet historik e kulturor, i ndërtuar nga puna, krijimtaria dhe përvoja e brezave.
PARATHËNIA – PORTA HYRËSE NË PANTEONIN E VLERAVE
Në parathënie, Dr. Mujo Buçpapaj ndriçon profilin krijues të Halil Ramës dhe vendin e tij në publicistikën e kulturën shqiptare bashkëkohore. Ai shkruan: “Në panoramën e krijimtarisë shqiptare të fundit të shekullit XX-të dhe fillim shekullit XXI, emri i Halil Ramës shfaqet si një ndër zërat me të qëndrueshëm, më të përkushtuar dhe më poliedrikë të publicistikës dhe të kulturës shqiptare bashkëkohore…” Ky vlerësim nënvizon gjerësinë e veprimtarisë së Ramës dhe përkushtimin e tij ndaj njerëzve, historisë dhe kujtesës kombëtare. Në qendër të këtij universi krijues qëndron njeriu, siç thekson Buçpapaj: “Në thelb të gjithë këtij universi krijues qëndron njeriu – si kategori etike dhe shpirtërore.” Humanizmi dhe respekti për vlerat njerëzore përbëjnë një bosht të rëndësishëm të veprës së Ramës. Përmes portreteve dhe vlerësimeve, ai ruan gjurmët e jetëve dhe të kontributeve që meritojnë të mos harrohen. Vëllimi është organizuar në katër kapituj: “Poezitë e mia”, “Personalitete në panteonin e vlerave dibrane”, “Personalitete të tjera në panteonin e vlerave dibrane” dhe “Promovimet e librave të autorëve dibranë”. Në këta kapituj ndërthuren poezia, portretet, vlerësimet kulturore dhe publicistika. Vështrimi im letraro-artistik nis me poezitë, ku Dibra shndërrohet nga një hapësirë gjeografike në një hapësirë identiteti, ndjenje dhe kujtese. Panteoni i vlerave nuk ndërtohet vetëm me emra, por me jetën, veprën dhe gjurmët që njerëzit lënë pas. Përmes këtij libri, Dibra bëhet pjesë e gjallë e kujtesës shqiptare.
I. NGA SKËNDERBEU TE MUHURRI – RRËNJËT E IDENTITETIT DIBRAN
Kapitulli i parë, “Poezitë e mia“, zbulon anën poetike të Halil Ramës, ku ndjenja ndërthuret me historinë, kujtesën kombëtare dhe lidhjen me vendlindjen. Përmes figurave historike, njerëzve të trevës dhe simboleve të traditës dibrane, poeti kërkon të shprehë vazhdimësinë e identitetit dhe vlerat që përcillen nga një brez te tjetri. Në poezinë “Vendlindja e Skënderbeut“, autori e lidh heroin kombëtar me hapësirën dibrane, duke e vendosur në një reflektim mbi lirinë, qëndresën dhe bashkimin kombëtar. Vlera poetike qëndron te shndërrimi i historisë në përjetim atdhetar, ndërsa interpretimi letrar i kësaj lidhjeje duhet dalluar nga përfundimet historike mbi vendlindjen e Skënderbeut. Te “Me penë e pushkë“, kushtuar Haki Stërmillit, dy simbolet shprehin forma plotësuese të shërbimit ndaj kombit: mendimin dhe veprimin, fjalën dhe qëndresën. Ndërsa pena mishëron fuqinë e ndërgjegjes, pushka simbolizon rezistencën në mbrojtje të lirisë. Një tjetër dimension shfaqet në “I urti dhe i mençuri Sul Dika“ dhe në portretizimin e Hazis Ndreut, të njohur si “Ezopi i Dibrës“. Në këto poezi, vëmendja kalon nga heroi historik te mençuria e fituar përmes përvojës dhe humorit popullor. Humori nuk shërben vetëm për të argëtuar, por edhe për të zbuluar tipare të karakterit njerëzor dhe për të përcjellë të vërteta shoqërore. Në poezinë “Oda dibrane“, oda paraqitet si vatër e kuvendimit, besës, respektit dhe përcjelljes së përvojës ndër breza. Cilësimet “Çerdhe e patriotizmit“, “Tempulli për pleqtë“ dhe „Shkollë për të rinjtë“ nënvizojnë funksionin e saj edukues e shoqëror. Përmes këtij simboli, Rama vlerëson një trashëgimi që jeton jo vetëm në objekte, por edhe në fjalën e urtë, zakonet dhe marrëdhëniet njerëzore. Me poezinë “Vendlindja ime“, kushtuar Muhurrit, rrëfimi poetik bëhet më