14.5 C
Tiranë
E enjte, 6 Shkurt 2025

Abdurahim Ashiku

NDËRTUESIT  SHQIPTARË  NË  EKONOMINË GREKE

Cikël shkrimesh nisur nga një kërkesë greke, bisedë midis dy kryeministrave

”Mbi kurrizin tim kanë peshuar aq gurë sa do të bëhej një mur me gjatësi sa këtu në Kakavi…”

Na është bërë organike tashmë sa herë hapim televizorin dhe dëgjojmë fjalën “alvanos”, mëndja të na shkojë për keq. Shumë të këqija na janë veshur shumë herë pa të drejtë. Mjafton që diku të bëhet një vjedhje shtëpie, një dhunim, një vrasje dhe menjëherë reporterët e së keqes, argatët e medias që ushqimin e ditës e nxjerrin duke gjurmuar të keqen, pa e menduar gjatë, thonë se krimineli ishte…shqiptar.
Disa prej tyre, që nuk e dinë se shqipja i ka të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e tyre (madje edhe diçka më tepër) thonë se dëgjuan nga goja e kriminelit fjalën “dulja”. Këta lloj reporterësh të së keqes, me këtë “fakt” na bëjnë të qetësohemi dhe ta ndjekim ngjarjen me indiferentizëm.
Edhe parmbrëmë, ndërsa ndiqja lajmet e një televizioni me zë, me të dëgjuar fjalën “alvanos”i ngrita veshët lart.
Ndoqa me vëmendje sekuencat filmike dhe u befasova. ANT1 e kishte fiksuar kamerën dhe zërin tek disa shqiptarë që ndërtonin vila të bukura në bregdet, që hidhnin themele të gurta dhe ngrinin shtëpi të gurta. Djem të rinj e burra me përvojë që latonin gurët, u jepnin atyre forma dhe, jo ngrinin, por qëndisnin mure. Kamera u ndal në duart e tyre të çara nga thikëzat e mprehta të gurëve, në fytyrat e tyre të rrahura nga dielli dhe era e ishullit, në vështrimin zhbirues që i bënin objektit të punës së tyre.
I pamë edhe në sinkron, tek tregonin me modesti për punën me gurë, si e kishin marrë zanatin nga të parët e tyre dhe si e kishin ngritur në mjeshtri këtu në emigracion, si këtë zanat ua transmetonin më të rinjve duke e përhapur mjeshtërinë e ndërtimit kudo.
Ndjeva kënaqësi nga ajo kronikë, ngrita kokën lart.
Media greke shpesh na ve në grykë të lajmeve të këqija dhe na qëllon me topat e kalave mesjetare duke e mbuluar punën e madhe që bëjnë emigrantët me një tym të zi baruti.
Ajo kronikë e ANT1 më ngjalli pak shpresa se më në fund shqiptarët do të kenë emrin e tyre në ndërtim të Greqisë. Sigurisht jo emra të tillë si Karl Gega i tunelit të famshëm të Sameringut, as si Arkitekt Sinani i vlerave arkitekturale të papërsëritshme që ka Kostandinopoja, qyteti që u ngrit nga themelet nga një Ilir, nga Konstandini i Madh, për të hyrë në histori si emër i përveçëm. Shqiptarët emigrantë të shekullit të njëzet e një-të e dinë se ku e kanë derdhur djersën e tyre, I dinë shtëpitë, qytezat e qytetet që kanë ngritur e ngrenë. I dinë edhe grekët të cilët sa herë që hyjnë e dalin nga këto vila, kujtojnë fytyrat e atyre që i ngritën nga themelet.
I kam të fiksuara në syrin e aparatit fotografik shumë nga ndërtuesit e mureve me gurë, mjeshtër të vërtetë, kam thënien e një miku tim në ishullin e Zakinthosit, Danel Cana…
”Mbi kurrizin tim kanë peshuar aq gurë sa do të bëhej një mur me gjatësi sa këtu në Kakavi…”
Kronika të tilla sjellin mes njerëzve, grekëve e shqiptarëve klimën e shëndetshme të miqësisë dhe respektit të ndërsjellët, gjëja që më shumë se çdo gjë u duhet sot popujve. Ato janë kala të vogla që lidhin vendet në bedena të përbashkët.
Nga arkivi i fotoreporterit po nxjerr një fotografi (sa për ilustrim) fiksuar në bregdetin e gjirit të Karavasarasë së vjetër, Amfiloqisë së sotme, një “qëndismë” në muret e një vile që sheh detin…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 15 prill 2015

 

