16.5 C
Tiranë
E dielë, 22 Qershor 2025

Abdurahim Ashiku

XHAVIT HYSA – STAR KINGU I MOLLËVE TË DIBRËS

Nga cikli BURRAT E DIBRËS

AGRONOMËT

Një monument në bronc, në majë të kodrës ku ndahet rruga për në Kastriot e Zdojan, do të ishte nder që Dibra i bën Xhavit Hysës…

Xhavit Hysa ishte një Star King, Mbret Yll, i mollëve të Dibrës. Nuk e di nëse molla e famshme “Starking-u i Kastriotit” mori nga shpirti i tij i madh për pemëtarinë, apo ngjyra dhe aroma e saj morën eliksirin e tokës  për t’ia dhënë botës…
Ata ishin NJË, binjakë identikë të klonuar për ti shërbyer Dibrës…
Nuk e di në se në shkollimin e tij profesional bujqësor Xhavit Hysa ka dëgjuar për Miçurinin rus (1855-1935), seleksionuesin praktik të llojeve të reja, njeriu që gjithë jetën punoi për të krijuar lloje të reja të pemëve frutore, njeriu që prezantoi 300 lloje të reja, njeriu që për divizë kishte:  “Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, t’ia rrëmbejmë asaj, kjo është detyra jonë.”
E pra, për mua, ai ishte një transformues i natyrës dibrane, një shkencëtar praktikant, një aklimatizues i pemëve frutore nga bregu i Drinit deri në lartësinë e Kuplonit, mbi 800 metra, ku u mbollën blloqet e mëdhenj frutorë të Dibrës…
E çfarë bëri Miçurini rus nga Xhavit Hysa, Dibran, Shqiptar?
E kam njohur Xhavit Hysën (e kush nuk e ka njohur) një ditë fillim gushti 1958.
Isha nxënës në shkollën e mesme bujqësore në Fier. Në pushimet e vitit desha që tu shtoj harxheve të familjes time diçka nga vetja, nga djersa ime, disa lekë për ti përdorur si desha unë, për libra më shumë, por edhe për ndonjë qerasje të ndërsjellët me shokët.
Trokita në derën e zyrës së kryeagronomit të rrethit Adil Maksutit. I thashë se dua të punoj në fidanishte, të marr ndonjë lek por edhe të mësoj. Më buzëqeshi me dashamirësi. Ndau më katërsh një copë letër format dhe mbi njërën shkroi diçka. Ma dha ashtu të hapur.
Letra i drejtohej Xhavit Hysës me porosinë që të më fuste në skuadrën e shartimit.
Më priti me dashamirësi. Më pyeti se ku studion dhe në cilin vit je. Më shoqëroi mespërmes pemëtores, rrugëve të sistemuara e kuadrateve të fidanishtes. Më tërhoqi kultura e punës dhe vendosja e çdo gjëje në vendin e vet. Fidanishtja në Dobrovë, për dekada të tëra ka qenë nëna e pemëtarisë dibrane, “mitra” nga ku dolën qindra mijë fidanë që populluan jo vetëm pemëtarinë dibrane por edhe të rretheve të tjerë.
Më prezantoi me Sadik Papulin, trup gjigand para të cilit Xhaviti dukej i vogël, si fëmijë. Sadiku ishte mjeshtër prodhimi, specialist i përkryer i shartimeve.
Më caktuan në skuadrën e parë të shartuesve me komandant skuadre Dilaver Kabën, një mjeshtër tjetër i shartimeve dhe një ndër njerëzit më të dashuruar pas pemëtarisë. Bahçja e tij në Kodër të Kabe ishte një model organizimi dhe një koleksion i drufrutorëve. E tillë ishte edhe bahçja e Sabri Kabës një mjeshtër tjetër i bujqësisë dibrane, agronom me shkollë të mesme.
Më tregoi se si bëhet lidhja pas vendosjes së sythit mbi nënshartesë, si rrotullohej rrafja rreth fidanit e si lidhej për tu zgjidhur lehtë kur sythi zinte.
Mi tregoi me dorën dhe fjalët e tij dhe pasi u bind se kisha bërë hapin e parë si “lidhës” më futi në radhë pas shartuesit Human Fida, një njeri që në vitet e më vonshme do të ishte ndër miqtë e mi të mirë. Humani bënte shartimin, merrte sythin nga kalemat e freskët marrë nga bahçja e Bajram Iliazit, e priste me kujdes dhe e bashkonte në të prerën në formë T-je të nënshartesës. Pas kësaj më vinte radha mua ta lidh plagën e ti lidh mirë lëkurën e sythit me atë të fidanit.
