7.5 C
Tiranë
E dielë, 10 Nëntor 2024

Abdurahim Ashiku

 

SI E GJETA DITËVERËN  “DIBRANE“ NË SALAMINË…

 

DITA e VERËS është një festë mbarëkombëtare, ditë që festohet  nga të gjithë shqiptarët: në Shqipëri, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni…

Një ditë atë e gjeta, ashtu siç e pata përjetuar në fëmijëri, në një ishull të Greqisë, midis arvanitasve të Salaminës… 

Dhe në Kukurin malor të Thivas…

Po e përcjell, shoqëruar me një “tufë kukrekësh”, lulet e Ditës së Verës, rrënjë nga Dibra

 

Dita e Verës… 14 Marsi…Sa herë dëgjoj këtë emër kujtesa kthehet  një gjysmë shekulli pas, në ditët e mija të fëmijërisë, në ato ditë që nuk kthehen më. Dita e Verës ishte  një ditë e gëzuar për të gjithë por në veçanti ajo ishte një ditë e madhërishme për fëmijët…

Dita e Verës si dhe shume Ditë të tjera të shënuar në kalendarin vjetor si Nevruzi, Shëngjergji, Shën kolli, Shën Mëria, Shën  Mitri  e të tjera ishin pika referimi  në kalendarin popullor. Fejesat, dasmat, lindjet, vdekjet, të mirat dhe të këqijat, gëzimet dhe fatkeqësitë ishin masë e kalendarit popullor. Nëna ime e mirë, sa herë kur unë festoja ditëlindjen time që sipas letërnjoftimit  ishte më 11 maj më thoshte se ti nuk ke  lindur pesë ditë pas Shëngjergjit  (6 maj)  por pesë ditë para Ditës së Verës. Dhe asnjëherë nuk mungonte të përshkruante, me gëzimin e nënës se si  komshinjtë vinin e të mbulonin me  lulet e sapoçelura të thanës duke uruar që të bëhesh i fortë si thana, të rrethonin me vezë të kuqe që të rritesh i shëndetshëm, “I bardhë e i kuq si veza…”
Që në vogëli, por edhe tani që kam hyrë në dhëmbët e pleqërisë, asnjëherë  nuk më janë shqitur nga qenia ime këngët dhe ritet e Ditës së Verës, bukuria që përcillnin mëngjeset paraditverore. Të bukura, kaq të bukura sa nuk harrohen kurrë, ishin ditët, apo më mirë të them javët e paraditverës…
Ngriheshim herët në mëngjes, pa zbardhur dita. Vishnim shpejt e shpejt ndonjë rrobë të trashë të leshtë që të përballonim të ftohtin e mëngjesit që në Dibër  në fund të shkurtit e fillim të marsit  thuajse kurdoherë ishte me  dëborë e me akull dhe dilnim “Tek Thana”. Kjo bimë  frutore çel e para  midis  të gjitha  pemëve  në anët tona.  Sythat e saj  fryhen  e plasin edhe midis të ftohtit e ngricës. Druri i saj konsiderohet si druri më i  fortë midis të gjithë drufrutorëve që natyra   mban në gjirin e saj të virgjër. Ndoshta kjo është arsyeja që të parët tanë paganë kanë zgjedhur për t’iu  falur thanës, për tu fërkuar pas saj që  “ të bëhemi të fortë si thana”. Edhe këngët që këndonim me zë të lartë që të dëgjojnë komshinjtë ishin këngë që të ftonin  për shëndet. Ja njëra prej tyre ashtu siç ka mbetur e pashkulshme në kujtesën time..

I  fortë  si  thana,

I  lartë si  plepi

I   lehtë si lajtheja

I   bardhë e  i kuq si veja…

Ëndrra dhe dëshira  e fëmijëve në ato kohë ishte të ishin  trup fortë si thana, të ishin trup lartë si plepat kavak që lartoheshin rreth shtëpive, të ishin trup lehtë si lajthia dhe të ishin të bardhë e të kuq si veza. Për këtë i luteshin Ditë Verës.
Ngritja herët ishte një garë e përditshme fëminore. Ai që ngrihesh i pari kishte privilegjin të tallte e përqeshte bashkëmoshatarët e vet  t’u linte atyre “morrat e pleshtat”,  t’u  këndonte me qesëndi :

Fli   or  Gëzim  fli ,

Të   ka marrë nana n’gji,

 Sa qenke  rrit

Qenke ba si shyt…

 