MA DALLGËZOVE SHPIRTIN VELO CFARKU

Udhëtim mes kujtimesh të largëta

Më mirë mos ma kishe dërguar atë libër Velo Cfarku, mos ma merrje shpirtin e ta dallgëzoje atyre maleve, atyre vendeve që hyjnë e mbeten përjetë si një ëndërr, asaj treve ku ti linde e unë mora e mbusha shpirtin me një tufë kujtimesh që syrgjyni (dhe vetëm ai) i ve në qendër të jetës. Se ty, i dashur Velo, nuk të ra shorti i jetës të syrgjynosesh, të udhëtosh në legjendën “Nëntë male kaptuar“, të përballesh me gjuhë tjetër e dhunën për t’iu përshtatur vendit të huaj. Ti Velo ishe e Velo mbete. E vetmja rrugë e jetës tënde ishte nga malet e Gollobordës; nga Gjinoveci, Klenja e Trebishti në Peshkopi. Më pas shkove në Lezhë e siç më tha Kozmai tani ke ngreh një pallat në Tiranë.
Unë, megjithëse “Nëntë male kaptuar“, më ndodh, kur takoj apo flas me ndonjë dibran, të iki (si ai qengji i Naimit) me mend atyre vendeve e të bujë në ato kulla apo kasolle mbi male. Unë, vazhdoj të jem dibran jo vetëm shpirtërisht por edhe ligjërisht. Ende nuk e kam hequr (dhe nuk do ta heq) qenien qytetar i Peshkopisë, megjithëse bashkë me fëmijët, e kam një shtëpi në Tiranë dhe nja pesëqind metro katrore tokë në Kamzë. E shumta që mund të bëj është që ta spostoj gjendjen civile në Zdojan, në fshatin ku linda dhe ku kam varret e prindërve. Por këtë do ta bëj kur atje, në majë të asaj kodrës që sheh tërë luginën e Drinit të Zi e Nëntë Malet e Dibrës, të bëj një kasolle dhe të dremis vitet e fundit të jetës…
Kur Kozma Traja më dha letrën tënde të ngrohtë (Ti nuk mund ta kuptosh se sa të ngrohta janë letrat e vendit tënd, veçanërisht kur vijnë dhe mes kujtimesh të marrin me vete) dhe librin tënd të parë, “Golloborda në optikën e kohës” dallgët e shpirtit i kaluan tetë ballët. Diçka kam shkruar si meditim të atij takimi, diçka që ndonjë ditë do ta lexosh.
Ç’është e vërteta unë gjatë këtyre viteve jo vetëm një herë kam qenë në Gollobordë.
Jo fizikisht, por me shpirt e me zemër, në udhëtime fantastike. Kam qenë në Ostrenin e Madh me vëllezërit Rama. Kam qenë edhe në Ostrenin e Vogël me Eduard Sulën, dibranin që i shpëtoj dhunës detare të anijes Sibila të marsit të egër 1997 duke lënë mes dallgëve të zeza djalin, gruan dhe vëllanë. Kam qenë edhe në Tuçep e Lladamericë, në ato kopshtet e bukura ku rriten pemë gjithfarë llojesh, ku ka një burim, një kanal ujitës që kalon kufirin, një hidrocentral. Kam qenë edhe në Pasinkë e Tërbaç. Madje Tërbaçin e kam lakuar në sa e sa shkrime falë një miku që kam nga Tërbaçi i Vlorës. E din ti i dashur Velo se Tërbaçi i Vlorës e ka konakun dhe gjakun e të parëve të vet nga Tërbaçi i Dibrës ? Unë e kam parë të shkruar me germa të mëdha (shprehje krenarie labe) në muzeun e fshatit, muzeun “Hysni Kapo“ siç e quanin atëherë. E trazuar është Shqipëria, i dashur Velo, e trazuar. Jemi një edhe pse historia (dhe histeria e fuqiplotëve) na kanë dashtë të ndarë e të përçarë. Aq të ndarë sa është i vetmi vend në botë që është prerë siç pritet berri për kurrizi e qendrën gjeografike të vetën (francezët kanë Verdunin) e ka jashtë kufijve, diku midis Dibrës së Madhe dhe Strugës. Ti je mësues i shkencave ekzakte dhe mund të bësh matje, matje të cilat të jesh i sigurt se nuk luajnë “me pash“.
Me thënë të drejtën, i dashur Velo, e kisha dëshirën që ta bëja një rrugë mes përmes Gollobordës. E ëndërrova dhe e planifikova dhjetëra herë vitin e kaluar kur një miku im emigrant më tha se kur do të përurojë lokalin e tij në Librazhd do më marrë me vete. E pata skicuar që pasi të kaloja natën në Librazhd të nesërmen t’i zija pritë ndonjë fugoni që udhëton drejt Gollobordës. Më kishte marrë malli të mbushja grushtet me ujë në ato çezmat në shkallën e Lunikut, të hidhja një sy mbi ato kullat e gurta të Llangës, kulla ku mjeshtëria e të ndërtuarit ka bërë monument, të ndalesha për pak minuta në fushën e Studnës, atje ku një herë e një kohë patatet formonin kalldrëm mbi tokë e kamionët autokolonë transporti. Doja, kur të ngjitesha lartësive të Steblevës, bjeshkëve të mrekullueshme të Kallkanit të mblidhja një dorë lule mali e me një vështrim t’i përcillja larg në malet e Okshtunit e Prodanit, atje ku Haki Stërmilli i madh i letrave dibrane pat shkruar ditarin e tij të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqiptarëve.
