22.5 C
Tiranë
E premte, 13 Qershor 2025

Abdurahim Ashiku

Fejton

JALLA LEMA ME KËTA DEPUTET QË KENA !

Thërret nga “Qielli i Shtatë” Ferrë Doka

– Mesele për deputetë që zgjohen në mbrëmje dhe flenë në mëngjes

Dy deputetë, një vendas dhe një kryetar partie, i ardhur për të parën herë në Dibër, dy ditë njeri pas tjetrit, zbuluan “Rrugën e Arbrit”.

Eureka!

Arkimedi i fjalës dhe i veprës së artë; fizikan, inxhinier, astronom, filozof , matematikani më i madh i lashtësisë (287-212 para Krishtit) i njohur për zbulimin e famshëm “të dendësisë dhe pluskimit” ndërsa lahej në banjë, dhe për daljen lakuriq rrugëve duke bërtitur me të madhe… Eureka, (Εύρηκα) , (E gjeta), njeriu që kërkoi një pikë për të mbështetur levën për të rrotulluar botën, njeriu i cili hijes së shpatës të ushtarit romak mbi kokë iu përgjigj… “Μη μου τους κύκλους τάραττέ” (Mos mi trazo rrathët)…do tua kishte zili…

“Lakuriq” duke bërtitur “EUREKA!” doli të hënën në një gazetë të shkruar një “deputet i Dibrës” duke thirre në mënyrë sportive:

“Oh sa mirë me qenë dibran”!

Deputeti, shtatë vjet në karrigen e pushtetit (katër me Berishën dhe tre me Ramën) habiti kush e lexoi dhe kush e dëgjoi.

Doli në aksham për të bërë atë që duhej ta kishte bërë në mëngjes,

u ngrit publikisht mbi “shtizën e hedhjes së larti” dhe foli për “Rrugën e Arbrit!”.

Me siguri pa leje të kryetarit të partisë e të grupit kuvendar…

“Jalla lema!” do të thoshte Ferrë Doka…

Deputeti, duke u futur me not që tani në fushatën për zgjedhjet kuvendare 14 muaj më vonë, pasi sulmon kolegët e vet që këto ditë shkuan “të ngjyejnë penën në bojën e fëndulave të Dibrës” i kthehet Rrugës së Arbrit.

“Me qenë dibran, thotë deputeti, zor se të beson njeri. Madje, as unë që kam “gënjyer” veten njëherë, kur garoja për deputet në zgjedhjet e kaluara parlamentare, nuk më takon të mashtrohem më. Rruga e Dibrës (jo kjo e Tiranës) vazhdon të jetë po ajo, sikurse politikanët e të gjitha ngjyrave, që një herë në katër vite detyrohen të bëhen dibranë për një ditë…duke premtuar pa u lodhur dhe deri në turp, po Rrugën e Arbrit…”

Eureka!…

Deputeti, tre vite rresht i “rilindjes”, vijon justifikimin se “nuk kemi asnjë faj për “gënjeshtrat” e vjetra, por për hir të atyre që janë thënë deri tani, nuk na takon të premtojmë më!”

Eureka!…

Pas kësaj rrëfenje të “sinqertë”, (ala elektorale ’17), deputeti bën thirrje për të kërkuar “urgjentisht realizimin e saj… Me një rezolutë të përbashkët , të gjitha forcat politike, të vendosim ndërtimin e saj, me të gjitha sforcot financiare.

Eureka!…

Më tej deputeti i Dibrës vijon…”Rruga e Arbrit është gënjeshtra më e madhe e tranzicionit shqiptar…”

Eureka!…

Deputeti është tepër i shqetësuar se “Kush është dibran…nuk na beson më. Sa pa nisur fushata, të votojmë në Kuvend ndërtimin e saj.

Eureka!…

Nuk qenka vetëm ai, qenka edhe një tjetër që askush nuk e ka dëgjuar të thotë një fjalë për Rrugën e Arbrit dhe për Skavicën që e mbyt dhe e shkul Dibrën. Një që shkon sa majtas djathtas, sa me Berishën aq me Ramën dhe që ankohet se “tash shtatë vjet nuk ka qenë në poste qeveritare apo të ketë mundësi numrash ti imponohet qeverisë!!!”.