Si lidhës vazhdova dy javë, deri atëherë kur edhe Sadiku, edhe unë e ndjeva se mund të shartoja, mund ti jepja jetë sythit në trupin e ri ku do të shndërrohej në pemë…
Atë vit do të merrja me vete tri mollë dalë nga një degëz për ti vendosur në laboratorit e frutikulturës të Teknikumit Bujqësor Fier, i përgëzuar para klase prej mësuesit tim Agron Floqi…
Shartues në fidanishte do të isha çdo verë, viteve të studimeve të larta. Jeta ime ishte lidhur ngushtë me pemën dhe pemëtarinë. Dhe çdo herë, tashmë, pa letër rekomandimi nga kryeagronomi i rrethit, në skuadrën e shartimit do të më shoqëronte Xhavit Hysa, edhe pse e dija mirë rrugën dhe zgjoja buzëqeshje sapo më shihnin shokët e mi të punës…
…Mbarova të mesmen dhe u emërova agronom. Në fillim në kooperativën e bashkuar të Brezhdan – Zdojanit, vendlindjes time e më vonë në lokalitetin e Muhurrit dhe të Qendrës…
Pranvera e vitit 1960 mund të them se ishte “Pranvera” e pemëtarisë dibrane. E madhja, e vërteta. Ajo që pushtoi kodrat e Dibrës, luginës së Drinit e kodrave në ngjitje, Gjarajcës me bllokun e arrave, të parin bllok të organizuar të këtij drufrutori që në lëvozhgën e vet përmban deri në 72 për qind yndyrë (dyfishin e ullirit) e që një kilogram thelbinj kanë vlerën ushqimore të 7 kilogramëve mish kau, në blloqet e Zdojanit, Pasmarit, Kastriotit, Ostushit, Kubenit, Ravnave, Qenokut…
Më 1 mars 1960 më shkëputën për një muaj nga lokaliteti i Muhurrit. Më thirrën që “punën fizike” ta bëja si piketues.
Dhe për fatin tim, për dashurinë që ushqeja për Xhavit Hysën, detyrën për piketimin e vreshtit të Kubenit dhe të Ravnave na e caktuan të dyve. Të dy, në të dy cepat e telit “me gunga”. Ai në njërën anë të ngastrave të sistemuara për vresht e unë nga ana tjetër. Mes nesh punëtorë që ngulnin piketat  mbi “gungat” e kallajit ngjitur mbi tel. Pas nesh, në zinxhir, skuadra e hapjes së gropave, skuadra e mbushjes me pleh organik, skuadra e mbjellësve të fidanëve…
Një pamje që nuk mund ta shkëpus nga kujtesa e viteve të rinisë, viteve në profesionin tim…
Dhe rreshtat do të vinin në atë formë sa nga çdo drejtim ti shihje, “fyell pushke” ishin.
Ishte një përvojë që ma rinoi shpirtin, ma shtoj dashurinë për pemëtarinë dhe vreshtat, ma rriti jetën time profesionale, përvojë që do të më shoqëronte tërë jetën, edhe në pleqëri, larg e larg atyre vendeve ku këndojnë bilbilat mbi lulet e sapoçelura të mollëve, kumbullave, qershive, dardhave…
Nuk ishte kjo përvoja e fundit me Xhavitin, mjeshtër i pemëtarisë, udhëheqës i drejtpërdrejtë i krijimit të “mrekullisë dibrane”, njeriut që siç më shkruan një dashnor tjetër i pemëtarisë (ndonëse është inxhinier pyjesh)… “Mrekullia e Xhavitit qëndron në faktin se asnjëherë nuk është shtirur si aktor që bën të jashtëzakonshmen. Së bashku me bashkëpunëtorët ai dha një model që tashmë Shqipërisë i mungon, të merret prodhim i qëndrueshëm nga kulturat drusore. Gjenerata e Xhavitit, me iniciator Xhavitin dhe kontribute juve personalisht, krijoi një model që sot bota po e kërkon. Ai funksionoi për disa dhjetëvjeçarë dhe në vitet ’90 u shkatërrua në mënyrën më barbare…”
Me Xhavitin do të takoheshim përsëri. Do të takoheshim gjashtë vite më vonë, pikërisht në të njëjtin muaj, në mars 1966.