E kam me vete Haki Stërmillin. E kam jo me veprën e botuar por me të pa botuarën, me “Dibra në prag të historisë“. Diçka shkruan Hakiu edhe për Gollobordën e fillim shekullit të kaluar. Diçka kam edhe unë në një bllok me shënime të nxjerra nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë“, botim i Qeverisë së Vlorës në vitet 1913 – 1914. Po e lë në qetësi pak kompjuterin në kërkim të tyre…
…Të dytën harroje. Në bllok kam vetëm këtë shënim: “Përlindja e Shqipërisë, vjeti II nr, 4, 11/24, kallnduer 1914, e shtunë.
Flet për barbaritë serbe në Gollobordë nën titullin “Udhëtim në Gollobordë“ Vazhdon edhe në nr. 5, 15/28 kallnduer 1914…
Më vjen keq që nuk e kam. E kisha vendosur atëherë që ta fotokopjoja të tërë shkrimin që thuhej se ishte bërë sipas tregimit të një diplomati. Nuk u bë sepse atëherë (1978) fotokopjuesi i Bibliotekës Kombëtare ishte tepër i ngarkuar.
Mund ta kopjoni ju i dashur Velo. Jeni në Tiranë dhe kohë keni me bollëk. Unë po të kisha këtë privilegj do të mbillesha e mbija në bibliotekë.
Të parën, atë që e dokumenton Haki Stërmilli në “Dibra në prag të historisë” mund të ta shkruaj pa i bërë ndonjë “redaktim“ në gjuhën drejtshkrimore të sotme…
“…Zoti Kenedy, misionar Amerikan në Korçë, me përpjekjet e mundimshme që hoqi për Kombin Shqiptar, u bë i shtrenjtë për ne. Shkon n’atë kohë edhe në Gollobordë për tu ba disa ndihma atyre ma nevojtarëve. Shoqi i tij shqiptar, mbasi përshkruan bukuritë natyrore të Gollobordës, ban në formë përshkrimi edhe psimet e këtyre katundeve në kohën e okupimit serb:
Në Fushë Studën shofim nji vorr dhe pranë vorrit nji shtëpi. I vrami qe i zoti i shtëpisë së djegun. Përqark kanë pa edhe shumë shtëpi të djegura ndonëse Studna në atë kohë kishte qenë brenda kufinit tonë. Ma përpjetë bje në Zabzun dhe ka ndalë vetëm në dy shtëpi se të tjerat ishin ba gërmadhë e hi. Njena prej kësaj shtëpie kish ba fli dy vëllazën. Ke xhamia tregon nji grue faqe së cilës i vranë të shoqin, Halil Aganë. Prej këtij trishtimi gruaja hikën dhe len foshnjën pranë shtëpisë. Serbët kur dogjën shtëpinë e kapën edhe djalin e vogël dhe e hudhnë në zjarr të gjallë…
…Më tutje shohim nji vorr dhe në gërmadhë të shtëpisë së djegun gjejmë të mbeturat e grues e cila kishte qenë djegun ma parë në zjarr…
…Në Zabzun u vranë 34 vetë dhe u dogjën 175 shtëpi…”
Me dhimbje i dashur Velo, me dhimbje jemi ngjitur në të përpjetën e historisë për të bërë vend midis kombeve të Evropës, të asaj Evrope që nuk na deshi, që na ndau e na përçau, të atyre fqinjëve që copa lakmonin të merrnin duke na konsumuar kafshatë pas kafshate derisa një ditë të dilnin në Durrës, Shëngjin e Vlorë, duke na brejtur tërë kockat.
Fatmirësisht qëndruam. Ndoshta edhe në sajë të zgjuarsisë dhe fjalëve të asaj gruas që përmendet në historinë e Trebishtit, të asaj gruas që foli shqip, kur shqiptarët dhe shqipen (edhe sllavishten) duhej ta kërkonin tutje Tetovës e Gostivarit, në Shkup, Preshevë e Nish, në Ulqin, Tivar e Vermosh…
Më ngope me ajrin e pastër të atyre maleve i dashur Velo në udhëtimin tënd të fundit në Klenjë e Gjinovec me zotin Zibitko. Do të doja të isha edhe unë me ju, veçse, pasi të pija një kafe në qytezën e sharrëtarëve të më jepnit leje të zbrisja pak në Steblevë për tu dalë përpara sipër, tek ai dyqani me artikuj të përzierë anës rrugës. Kisha dëshirë ta shoqëroja në raki atë plakun e vjetër të Avdëve, Ibrahimin, atë që na mori përkrahu nga sharra e na çoi në shtëpinë e tij, që u deh e na vuri në kor të këndojmë (edhe ne çakërrqejf ) refrenin e asaj këngës së tij të çuditshme, këngë me dy vargje “Më ka humbë një dhi, kërkoj një cjap“. Në mos gaboj (pleqëria bën të vetën) kemi qenë bashkë atë natë. Kaq humor e shpirt mikpritjeje nuk kam gjetur gjëkund në udhëtimet e mija maleve të Dibrës.
