RRËFENJË PËR KIRURGUN TAHIR ALKU…
Nga cikli “BURRAT E DIBRËS”
MJEKËT…
Këto mu kujtuan ndërsa shikoja e dëgjoja një emision televiziv për Aida Çajkën dhe foshnjën e saj, ku mendimet e mjekëve dhe komentuesve më ngjanin si “dokërr e drunjtë” në një fushë absurde dokrrash…
Këto mu kujtuan kur një mik nga Peshkopia më dërgoi një fotografi familjare të Tahir Alkut, mjekut që një jetë të tërë ishte pranë e me njerëzit. Një aksident enigmë në ujërat e Shkopetit i mori jetën ndërsa kthehej nga një operacion në spitalin e Bulqizës ku, edhe pse kishte dalë në pension, shkonte herë pas here me makinën e tij për tu qenë pranë njerëzve…
Aida Çajka, bijë Lume e nuse Reçi u përcoll si dokërr në lojën e njohur popullore “dokrrash” nga njeri spital në tjetrin. Pasi i ra “rrotullës” e goditur nga “shkopinj të bardhë”, humbi jetën bashkë me fëmijën e saj…
E dhimbshme në një kohë kur njerëz dhe mjete janë në kufijtë e teknikave të kohës…
E dhimbshme për familjen, dy fëmijët jetimë, kafe e hidhët në mortet në Lumë e Reç
Ndërsa përjetoj dhembjen njerëzore si të gjithë njerëzit me gjak që lëviz arterieve e venave e shpirt që grafullon, mu kujtua një ngjarje e viteve tetëdhjetë që kish mbetur në cepin e kujtesës.
…Isha kthyer nga një shërbim në malet e Gollobordës, midis njerëzve duarartë në ndërtim e punëtorë të palodhur në bujqësi e blegtori. Asokohe nuk kishte celularë e telefonat me dy tela mbi shtylla druri sa kishin arritur në qendër të fshatrave të bashkuar, si u thoshin asokohe, e po punohej që linjat të shkonin në çdo fshat. Vëllai nuk më kishte kapur dot për të më njoftuar për operimin e nënës nga apendiciti akut e unë lajmin do ta merrja vesh vetëm kur hyra në shtëpi. Gruaja po bëhej gati për të shkuar në spital për ti qëndruar nënës time tërë natën e parë të operacionit tek koka. Nuk eca por vrapova. Nuk mu nda hap pas hapi edhe ime shoqe…
Nëna na priti me buzëqeshjen e saj të ëmbël.
Tek koka kishte kirurgun Tahir Alku që po i maste pulsin.
– Gjithçka mirë. – më tha duke më shtrënguar dorën. Pasnesër vjen në shtëpi.
Njihesha me Tahirin ashtu siç njiheshin tërë banorët e qytetit tim të vogël. E respektoja si njeri dhe si mjek në dijet e tij shkencore dhe gatishmërinë për tu shërbyer njerëzve…
Nuk më shkohej në shtëpi ndaj me gjithë lutjet e nënës “shko se je lodhur” vazhdova ti qëndroj pranë…
Dola për një kafe e në hyrje të spitalit, tek urgjenca, takova Vehbi Ketën një mjek me të cilin kisha shumë shoqëri e kishim pirë një “ibrik kafe” bashkë…
Një sirenë ambulance na e dallgëzoi kafenë në filxhan. Hamdiu, shoferi i palodhur i ambulancës të spitalit, frenoi dhe gati i shpërfytyruar nga ajo që kishte përjetuar thirri: “Shpejt, shpejt, drejt e në sallën e operacionit”.
Lëvizje njerëzish, hapje e mbyllje dyersh, shqetësim qytetar…
Pyes se çfarë kishte ndodhur.
Në Herbel, në atë kthesën e rrezikshme tek rruga zbret në përrua e kthehet thuajse njëqind e tetëdhjetë gratë brenda një ure të ngushtë, një makinë me pasagjerë ishte rrëzuar. Një grua e re kishte përplasur kokën dhe gjaku e kish mbuluar sa nuk i dalloje fytyrën.
E morën dhe me shpejtësi e çuan në sallën e operacionit…
Tek ishim me Vehbiun në sallën e urgjencës hyri Hamdiu që po kërkonte shoqëruesin e gruas, bashkëshortin e saj që fatmirësisht nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim të dukshëm.