E gjeta kryeagronom Xhavitin, specialist drejtues i Ndërmarrjes Bujqësore të Dibrës. Pak kohë ndenjëm në “distancë”, ai në zyrën qendrore të ndërmarrjes në qendër të qytetit e unë në zyrën e sektorit të qendrës në Dobrovë.
Atë kohë ndodhën lëvizje të mëdha kuadrosh e specialistësh. Në Peshkopi sollën me emërim kryeagronom i NB Dibër pedagogun e frutikulturës të Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë Isa Shehun. Njihesha me Isa Shehun i cili më konsideronte nga studentët më të mirë të lëndës së tij. Kur dhashë provimin u luta që të mos më bije teza për bashkëshoqërimin e jonxhës me pemëtarinë. Po ta kundërshtoje për këtë, edhe yll të ishe të rrëzonte përtokë. Mora maksimalen e mundshme që jepte, 9. Dhjetën thoshte që e kam për vete. Në Dibër, Xhavit Hysa do ta bindte me përvojën e tij me baza praktike e shkencore se jonxha ishte bashkëshoqëruesja më e mirë në pemëtari. Këtë ai do ta dokumentonte në një kapitull të tërë në librin e tij “Frutikultura”, tekst mësimor për shkolla të mesme, libër që pata fatin ta daktilografoj unë duke bërë debat me të.
Isain e emëruan kryeagronom të ndërmarrjes bujqësore të Dibrës, ndërsa Xhavitin e emëruan agronom në sektorin e qendrës.
U gëzova. Ishte një gjë e madhe për mua të kisha pranë, krah për krah Xhavit Hysën. Ai ishte një mësues i mrekullueshëm për të rinjtë, mësues që unë e ndjeva veten gjithnjë nxënës të tij…
Ishte kohë mbjelljesh, patatesh në Kallavere dhe fidanësh frutorë në Qenok. Xhavitit i thashë që të merret me mbjelljen e bllokut të Qenokut, bllok që ai e kishte shumë për zëmër, ishte autor i skemës së mbjelljeve. Në ndryshim nga Gjarajca ku arrat ishin mbjellë tetë herë tetë metra (arra kërkon distanca më të mëdha se sa drufrutorët e tjerë; molla, dardha, qershia…)  ku u mboll afër me mendimin që kur të takohen kurorat një rresht të pritet për tu përdorur për rimeso. Arrat u rritën në atë tokë të virgjër, erdhi koha kur arrat takuan kurorat. Nuk u pre një rresht por mbarë të gjitha rreshtat, deri në shkulje. Trungjet shkuan për eksport. U përfol nën zë e me zë në shtyp se fitimet shkuan në xhepin e njërit prej krerëve të partisë në pushtet, ministër…
Nejse, kot u futëm në kanalet e politikës shkatërruese. Fjalën e kishim për Xhavit Hysën fati i bekuar i të cilit ishte se nuk arriti ta shohë barbarizmin në kopshtin e bukur të jetës së tij.
Në Qenok u piketua  një arrë, një kumbull, një gështenjë një kumbull…
Kur kumbullat pas 25-30 vjetësh ulin prodhimin dhe nisen të thahen arrat dhe gështenjat, harlisur në atë tokë të begatë, dolën në distancë 16 me 16 metra.
Kush ka nge të ndalet për pak minuta tek karburanti në Qenok, në atë copë tokë të mbrojtur nga privati pas shkatërrimit të bllokut me 52 mijë rrënjë të Qenokut, do të shohë se sa e drejtë ishte ideja e Xhavit Hysës…
Me Xhavitin kërkues i rreptë i cilësisë në pemëtari punova dy vjet.
Na qëlloi të dyve verën e vitit 1966 të degustonim rrushin e Ravnave; pamidin, rizlingun, hafuzalinë, perlën, merlotin, zarçinin, tokain, regina de vinjetin. Ky i fundit ishte mbjellë një vit përpara varieteteve të tjerë, në një bllok fill pas godinës që atë kohë kishte emrin “Stacioni i ndërzimit”.
Një ditë vjeshte na duhej të përcaktonim në se rrushi kishte arritur përqindjen e duhur të sheqerit për përpunimin e tij në rrugë industriale, për verë (merloti) dhe për raki të tjerët.