Ftesa  për të dale “ke thana”, ishte domethënëse, qesëndia për ata që flinin gjumë ishte po ashtu domethënëse. Dita e Verës  shënonte fundin e punëve të mbyllura dimërore dhe fillimin e punëve të hapura, punëve të mëdha  të Verës. Ndaj secili tash duhet te ngrihet herët dhe t’u përvishet punëve.
Nata e Verës ishte  Nata e Luleve. Në mesditë, djem e vajza shkonin në zabel dhe mblidhnin lule, bënin me to kurora dhe duke kënduar e hedhë valle vinin   e i ngjisnin mbi portat e shtëpive. Në mbrëmje mblidheshin tek mullinjtë  dhe pasi hidhnin në ujin që shkumëzonte tek dilte nga helika e mullirit  lule, mbushnin ibrikët me ujë dhe me të spërkatnin shtëpitë…
Në mbrëmje, kur binte errësira organizohej ndezja e zjarreve. Pranë çdo shtëpie  fëmijët, në një garë  të pashpallur, me ditë  të tëra punonin  kush e kush të bënte mullarin më të madh, të ndizte zjarrin më të madh. Rreth zjarreve përsëri këndoheshin këngë, thyheshin vezë e  në fund organizohej kapërcimi i flakëve në shuarje.
Në sofrën  e Natës së Verës  zakoni e donte që të vihej gjeli  më i madh i tufës së shpendëve të shtëpisë…

*            *           *

Dita e Verës, 14 marsi, shpaloste të tjera bukuri, të tjera rite. E ndërsa  nënat dhe gjyshet gatuanin  “Petën e Ditëverës”, e mbushur me  gjërat më të shijshme të kohës, fëmijët, djemtë dhe vajzat, madje edhe nuset e reja  që zakonisht merrnin leje për t’u  kthyer tek prindët, nisnin këngët dhe lojërat e tyre. Djemtë luanin kala dibrançe, futboll, dokrra, madje organizonin lagje me lagje  beteja me bahe, një mjet  thurur me penjë që përdorej për të përcjellë gurët kundër kundërshtarit nga një kodër në tjetrën. Goditja që mund të merrej nga një gurë i kundërshtarit  nuk konsiderohej fatkeqësi dhe nuk ushqente asnjë lloj  mërie me kundërshtarin…Vajzat luanin jesir, qorrduka e lojëra të tjera. Luanin edhe një lojë tjetër  me vajzat e lagjes përkundruell. Këndonin dhe u hidhnin romuze  njëra tjetrës.
Gëzim sillnin midis fëmijëve, por edhe të rriturve, ardhja e Llazoreve dhe këngët karakteristike që përcilleshin  në ritin e ardhjes, qëndrimit dhe ikjes  së tyre. Llazoret ishin njerëz, djem dhe vajza, të lagjes tjetër, të cilët visheshin me rroba shumëngjyrëshe dhe në fytyrë mbanin maska  që të mos njiheshin. Llazoret përfaqësojnë ato shfaqje popullore që aktualisht kanë hyrë në fjalorin festiv mbarë botëror me emrin Karnavale
Kur erdha në Athinë për afro një vit të tërë jetova ne Salaminë, një ishull i banuar  nga shqiptarë të ardhur shekuj më parë, nga arvanitas. Një ditë u befasova kur Parashqevula që i kishte kaluar  të gjashtëdhjetat , duke biseduar me mua me fjalë arvanitase (unë  në atë kohë nuk dija asnjë fjalë greqisht)  më këndoi një këngë të fëmijërisë së saj që më solli në Salaminë ditëveret e krahinës sime.
“Kur jeshim të vogëla, më tha ajo, më 14 mars, Ditën e Verës, dilnim në majë të kodrës së Kamaterosë dhe u këndonim vajzave të fshatit tjetër, Ambelaqit:

Ambelaqi   gropa  gropa

I  ka vashat  porsi  lopa…

 

Parashqevula  këndoi me një shqipe çuditërisht të pastër të njëjtën këngë që vajzat dhe nuset e  lagjes së Ashikëve u këndonin  vajzave dhe nuseve të lagjes së Kallçishtit…
Romuzin e Parashqevulës”, shumë vite më vonë, larg gjeografikisht nga Salamina do ta gjeja edhe në një fshat malor të Thivas, në Kukur, në një bisedë me Lam Qefalarin që kishte hyrë në shekullin e dytë të jetës së tij dhe kushëririn e tij Jorgo Qefalari në prag të shekullit…
Jorgoja recitoi:

 Kukurati gropa – gropa
i ka vashat po si lopa.

E pyes se pse u këndonin kështu?
“I ka të mira. I ka prodhuese”.
Përgjigjet, dhe qesh me shpirt.

DITA E VERËS    është një festë e vjetër popullore, një festë shumë e vjetër, festë pagane, parakristiane,  gjeografia e së cilës është shumë më e gjerë se  Elbasani  apo Dibra ku unë përjetova gëzimet e saj fëminore. Ajo është një festë mbarëkombëtare që nuk njeh kufij.
Një festë që unë e gjeta larg midis arvanitasve të Greqisë…

*                 *                 *

Duke  shkruar këto radhë, rrjedhe e kujtimeve të hershme nuk mund të rri pa përcjellë për lexuesin urimin tradicional:
“Gëzuar Ditën e Verës! E gëzofshi  atë  me nanë e me babë, me motra e vëllezër, me nipër e mbesa, me miq,  shokë,  shoqe  e dashamirë ! “

Abdurahim Ashiku

Gazetar, Athinë

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.