vetjak. Muhurri përshkruhet si “perlë e natyrës“, ndërsa përsëritja e fjalës “Këtu“ krijon ritmin e një rikthimi emocional te vendi i rrënjëve. Vargu “Këtu ka hedhur rrënjët liria“ e ngre vendlindjen përtej peizazhit, duke e lidhur me kujtesën historike dhe përkatësinë shpirtërore. Në “Termopile shqiptare“, përmes referencave ndaj Lumës, Qafës së Kolesjanit dhe Emin Cibakut, qëndresa shqiptare merr përmasa epike. Krahasimet me Termopilet dhe Vaterlonë synojnë të nxjerrin në pah sakrificën dhe rezistencën, duke e shndërruar përvojën e një treve në pjesë të kujtesës kombëtare. Tema e sakrificës vazhdon në “Portreti në bronz i Klodian Tanushit“. Bronzi merr kuptim simbolik, duke përfaqësuar qëndrueshmërinë e kujtesës për një njeri që dha jetën në shërbim të atdheut dhe paqes. Ndërsa në “Kulla e Llan Devës“, kulla kapërcen funksionin e saj fizik dhe shndërrohet në simbol të familjes, qëndresës dhe vazhdimësisë ndër breza. Nëse oda mishëron trashëgiminë e gjallë të fjalës dhe kuvendit, kulla përfaqëson kujtesën e ruajtur në hapësirën familjare. Kapitulli përmbyllet me “Arti bashkon dy Dibrat“, ku Arif Vladi, Haxhi Maqellara dhe Liri Rasha lidhen me fuqinë bashkuese të artit. Muzika shërben si urë mes Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël, ndërsa Korabi dhe shqiponja përforcojnë idenë e përkatësisë dhe të identitetit të përbashkët. Në tërësi, këto poezi ndërtojnë një udhëtim nga historia kombëtare te vendlindja, nga heroi te njeriu i zakonshëm, nga oda e kulla te kënga. Tematika historike dhe atdhetare merr vlerë të veçantë kur lidhet me peizazhin, përvojën dhe njerëzit konkretë të Dibrës. Pikërisht në këtë ndërthurje të simbolit kombëtar me përjetimin vendor qëndron një nga tiparet kryesore të poezisë së Halil Ramës: përpjekja për ta shndërruar përkatësinë dibrane në një përvojë poetike që i flet edhe kujtesës më të gjerë shqiptare.

II. INSTITUCIONE DHE PERSONALITETE TË KRENARISË KOMBËTARE
Në kapitullin e dytë, vëmendja kalon nga bota poetike te personalitetet që kanë dhënë kontribut në historiografi, arsim, kulturë, shkencë, mjekësi, ushtri, sipërmarrje dhe çështjen kombëtare. Kjo larmi pasqyron shumëpërmasinë e vlerave dibrane, ndërsa sfida e autorit është të evidentojë veçorinë dhe kontributin konkret të secilit. Ish-koloneli dhe studiuesi Halit Daci, që jeton në Nju-Jork, paraqitet përmes librit “Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan“. Duke u ndalur te dy romanet amerikane të James M. Ludlow dhe John H. Crabb, Daci e vendos figurën e Skënderbeut në një kontekst më të gjerë letrar e kulturor, përtej kufijve të historiografisë shqiptare. Çështjes së origjinës së Kastriotëve dhe lidhjes së tyre me Dibrën i kushtohet vëmendje e veçantë. Në artikullin “Nga ishin Kastriotët, ku lindi Skënderbeu?“, botuar në gazetën “Mësuesi“ më 4 shtator 1974, studiuesi Kristo Frashëri argumenton për lidhjen e Kastriotëve me Dibrën e Poshtme dhe Çidhnën. Në këtë debat përmendet edhe Gjon Muzaka, i cili lidh zotërimet e Pal Kastriotit me Sinën dhe Gardhin e Poshtëm. Në të njëjtën linjë, Fatos Daci, “Mjeshtër i Madh“, e trajton këtë tezë në librat “Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës“ dhe “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër“. Pohimi i tij “Për herë të parë, Turqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës!“ shpreh qëndrimin e autorit, por duhet vlerësuar brenda debatit historiografik dhe në raport me dokumentacionin përkatës. Në këtë kujtesë historike përfshihet edhe Muzeu i Kastriotëve në Sinë, i përuruar më 2 nëntor 1985. Një dimension tjetër të ruajtjes së identitetit kombëtar përfaqëson Sakip Skepi, themelues i radios “Jehona e Shqipes“ në Bruksel, më 1986. Përmes veprimtarisë mediatike, ai kontribuon në lidhjen e diasporës me gjuhën, kulturën dhe zhvillimet shqiptare. Lidhjen me vendlindjen e shpreh edhe vetë Halil Rama, biri i Muhurrit. Në shkrimin “Trashëgimia kulturore e Muhurrit dhe Ansambli ‘Dine Doda’“, ai vlerëson rolin e ansamblit në ruajtjen e këngëve, valleve dhe traditave popullore. Kështu, folklori paraqitet si pjesë e identitetit dibran dhe si trashëgimi që kërkon përkushtim për t’u përcjellë brezave të rinj. Në historinë e Forcave të Armatosura, gjeneralmajorja Manushaqe Shehu, e lindur në Peshkopi, përfaqëson arritjen e gruas në nivelet e larta të drejtimit ushtarak. Ajo mori gradën gjenerale në nëntor 2016 dhe atë të gjeneralmajorit në qershor 2021. Karriera e saj, përfshirë detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe angazhimin në bashkëpunimin me NATO-n, i jep kapitullit një dimension institucional dhe gjinor. Prof. Dr. Shpëtim Cami, i lindur në Bulqizë më 20 qershor 1960, me rrënjë familjare në Viçisht e Gjoricë, përfaqëson intelektualin me formim shumëdisiplinor. Nga fizika te marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia dhe shkencat politike, ai ka ndërthurur veprimtarinë në administratën publike, qeverisjen vendore, arsimin e lartë dhe publicistikën. Librat “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë“, “Koherencë“ dhe “Njerëz dhe realitete“, si dhe lidhja e tij me Lidhjen e Intelektualëve Dibranë, dëshmojnë interesat e tij studimore e shoqërore. Në fushën e mjekësisë, Dr.Sali Kurti, stomatolog i lindur në Karicë të Matit më 18 shkurt 1946, paraqitet përmes karrierës profesionale dhe drejtimit të shërbimit stomatologjik në Mat gjatë viteve 1982–1993. Veprimtaria e tij në klinikën “Mat Dental“, si dhe titujt “Mjeshtër i Madh“ dhe “Qytetar Nderi“ i Bashkisë Mat, plotësojnë portretin e një profesionisti të vlerësuar nga komuniteti. Në portretin “Elmaz Lala – profili i intelektualit me karrierë të shkëlqyer profesionale, drejtuese dhe politike“, Halil Rama përshkruan rrugëtimin e tij nga mësues e drejtues i arsimit në Dibër deri në detyra të rëndësishme shtetërore. Vlerësim për këtë veprimtari është edhe titulli „Qytetar Nderi i Dibrës“, dhënë nga Bashkia Dibër më 18 tetor 2025. Agim Deva, publicist dibran, themelues dhe administrator i portalit Muhurr.com, paraqitet si gazetar, botues dhe krijues, me veprimtari që shtrihet nga vitet e para të pluralizmit deri në SHBA. Përmes portalit, ai dokumenton historinë, traditat dhe identitetin e Muhurrit, duke promovuar edhe pasuritë kulturore e turistike të luginës së Drinit të Zi. Portreti nxjerr në pah lidhjen e qëndrueshme të mërgimtarit me vendlindjen dhe përpjekjen për ta përcjellë trashëgiminë te brezat e ardhshëm. Tajar Domi, përmes monografisë “Dinastia Domi e Çerenit të Kalasë së Dodës“ dhe librit “Mençuria shqiptare“, trajton trashëgiminë familjare dhe kontributet e disa brezave në arsim, mjekësi, kërkim, diplomaci e profesione të ndryshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Angazhimi i tij në mbështetje të “Bijtë e Shqipes“ dhe të shkollës shqipe “Gjuha Jonë“, si dhe titulli “Qytetar Nderi“ i Bashkisë Dibër, lidhin veprimtarinë intelektuale me ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit në diasporë. Një formë konkrete të ruajtjes së traditës në mërgatë përfaqëson Haki Collaku, themelues