ZABELI I GËSHTENJAVE
Rrëfenjë
Kur u rrita mësova se Zabeli i Gështenjave ishte blerë nga nana që nuk e duronte dot që shporta ime e vogël të mbushej nga zabele të tjerë. Ajo kishte hequr vathët e floririt dhe kishte blerë Zabelin e Gështenjave… Zabeli i Gështenjave, një pyll i vogël në shpatin verior të kodrës që sheh Përroin e Zdojanit, u bë shtëpia në natyrë e fëmijërisë sime.
Shtëpi me çati degët e gështenjave që e mbanin gjatë pikën e shiut dhe fjollën e borës, me dhoma gëmushat e dushqeve, me Sulnarin ujë ftohtë e përroin e thatë gjatë verës ku mblidhnim kacupa për të luajt honesh e pllaka për të luajt varrash.
Zabeli shtrihej në faqen veriore që nis tek shtëpitë e Dregjoneve e mbaron përballë Bërrakave të Aldedes, në kufi me Rashnapojën. Para zabelit tonë ishte zabeli i Rrem Tukës e në krahun tjetër zabeli i Hakës, nënës pa djalë që ishte nën shërbimin e të bijës, nënës së Munir Sefullait. Më tej vazhdonin zabelet e vëllezërve Dullë, Dik e Lam Ashiku…
Në mes, në fund të zabelit të Hakës, mblidhte lotët e nëntokës për të rrjedhë uji i ftohtë i Sulnarit.
Rrjedhës së jetës sime Sulnari pasi i shprazte ujërat në bërrakën me verrinj e shelgje të zinj mblidhej dhe futej në një kanal që u jepte gjelbërim tokave të Dregjonëve, Demireve, Selxhaferëve e më tej të Selishteve, Koleve, Karajëve e Reçeve.
Rrjetës së burimit në kohë, shumë kohë sa edhe më pleqtë nuk e mbanin mend, uji i ftohtë i Sulnarit ishte futur në tuba qeramike dhe u kishte dhënë ujë në oborre shtëpive të Mëhallës së Rrahmane e Mëhallës së Poshtme, dy tre kilometra larg.
Edhe sot, po të bësh disa hapa në një lartësi me burimin do të ndeshesh me një brezare që e përshkon si një gjerdan tërë zabelin tonë për të vazhduar më tej.
Sot nuk e di në se ka gjurmë por unë i kam parë, madje i kam prek me dorë tubat prej qeramike pak para teposhtës që hyn në Mëhallën e Rrahmane, në fund të varrezës së lagjeve rreth e qark. Në kujtesën e viteve më të hershme të fëmijërisë sime Lagja e Rrahmane ka qenë lagjja më e organizuar nga ana urbanistike.
Sulnari kishte ujë me kripëra, ujë gips si i thoshim, ujë që nuk bënte as për të zier groshën dhe as për të larë rroba. Burimet e ujit në Brezhdan ishin gipsore dhe gratë e vajzat bënin rrugë të gjata tek Kroi i Reçeve, Kroi i Voke, tek pusi i Ali Manit, madje edhe në Drin, në rrëketë që u afroheshin arave të fushës së Capit, për të marrë ujë për të zierë groshën, apo për të ngrehur kazanët për të larë rroba…
Zabeli kishte një gjerësi diku tek tetëdhjetë metra. Si kufi ndarjeje në perëndim, nga ana e zabelit të Rremit ishte një gështenjë me trup të madh që i thoshim “Gështenja e egër” sepse në boçat e rralla të saj kokrrat ishin pa bukë, shterpë si i quanim. Në lindje, nga ana e Zabelit të Hakës kufiri ishte shtatë-tetë metro larg Sulnarit.
Kësaj ane të kufirit nuk i jepej shumë rëndësi sepse nga kreu në fund, në një gjerësi prej pesë-gjashtë metrash nuk kishte gështenja veçse disa gëmusha të vogla dushku.
Poshtë Zabelit ishte një bërrakë që verë dimër rridhte ujë në baltovinën e zezë të së cilës rritej verriri edhe më se një bojë burri të lartë. Në skaj të bërrakës kishte shelgje të zinj që herë- herë i prisnim, i qëronim dhe me ta bënim shporta. Prej verrinjve merrnim degët për thurje gardhesh apo lëkurën e njomë e cila pasi bashkohej në një formulë popullore me gurin e kalit shërbente për ngjyrosjen në të zezë të qashnës e cila përdorej për rroba të leshta, kryesisht kuproneve por nganjëherë edhe tirqve. Në veshjen popullore dibrane tirqit ishin të bardhë me gajtanë të zinj ose të artë kurse kupronet ishin të zeza.
Lart, në majë të kodrës, Zabeli ndërpritej nga një rrugë këmbësore që vinte nga Kuçlat, djerre të gjera pronë e fqinjëve tanë Sopotëve dhe varej poshtë midis shtëpive të Dregjoneve e Demireve. Kufitarë pronësore të Zabelit tonë kishim faqen e një shullani me pamje jugore pronë e Musa Ashikut, kodër me pak drunj gështenjash e me, tek tuk, kucka hardhish dëshmi se vite para meje kishte qenë një vresht i begatë.
