7.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Nëntor 2025

Abdurahim Ashiku

EH MOR XHEVAT DANI I MALEVE TË DIBRËS

Anteprima immagine

Një lajm i zi,
kob që të mblidhet në grykë,
frymën ta merr,
mend ti vgjer.
Lajm i shkurtër,
vetëm tre rreshta…
Profesor!
Xhevat Dani vdiq,
Varrimi më datë 9 prill ora 15

Anteprima immagine
Nuk e besova,
Nuk e besoj.
Nga profili jot erdhi,
Kush ma dërgoi?
Kush më hidhëroi?
Anonim, pa firmë…
I shkrova…
Më vjen shumë keq,
Më trondite këtë mbrëmje,
larg Dibre.
Si vdiq?
Ishte i ri dhe tepër i gjallë.
Po pres përgjigje…
mbase dikush
kodin ia mori
për shaka,
se i shakasë
është Xhevati…
Nxënësi im…
shoku im…
kolegu im.
E mor Xhevat Dani
ku nuk patkove,
maleve të Dibrës…
me punën tënde,
me përkushtimin qytetar,
me dhuntitë profesionale…
Sa mall kam,
sa gëzim më solle
më 9 gusht 2019
në 70 vjetorin tënd.
Ka qenë dita më e bukur
e jetës sime.
Atë ditë, shokët tuaj
bashkënxënës…
Në krahë më morën,
Tek ti më sollën.
Nuk ka gjë më të bukur
për një mësues,
kur sheh si janë rritur
filizat e jetës,
se si janë pjekur,
se si tash 50 vjet,
pa u nda…
në ditëlindje gëzojnë,
në hidhërime lotojnë,
shoqërinë e vjetër
kurrë nuk e harrojnë.
Atë ditë bëra shumë fotografi,
incizova zëra të gëzuar,
Veçan atë këngën tënde
shoqëruar nga të gjithë,
gjaku jot,
shokët tuaj,
bashkënxënësit e bujqësores
Peshkopi, matura ’70.
Oh mjeri unë për ty,
XHEVAT DANI…
Qenka e vërtetë,
miku jot,
shoku jot,
Hamza Hyka
gjëmën konfirmoi.
Mjerë Lulëzimja,
shoqe e madhe jete
mjerë djemtë larg,
larg në vend të huaj,
mjerë vajza, nipërit, mbesat.
mjerë shokët miqtë…
grushte lotësh,
faqeve rrjedhin
Drinin mbushin…
Fjala “ngushëllim”
E varfër është…
TË RRONI,
TA KUJTONI,
TA NDERONI…Anteprima immagine

Nuk vij dot Xhevat Dani,
kafen pelin ta pi,
dhimbjen ta mbledh,
lëmsh në fyt.
Ndryshe po vij
Xhevat Dani.
Po vij si atë ditë
të 70 vjetorit tënd…
Po vij,
ta bëj edhe një herë,
bisedën me ty…
buzë Drinit të Zi,
në Podgorcë,
në hijen e plepave…
Po vij me 16 fotografi
nga dhjetëra
fiksuar atë ditë,
nga ai takim.
Fotografi malli,
dashurie,
respekti,
mirësie….
Lamtumirë MIKU IM!
Lamtumirë…

Athinë, 8 prill 2021

Anteprima immagine
FESTOFSHIM BASHKË NJËQINDVJETORË !

Gjithnjë bashkë…
Në klasë në vitet 1966-1970…
Në praktikë…
Në aksione…
Të pandarë edhe pas korrikut 1970, kur dolën në jetë e u shpërndanë damarëve të jetës së Atmëmëdheut…
Gjithnjë bashkë vit pas vitesh, në gëzime dhe hidhërime gjatë 49 vjetëve…
Dhe erdhën ditë që gëzimin e takimit do ta fillonin me drithërima zemre, me kujtime shokësh, me një minutë heshtje…
Kështu ndodhi edhe më 9 gusht 2019 në përvjetorin e 70-të të ditëlindjes së Xhevat Danit…
Xhevati i ftoi të gjithë të ngrihen në këmbë…
Një minutë zi për shokët tanë – thotë Xhevati me vështrimin larg…
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Të rrojmë e ti kujtojmë!
Të lumtë goja!
Kaluar vëllezërve shokët e shkollës, vijon Xhevati, matura 1970 e Shkollës së Mesme Bujqësore “Nazmi Rushiti” të Peshkopisë.
Ndjeva kënaqësi të madhe kur shokët më njoftuan se do të vijnë të festojnë me mua, bashkë, 70 vjetorin tim të jetës…
Në respekt tuaj, sipas zakonit të Dibrës, unë ftova edhe një pjesë të familjes time; vëllezër, motra, bija, djem e vajza, nipër e mbesa, të afërm të mi… për ta festuar 70 vjetorin tim si një familje e vetme, se siç thashë, ju jeni vëllezër e kaluar vëllezërve. Besoj se nuk kam bërë gabim…Anteprima immagine
Qofsh faqebardhë për ftesën!
Qofshi të gëzuar të gjithë!
Festofshi 100 vjetorë të gjithë!
Kënaqësia më e madhe është se sot kam Abdurahim Ashikun, profesorin tonë…
Qoftë i nderuar, qoftë i respektuar!
Unë: Kënaqësia është e imja. Është gjëja më e bukur e jetës sime…
Hajde gëzuar të gjithë!
Hajde u bëfsh 100 veç Xhevat Dani!
Trokitje gotash e urime.
U mbledhshi gjithmonë të gëzuar!
Gëzuar profesor!
Respekt profesor!
Zanin e mirë Xhevat Dani!
Trokitje gotash…
Urime…
Të qeshur…
Të gëzuar…
Me vështrim në vitet bashkë…
Më se një gjysmë dekade të pandarë…

