SHKOLLA QË MORI EMRIN E SKËNDERBEUT
Meditimet e një Skënderbegasi…
Jam ulur në një karrige në hyrje të hyrjes së “Edem”, një lokal në breg të detit të Atikisë. Gjerb në qetësi kënaqësinë në fytyrat e njerëzve që hyjnë gazmorë e bëjnë vend tavolinave shtrirë në tërë gjatësinë dhe gjerësinë deri tej.
Shoh njerëz me barrën e thinjave bardhë si bora mbi kokë, të rinj e të reja veshur me “fundin e sepetit” si i thonë në anët e mia. Brezi i dytë i “flokëthinjurve”, bijë e bija që kur i pyet të thonë…”kam ardhur në kujtim të babait tim…”, vogëlushë kapur duarsh prindërish e gjyshërish. Një buqetë njerëzish mbledhur maleve e fushave të Shqipërisë që kanë ardhur t’i gëzohen një dite, një date lidhur me jetën dhe përkushtimin e shtatëdhjetë viteve kohe të largët, kohe të afërt, aq të afërt sa gjithkush shtrin dorën e, e kap, e ve përpara, e shikon, i gëzohet…
Fjala është për 28 marsin 1945…
Fjala është për ata që atë ditë pranvere, mbi bankë kishin ndërruar pushkën trofe e një lufte heroike, me lapsin, me penën, me librin…
Fjala është për Shkollën Ushtarake “Skënderbeg”…
Atë ditë, atë datë, ata do të ishin “Skënderbegas”…
Kristaq Hysollin nuk e mban vendi. Ka përgjegjësinë e organizatorit, të njeriut që tash shumë ditë është kujdesur që të vijnë sa më shumë “Skënderbegas”, nga ata më të moçmit dhe nga ata më të rinjtë. Të vijnë edhe personalitete të jetës në mërgim, edhe drejtues shoqatash, edhe dashamirë të gëzimeve…
Nuk di se kë të shënoj si njerëz të përveçëm sepse, as do të mundja dhe as hapësira e një meditimi nuk i nxë…
Pertef Sadikaj është më i vjetri i skënderbegasve në mërgim. E ka filluar në vitin 1950. Është kryetar i shoqatës “Skënderbegasi” në mërgim, në Athinë dhe më gjerë.
Zëri i tij kumbon në një “qetësi ushtarake”, në vlerë të një shkolle, në vlerë të një plejade të tërë nxënësish që arritën të drejtojnë me profesionalizëm një ushtri, që sfiduan me dije e kulturë gjeneralë të mëdhenj me gjoksin mbushur me yje e dekorata betejash të mëdha të Luftës së Dytë botërore, që zotëruan qiellin dhe detin e Atdheut…
Dashnor Dervishi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Greqi flet mes kujtimesh dhe emocionesh, mes ëndrrës së tij për të qenë skënderbegas dhe gëzimin që i jepet duke i dhënë flaketën e anëtarit të nderit të Shoqatës “Skënderbeg”.
Kërkova mos gjej ndonjë moshatar timin mes atyre njerëzve që i gëzoheshin çastit. Gjeta që pas Pertefit unë isha i dyti në moshë si “Skënderbegas”. Ai ishte i vitit 1950 kurse unë i vitit 1954…
Kur mata vitet, 61 vjet, nuk mund të mos meditoja për vitet e mija në Shkollën Ushtarake “Skënderbeg”…
Malli më ktheu “një jetë pas”, kur shkëputesha nga vendlindja, Dibra ime. Shkëputesha për tu rikthyer …
…Udhëtova nga Peshkopia në Tiranë një ditë fund gushti 1954. Atë ditë një “shi gushti”, nga ato shira me pika sa një arrë, kishin “shkulur malin” dhe kishin bllokuar rrugën e ngushtë diku midis fshatrave Krajkë dhe Godvi. Qëndruam shumë në pritje të largimit të mundimshëm të baltës e gurëve me mjetet e kohës, me kazmë, shatë e lopatë. Në muzg, kur dielli u fsheh pas Temlës dhe nata mbuloi luginën e Bulqizës, u nisëm për të arritur në Tiranë pas mesit të natës.
