7.5 C
Tiranë
E premte, 7 Shkurt 2025

Abdurahim Ashiku

“BREKËGRISURIT E POLITIKËS SHQIPTARE” DHE DIBRA E HARRUAR

Nga arkiv i gazetarit Abdurahim Ashiku

Fejton

Dibra është mësue me luftue e me fitue me shtatë krala…e jo më me shtatë ngjala…
Dhe me qesëndisë…
More brekëgrisur,
Fort na keni bezdisur.
More brekëarnue,
Fort na keni harrue.

Partitë politike në Dibër… PD, PS, LSI në trajektoren e ngjitjes në pushtet këto 11 vjet i kanë borxhe të mëdha Dibrës. Përballë Dibrës ata janë jo “brekëgrisur e brekë arnuar” por pa brekë, lakuriq në mes të “Bulevardit të Blirëve”.
E vetmja alternativë e PS për të fituar Dibrën është: menjëherë, pa filluar fushata, të deklarojë se nuk do ta prekë, nuk do ta mbysë dhe shkatërrojë luginën e bukur të Drinit të Zi. Dhe menjëherë, të dërgojë makineritë e rënda për hapjen e tuneleve të Rrugës së Arbrit, të hedhë themelet e urës së re të Vashës dhe tu bëjë thirrje dibranëve të tregojnë se edhe brezi i ri, për të mirën dhe begatinë e Dibrës, e bën “hapin kilometër e orën minutë”.
Në ekranin e vogël të televizioneve satelitore, me zë dhe figurë, u panë në “Bulevardin e Blinjve” të Peshkopisë zotërinjtë Gjiknuri, koordinator i Partisë Socialiste për Dibrën, dhe Paloka, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Njeri “serioz” e tjetri i “qeshur” …
Njeri në “këmbë” e tjetri “kaluar”…
I pari… foli për ”distancim nga veprimet e kryetarit të bashkisë” për të vijuar me sloganin… “Partia socialiste është e fortë dhe patjetër do ta kalojë edhe këtë ngjarje.”
I dyti…fërkoi duart me kënaqësi për “ dështimin e koalicionit të majtë” me qitje drejt deputetit të LSI- për Bulqizën që pa i dalë gjumi i natës, i tha Ramës të kërkojë ndjesë…
Gazetat janë mbushur me “brekë të grisura”…
Gratë kuqezi rrethojnë me brekë zyrat e punës…
“Brekët” janë bërë veshje e ditës e politikës.
Veshje nga koka…
Nisi kështu beteja elektorale e “brekëve të grisura”, betejë me fjalor rrugësh që do të marrë ujë nga çezma e parlamentit për tu shpërndarë Dibrës, Shqipërisë e tej e tej botës….
Merr tërmalen kështu beteja e “brekëgrisurve”, “brekëarnuemëve” dhe “pabrekëve” të politikës shqiptare.
Të tri partitë politike në këto 25 vjet, veç e veç e në koalicion, e kanë harruar dhe persekutuar Dibrën. Ata do ta mundohen ta nënshtrojnë, t’i ulin apo ti marrin “krahun e votës”, t’i turbullojnë mendjen e t’i paralizojnë gjymtyrët me të gjitha mjetet e transportit të sofistikuar rrugëve-pa rrugë të Dibrës, me të gjithë forcën e mediave të tyre private dhe me “xhepin” që rrjedh…
As Partia Demokratike, as Partia Socialiste në pushtet (përkatësisht 14 dhe 11 vjet) dhe as LSI gjatë kësaj periudhe, herë në njërin e herë në tjetrin xhep të politikës, nuk i sollën gjë të mirë Dibrës përveç rrënimit të gjithçkaje që ishte bërë me djersën dhe mundin e njeriut punëtor e të mençur dibran.