Nuk kishim instrumente për të përcaktuar sasinë e sheqerit në kokërr. Të rrallë ishin ata në institucionet shkencore.
I ramë diagonal blloqeve të vreshtit duke u ëmbëlsuar e thartuar, duke u munduar të kapim mesataren e sheqerit për të vendosur në se të nesërmen apo më vonë të thërrisnim për vjelje edhe punëtorët e sektorëve të tjerë, Kastriot e Zdojan, apo nxënësit e shkollave të mesme, madje edhe qytetarët e Peshkopisë në aksion për vjelljen e rrushit.
E kush në Peshkopi e më gjerë, madje edhe studentë nuk shijoi rrushin dhe mollët në ditë të pikut të prodhimit ?
Isa Shehu la një fjalë: “Vullnetarët punojnë me një dorë” po pse o Isa “Se dorën tjetër e mbajnë në gojë”
Tek ecnim, unë përpara dhe Xhaviti mbrapa, dëgjoj një thirrmë. Ktheva kokën i shqetësuar me mendje se mos e kishte kafshuar gjarpri, e tillë ishte klithma. Shoh Xhavitin me një vesh rrushi në dorë tek thërriste: “Sa i thaaartë”.
U qetësova. Xhavit Hysa ishte kaq i dhënë pas pune sa e jetonte atë thellë.
Xhavit Hysa ishte profesori i krasitjes së pemëve. Nxënësit e tij u shumuan aq shumë sa pushtuan tërë blloqet frutore të Ndërmarrjes Bujqësore të Dibrës, dhe më gjerë. Përvoja e tij, edhe sot, trashëguar nga prindi tek fëmija jeton, është e gjallë dhe trashëgohet.
Ai ishte aq i dashuruar pas pemës sa kur merrte gërshërën dhe futej nën kurorë e saj harronte gjithçka. Ishte kaq kërkues në krasitje sa harronte veten.
Në fillim të çdo sezoni krasitje, me punëtorët e rinj, organizoheshin seminare praktike, drejtuar në fillim nga Xhaviti e me rritjen e numrit të mjeshtërve në krasitje, në çdo sektor nga mjeshtër, nxënës të tij.
E kam jetuar fillimin e krasitjeve në sektorin e Qendrës të Ndërmarrjes Bujqësore në pragun e pranverës 1967. Rreth Xhavitit ishin mbledhur një grup krasitësish të rinj, por edhe disa me përvojë që do të udhëhiqnin krasitjen.
Xhaviti hyri nën kurorën e një kumbulle dhe filloi ta shohë me dëshirë, sikur donte ta përkëdhelte, ta përqafonte. Fliste dhe krasiste, degë me sytha frutorë e degë vegjetale që falë ushqimit të tokës dhe kujdesit kërkonin të marrin lartësi. I priste me kujdes duke u dhënë drejtim “nga brenda apo nga jashtë, majtas apo djathtas” sythave, duke i dhënë pemës kurorën që kërkonte biologjia e saj…
Kështu vazhdoi tek pema tjetër, tek tjetra, tek tjetra…derisa poshtë çdo peme u futën dy krasitës të rinj dhe një i vjetër…
Xhaviti vazhdonte ti ndiqte një nga një grupet, ti këshillonte, tua merrte nga dora gërshërët, tu tregonte se si mbahej e në çfarë këndi duhet të priste…
Duke shkuar nga njeri grup tek tjetri qëlloi të kthehej tek pema e parë, ajo ku kishte demonstruar krasitjen…
Shpërtheu: “Kush e ka krasit këtë e bëftë mort”.
Qeshëm. Edhe ai qeshi me ne…
Ishte kaq kërkues sa nuk ia falte as vetes kur shihte ndonjë gabim…
Atë pranverë 1967, duke parë të ardhmen gjithsesi jetëshkurtër të vreshtit Xhaviti hodhi idenë që mes rreshtave të vreshtit të Ravnave, mes 72 hektarëve të tij të mbillnim në distanca 16 me 16 metra qershi në rrafshinë dhe vishnje në pjerrësi…
E bëmë…
Vite më vonë, kur prodhimi i vreshtit ra (blloqe të reja si ai i Dohoshishtit, Ostushit… bënë vend) u krijua në Dibër blloku  më i bukur i qershive dhe vishnjave, bllok që, i copëtuar nga ndarja “secili në të vetën” jetoi dhe mbushi tregun e Tiranës e kompleksin ushqimor të Peshkopisë kapaciteti përpunues i të cilit ishte deri njëqind mijë kuintal në vit.