Ke një farë dallgëzimi në shpirt i dashur Velo kur në Klenjë e Gjinovec kërkon të kaluarën, kërkon Budinin e ujit të pijshëm e të ujëmbledhësit të Golemovës, kërkon “shatërvanët“ e ujitjes së fushës. E pashë që të erdhi keq që nuk u ngjite në Raduç, nuk ece midis barit dhe luleve të atij mali të lartë që është bukuri e bukurive të zonës. Thoshe se u frikësove nga retë në qiell kur duhet të thoshe se frikësoheshe nga “retë mbi kokë“, ato lloj resh që të zbardhin kokën e të ndalin këmbën në të përpjeta. Ma ka ënda të udhëtoj edhe një herë atyre maleve por nuk më len këmba. Ma ka ënda që t’i bije mes për mes Klenjës, të ndalem pak tek spitali e të marr të përpjetën në perëndim, atë të përpjetë që të çon në një majë ku pamja e Sebishtit me lumin mes për mes, me gjelbërimin dhe shtëpitë pranë e pranë të tërheq si me magnet.
Ma zbehe pak dëshirën e një udhëtimi nëpër ato vende të bukura kur shkruan se atje tashmë mungojnë shkollat, spitalet, njerëzit. Golloborda në syrin e kohës qenka tjetërsuar. Bukuria e vendit pa bukurinë e njeriut pranë e pranë, pa punën e tij u zhbëkërka aq shumë sa ti duke kërkuar qoshkat e kujtesës tënde të fëmijërisë e rinisë, humbe midis degësh e ferrash…
Nuk e harrova Trebishtin i dashur Velo, të Tre Bishtat që e formojnë atë ; Bala, Muçinë e Çelebi. Nuk kisha si ta harroja sepse atje kam qenë disa herë dhe në një ndër tubimet e tij me rastin e 70 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, paralele në kohë me atë të Peshkopisë, më 14 prill të vitit 1914 (në mos më ka lënë kujtesa për datën) kam mbajtur edhe një kumtesë. Tema lidhej me disa aspekte të psikologjisë së punës të ndërtuesit gollobordas. E pata punuar me dashuri atë kumtim. Me dashuri dhe ovacione u prit nga njerëzit e ngjeshur si sardelet në kuti në sallën e shtëpisë së kulturës. Me shënimet tuaja, veçanërisht me fotografitë, më ktheve një çerek shekulli pas. I kam ato fotografi, në letër dhe në negativ, se edhe unë, si puna jote, jam paksa manjak në ruajtjen e gjërave. Kam një arkiv të tërë me fotografi e me negativa që nuk di se çfarë ta bëj dhe si ta administroj. Atë kohë, dhe ata njerëz, edhe pse kanë qenë heronj të mëdhenj ndërtimesh, që kanë ngritur qytete, fabrika, hidrocentrale e kanale ujitës i shohin me sy vëngër dhe (kur janë gjallë) u japin një pension sa as për bukë thatë e kafe nuk mjafton.
Asokohe, bashkë, i qemë ngjitur kodrës përpjetë, rrugës për në Gjinovec dhe më tej në Klenjë. I mban mend ato tubat që shtriheshin gjatë gjithë rrugës për t’i dhënë Trebishtit ujë ? Jam larg se do të rrëmoja në fotografi e në filma dhe me siguri do të gjeja ndonjë pamje të Tre Bishtave nga lart dhe të kanaleve e tubave në montim.
Më vjen keq që Klenjës ia kanë marrë “pushtetin“ por nga ana tjetër më vjen mirë që ai ka bërë vend në Trebisht, fshat që nuk është i madh vetëm për numrin e shtëpive e të banorëve por është i madh për numrin e njerëzve që ka nxjerrë e kanë bërë vend në historinë e Shqipërisë si ndërtues, mjekë, historianë, mësues, ushtarakë e të tjerë. Nuk po i përmend me emra sepse i ke prezantuar ti më së miri në shënimet e tua. Megjithëse, midis tyre do të veçoja mikun tim, mjekun dhe njeriun Arif Hasani që shtëpinë e tij në Trebisht e ka kthyer në një spital modest ku edhe mund të bëjë operacione të urgjencës. Po ashtu desha t’i bëj një homazh nderi dhe respekti edhe historianit të njohur Hilmi Sadiku kontributi i të cilit në nxjerrjen në pah të vlerave historike të Dibrës, për mua, është i nivelit për t’u shpallur “Qytetar Nderi i Dibrës“.
Në letrën tuaj miku ime Velo, më shkruaje, duke më dërguar “si dhuratë simbolike librin tim të parë Golloborda në optikën e kohës ” se “Ju jeni gazetar, sigurisht, do të keni dhe vlerësimet tuaja“. Më ngjan, se duke udhëtuar me ty faqeve të librit, në ato vende me bukuri natyrore dhe njerëzore, me një histori të lavdishme pune dhe qëndresë atdhetare, e kam thënë fjalën time në atë masë sa do ta kisha për nder të isha bir i asaj treve.
