DY MESAZHE QË MË NGROHIN, POR NUK MARR FLAKË…
Po përcjell dy mesazhe…
I pari, para 9 vjetësh…
I dyti, para dy ditësh…
Nga i njëjti person…
VILI MINAROLLI, AMBASADOR…
Më ngrohin, por nuk marr flakë…
“Unë jam i bindur, më shkruan z. Minarolli, se këtë punë nuk e bëni për dekorata apo për përfitime personale, por nga ndjenja juaj e atdhedashurisë dhe pasioni si mësues.”
Më impresionoi kjo thënie ndaj e nxora nga konteksti, më obligoi për punë, përkushtim, detyrim që të jem në këmbë për të shërbyer në misionin e jetës sime që nisi me një lajm të shkurtër më 8 maj 1957 për të vijuar në dekada, si bashkëpunëtor e gazetar profesionist.
Në Atdhe deri më 21 korrik 1996…
Në mërgim tash njëzet e katër vjet e në vijim…
I bashkova të dy këto mesazhe…
Të vjetrin, në një bashkëbisedim të lirë…
Të riun, pasi ai lexoi një shkrim që përcolla tri ditë më parë…
Nuk e di në se bëra mirë…
Faleminderit Vili Minarolli !
Abdurahim Ashiku
Athinë, 20 korrik 2020
I Nderuar zoti Ashiku,
Ju falënderoj për fotot dhe Fjalën që thashë në 5 vjetorin e shkollës të Athinës.
Por nuk mund të rri pa të falënderuar për atë punë të kujdesshme që bëni për ti jetësuar këto ngjarje që janë pjesë e rëndësishme e historisë të diasporës sonë në Greqi.
Unë kam vënë re që ju jeni prezent kudo dhe kjo lidhet me pasionin tuaj që ta pasqyrosh këtë histori të re në një vend tjetër ashtu siç është dhe ashtu siç ndodh, me vërtetësi dhe realizëm. Pastaj asnjë s’mund të thotë se nuk është shkruar drejt historia dhe duhet korrigjuar.
Por ju keni edhe një meritë tjetër që unë e vlerësoj më shumë se çdo gjë tjetër.
Po ua shpjegoj:
Këtu në Greqi ka shumë gazetarë shqiptarë që shkruajnë veçanërisht për shtypin në Shqipëri dhe që vjen edhe këtu. Unë jam i sigurtë që kur bashkatdhetarët tanë i lexojnë, nuk u vjen mirë. Sepse ata janë shkrime që e prezantojnë shqiptarin emigrant në Greqi, jo me vlerat që ata në të vërtet përfaqësojnë dhe prezantojnë. Drejtuesit e disa gazetave në Shqipëri janë të interesuar për atë që quhet “kronika të zeza”. Por jeta e shqiptarit këtu nuk është kronikë e zezë. Ajo është e mbushur me ato fakte që ju dhe kolegët tuaj këtu në Greqi i paraqesin ashtu siç janë, me një jetë të pasur kulturore, me një jetë të pasur sociale, por ka dhe një veçanti tjetër, që e gjen shprehjen në përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar në një shoqëri që po integrohet, brenda një shoqërie demokratike më e maturuar. Kjo ka nevojë të njihet, të pasqyrohet dhe të arkivohet. Këtë po e bëni ju me shumë sukses, pasion dhe devocion. Nëpërmjet atyre që fiksoni ju, tregoni edhe anën tjetër, pozitive të shoqërisë me të cilën po bashkëjeton komuniteti shqiptar, mikpritjen dhe dashurinë e popujve.
Unë ju falënderoj se dashje pa dashje kam gjetur tek ju një njeri me të cilin na përputhen idealet tona kombëtare, por me vizion integrues në shoqëritë demokratike.
Përshëndetje të sinqerta
I nderuar dhe i dashur mik!
E lexova shkrimin tuaj, ashtu siç kam lexuar dhe të tjerët dhe sinqerisht ndjeva keqardhje.
Ju keni vlera si një gazetar me shumë përvojë, me shkrime e reportazhe që përshkohen nga e vërteta dhe e drejta. Por për mua do të mbetet e pashlyeshme përpjekja për mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e emigrantëve. Puna juaj është një shkollë e vërtetë jo vetëm për përfaqësitë diplomatike por edhe për vetë shtetin tonë.
Unë jam i bindur se këtë punë nuk e bëni për dekorata apo për përfitime personale, por nga ndjenja juaj e atdhedashurisë dhe pasioni si mësues. Shkopinjtë në rrota nuk duhet të na pengojnë në rrugën që keni zgjedhur dhe për mua ju do të mbeteni një pishtar i vërtetë në përhapjen e arsimit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi në punën tuaj!
Vili Minarolli
Krye e formularit
Fundi i formularit