dhe administrator i “Oda Dibrane“ në Filadelfia. Përmes veshjeve popullore, simboleve kombëtare dhe veprimtarive kulturore, ai ndihmon në mbajtjen gjallë të lidhjeve ndërmjet komunitetit shqiptar në mërgim dhe vendlindjes. Në portretin “Sali Duka – simbol i qëndresës, burrërisë dhe urtësisë dibrane“, Halil Rama trajton fatin e një njeriu të përndjekur politikisht dhe të dënuar disa herë nga regjimi komunist. Përmes vuajtjeve dhe qëndresës së tij, historia individuale lidhet me kujtesën e një periudhe të dhimbshme të shoqërisë shqiptare. Interpretimet për veprimtarinë e Sali Dukës gjatë luftës duhen mbështetur në dokumente historike, për të dalluar faktet nga interpretimet e mëvonshme. Në shkrimin “Fatos Daci – trashëgimia studimore, shkencore e publicistike“, Rama vlerëson kontributin e studiuesit në dokumentimin e historisë dhe të vlerave dibrane. Me mbi 60 vepra të botuara, ndër të cilat “Dibra – historia e plotë“, “Enciklopedia e Dibrës“ dhe “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër“, Daci ka krijuar një trashëgimi të gjerë studimore e dokumentare. Rëndësi të veçantë ka edhe veprimtaria e tij përmes gazetës “Dibra“, e cila pasqyron historinë, kulturën dhe personalitetet e trevës. Në portretin kushtuar Dr. Astrit Gjunkëshit, diplomat, poet dhe publicist, Halil Rama vë në pah kontributin e tij profesional, veçanërisht si përfaqësues i Shqipërisë në NATO. Nga këndvështrimi im si ish-gazetar ushtarak, vlerësoj ndërthurjen që autori bën mes karrierës diplomatike dhe profilit intelektual e krijues të Gjunkëshit. Gjeneral brigade Hamdi Dine Doda paraqitet përmes karrierës së tij në Forcat e Armatosura, përvojës në ndërlidhje dhe sistemet e informacionit, si dhe angazhimit në strukturat e NATO-s, misionet dhe kualifikimet ndërkombëtare. Përmes këtij portreti, Rama vlerëson një ushtarak që përfaqëson Forcat e Armatosura dhe vendlindjen e tij, Muhurrin e Dibrës. Ndërsa Petrit Doda, nga Muhurri, lidhet me sektorin minerar dhe investimet hidroenergjetike. Përfshirja e tij zgjeron kuptimin e kontributit shoqëror, duke përfshirë sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik krahas fushave tradicionale të artit e kulturës. Në shëndetësi, Dr. Vera Uka Kurti, bijë e Luznisë, përfaqëson ndërthurjen e profesionalizmit me përkushtimin human. Si mjeke pneumoftiziatre në dispancerinë e Tiranës që prej vitit 2003, me studime doktorale në epidemiologjinë e tuberkulozit dhe angazhim gjatë pandemisë COVID-19, ajo mishëron rëndësinë e dijes shkencore dhe të shërbimit ndaj pacientit. Një portret me ngarkesë të veçantë njerëzore është ai i Major Elton Myrkut, oficer i Forcave të Armatosura, i cili humbi jetën më 30 mars 2021 në Plazhin e Gjeneralit, pasi u përpoq të shpëtonte dy fëmijë nga mbytja. Shërbimi i tij në misione dhe në stërvitjen e trupave në kuadër të NATO-s plotëson portretin profesional, ndërsa akti i fundit nxjerr në pah sakrificën dhe përgjegjësinë ndaj jetës së tjetrit. Loreta Kodra, nga Shumbati, me lidhje familjare në Viçisht, përfaqëson shërbimin publik dhe veprimtarinë sindikale, përfshirë pjesëmarrjen në veprimtari ndërkombëtare, ndër të tjera në Bosnjë-Hercegovinë. Ali Adem Hoxha, studiues, gjuhëtar dhe redaktor nga Çidhna, shquhet për angazhimin në çështje të historiografisë dhe të gjuhës. Studimet e tij për Skënderbeun, toponiminë e Dibrës dhe qëndresën e Çidhnës, së bashku me qëndrimet mbi përdorimin e termit „Jugosllavi“ në kontekste që përfshinin edhe treva shqiptare, e lidhin veprimtarinë e tij me kërkimin e saktësisë