Ai, në udhëtimin e tij të parë në Peshkopi, mëson se “duhen katër orë (me makinën speciale) me arrit në Peshkopi në një udhë shumë të vështirë për mileniumin e ri”

Eureka!…

Deputetë të krahut të majtë kanë zbuluar tash 14 muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme kuvendare të flasin, të “fajësojnë veten” e të bërtasin për Rrugën e Arbrit, tu tregojnë dibranëve “arat e baballarëve”, tu thonë se Dibra “është një zonë e pasur me njerëz punëtorë e ku me krenari të thoshin se në këtë stinë të vitit të tërë njerëzit janë në punë e s’ka asnjë ngastër të papunuar e të pambjellë”.

Eureka!…

Aferim zotërinj. U zgjuat në aksham, pas gjumit të gjatë të vapës së korrikut.

Ferrë Doka nga “Qielli i Shtatë”, sheh e thërret!

“Jalla lema, me këta deputetë që kena”…

…Sot, në faqet e para të gazetave dhe në dritaret e vogla të televizioneve kombëtare, me germa të mëdha e flesh, jepej lajmi për lidhjen e Çorovodës me Përmetin.

E mbështes pa asnjë diskutim…

Por, para së gjithash, e mbi të gjitha “deputeti dhëndër Dibre”, në një seancë kuvendare të thërresë në podium dy deputetët në koalicion qeverisës që zbuluan se Rruga e Arbrit, nuk është rrugë vetëm për aksin Tiranë, Mat, Bulqizë, Peshkopi… por edhe për qytetin e Dibrës, Gostivarit, Tetovës… është rrugë që bashkon trupin e prerë për kurrizi të Shqipërisë, rrugë që kalon përmes “QENDRËS GJEOGRAFIKE SHQIPTARE”, qendër mbi 60 mijë kilometrave katrore; ku flitet, shkruhet dhe këndohet shqip që kur u krijua njerëzimi.

Rruga e Arbrit tash hyri në fjalorin e deputetëve që zgjohen në darkë e flenë në mëngjes…