Anteprima immagine

XHEVAT DANI I PODGORCËS SË DIBRËS

Bisedë në 70 vjetorin e lindjes

Mu desh që për disa minuta ta shkëpus nga atmosfera tepër e gëzueshme e ditëlindjes së 70-të të tij, nga pjesëtarët e familjes së tij të ngushtë që kishin fluturuar (ndër ë tjera me një shishe stërmadhe me verë italiane me një urim domethënës) për të qenë të pranishëm në ditën e shënuar të babait, xhaxhait, gjyshit nga miqtë dhe shokët dhe në veçanti nga ata që nuk ishin ndarë me të që nga viti 1966, shokë klase e që nga viti 1970 kolegë në profesionin e agronomit, aq të dashur me njeri tjetrin që së bashku ishin gëzuar në takimet e përvitshme me njeri tjetrin dhe ishin hidhëruar duke përcjellë shokë në amshim. Për ta Xhevati do të na ngrinte në këmbë në një minutë heshtje me një pikë loti në sy…
I mora zërin, tashmë ngrirë në një zarf kompjuterik…
I mora fjalën, tashmë juaja në faqe gazetash e portalesh, ndër të tjera edhe në një “udhëtim” Rrugës së Arbrit, në “Rruga e Arbërit”…

*                 *                 *

Ashiku: Përshëndetje Xhevat Dani!Anteprima immagine
Takohemi pas 49 vjetësh mësuesi dhe nxënësi. Takohemi më 9 gusht 2019, në ditëlindjen e shtatëdhjetë.
Të uroj edhe 100 vjet jetë pas të shtatëdhjetave që feston sot.
Dani: Faleminderit!
Çfarë janë 70 vjet për Xhevat Danin?
Dani: Shtatëdhjetë vjet për Xhevat Danin janë kontribut; kontribut për familjen, kontribut për zonën e Maqellarës, kontribut për Dibrën. Jam shumë i ndërgjegjshëm që nuk kemi bërë aq sa duhet, por do të bëjmë. Do të bëjmë edhe pse kemi bërë 70 vjet dhe jam pensionist, Dibrës sonë do ti shërbejmë.
Ashiku: Kur dhe ku ke lindur?
Kam lindur në fshatin Podgorcë më 9 gusht të vitit 1949.
Pasi mbarova shkollën 8 vjeçare në Maqellarë mu dha mundësia që të vazhdoj shkollën e mesme në Peshkopi.
Kënaqësi e imja ishte që pata pedagog Abdurahim Ashikun që e kam të pranishëm në këtë ditëlindje time.
Jeta ime në shkollë ka qenë një jetë që me të gjithë shokët kemi kaluar në mënyrë të shkëlqyer dhe tash 49 vjet që kur mbaruam shkollën i ruajmë lidhjet tona me shokët e klasës. Vit për vit takohemi. Sivjet është kënaqësi që takohemi për ditëlindjen time. Kënaqësi e madhe është se kam profesorin tim të nderuar, të pranishëm shokun Abdurahim Ashiku.
Kush nga bashkënxënësit tuaj është  i pranishëm sot?
Ashiku: Të pranishëm kam Halil Tanën nga Shkodra, Sabri Ismailin nga Tirana, Ismet Bokën nga Tirana, Hamza Hykën nga Tirana, Engjëll Cukun nga Shkodra, Gjergj Tonin nga Shkodra, Selim Agën nga Tirana, Sabri Ismailin nga Baldushku i Tiranës dhe shokë e shokë të tjerë.
Ashiku: A mund të ma përshkruash udhëtimin tënd nëpër Dibër?
Dani: Në vitin 1974 mbarova arsimin e lartë, në Tiranë, në Kamzë. Fillova punën si agronom dhe arsimtar në Maqellarë. Nga Maqellara shkova kryeagronom dhe kryetar kooperative në Klenjë. Prej Klenje erdha kryetar kooperative në Maqellarë. Kam punuar sekretar i Këshillit të Bashkuar të Maqellarës, përgjegjës për agjencinë e zhvillimit të zonave malore për katër rrethe; Mirditë, Mat, Bulqizë dhe Dibër. Në fund e mbylla me bankën Opornuty Albania. Sot jam pensionist.