historike dhe gjuhësore. Dr. Ardita Koçi, në fushën e radiologjisë, përfaqëson kontributin profesional në shëndetësi. Ndërsa Fiqiri Dine, i lindur në Maqellarë më 15 mars 1898, paraqet një profil historik e politik më kompleks. I biri i Dine bej Maqellarës dhe i shkolluar në Vjenë, ai u përfshi në jetën ushtarake e politike dhe përfundoi në mërgim, ku vdiq në Bruksel më 1960. Sipas rrëfimit të Halil Ramës, Fiqiri Dine refuzoi të nënshkruante një marrëveshje që njihte pretendimet greke mbi “Vorio-Epirin“, si kusht për një ndërhyrje të planifikuar kundër regjimit komunist. Ky episod kërkon vlerësim në kontekstin historik dhe mbështetje në dokumentacionin përkatës. Kapitulli përfshin edhe Imer Ndregjonin, i cili, sipas shkrimit të Ramës, strehoi hebrenj të rrezikuar nga përndjekja nazifashiste, duke vënë në rrezik jetën e vet dhe të familjes. Ky akt guximi, bese dhe solidariteti njerëzor përbën një dëshmi me rëndësi të veçantë në kujtesën shqiptare. Kjo galeri përfshin studiues, mjekë, ushtarakë, intelektualë, veprimtarë të diasporës dhe sipërmarrës. Larmia e tyre e zgjeron kuptimin e panteonit të vlerave dibrane: kontributi nuk kufizohet në një profesion apo fushë, por shfaqet në forma të ndryshme të shërbimit ndaj shoqërisë. Megjithatë, pesha e një portreti nuk matet vetëm me nderimin që i bëhet personazhit; ajo qëndron te qartësia e kontributit, konteksti historik dhe argumentimi që e bën atë domethënës për lexuesin.
III. KUR ARTI DHE KËNGA BËHEN KUJTESË E NJË TREVE
Në kapitullin e tretë, Halil Rama e zhvendos vëmendjen te artistët që kanë ndihmuar në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit dibran përmes këngës, folklorit dhe teatrit. Këtu arti nuk trajtohet si zbukurim i jetës shoqërore, por si një mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtesën. Arif Vladi , i njohur për këngët “Marshi i UÇK-së” dhe “Jam Kosova e shqiptarisë”, përfaqëson fuqinë e këngës për të shprehur qëndresën dhe ndjenjën kombëtare. Titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Bashkisë Dibër” pasqyrojnë vlerësimin për veprimtarinë e tij artistike. Vera Laci, përmes këngëve “Dri o Dri, i ziu Dri” dhe “Në Dibër e Çermenikë”, lidhet me traditën muzikore dhe peizazhin emocional të trevave shqiptare. Titulli “Qytetare Nderi e Bashkisë Dibër”, sipas vendimit nr. 31, datë 17 qershor 2026, shënon vlerësimin institucional për kontributin e saj. Te Bledar Kaca, kënga “Mos harro se je dibran”, me tekst të Munir Dali Hoxhës, e vendos drejtpërdrejt përkatësinë krahinore në qendër të mesazhit. Titulli “Qytetar Nderi” i Bashkisë Dibër, më 25 gusht 2026, plotëson vlerësimin për artistin që përcjell lidhjen me vendlindjen përmes muzikës. Muharrem Gjoka, i lidhur me drejtimin dhe veprimtarinë e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, përfaqëson trashëgiminë folklorike dhe etnokulturore. Ansambli, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, dhe nderimet që Gjoka ka marrë, përfshirë “Nderi i Qarkut Dibër” dhe “Mjeshtër i Madh”, e vendosin kontributin e tij në një traditë artistike që kërkon jo vetëm interpretues, por edhe njerëz që e organizojnë dhe e përcjellin atë. Në këtë kapitull përfshihet edhe Llesh Nikolla, aktor dhe regjisor, i cili drejtoi Shtëpinë e Kulturës në Dibër për disa vjet me radhë. Edhe pse me origjinë nga Mirdita, ai dha kontribut në jetën kulturore dibrane. Prania e tij zgjeron kuptimin e përkatësisë: kulturën e një vendi nuk e ndërtojnë vetëm bijtë e lindur aty, por edhe ata që punojnë me përkushtim për të.
