BISEDË NGA NGUJIMI ME MBESËN TIME IVONI
Nga cikli “MBYLLU PËR TU HAPUR”
Nuk vij dot mbesa ime e bukur, nuk vij…
As ti nuk vjen dot, nuk vjen…
Nuk na lënë të takohemi, të përqafohemi, të lozim, të qeshim…
Më dhemb në shpirt, më godet në zemër, në kokë, në trup, në këmbë e krah…
Dhembje si kjo nuk është parë, as dëgjuar…
E di që ti më do shumë…
E ndjej kur ti më thërret me një muzikalitet simfonik “Të dua gjysh”. Kaq bukur e thua fjalën “gjysh”, kaq ëmbël e shqipton sa dashuria për ty merr krahë e fluturon…
Të dua shumë mbesa ime e bukur, shumë, shumë, shumë…
Të shoh çdo ditë në skipe, çdo ditë…
Të pashë edhe kur Nëneja, si i thërret ti, të tha eja, të pres…
Dhe hapi krahët…
Dhe ti i hape, si zog, si flutur…
Dhe ti vrapove, hape kanatën e dollapit, more këpucët me qafa, shtyve me dorë qirinjtë në tavolinën e televizorit dhe u ule…
U ule duke bërë me dorë të të vishnin këpucët. Si gjithnjë…
Pastaj u ngrite dhe vrapove tek dollapi i rrobave, kërkove xhupin, atë me lepurush…
Dhe thërrisje:
“Nëne të dua shumë”!
“Gjysh të dua shumë”!
Oh çfarë dashurie!
Oh çfarë dhembje!
Oh çfarë ndarje!
Legjendat janë të varfëra kësi skenash…
Edhe përrallat, poezitë, romanet, komeditë, tragjeditë…
Qave mbesa ime kur ti morën nga këmbët këpucët, kur nuk ta veshën xhupin…
Tu mbushën sytë e bukur me lot…
Lumë iu bënë gjyshit dhe gjyshes, nuk i mbanin rrudhat e pleqërisë…
Rrëshqisnin e mblidheshin në mjekër, rrjedhë kroi…
Mos qaj mbesa ime e bukur, mos derdh lot…
Jemi mbyllur për tu hapur…
A e kupton këtë?
Nuk e kupton…
As unë s’e kuptoj…
E kush e kupton?
Jemi mbyllur deri atëherë ku shtrati i lumit do të thahet nga lotët…
Atëherë… nëpër të, si në një autostradë, do të vrapojmë drejt njeri tjetrit, krahë hapur, gjokse e qafë shtrënguar, të lirë nga një betejë e përbotshme…
Do vijë ajo ditë mbesa ime e bukur, do të vijë…
Deri atëherë mos i vish këpucët, mos e kërko xhupin…
DURO !
Thërret fort…
Gjyshi jot DURO
Athinë, 31 mars 2020