Megjithatë e kam një rezervë, rezervë që përvoja e dymbëdhjetë viteve në emigracion, vite aktive edhe në fushën e publicistikës, më ka ngacmuar dhe më ngacmon, më bën të tund kokën mendueshëm. Këtu miku im, për interesa të mbijetesës, një numër jo fort i vogël shqiptarësh, kanë ndërruar fenë dhe kombësinë, kanë ndërruar emër e vendlindje. Janë bërë “vorioepirotë“ edhe pse janë prej Dibre, Kukësi, Tropoje, janë bërë “ortodoksë” dhe “vaftisen” (lexo kungohen) edhe pse të parët e tyre kanë qenë muhamedanë, edhe pse ata u rritën në një klimë ateiste dhe nuk njohin asnjë lloj riti fetar… Të tjerë e kanë shpallur veten “çobanë“, “arumunë grekë“ duke marrë dokumente e leje qëndrimi për kohë të gjatë, duke aplikuar për nënshtetësi greke dhe duke dërguar fëmijët e tyre me bursa në Rumani kur nuk dinë asnjë fjalë rumanisht. Një miku im dhe i juaji (nuk po ia përmend emrin sepse është një intelektual dibran shumë i njohur) për t’i shpëtuar ndjekjeve kur ende nuk ishim legalizuar e prezantonte veten si serb duke përdorë si “pasaportë“ sllavishten e vendlindjes së tij. Këtë njeri, para një viti e takova në Tiranë. Duke pirë kafe para galerisë së artit, duke qeshur më vuri përpara pasaportën e tij bullgare, pasaportë e cila me futjen e Bullgarisë në Bashkimin Evropian, i hapte atij rrugët e gjëra të Evropës…
Kur i mendoj të gjitha këto, duke shtuar edhe ato që lexoj e dëgjoj në Shqipëri për “romë“, “egjiptianë“, “malazezë“, “maqedonas“, “arumunë“, “bullgarë“ etj. , etj. më krijohet përshtypja se në Shqipëri nuk ka shqiptarë, se shqiptarët janë minoritet, janë mysafirë në truallin e tyre të lashtë, truall i cili me mbretër parakristianë si Pirro i Epirit, Aleksandri i Madh i Maqedonisë e më vonë mbretëresha Teuta, mbreti Genti, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu etj. përbëjnë rrënjë të forta të një gjeneze të lashtë.
Në replikat tuaja përdorni shpesh e shpesh fjalën “Maqedoni“ dhe “maqedonisht”. Shoqërisht dua t’ju them se jeni futur në një thekër që nuk ka fund, që hynë dhe nuk del dot.
Maqedonia si vend, shtet madje edhe Perandori, i përket periudhës para Krishtit, kohës së Filipit dhe Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Fara e banorëve të sotëm të trevës së hershme të Maqedonisë është hedhur, ka bërë rrënjë dhe ka lidhë fryte në shekullin e gjashtë – shtatë pas Krishtit. Në librat shkollorë të Maqedonisë, siç dëshmonte në një emision televiziv Ali Ahmeti i BDI – së, thuhet se të parët e tyre kanë ardhur në shekullin e 6 – të. Në historiografinë greke, shqiptare dhe nga historianë të njohur evropianë thuhet se banorët e para shekullit të 6 – të në atë hapësirë gjeografike ishin ilirë dhe grekë. Nuk po hyjë më thellë, le ta thonë fjalën historianët e jo gazetarët për hollësi, por ama një fakt tepër të njohur dua ta them, faktin e pushtimeve dhe të shpërnguljeve (dhe të gjenocidit) të indianëve të Amerikës nga pushtimet e fuqive të mëdha evropiane të kohës, të shuarjes së gjuhës dhe të zakoneve të tyre dhe mbivendosjes së gjuhëve të pushtuesve.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada por edhe në Australi gjuhë zyrtare është gjuha angleze. Në Meksikë, Kubë, Kili, Argjentinë etj. flitet spanjisht. Në Brazil flitet portugalisht. Gjuha e pushtuesit është bërë gjuhë e vendit të pushtuar pa marrë emrin e vendit. Kështu askush nuk thotë se në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada flitet amerikanisht apo kanadisht, se në Brazil flitet brazilisht, se në Meksikë flitet meksikisht, se në Australi flitet australisht etj., etj. ndonëse gjuha bazë në këto vende; anglishtja, portugalishtja apo spanjishtja kanë pësuar ndryshime që mund të ballafaqohen me ndryshimet që ka pësuar sllavishtja në udhëtimet e saj nga stepat e Azisë në vendet e begata të Evropës e kryesisht të Ballkanit. Në këtë kuptim unë do t’ju sugjeroja që të bëni një “redaktim“, të mos i jepni sllavishtes së