Përmes këtyre portreteve, Halil Rama dëshmon se kënga dhe arti skenik nuk janë vetëm çështje talenti individual. Ato bëhen bartëse të kujtesës, të gjuhës dhe të përvojës kolektive. Këtu vlera e librit qëndron edhe në dokumentimin e një trashëgimie që, pa njerëzit që e interpretojnë dhe e përcjellin, rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës.
IV. PROMOVIMET E LIBRAVE TË AUTORËVE DIBRANË – NJË MOZAIK VLERASH LETRARE E NJERËZORE
Kapitulli i katërt paraqet një tjetër dimension të veprimtarisë së Halil Ramës: leximin dhe vlerësimin e krijimtarisë së autorëve dibranë. Ai nuk mjaftohet me njoftimin e botimeve, por përpiqet të evidentojë temat, idetë dhe veçoritë e veprave. Njohja e afërt me autorët dhe rrugëtimin e tyre krijues i jep mundësi të depërtojë më thellë në botën e tyre letrare, ndërsa vlera e qëndrueshme e kritikës varet nga argumentimi dhe dallimi i individualitetit të secilës vepër. Kapitulli nis me shkrimin “Në emër të gjakut“, si testament moral, kushtuar veprës së shkrimtarit Prenci Ahmet. Përmes tregimeve dhe novelave, Prençi trajton plagët e vitit 1997, tragjeditë njerëzore dhe pasojat e dhunës e të hakmarrjes. Rama vë në pah mesazhin moral të veprës, duke theksuar drejtësinë, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë njerëzore. Kështu, përvoja e dhimbshme shndërrohet në thirrje për reflektim dhe për të mos lejuar përsëritjen e tragjedive. Një tjetër vepër e Ahmet Prençit është romani “Ministri“, që përmbyll trilogjinë e nisur me “Anja“ dhe vijuar me “Brenga e prokurorit“. Pushteti, ligji, morali dhe përgjegjësia publike përbëjnë boshtin e rrëfimit. Përmes konflikteve të personazheve, romani vë në diskutim kompromiset dhe heshtjen përballë padrejtësisë. Merita e interpretimit të Ramës qëndron në evidentimin e dimensionit shoqëror të veprës dhe të përplasjes mes interesit personal, drejtësisë dhe ndërgjegjes. Te “Guri i shkulur“ i Beshir Calës, vetë titulli sugjeron shkëputjen nga rrënjët dhe zhvendosjen që lë gjurmë në jetën e njeriut. Ky imazh hap mundësinë e një leximi simbolik mbi humbjen, largimin dhe marrëdhënien me vendin e origjinës. Në shkrimin “Fëmijëria dhe rinia e një vajze që nuk e gjeti kurrë lumturinë në romanin ‘Historia ime, por jo fundi im’“, i Bujana Malaj, Halil Rama ndalet te një jetë e shënuar nga vuajtjet, zhgënjimet dhe kërkimi i lumturisë. Përmes përjetimeve të protagonistes, ai nxjerr në pah plagët e së kaluarës dhe vështirësitë e individit. Titulli përcjell një mesazh shprese: edhe kur lumturia mungon, jeta nuk e ka thënë domosdoshmërisht fjalën e fundit. Një tjetër profil krijues sjell vëllimi poetik “Ulërima e rrugëve mjerane“ i Bajram Torba, poet, prozator, dramaturg dhe regjisor. Krijimtaria e tij përfshin vëllime poetike, përmbledhjen me tregime “Ngastra nën xhade“ dhe romanin “Thirrmëni në emrin tim!“. Në vlerësimin e Ramës, poezia dhe veprimtaria e gjerë artistike e Torbës lidhen me ndjeshmërinë ndaj përjetimeve njerëzore, dhimbjes, mallit dhe vendlindjes. “Ulërima e rrugëve mjerane“ paraqitet kështu si shprehje e një zëri krijues që kërkon të përcjellë emocione dhe mesazhe njerëzore përmes fjalës poetike. Në këtë panoramë përfshihet edhe krijimtaria ime, përmes shkrimit “Nexhbedin Basha, poeti e publicisti që luan me ‘Violinën e luleve’“. Ky vlerësim e vendos veprimtarinë time poetike e publicistike krahas autorëve të tjerë dibranë, në një mozaik ku secili sjell individualitetin dhe përvojën e vet krijuese. Në veprën “Kamber Duriçi – besë me shpirtin“ të Aqif Puca A, besa shfaqet si çelës për të kuptuar karakterin dhe qëndrueshmërinë morale të personazhit. “Im atë Hyseni“ i Hasan Domi e kthen kujtesën familjare në dëshmi të lidhjes prind–bir dhe të vlerave të trashëguara, ndërsa “Përpushje në tisin e kohës“ e Selman Meziu sjell në vëmendje ngjarje, përjetime dhe njerëz që shkrimi përpiqet t’i ruajë nga harresa. Monografia “Medi Luca, emblemë e qytetarisë dibrane“ e lidh figurën e Medi Lucës me qytetarinë dhe kontributin në komunitet. Te “Po kthehem në Hotesh“ i publiçistit Skënder Skender Murrja, rikthimi te vendlindja shpreh lidhjen e vazhdueshme me rrënjët, ndërsa “Fshati ynë Lubalesh“ i Vehbi Mustës e vendos fshatin në qendër të kujtesës së jetuar, traditave dhe përkatësisë. Dimensioni i mërgatës shqiptare përfaqësohet nga “Personalitete shqiptare në Francë“ i poetit Hamdi Skeja. Përmes personaliteteve të trajtuara, vepra vë në pah kontributin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe lidhjet kulturore që i bashkojnë me vendin e origjinës. Në “Dy poetë në një familje“ të Arben Alliu dhe Anxhela Alliu, poezia shfaqet si gjuhë e përbashkët, pa e zbehur individualitetin krijues të secilit. Ndërsa “Aromë jete“ e Ferit Manreka e drejton vëmendjen te çastet, kujtimet dhe emocionet që i japin kuptim përvojës njerëzore.
Këto vepra ndryshojnë nga zhanri, tematika dhe mënyra e shprehjes. Për këtë arsye, analiza kritike fiton më shumë peshë kur, përtej temave dhe titujve, evidenton veçoritë konkrete të gjuhës, strukturës, figuracionit dhe ndërtimit të personazheve. Megjithatë, kapitulli ofron një panoramë të gjerë të krijimtarisë dibrane dhe dëshmon përpjekjen e Halil Ramës për t’i afruar librat me lexuesin, duke i vendosur në kontekstin kulturor të trevës. Në këtë kuptim, promovimi shndërrohet në ndërmjetësim mes autorit dhe publikut. Veprat nuk paraqiten thjesht si botime të veçuara, por si shprehje të përvojave, ideve dhe këndvështrimeve që pasurojnë jetën letrare e kulturore dibrane.
KUR DIBRA BËHET VEPËR DHE KUJTESË
Duke kaluar nga poezia te personalitetet dhe nga artistët te librat e autorëve dibranë, vëllimi i dytë i “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave“ i Halil Ramës paraqet një mozaik historik e kulturor, ku në qendër qëndrojnë Dibra dhe njerëzit e saj. Vlera e veprës qëndron në dokumentimin e kontributeve të figurave nga fusha të ndryshme: letërsia, studimet, ushtria, mjekësia, arti dhe veprimtaria atdhetare në diasporë. Përmes tyre, Rama ndërton një hartë njerëzore që pasuron kujtesën kulturore dibrane. Megjithatë, rëndësia e një panteoni nuk matet vetëm me numrin e portreteve, por edhe me thellësinë e analizës së veprave dhe kontributeve. Në disa raste, përshkrimi dhe vlerësimi mund t’ia lënë më shumë vendin interpretimit kritik. Kjo nuk e zbeh vlerën dokumentuese të librit, por evidenton mundësinë për ta pasuruar më tej këndvështrimin letrar. Në këtë vepër, Halil Rama shfaqet si publicist me ndjeshmëri letrare, për të cilin Dibra nuk është vetëm vendlindje, por edhe burim identiteti e kujtese kolektive. Edhe shkrimi “Dibra në qendër të krijimtarisë së Halil Ramës“, i vendosur në vend të parathënies, ndihmon të kuptohet kjo lidhje e veçantë e autorit me trevën dhe njerëzit e saj. Në fund, rëndësi nuk ka vetëm sa emra përfshin panteoni, por çfarë na ndihmon të kuptojmë përmes tyre. Përmes njerëzve dhe veprave të tyre, Dibra bëhet më shumë se vendlindje: bëhet pjesë e gjallë e kujtesës shqiptare.
Nexhbedin Basha.
23 tetor 2026