Jalla lema…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 27 prill 2016

NJË RRËNJË VOJNIKASE NË KARAVASARA

Rrëfenjë

Kur udhëton për në Dibër, për në kryeqendrën e saj në anën tjetër të kufirit shqiptaro – shqiptar Dibrën e Madhe, apo për në Peshkopi – “fshatin” që të fuqishmit e kohës e detyruan të bëhet qytet ashtu siç e detyrojnë të bëhet “mbretëreshë” bletën punëtore kur zgjoi ngelet pa kreun e familjes – nuk ka se si të mos i biesh mes përmes shtëpive të katundit të vogël të Vojnikës…
Kur ndalesh e të qëllon të gdhish një natë në Amfiloqia, Qani Shehun do ta takosh në shoqëri të emigrantëve, ose në shtëpinë e tij në shkallët e amfiteatrit ku ka themelet qyteti i vjetër i Karavasarasë…
Nga Vojnika ai ka ikur kur ishte tetë vjeç. I lindur në një familje ushtaraku katundin e vet në fillim do ta ndërronte me Burrelin e më pas me Tiranën.
Ibrahimi, babai i tij, ishte oficer…
Mekanik me shkollë të mesme, në uzinën gjeologjike dhe në minierën e Mushqetasë, ai do të kalonte dhjetë vjet të jetës së tij, do të kalonte rininë e tij.
Marsi i vitit 1991 do ta merrte e fuste në rrymën e ikjeve biblike të shqiptarëve. Nuk do tu ngjitej vaporëve në portin e Durrësit për të kaluar detin por maleve me këmbë në tokë për tu vendosur në Amfiloqia, në atë vend që do ta lidhte nyja e një jete të re.
E filloi si të gjithë njerëzit që kanë muskuj e fuqi krahu, si të gjithë njerëzit që nuk i tremben punës, si të gjithë ata që e nderojnë dhe e respektojnë punën si burim i mirëqenies. Zanatin e tornitorit dhe të frezatorit formuar me shkollë e përvetësuar në shkallën e mjeshtrit në një praktikë të gjatë pune, e la mënjanë. Jo se nuk deshte, por atje ku nguli “kunjat” dhe ngriti “çadrën” e jetesës, nuk kishte industri dhe punë që lidhej me të. Nuk ishte i vetmi që e braktiste punën dhe profesionin e formuar me shkollë, ishte një e milionta e pjesës të së tërës, e shqiptarëve që emigracioni i detyroi të lënë zanat në kërkim të burimeve të reja të bukës së ditës.
Qaniu tash e ka fiksuar punën dhe profesionin e tij në atë të bojaxhiut…
Dy në Tiranë, dy në Itali dhe ai në Greqi – përbëjnë “pesë gishtat mashkullorë” të familjes Shehu. Ai thotë me mburrje: “Jam vetë i pesti vëlla”…
Njërit djalë ai i ka lënë emrin e babait që tash nuk jeton më, emrin e Ibrahim Shehut. Ibrahimin e vogël e pashë të hyjë e të dalë në shtëpi, t’i gëzohet gjyshit nga ana e nënës, Pandeli Beretit. Pandi e ka pikë të dobët nipin e tij, pikë lidhje me gjyshin e tij, me Ibrahimin e madh të cilin thotë se e ka pasur “mik të mirë”. Ai ka këmbëngulur që fëmija i porsalindur të quhej Ibrahim, një emër paksa i rrallë në kungimin e kohës…
Për Qaniun “Guri peshon në vend të vet“ ndaj e ëndërron një kthim në Atdhe.
Por çfarë e lidh Qani Shehun pas gjashtëmbëdhjetë vjet ikje nga Atdheu ?
“Më lidh shtëpia që kam bërë në Selitë të Tiranës”, thotë dhe vazhdon ëndërrues, “janë 225 metro katrorë parcelë e sistemuar tek blloku i vilave“.
Më tërhoqi e më mbushi me emocione fjalia e fundit e tij…”Janë 225 metro katrore parcelë e sistemuar…” Ka jetë, ka djersë, ka gjak në ato fjalë. Është jeta, djersa dhe gjaku i një njeriu që ndonëse punon e jeton në tokë të huaj, ka një familje, ka dokumente të rregullta, ka fëmijë që shkollohen, përsëri gjen kohë e mundësi që nga djersa e ditës të mbushë një “gotë” e ta përcjellë për të ujitur tokën e vet, në vend të vet.
Duke gjerbë kafenë Qaniu nuk mënon të na kthejë paksa prapa, në fund të vitit nëntëdhjetë e fillim të vitit nëntëdhjetë e një, atëherë kur si pjesë e demonstruesve në Qytetin Studenti ai do të humbte këpucët në llucën poshtë qytetit e do të kthehej në shtëpi këmbëzbathur. Nuk mënon të kthejë në kujtesë edhe shkatërrimet e asaj kohe, shkuljen nga bazamentet të tornove, frezave, të makinave të rënda e të kushtueshme dhe përcjelljen e tyre si hekurishte në Mal të Zi…Për të kjo është pjesa më e dhimbshme e jetës, skena që ai nuk mund t’i harrojë dhe t’ia falë kurrkujt.
“Erdhi dhe bëri vend injoranca“- thotë ai duke e kthyer me fund filxhanin e kafesë e duke marrë mbi buzë të zezën, telfen e saj…

* * *

… Kur autobusi i linjës Athinë – Tiranë mbrëmjeve pas mesnate do të marrë tatëpjetën e do të kalojë bregut ku reflektohet fosforeshenca e thellësive të detit dhe dritat e qytetit të Amfiloqisë koka do të më mbetet djathtas, në kërkim të shtëpisë së Pandeli Beretit dhe të Qani Shehut, të Ibrahimit të vogël fryt i një dashurie dhe lidhje nga Dibra në Sarandë, nga Veriu në Jug nga një fe e shqiptarizmës në një tjetër…
… Kur mikrobusi i linjës Tiranë – Peshkopi do të futet mes shtëpive të Vojnikës së Maqellarës mendja do të më kthehet pas, ndonja një mijë kilometra pas, në Amfiloqia ku punon e jeton familja e re Shehu, afro dyqind kilometra pas, në Selitë të Tiranës ku ajo ka rrënjët e një shtëpie të re dhe të një kopshti të ri…

Amfiloqia, tetor ‘07

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.