Jeta ime ka qenë që ti shërbej sa më mirë popullit tim, fshatarëve të mi, popullit të Dibrës. Dhe kam kontribuar shumë për Dibrën. I kam dhënë Dibrës shumë. Njëmbëdhjetë vite që kam punuar në Klenjë, edhe sot e kësaj dite, klenjasit më urojnë për gjithçka. Më  urojnë për festa zyrtare, festa fetare, për shumë e shumë të tjera. Nuk e di se si mund ta përshkruaj kënaqësinë, respektet që ruhen të jashtëzakonshme nga zona ku kam punuar. Gjithë njerëzit flasin fjalët më të mira për Xhevatin.
Ashiku: Ku banon tani?
Dani: Tani banoj në vendlindjen time, në Maqellarë. Është kënaqësi e madhe. Kam shëtitur Amerikën, kam shëtitur Evropën, Francën, Italinë. Kënaqësia ime është vendlindja ime. Këtë kam zgjedhur.
Fëmijët janë në emigracion. Punojnë me djersën e ballit. Kënaqësia ime është se kam fëmijë të mrekullueshëm që ma kanë organizuar edhe këtë 70 vjetor sot.
Ashiku: Sa fëmijë ke?
Dani: Kam gjashtë fëmijë. Tre djem e tri vajza. Vajzën e madhe dhe dy djemtë e mëdhenj i kam në Firence të Italisë. Djalin e vogël e kam në New York në Amerikë, dy vajzat tjera i kam në Tiranë. Janë me fëmijë, punojnë, janë të kënaqur nga jeta. Janë të gjithë të arsimuar me arsim të lartë. Është kënaqësi që i kam fëmijë dhe megjithëmend janë për së mbari.
Nipër e mbesa kam plot. Kur mora një vizë nga ambasada amerikane një nga pyetjet që mu bë ishte përbërja e familjes. U thashë fëmijë kam plot, nipër e mbesa kam plot. Më tha: “Ti do të shkosh në Amerikë”
Ashiku: Cili është mesazhi jot për të gjithë shokët tuaj të klasës, njerëzit e tuaj këtu dhe larg në këtë ditë të shënuar tuajën?
Dani: I uroj shokëve të mi të klasës pleqëri të mbarë se në pension  janë, të gëzohen familjarisht, me familje, nipër e mbesa me çfarë kanë.
Fëmijëve të mi, për djemtë e vëllait që kanë ikur nga Italia për të festuar 70 vjetorin e xhaxhait sot në Dibër, me shpenzime, me kanë ardhur dhe i kam të pranishëm.
Mesazhi im më i madh është: Shqipëri të qetë, Shqipëri ku të punohet për mirëqenien e këtij populli, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ky është mesazhi im si kuadër që kam shërbyer dikur por që vazhdoj të jem edhe kuadër sot pavarësisht se jam në pension.
Ashiku: Këtu ku jemi është pjesë e Podgorcës?
Dani: Ky është fshati Podgorcë, vendi ku unë kam lindur, vendi që unë e dua shumë. Shumë njerëz duan të ikin ndërsa unë kam ble tokë për tu ngulë mirë në këtë fshat. I kam mbjellë grurë, misër me fasule, shalqinj, bostan, perime të ndryshme që ne i pëlqejmë. Është një fshat i mrekullueshëm buzë Drinit me toka pjellore, të ujitshme. Njerëzit janë të shtruar pas pune. Të gjithë e kanë ndërtuar jetën për sëmbari.
Ashiku: Faleminderit shumë”!
Dani: Rrofsh profesor! Sot kam ndje një kënaqësi të jashtëzakonshme jo për pjesëmarrjen e shokëve por për pjesëmarrjen tënde. Kishte vite që nuk ishim parë dhe kur më thanë se do të vijë profesor Abdurahimi të them të drejtën u gëzova dhe shpreha kënaqësinë më të madhe dhe thashë shyqyr që  do ta kemi në mesin tonë atë ditë.

Abdurahim Ashiku

Fragment nga reportazhi “Pas gjysmë shekulli, mes nxënësve të mi…”

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.