Përroi merrte emrin herë të njërit katund e herë tjetrit midis tokave të të cilëve kalonte, quhej Përroi i Pilafëve, Përroi i Rashnapojës, Përroi i Zdojanit për të marrë më tej emrat Përroi i Vakufit dhe në grykë derdhjen në lumin e Drinit Përroi i Kishavecit. Ishte një përrua që vinte me furi rrallë, por kur vinte merrte si kashtë përpara porendet me shelgje e ferra në tokave të Kanoleve në krye e të Reçeve dhe Dikallarëve duke hyrë e shkatërruar bimësinë e mbjellë derisa vonë, në vitet tetëdhjetë, e ndryshoi tërësisht shtratin duke i kthyer tokat në zhurishte…
Gështenjat, nja tridhjetë-dyzet trupa, ishin vendosur nga mezi deri në fund të zabelit. Dy prej tyre ishin shumë të larta sa donin kërrabë të gjatë që të prekte majat për të rrëzuar boçat. Ishin kultivarë natyrorë, me kokrra lëvozhgë hollë që qërohej lehtë e ishte shumë e shijshme, sidomos e papjekur.
Mbi Sulnar, pak metra lart, ishte një gështenjë sa duheshin dy pashë fëmijësh që ta rroknin. Boçat dhe kokrrat e saj i mblidhnin nipërit e Hakës. Më tutje, pak para se të fillonte bërraka, ishte një gështenjë që piqej shumë herët. Ishte në zabelin e Sadullit. Me kokrrat e saj që mbushnin truallin si guralecë përroi nisnim sezonin e gështenjave, bënim huvarët e parë…
Përballë Zabelit, në anën tjetër të përroit ishte një plep i lartë, plep i egër me shumë nyje e degëzime dhe me fole të shumta zogjsh. Atje ngjitej herë pas here Xhetani i Cajës një njeri me të meta mendore, i qetë në marrëdhënie me njerëzit dhe gjithnjë i pranishëm pranë kazanëve në dasma dhe mort në katund. E shihja të ngjitej gjithnjë në plep derisa një ditë sa nuk theu qafën tek kishte futur dorën në një zgavër ndërtuar nga qukapikët ku ishte futur një bollë e verdhë e parrezikshme themelesh…
Pas përroit kishte shtëpinë një shoku im i klasës, Gjuriu, një shtëpi përdhese me dy dhoma e një sallon. Aty sa e sa herë me të kam bërë detyrat e shkollës.
Në kodër kishte shtëpinë, një kullë dykatëshe me qerpiç, një shok tjetër i klasës Nazmi Reçi, shtëpia e të cilit ishte si të ishte shtëpia ime. Pas shumë vitesh, në martesën e mbesës sime, e fiksova në një fotografi bashkë me shokë të klasës në fillore dhe dashamirë të tjerë të jetës sime…
Zabeli ishte jeta e familjes sime, buka e ditës në ditët më të vështira të fëmijërisë sime.
Mbaj mend mirë vitet e vështira për bukën, vitet kur kilja e misrit arriti kulmin, 120 lekë dhe nuk gjendej. Gështenjat ishin edhe bukë, edhe veshmbathje, edhe kripë e vajguri, edhe libra, fletore e lapsa për në shkollë. Gështenjat vjeshtës e dimrit, por edhe pranverës na i mbulonin thuajse të gjitha.
Asokohe e enjtja ishte ditë pazari. Të mërkurën në mbrëmje babai e nëna vendosnin kusinë e madhe prej bakri në zjarr, e mbushnin me gështenja dhe ujë dhe pasi ziheshin i kalonin në vargje. Në fillim ata, por më vonë edhe unë, merrnim nga një fyndyr dhe kalonim në penj një nga një gështenjat. Perin e kalonim në gjatësinë e kokrrës që peri të mbushej shpejt e numri i huvarëve të ishte sa më i madh. Të nesërmen babai shkonte dhe i shiste në Pazarin e Peshkopisë për të blerë kripë e vajguri e nganjëherë edhe ndonjë rrobë.
Sa fillonin gështenjat dhe derisa në pranverë kur nga gropa poshtë shkallëve të drunjta nxirrnim kokrrat e fundit, çdo mbrëmje, zienim ose piqnim në tavë gështenja. Ishin çastet më të bukura të jetës të cilat më vijnë në kujtesë të freskëta, të paprekura. Gështenjat ishin darka jonë e viteve të vështira të bukës, vite që nisën në fëmijërinë e hershme për tu shtrirë edhe në adoleshencë, vitet e luftës dhe vitet pas çlirimit.
Zabeli i Nënës sime, zabeli i vathëve të florinjtë të Nënës sime, zabeli i jetës…
Zabeli sot pyll që se çan kali, mjerisht i braktisur…
Abdurahim Ashiku
3 dhjetor 2013