Më kujtohet edhe një rast që më vonë do të hapte një veprimtari e cila do të emërtohej “Raki e NB Dibër”.
Në gusht të vitit 1966 u ndodhëm përpara një problemi që mund të  na kushtonte shumë. Mua në radhë të parë si përgjegjës sektori…
Kumbullat e bllokut të “Llogore” me ekspozim nga Peshkopia u poqën në një dorë. Kumbullat ishin të varietetit “Roza gjigante”, një varietet kokërr madh me përqindje jo të lartë sheqeri, delikate në transport. Shefi i planit të ndërmarrjes Hysni Gjoka ishte lidhur me ndërmarrjen tregtare të frutave në Tiranë dhe na dha urdhër që të vilnim, fusnim në arka dhe të bënim gati për transport një kamion me kumbulla. Do të vinin ta merrnin të nesërmen pas dreke. E bëmë me përgjegjësi e kujdes duke pas parasysh tekat e blerësve që me një kokërr jashtë standardit ta linin prodhimin në arë.
Pritëm atë pasdite, pritëm edhe të nesërmen. Ishte gusht dhe temperatura shkonte tek 35 gradë. “Roza gjigande” nuk rrudhej në ndryshim nga varieteti “Tropojan” që rrudhet, madje po të ketë ajrim edhe thahet, por zbutet dalëngadalë deri në kalbje e erë të rëndë që të mbyt…
E përcollëm në punishten e ushqimores së Peshkopisë thuajse falas…
Nuk mund të vijohej kështu. Humbje prodhimi por edhe frikë…
Po, po, frikë e vërtetë.
Një arkë frutash të kalbej dhe letrat drejt segmentesh të errëta vërshonin. Ndodhte që menjëherë të vinin prokurorë me bllok në dorë, në mos policë me pranga në duar.
I kërkova drejtorit të atëhershëm Xhetan Xhikës zgjidhje të problemit. I propozova, nisur nga ato që kisha parë në praktikat mësimore  në ndërmarrjet bujqësore të vendit, të hapnim një punishte rakie ku të grumbullonim dhe përpunonim fruta që kalbeshin dhe ato jashtë standardi që na refuzoheshin, madje edhe ndërmarrja ushqimore që pretendonte për cilësi maksimale.
Më priti me këmbët e para. Ishte viti 1966 dhe rakia në Dibrën e Poshtme ishte një sakrilegj. Në dasma menyja e të ushqyerit ishte – “bukë, çorbë, mish mbi pilaf ose mish me lëngë dhe hallvë”. Dhe pija, njëra pas tjetrës për terjaqinjtë, ishte kafja e kulluar në ibrik bakri e filxhanë pa bisht.
U desh kohë të binim në një emërues të përbashkët. Ndihma e Xhavit Hysës dhe autoriteti i tij e thyen drejtorin…
Në qendër të sektorit ishte një ndërtesë përdhese me dy dhoma. Në njërën banoja unë kurse në tjetrën ishte ngritur kovaçhana. E transferuam kovaçhanën në kompleksin e ri mekanik të ndërmarrjes. Unë gjeta një vend të ri për strehim.
Mjedisi u mbush me voza druri ku depozitoheshin të gjithë frutat jashtë standardit dhe në kalbje e sipër. Kumbulla, mollë, dardhë, rrush…
Një specialist nga më të mirët e përpunimit të frutave dhe distilimin e tij si raki, Nefail Kryemadhi do të mbushte shishet e para me etiketë “Raki NB Dibra”.
Atë vit, ajo raki që u prodhua, për çudinë e të gjithëve, mori rrugën  për eksport !!!
Në vitet që erdhën punishtja e sektorit të Qendrës u zgjerua dhe u modernizua. Në sektorët Zdojan e Kastriot u hapën punishte të reja. Asnjë kokërr nuk shkonte më dëm…
Në shtator 1967 ma ndryshuan drejtimin e jetës sime, më larguan nga dashuria profesionale për pemëtarinë për tu marrë me një tjetër dashuri, mësues në Shkollën e Mesme Bujqësore “Nazmi Rushiti”. Një përvojë që e kujtoj dhe e jetoj me mall…
Më tej nuk u ktheva më tek Xhavit Hysa me shokë, përveçse pranverave kur zgjidhja të bëj “punën fizike” në krasitje…

