Një ditë, tek po kaloja nëpër një rrugicë të Tiranës, mendova të pija një kafe pasi isha lodhur shumë. U futa në një kafene të tipit më të vjetër që të më kushtonte sa më lirë. Sa u futa në lokal, një burrë madhështor më ftoi të ulesha në tavolinën e tij. Pashë se në kafene nuk kishte asnjë klient tjetër. U përshendetëm shqiptarisht: “TUNGJATJETA!” …E njoha menjëherë. Burri madhështor ishte vetë Gjergj Kastrioti (Skëndërbeu).

-Po ju, i nderuar, çfarë bëni që pini kafe në këtë lokal demode? Çohu të shkojmë në një lokal më të mirë!
-Jo,- më tha prerë, – këtu më pëlqen! Po ju si ju quajnë? – më tha ai.
-Mua më quajnë Gjon. – i thashë.
-E gëzofsh emrin! Sa më pëlqen ky emër!
-Përse të pëlqen? – i thashë.
-Po Gjon e kishte emrin babai im.
-Po unë jam stërnip i Kastriotëve dhe ndaj më vunë këtë emër të nderuar.
-Bukur,- tha ai, -po unë nuk po ndihem hiq mirë.
-Po përse? – i thashë,- o Kryetrimi ynë?
Ai më tha se shqiptarët çdo ditë po rrëshqasin nga rrënjët e të parëve të tyre. Një ditë, tek po kërcenin DANCE mbi varrin tim, u thye një dërrasë e varrit dhe më theu tre brinjë e me zor po ngopem me frymë.
-Po kush kërcente DANCE mbi varrin tënd, o i madhi Skënderbe?
-Qeveria me Opozitën, o Gjon, ata vetëm të kërcejnë dinë.
-Po ti ku e kishe shpatën që t’ua prisje kokat?
-Po, siç e di edhe ti, biri im, ato janë në Vjenë së bashku me përkrenaren time, e askush s’e mori mundimin të m’i sillte e unë me kopje nuk luftoj dot.
-Po mirë, të kuptova.- i thashë. Unë të admiroj shumë se vetëm kur mbretëroje ti ishim të Bashkuar të lumtur dhe SHTET, njëkohësisht edhe mburojë për të gjithë Ballkanin! Si mendon ti,- i thashë, -a të duket mirë të bashkohemi me EUROPËN ne shqiptarët?
-Po më parë duhet të bashkojmë shqiptarët, pastaj të Bashkuar si Komb të shkojmë në EUROPË.- shtoi ai.
-Po si të duket Shqipëria sot?- i thashë.
-Si mos Zot më keq, mezi po kuptoj se çfarë po ndodh, nuk di ku m’i kanë çuar NËNË TEREZEN, ISMAIL QEMALIN, ISA BOLETININ, HASAN PRISHTINËN, GJERGJ FISHTËN, Vëllezërit FRASHËRI e të tjerë atdhetarë si këta.
-Po tjetër çfarë mendoni për ne shqiptarët e sodit?
-Ah, çfarë mendoj unë, po ta them troç: Qysh se ka dalë hajnia, ka vdekë burrëria. Ju po hani kokat e njëri-tjetri për pasuri. Kjo nuk është në traditën e shqiptarit.
-Po ne kemi një jetë moderne, tani kanë ndryshuar gjërat. Ne nuk ecim më në këmbë apo në kuaj, siç bënit ju dikur…
-Ah, Kali im i Bardhë, unë mbi shpinën e tij luftoja për Liri, mbroja Tokat e Arbërit dhe isha Zot i Trojeve të mia, madje më donin të gjithë ballkanasit. Ju sot lëvizni me vetura “përc-përc”, por me vetura nuk mbrohen trojet tona… Ah, Gjogu im i Bardhë!
-Po çfarë të bëj unë, o i Madhi Skënderbe?
-Po thuaju pa frikë, biri im, të gjithëve një për një këto që të thashë unë.
-Po, i nderuar Heroi Ynë, unë nuk do rresht kurrë, do të bëj ç’është e mundur t’ju jap porositë e tua. A do të kemi mundësi të takohemi përsëri?- i thashë.
-Po, biri im, do të takohemi sa herë të duash ti.
U ngritëm të dy në këmbë, u pamë sy në sy, shtrënguam duart dhe takuam kokat në shenjë respekti. Duke u larguar, atij dy pika loti i rrodhën në faqe dhe ju rrokullisën mbi mustaqet e Kreshnikut. Unë u largova i lumtur që e takova Kryetrimin tonë me shpresën se përsëri do të takohemi…!