mbivendosur në tokën e Maqedonasve të Aleksandrit të Maqedonisë emërtimin “maqedonisht“. Për të mos thënë edhe atë tjetrën që përbën aktualisht edhe precedent politik midis dy vendeve ballkanike (për të mos thënë tre) emrit Maqedoni, shtetit Republikë e Maqedonisë, republikë e cila mori emër si republikë e ish Jugosllavisë ashtu siç quhet në arenën ndërkombëtare edhe sot. Dhe ti e din mirë se si u krijua dhe kush e krijoi. E krijoi Titoja për të dobësuar serbët që kishin marrë në mënyrë arbitrare toka e popuj nga Konferenca e Londrës, e krijoi që t’i ndante dhe përçante shqiptarët në “tre republika” dhe në një krahinë autonome, Kosovën. Maqedonia si shtet i pavarur, si republikë, është shteti më i ri në Evropën e fundshekullit të njëzetë. Ndoshta jam i gabuar por unë nuk kam lexuar gjëkundi dhe nuk kam dëgjuar për republikë maqedonase dhe shtet maqedonas në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kësisoj edhe për gjuhë maqedonase. Në Dibër për gollobordasit ne kemi thënë gjithnjë që ata flasin bullgarçe… Ky është mendimi im edhe pse ju dhe çdokush tjetër mund të ma kundërshtojë.
Në letrën tuaj më shkruani se “Unë, tash së shpejti do të botoj një libër të dytë “Përplasjet në Dibër“ me burim nga ndeshjet që kemi patur gjatë viteve në gazetë“.
Për tu bërë të mendoheni strem unë do t’ju përcjell një bisedë të bërë duke pirë kafe në turizmin e Matit në kohën kur isha korrespondent i ATSH – së, një bisedë me sekretarin e parë dhe kryetarin e rrethit…
…Ra fjala për Gani Tuçepin, ndërtuesin e madh të veprave ujore.
Ata ishin lidhë në telefon me Ganiun dhe i ishin lutur që t’i ndihmonte në projektimin e liqeneve artificialë të Balgjajt, liqene që unë i kam parë në vitin 1982 nga maja e malit që ndan Dibrën me Matin, madje edhe i kam fotografuar. I kishin thënë që do të dërgonin makinën që ta merrnin dhe së bashku të ngjiteshin në Balgjaj. Ai u kishte thënë se ai do t’i ngjitej në këmbë malit dhe takimin do ta bënin tek burimet që dilnin nga mali. E kishin kundërshtuar por vendimi i Ganiut, kur ishte fjala për t’iu ngjitur maleve dhe për të piketuar kanale e ujëmbledhës, ishte i prerë. Ai donte që çdo gjë ta shkelte me këmbë.
Ishin takuar në lartësitë e malit, kishin parë vendin dhe kishin përcaktuar digat për liqenet. Nuk e kishin lënë të kthehej në këmbë. E kishin marrë me vete dhe i kishin shtruar një drekë në të ndarën e veçantë për mysafirë në turizmin e qytetit. Tek po drekonin të dy drejtuesit e rrethit po bisedonin njëri me tjetrin për problemet e ditës, po gjykonin për gjëra që nuk ishin bërë mirë dhe se si duhej t’i kishin bërë. Ganiu, pasi i dëgjoi dhe i dëgjoi me vëmendje u tha: “Mos shikoni çfarë nuk keni bërë se sëmureni. Shiu që ikën nuk do tamar. Shihni përpara t’i bëni gjërat mirë se ato të japin shëndet…”
Më ka ngelur në kujtesë ajo bisedë e tre dekadave më parë, mesazhi që u jepte një njeri i thjeshtë i punës, Ganiu nga Tuçepi i Dibrës, dy njerëzve që në vend ta mbanin kokën përpara e mbanin prapa.
Mos e boto atë libër miku im. Nuk i vlen askujt. Dhe për më tepër nuk të vlen ty. Herën e fundit që jemi takuar bashkë, në kafenenë e Pallatit të Kulturës, ishe me Fatos Dacin. Nuk e di në se, pas replikës që kishe bërë pse ai botoi një opinion të dikujt që binte ndesh me mendimet tuaja, a takoheni më bashkë dhe pini kafe “të ëmbël“ ?
Përvoja e jetës sime në emigracion më ka mësuar se që Shqipëria të ecë përpara duhet që shqiptarët ta mbajnë kokën përpara. Ta mbash shikimin mbrapa, duke u dhënë këmbëve përpara, thyen qafën. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë sot të shohin vetëm përpara. Kanë nevojë për “qafë të fortë“ që të tërheqë e vërë në brazdë parmendën e jetës…
Fola me ty sot, i dashur Velo, fola në një ditë të madhe për kombin e vuajtur shqiptar, fola më 17 shkurt 2008, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Ditën e Ëndrrës së Madhe Shqiptare, u përfshiva mes dallgësh gëzimi dhe krenarie që vetëm shpirti i lexon dhe i shkruan pa gabime…

