5.5 C
Tiranë
E dielë, 5 Prill 2026

Abdurahim Ashiku

NJË NJERI QË SHIKIMI I VINTE NGA SHPIRTI

Shënime në respekt të Xhelal Roçit…

Ai hyri në sallë i shoqëruar nga një zonjë. E mbante përkrahu ndërsa Ai, kavak i drejtë, kontrollonte rrugën duke trokitur me shkop mbi pllakat e mermerta të Pallatit të Kulturës. Kisha kohë që nuk e kisha takuar, shumë vite, rreth njëzet, që kur ika për të mbetur si në vajtimin… “Mbeçë more shokë, mbeçë…”, larg vendlindjes e njerëzve që i desha dhe i dua. Emrin nuk ia kisha harruar sepse pena e tij nuk më ka lënë as atëherë e as sot ta harroj, thjesht sepse ai është i pranishëm faqeve të shkruara të shtypit, atëherë dhe sot…
– Erdha, më tha i mallëngjyer. Më kish marrë malli. Nuk shoh por dëgjoj mirë…
Unë kisha mbledhur “Njerëzit që i dua” në gjashtë libra për t’ua paraqitur miqve të qytetit tim të jetës, Peshkopisë. Kisha emocione kur i takoja, kur flisja me ta, kur thashë pak fjalë i ngushur deri në lot…
Ai u ul në radhë të parë. Mbështetur mbi shkop, gjymtyrën e re të jetës së tij. Sytë ia fshihnin një palë syze të errëta.
E fiksova kur “shihte” tepër i përqendruar dokumentarin “Vera-mësuese në dy ishuj të Egjeut”. Ka ulur kokën ndërsa të gjithë të tjerët e kanë përqendruar shikimin në pamjet e bukura që shfletoheshin në film. Është i përqendruar tek fjalët që vinin larg, shumë larg, dallgëve të detit, dallgë midis dy ishujve një orë e gjysmë larg, ishujve të Tinosit dhe Sirosit. Mes fjalëve, tingujve të muzikës e këngëve që përcilleshin Ai shikonte.
Po, po.
Shikonte me shpirt…
Kur përfunduan fjalët e të pranishmëve për librat dhe filmin Ai u ngrit dhe me një zë emocionues më kërkoi të bënim një fotografi së bashku.
Një çast i bukur, një kujtim që ngjitet përtej së bukurës së zakonshme.
Kjo ndodhi më 31 tetor 2015.
Xhelal Roçin e kam me vete njëmijë kilometra larg vendlindjes. E kam me zë, me figurë, me dashurinë e tij.
Xhelal Roçi është një njeri i veçantë në radhët e “NJERËZVE QË I DUA”…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 tetor 2015

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.