Një shqetësim tjetër qytetar. Ku ishte? Ku shkoi?
Dikush tha se ishte nisur për në Ushtelencë tek familja e të shoqes…
Ushtelenca nga Peshkopia është një orë larg në këmbë. Një udhëtim natën nga një njeri pa shoqërues, në një gjendje shoku nga ngjarja por edhe i tronditur nga aksidenti, edhe sikur të mos kishte asnjë dëmtim fizik, ishte një ngjarje tjetër e rëndë.
Ushtelenca nuk kishte lidhje telefonike. Provuam Brezhdanin, fshat një gjysmë ore larg. Nuk dilte njeri.
Mora centralin e repartit ushtarak. U prezantova se kush isha, u tregova rastin dhe u kërkova të më lidhnin me repartin ushtarak të Zdojanit. Lidhja ishte e menjëhershme. Kërkova oficerin e rojës. U përgjigj menjëherë. I thashë se jam Abdurahim Ashiku dhe marr nga komiteti i partisë. I tregova rastin dhe adresën e familjes ku do të shkonte i traumatizuari nga aksidenti. U kërkova të dërgojnë një skuadër të vogël me ushtarë dhe të kërkojnë e sjellin në spital personin. Më tha se do të shkonte vetë së bashku me dy ushtarë. Reparti ushtarak ishte po aq larg në shtrirje tokësore sa Peshkopia me Ushtelencën…
Vebiu, i çuditur nga adresimi im më tha:
– Si u the; “Marr nga komiteti i partisë” ?
– Mos duhet të shkoja në zyrë që ti merrja në telefon prej andej? Koha nuk pret.
Të nesërmen mësova se skuadra e ushtarëve me oficerin në krye kishin arritur në një kohë me burrin e traumatizuar. Kishin hyrë në shtëpi, kishin sqaruar familjarët dhe i kishin nisur për në spital për të përjetuar ngjarjen e rëndë që lidhej me të bijën.
Mësova edhe për betejën për jetën në sallën e operacionit. Mjeku Tahir Alku, kirurg me përvojë ishte ndodhur para një gjendje që nuk e kishte provuar asnjëherë. Gruaja kishte thyerje të kockave të kokës dhe me siguri rrjedhje të gjakut në hapësirën trunore. Një thirrje drejt Tiranës ishte një vdekje e sigurt edhe sikur të sillej helikopteri i urgjencës. Një lëvizje edhe deri tek fusha e sportit ku uleshin helikopterët ishte të humbje një jetë në një moshë fare të re…
Nuk mund të priste. U tha shokëve se do të hapte kokën e gruas. Gatishmëria e tyre e qetësoi…
Hapi kafkën. Vërejti se nuk ka dëmtime fizike. Pastroi tërë gjakun e derdhur mbi palat e trurit me kujdesin që të mos mbetet qoftë edhe një grimcë sado e vogël…
Në mëngjes, kur dielli nxori kokën nga maja e Hynoskës doli nga salla e operacionit me sigurinë dhe dyshimet që lindin në shpirtin e mjekut në raste të tilla kur luftohet për jetën…
Pas qëndrimit disa ditë në reanimacion gruaja, e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur, kaloi në dhomën e të sëmurëve tashmë nën kujdesin dhe buzëqeshjen e të shoqit, prindërve e miqve…
Ishte përkushtimi qytetar i mjekut Tahir Alku, profesionalizmi i tij, përvoja dhe guximi që i shpëtuan jetën gruas së re nga Ushtelenca…
* * *
ynoskëlshH
Këto mu kujtuan ndërsa shikoja e dëgjoja një emision televiziv për Aida Çajkën dhe foshnjën e saj, ku mendimet e mjekëve dhe komentuesve më ngjanin si “dokërr e drunjtë” në një fushë absurde dokrrash…
Këto mu kujtuan kur një mik nga Peshkopia më dërgoi një fotografi familjare të Tahir Alkut, mjekut që një jetë të tërë ishte pranë e me njerëzit. Një aksident enigmë në ujërat e Shkopetit i mori jetën ndërsa kthehej nga një operacion në spitalin e Bulqizës ku, edhe pse kishte dalë në pension, shkonte herë pas here me makinën e tij për tu qenë pranë njerëzve…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 24 shtator 2017