Përkujtohet Beteja e LANË-LURËS

Më erdhi shoqërisht në adresën time të ngushtë.
Më erdhi me shumë fotografi e pak njerëz në sfondin e atij vendi të bukur ku 100 vjet më parë u përgjak si asnjëherë me një fitore që e dëgjoi Evropa dhe bota.
I ndoqa sot në mëngjes tërë faqet e para të gazetave që botohen në Tiranë. Nuk e gjeta as në këndin më të vogël të faqes së tyre mbushur me krime e beteja gladiatorësh partiakë.
Nuk gjeta, në këtë ditë të madhe, as edhe një shkrim historik për qëndresën dibrane ndaj serbit…
Mendova se po ta kishte këtë ngjarje të madhe Vlora, Tirana, Korça, Fieri, Gjirokastra… gjokset do të ishin bërë “krater vullkani”.
Pres nesër se nëse do ta pasqyrojnë me kryeshkrim gazetat dhe lajm të parë televizionet Konferencën shkencore organizuar nga Akademia e Shkencave që do të organizohet në orën 18.00 në Peshkopi.
Mbase i bëhet mbarë rruga presidentit, kryeministrit, kryetarëve të partive parlamentare, deputetëve të të gjithë krahëve, dhe shkojnë.
Mbase…
Abdurahim Ashiku
Athinë 28 tetor 2021
KRONIKA…
Beteja e LANË-LURËS, ose e quajtur ndryshe beteja e Qafë-Gëlqeres është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike e të lavdishme për popullin dibran.
Në kuadër të 100-vjetorit të kësaj beteje (26-28.10.1921), e cila i dha fund luftës së ashpër 9-vjeçare të dibranëve me pushtuesit serbë, nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Dibër, sot, në hyrje të fushës së Lanë-Lurës, u përurua një pllakë përkujtimore në nderim të kësaj beteje heroike.
Mes shumë lurasve të mbledhur anë e mbanë, historianë e personalitete, morën pjesë në këtë ceremoni përkujtimore Kryetari i Bashkisë Dibër Z.Shkëlqim Murrja, i shoqëruar nga artisti dhe njëkohësisht Drejtori i Qendrës Kulturore “Haki Stërmilli” Z.Arif Vladi, Prefekti i Qarkut Z.Nexhbedin Shehu, si dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj.Valentina Haliti, dhe Kryetari i Keshillit Bashkiak Z. Sokol Sava etj…!
*Nesër, me datë 28.10.2021, ora 18.00 pranë Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi, vijojmë me një tjetër aktivitet përkujtimor në nderim të kësaj ngjarjeje historike.
Lavdi Qëndresës së Dibrës!
!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
NJË PYETJE PËR ARKITEKTË E NDËRTUES POPULLORË
Ma thoni sinqerisht, e jo si patronazhistë partiakë.
Lapidari i ngritur në vitet ’80-të në kujtim të betejës së Lanë-Lurës, ishte i tëri prej hekuri e betoni, ngulur në shkëmb një metër thellë…
Në vitin 1992 u shkul dhe u copëtua bashkë me pllakën e mermerit.
U shkul natën që kriminelëve historikë mos u dilte surrati…
Lapidari i ri i përuruar dje. Pllaka informuese, e kritikuar paraprakisht edhe për drejtshkrim të gabuar të gjuhës shqipe, siç e shikoni në fotografi është e mbështetur në dy këmbë hekuri L – 3, mbi një shtresë betoni të varfër.
Pyes: A do ti rezistojë kjo pllakë përkujtimore erërave të forta, pikës poligon i erërave dhe furtunave të njohura të Lanë Lurës?
A do ta mbajnë në këmbë pllakën ato dy këmbë hekuri?
A do tu rezistoj agjentëve të njohur atmosferikë?
Nuk pyes për “kapuçonët” e anti shqiptarizmës. Ata i kanë edhe ditën, edhe natën, të tyre?
Thjeshtë për kërshëri po pyes…
Abdurahim Ashiku
28 tetor 2021