Athinë, 17 shkurt 2008

DUART  DHE  INTELEKTI  I  SHQIPTARËVE  NË  EKONOMINË GREKE

Cikël shkrimesh nisur nga një kërkesë greke, bisede midis dy kryeministrave

Një gazetar grek në një televizion privat tha: “Shqiptarët hanë bukën prej nesh, por mos harrojmë që ne hamë kekun prej tyre”…
Në moment u futen reklamat…
Pas tyre gazetari nuk ishte më në studio
…(?!)

*                 *                 *

Para disa vjetësh një botues  i fuqishëm  grek, në një bisedë të ngushtë  bënte çudinë se “Që kur  kanë ardhur shqiptarët  ullinjtë në Greqi prodhojnë vit për vit “.
Si njohës i biologjisë së ullirit, me ndihmën e një mikut tim që e njihte greqishten mirë, i shpjegova se  ulliri është një drufrutor që   i pëlqen ta “përkëdhelësh” gjatë tërë kohës, por “përkëdhelinë” më të madhe e kërkon kur  jep frytin e tij të çmuar, kokrrat që kur i shtrydhim rrjedhin vajin aq të çmuar në jetën e njeriut . Ulliri nuk e duron “dajakun”  në degët e veta, nuk e duron për faktin se shkopi duke goditur kokrrat godet edhe degëzat e vogla, sythet frutorë që fshehin në vetvete lulet e pranverës, prodhimin e së ardhmes. Ulliri në këtë kohë  duron që nëpër degët e tij të kalojë vetëm dora e njeriut, krehri që merr kokrrat dhe le sythat frutorë…
I thashë intelektualit grek se  prania e shumtë e emigrantëve shqiptarë në  fshatin grek, në bujqësinë greke nuk ka sjellë vetëm krahun e fuqishëm të punës por edhe  trurin e stërvitur që depërton në biologjinë e bimës sepse, shqiptarët në një masë të madhe kanë mbaruar shkolla të mesme të profilit bujqësor dhe njohin biologjinë e bimëve…
Nuk e di në se më kuptoi intelektuali grek por, prej asaj kohe më ka ngacmuar mendimi për të njohur   jo vetëm forcën e krahut por edhe të trurit të emigrantëve shqiptarë në bujqësi, ndihmesa e të cilëve, ndonëse është tepër e vështirë të matet e të pasqyrohet në shifra, është e pranishme dhe e kapshme.
Një studim  i universiteteve greke të Patrës dhe të Janinës konkludon se  70  për qind e ekonomive bujqësore greke mbijetojnë vetëm në sajë të punës së emigrantëve. Shumica e tyre, saktësisht 90 për qind,  sipas studimit, janë shqiptarë. Ky fakt ka bërë që të pohohet me plot gojën se bujqësia  greke, fshati grek, mbijeton në një shkallë të madhe në sajë të punës së shqiptarëve.
Këtij studimi mendoj se i mungon një detaj  cilësor, pikërisht niveli arsimor e profesional i emigrantit shqiptar. Është një fakt i pamohueshëm se, në Shqipërinë e mbyllur  për shumë gjëra, shkolla ishte e hapur. Arsimi  tetëvjeçar ishte i detyruar. Arsimi i mesëm, megjithëse nuk ishte i detyruar,  kishte marrë një shtrirje masive. Shkolla e mesme profesionale, sidomos ajo e profilit  bujqësor dhe zooteknik,  ishte e shtrirë edhe në zonat më të thella e të largëta të Shqipërisë.  Ishte shtrirë në atë masë sa “fshat të bashkuar” pa shkollë të mesme profesionale nuk gjeje.
Mërgata ekonomike shqiptare, djemtë e rinj që në vitet ’90  kaluan kufirin grek stacion të parë të punës së tyre patën fshatin grek, bujqësinë dhe blegtorinë greke. Ata morën nga kjo bujqësi por edhe i dhanë asaj, ishin jo vetëm objekt por edhe subjekt i saj.