U zgjuam nga një fyell i mprehtë dhe i gjatë, fyelli i trenit me lokomotivën që poshtë nxirrte avull e lartë tym. Ai fyell do të na zgjonte e do të na nanuriste çdo mëngjes e mbrëmje. Shkolla Ushtarake “Skënderbeg” atë kohë kishte vendin dhe hapësirën më të bukur në Tiranë, hapësirë që më vonë do ta zinte Spitali Ushtarak…
Ishin kohë të vështira atyre viteve, kohë kur Shqipëria ishte në kapërcim të krizës së bukës, kur ende njerëzit në qytete ushqeheshin e visheshin me triska e ato në fshatra plotësonin nevojat për kripë, vajguri, sheqer…me “reciprok”, këmbime të produkteve bujqësore e blegtorale me ushqime e veshmbathje…
Shkolla ushtarake “Skënderbeg” ato kohë kishte normën 5 të ushqimit, dy shkallë më të ulët se sa norma e ushqimit të pilotëve. Kishte uniformën më të bukur ushtarake…
Ishte një fidanishte ku shteti nuk kursente për rritjen e shpejtë të filizave të rinj…
Përveç shokëve të mi të një klase: Shefqet Kabën, Nazmi Çoren, Jonus Mediun, Simon Rajtën, Ali Cakonin, Kasëm Spahiun, Guri Kitën… jeta ime do të mbushej edhe me shumë shokë nga Veriu e nga Jugu, nga e gjithë Shqipëria.
Me Mikel Jankun, mjeshtrin e madh të futbollit shqiptar, isha në një klasë, në të njëjtën skuadër futbolli, në skuadrën e dytë të klasës. E kishte pasion të madh “portën”. Stërvitej nën gjuajtjet tona në një gropë të mbushur plot me tallash, “gropën e portierëve” siç e quanim. Mikeli, me vullnetin e jashtëzakonshëm që e karakterizonte, dalëngadalë u ngjit si portier i skuadrës së parë të klasës, si portier i shkollës, si portier i “Partizanit”, si portier i Kombëtares.
Kam pas një shok të ngushtë banke, Abaz Haxhiun. Në korrik të vitit 1959 një lajm i kobshëm më ndau nga takimet me Abazin por jo nga kujtimet e bukura me të. Abazi iu përkushtua boksit. Atë verë ai pas një ndeshje spektakolare në Shkodër mori titullin kampion për të rinjtë. Pak orë më vonë, ulur në një stol në një lulishte të Shkodrës një hemorragji cerebrale ia preu rrugën ëndrrave të tij. Ishte miku im më i mirë i viteve të rinisë, djali i vetëm i një familje durrsake…
Një vit para meje kisha Allaman Isakun nga Dovolani i Dibrës kurse një vit pas kisha Ahmet Sulejmanin, djalë i një familje të nderuar nga Valikardha rakinë e dashurisë së tyre qëlloi që ta pi vite më vonë. Allamani dhe Ahmeti do të pushtonin qiejt e Shqipërisë për të qenë midis pilotëve më të mirë të saj.
Nga pilotët nuk mund të harroj Sefedin Tomçinin, të qeshurën e tij, heroizmin e tij. Një defekt në supersonikun që ngiste e vuri para provës së madhe “Të hidhej me katapultë për të shpëtuar veten apo ta përplaste avionin mbi kodrat për të shpëtuar Lushnjën!?” Sefedini zgjodhi rrugën e përjetësisë për të mbetur i përjetshëm në fluturim midis shqiponjave të ajrit të Shqipërisë…
Jeton Barutin e kisha përpara meje kurse Jonuz Mediun në krah tim, në një klasë. Të dy nga Greva, fshat lindja e tyre. Jetoni dhe Jonuzi pas dy viteve studimi në Bashkimin Sovjetik i mbaruan studimet për inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës. I kam takuar të dy në Orikum, drejtues teknikë të makinave luftarake të ujit, nëndetëseve dhe vaporëve luftarakë….