*                    *              *

Majlinda Hysa, mbesa e Xhavit Hysës më solli nga Brukseli disa fotografi të vjetra të gjyshit të saj si dhe një biografi të jetës së tij aktive gjithnjë i lidhur me pemën dhe pemëtarinë, dashuria më e madhe e jetës së tij…
Ajo shkruan:
Xhavit Hysa ka lindur në fshatin Vleshë të rrethit Dibër me 8 nëntor 1919…
Ai është biri i Abedinit dhe i Zares…
Shkollën unike e ka bërë në “Kastriot” ndërsa shkollën e mesme e ka kryer te “Harry Fultz” në Golem të Kavajës…
Në vitin 1934 filloi punë në Qarrisht të Librazhdit si Përgjegjës i Bujqësisë dhe i Pyjeve….
Në Iballë të Pukës, prefekturë në atë kohë, punoi 4 vjet me të njëjtën detyrë, Përgjegjës i Bujqësisë dhe i Pyjeve…
Pas Iballës kthehet në fshatin e vet Vleshë ku angazhohet me forcat partizane. Komandant i vendit ishte Beshir Sufa dhe zëvendës komandant ishte Xhavit Hysa, deri në vitin1945…
Pas çlirimit ka punuar në nënprefekturën e Shumbatit si Përgjegjës i Bujqësisë dhe i Pyjeve.
Në vitin 1948 Cen Elezi (daja i Xhavitit) arratiset në Jugosllavi. Pas arratisjes së Cenit Xhavitin e arrestojnë. U dënuan me 5 vjet burg dhe 5 vjet pa të drejta elektorale. Në atë kohë u bë një amnisti ku Xhaviti përfitoi dhe doli nga burgu me lirim me kusht ku nuk i lejohej të shkonte në Vleshë te familja e tij.
U strehua në Peshkopi…
E emëruan Drejtori Ndërmarrjes Lokale në Peshkopi…
Pas vitit 1952 ka punuar si Drejtor edhe Agronom ku ka krijuar pemishten në Dobrovë në Ravna, Llasen, Qënok…
Nga v.1960 Xhaviti emërohet Përgjegjës sektori Zdojan e më vonë kryeagronom i ndërmarrjes bujqësore…
Nga v.1957-1979 ka kryer këto detyra:
Drejtor i NBSH-së
Kryeagronom i NBSH-së.
Përgjegjës sektori.
Kryetar i grupit për studimin e Frutikulturës të rrethit Dibër
Nga v.1979-1983 ka qenë Përgjegjës sektori në Bulqizë-Fushë Studën (Golloborde).
Më 9 nëntor te vitit 1983 vdiq nga sëmundja e pankreasit…
Ai u përcoll me nderime  nga qytetarët e Peshkopisë në varrezat e qytetit, fare pranë bllokut të Llasenit, një ndër blloqet e bukura piketuar nga Ai.
Xhaviti është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor tre herë me urdhër pune të klasit të tretë dhe të dytë.  Ka marrë disa herë vlerësime nga Ministria e Bujqësisë dhe institucione të tjera të kohës…