Dëshira që të mësoj  se sa është kontributi intelektual i emigrantit shqiptar në bujqësi, sa ai ka qenë subjekt i saj, më shtyu që gjatë një vizite  në fshatin Agio Georgiu Feron të Volosit të intervistoj një grup emigrantësh që punonin në fermat bujqësore të fshatit.
Intervistova 56  emigrantë shqiptar.  Ata ishin të gjithë fshatarë, madje nga fshatra të thellë e të varfër malor të Shqipërisë.
Mosha mesatare  e të 56 të intervistuarve ishte 25.7 vjeç. Prej këtyre, të moshës 17 – 20 vjeç ishin 7 vetë, 21 – 25 vjeç ishin 22 vetë, 26 – 30 vjeç ishin 17 vetë, 31 – 35 vjeç ishin 5  vetë. Të  moshës 36-40 vjeç ishin 2 vetë dhe mbi 40 vjeç ishin 2 vetë. I moshës së mitur, 16 vjeç, ishte vetëm një.
Emigrantët në studim, siç theksuam më sipër  ishin të gjithë fshatarë. Prej tyre 26 ishin nga fshatrat e Dibrës, 9 nga  fshatrat e Tiranës, 7 nga ato të Beratit, 5 nga ata të Kurbinit, 3  krutanë, 2 elbasanas, 2 kuksianë, një shkodran, një mirditor dhe një tropojan. Në fshat ishin 4 familje; një nga Shkodra, një nga Përmeti dhe dy nga Rumania.
Të 56  emigrantët shqiptarë në Agio Georgiu Feron kishin bashkërisht 565 vite shkollë, me një mesatare 10 vjet arsim secili. Me arsim të mesëm të pa mbaruar ishin më pak se gjysma, 26 vetë. Me arsim të mesëm të plotë 28 vetë. Me arsim tetëvjeçarë ishin dy vetë. Prej këtyre të fundit 20 ishin me arsim të mesëm bujqësor, 7  ishin me arsim të mesëm të përgjithshëm dhe një me arsim të mesëm miniere.
Nuk  mendoj se  kemi një rastësi  në  një nivel të tillë arsimor, do të thosha të lartë, në një fshat të zakonshëm të  një zone  bujqësore siç është ajo e Thesalisë. Raporte të tilla  gjykoj, me ndonjë diferencë të vogël më lart apo më poshtë këtyre  të dhënave, gjen në tërë fshatrat e Greqisë.
Do të ishte me interes që  institucione  prestigjioze si universiteti i Patrës, Janinës apo  qyteteve të tjerë, të hulumtonin edhe në peshën arsimore që  bujqësia greke (por edhe sektorët e tjerë të punës dhe të prodhimit) marrin nga mërgata ekonomike shqiptare.
Theksojmë që emigrantët shqiptarë që punojnë në bujqësi (dhe në sektorët e tjerë) kanë dhënë shumë por kanë marrë po aq shumë: Nuk e kemi fjalën për paratë por për teknologjitë. Kush udhëton në Shqipëri nuk mund të mos i tërheqë vëmendjen se shumë emigrantë, kryesisht nga zonat fshatare, tashmë  kanë kaluar stadin e mbushjes së  trastave me rroba të dhuruara e  kutitë me elektroshtëpiake të përdorura. Në çantat dhe  kutitë e tyre shpesh e më shpesh do të gjesh farëra e fidanë nga më cilësorët që ata kanë mbledhur apo kultivuar me duart e tyre.
Është kjo një shprehje e këmbimit të kulturave. Dhe këmbimi i kulturave bëhet gjithnjë sipas një ekuivalence në baraspeshë. Ligji i njohur i  enëve komunikuese nuk vepron vetëm në natyrë por edhe në shoqëri.

 

Abdurahim Ashiku
gazetar, Athinë 1988

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.