“SHTYLLË” E “BRINJË” TË TRUPIT TIM
Dy sende mu bënë “shtyllë” e “brinjë” të trupit tim.
Makina e shkrimit dhe aparati fotografik…
Aparati i parë ishte Smena,
një aparat rus për amatorë.
E matje largësinë duke rrotulluar objektivin,
Sa metra larg je?
Pesë…
Një, dy, tre, katër, pesë…
hapa të shtrirë…
Po ashtu edhe qartësinë,
E përdora në rini,
Nxënës në bujqësoren e Fierit,
Lumë fotosh kam,
Kënaqem kur i shoh,
shokët e mi,
shoqet e mia…
Të tjerë erdhën pas,
Zorkij…
Practica…
Nikon…
deri tek profesionalët…
Makinën e shkrimit e mësova,
Agronom në lokalitetin e Qendrës,
Në vitet ‘60 – ‘61
Diplomën e studimit 4 vjeçar,
“Erozioni në kushtet e Tiranës”,
me një makinë të “Zërit të rinisë”
e shkrova…
Më pas, makinat nuk mu ndanë,
ku punova e ku jetova,
në vendlindje e në mërgim.
A e dini se çfarë kërkova,
para se të kërkoj punë,
në emigracion?
Një makinë shkrimi
Dhe një aparat fotografik.
Mu bënë vëllezër,
motra, shokë, miq…
në udhëtim,
shpresë dhe ngushëllim…
Makinat e jetës nuk i kam,
kompjuteri i shtyu, i braktisi,
aparatet i kam,
digitale, profesionale…
Makina në foto është e vitit 1974,
një makinë e vjetër që e bëra të këndojë,
Pas saj do të vinte një makinë e re,
Do të vinte edhe teleteksi.
Isha gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare,
Nëpër Dibër e Mat udhëtoja…
Tash kompjuterin kam mik,
zgjohem me të,
ngrysem me të…
kujtimet mbledhë mi ka,
Shkrime të vjetra…
shkrime të reja,
fotografi të vjetra,
fotografi të reja….
Botë e madhe,
e imja,
vetëm e imja,
kolonë vertebrale,
brinjë mbi trupin tim…
Athinë, janar 2021