 

*                          *                 *

Udhëtova këto ditë karantine me Xhavit Hysën…
Kundrova bukuritë e krijuara nga mendja dhe dora e tij…
E bashkë me Të edhe të dhjetëra specialistëve të tjerë të nivelit të lartë shkencor e praktik…
E bashkë me ta të mijëra punëtorëve që i dhanë jetë e bukuri kodrave të bukura të Dibrës…
Çava me duar dhe shijova “Starking”-un e tij, atë mollë që në botë u njoh me emrin “Starkingu i Kastriotit”, pemëtoren e tij, vend shkollimin e tij të parë, Internatin e Kastriotit…
Shijova rrushin e vreshtave të Ravnas, Kubenit, Zdojanit, Ostushit, kokërr të freskët e kokërr të shtrydhur me një gotë raki e verë në dorë…
Provova qershitë e Ravnave dhe vishnjat e Kodrave të Kabeve…
Në fund u ndala me të në Vakuf,  në dashurinë e tij të madhe, në fidanishten frutore në prani të mjeshtrit pasardhës të Sadik Papulit e Dilaver Kabës, Xhevdet Rina…
Bëra disa fotografi…

Foto nga shkulja e fidanëve dhe përgatitja e tyre për të zënë rrënjë në kodrat e reja…
Mes punëtorëve duarartë të shartimit dhe rritjes së fidanëve…
E kërkova atë film mes filmave negativë që nuk e di se si mu ngjitën për të mos u shkëputur në udhëtimin tim në mërgim, filma që më kthejnë në Dibër, më ngjallin mall e dashuri.
Më erdhi keq që ai film kishte humbur, ishte bashkuar me të tjerë për të përfunduar nuk e di se ku.
Nuk besoj ta gjej…

Megjithatë e kërkoj dhe do ta kërkoj…
Është takimi dhe kujtimi im i fundit me Xhavit Hysën, mbretin pa kurorë të pemëtarisë dibrane dhe kombëtare…
Një monument në bronc, në majë të kodrës ku ndahet rruga për në Kastriot e Zdojan, do të ishte nder që Dibra i bën Xhavit Hysës…
Pak do të ishte edhe titulli “Mjeshtër i Madh”, mjeshtër pranë binjakut të tij në pemëtari Abdein Çiçi…
E kush nuk e ka marrë, bashkë me privilegjet financiare…
Xhavit Hysa ishte nip i “gjeneralit me shajak”, Eles Isufi, emrin e të cilit e mori Ndërmarrja Bujqësore e Dibrës…
Ndërmarrja Bujqësore “Eles Isufi”
Gjyshi me pushkë e nipi me gërshërë krasitse u takuan një ditë për të shkruar emër e mbiemër, bashkë, në historinë e Dibrës…

 

Abdurahim Ashiku
Athinë, 24 prill 2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.