Nga dyert e Shkollës Ushtarake “Skënderbeg” kanë dalë shumë specialistë civilë që bënë rrugë të pashkelura në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Me Sefedin Qorlazen nga Kërçishti i Epërm i Dibrës kisha katër vite shkolle diferencë, përpara meje. Ai mbaroi Universitetin e Tiranës për gjeologji për tu bërë një ndër gjeologët më të mirë të kromit, dy herë fitues i Çmimit të Republikës të shkallës së parë për hapësirën gati të përjetshme që i hapi shfrytëzimit të kromit në masivin më të madh shqiptar dhe nga më të mëdhenjtë në botë, masivit të kromit Bulqizë, Batër, Tërnovë, Cërujë, Selishtë…
Midis kujtimeve nuk mund të lë jashtë “hapin e shtrirë”, hapin që në një përbërje kuadrati skënderbegasish, shtriva në Dhjetëvjetorin e Çlirimit të Atdheut, në Paradën Ushtarake më 29 Nëntor 1954…
Nuk mund të harroj edhe nderin që mu bë që të isha pjesë e “skuadrës” të skënderbegasve në mbrëmjen qendrore që jepej asokohe në Pallatin e Brigadave, takimin me udhëheqësin, Enver Hoxhën. Copa për kostum që mora atë mbrëmje ishte dhurata e parë e madhe, më e madhja deri sot…
Mes mësuesve nuk mund të harroj mësuesen e letërsisë “Penelopën” siç i thoshim kur na komentonte Iliadën dhe Odisenë e Homerit, Stavri Angjelin drejtorin dhe mësuesin e matematikës, mësuesin e fizkulturës komentatorin e madh sportiv Ismet Bellova komandantin e kompanisë së katërt toger Loshën dibranin nga Kacnia e Katër Grykëve të Murrës, kujdestarin e kompanisë kapter Noken…
…Humba në kujtime të largëta në kohë por të afërta në shpirt. Bekimi dhe Aleksandri m’i ndërpresin me dollitë e tyre të pafund. Vallet e gjalla me vajza e gra të qeshura, me djem e burra azganë, ma shtojnë mallin për ato ditë dhe ato kohë, për ata nxënës të shkollës që gjithkush shpresonte se do të kishte vetëm një datë të shënuar, 28 marsin 1945…
Pëllumb Uka, kur mësoi se edhe unë do të isha midis skënderbegasve pasi shënoi like mbi fotografitë e mia, mu lut të kërkoja midis festuesve tre miq të tij shkolle Skënderbeg; Andrea Renxa nga Vithkuqi i Korçës ish komandantin e tij që siç ma përshkroi ishte 70 vjeç, Romeo Palin 52 vjeç nga Piqerasi dhe Niko Vasilin nga Saranda. Më kërkoi që t’i përqafoja dhe të dilja një fotografi me Ta. Kishte mall, shumë mall për ta. Mendonte se ishin në Athinë…
Bëra tellallin midis rreth dyqind vetëve që mbushnin mbrëmjen e gëzuar. Nuk ishin në Athinë.
Mbase ndonjëri prej tyre i lexon këto radhë dhe mbush fletët me kujtime ashtu siç i mbusha unë…
Jetova çaste të bukura mbrëmjen e 28 marsit 2015, çaste që nuk do t’i harroj kurrë…
Abdurahim Ashiku
(Botuar në librin “Skënderbegasit ndër vite” me autorë Maksim Fejzulla dhe Kujtim Boriçi, Pjesa e Dytë” f. 471-475)