Bulqiza, simboli i pasurisë kombëtare që i jepte vendit deri një milionë tonë krom në vit, financuesja e tharjes së kënetave nga Buna në Mursi, e hidrocentraleve të mëdhenj mbi lumin Drin, Mat, Bistricë etj., e ndërtimit të kombinateve, fabrikave dhe uzinave, shkollave tetëvjeçare e të mesme edhe në skajet më të largëta të vendit… është katandisur si mos ma zi dhe minatori që dikur merrte pagë mujore më të lartë se ministri (dhe dilte me pension me pagë maksimale për kohën, me dhjetë vjet punë nëntokë e në një moshë 50 vjeç…) janë parë vetëm në fushata elektorale për të blerë e mbledhë partitë votën e njerëzve më të varfër dhe të persekutuar në Shqipëri.
E djathta deshi ta mbysë Dibrën “për të shpëtuar Shkodrën nga përmbytja” Berisha do të deklaronte se ndërtimi HEC të Skavicës… ” ul në mënyrë të ndjeshme edhe mundësinë e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës dhe Shkodrës” dhe “ Skavica do të jetë në dy vitet që vijnë projekti kryesor i punëve publike të Shqipërisë”.
Me gjithë deklaratën bombë “Unë di të ndërtoj vepra botërore” Berisha nuk mundi ta ndërtojë HEC-in e Skavicës. Dhe kjo jo pse i dhimbsej Dibra por se mbytja e Dibrës është një kafshatë që s’kapërdihet lehtë.
Berisha do t’ia “merrte kazmën nga dora” Fatos Nanos që “përuroi nisjen e Rrugës së Arbrit” në pranverë 2005 për të deklaruar se ai është i aftë të ndërtojë “vepra botërore”.
Tetë vjet në pushtet qeveria Berisha në aksin rrugor të Rrugës së Arbrit nuk bëri më shumë se sa “lyrja me të kuq” e buzëve ekzistuese të saj.
Mos ndërtimi i Rrugës së Arbrit dhe tmerri që përcillte ndërtimi i Skavicës duke e shuar përgjithmonë Dibrën nga harta e Shqipërisë, ishin shkaku që Partia Demokratike humbi pushtetin në Dibër dhe Bulqizë.
U joshën dibranët nga Partia Socialiste në qershor 2013 me premtimin anekënd trojeve dibrane, kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe ia dhanë votën, ashtu siç ia dhanë edhe në zgjedhjet e pushtetit vendor në Peshkopi e Bulqizë një vit më vonë. U ngrohën edhe se një djalë dibrani u bë ministër i financave. Shpresuan që ai do të ngrihej në kuvend së bashku me deputetët e tjerë dibranë dhe do të bërtisnin fort “Të ndërtojmë Rrugën e Arbrit”. Nuk e bënë dhe nuk kanë për ta bërë. Kanë vetëm votën nga lista e partive politike dhe gjakun e holluar të ikjes de fakto nga vendorigjina.
Në vend të Rrugës së Arbrit PS dhe LSI votuan për “Mbytjen e Dibrës”, madje janë lidhur me turkun për ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri, hidrocentral i cili jo vetëm do të mbysë troje të gjera të Dibrës lindore por edhe do të rrënojë mjedisin e bukur të zonës.
Dhe si për hipokrizi i pari që shkeli në Dibër pas pushimit të kryebashkiakut ishte Gjiknuri, ministri i deklaruar haptazi për HEC-in e Katundit të Ri.
Dibra është treva gjeografike shqiptare më e persekutuara dhe më e harruara në të gjitha drejtimet dhe në të gjithë hapësirën.
Në 25 vjet vende të tilla si Lura me pyjet dhe liqenet e saj fantastikë për nga bukuria dhe vlerat ekologjike, është rrënuar si asnjë vend tjetër i Shqipërisë. Lurasit pranë pasurive të mëdha të tokës dhe nëntokës së tyre ikën pa kthyer kokën pas, ikën për ti lënë të shkatërrohen trojet e të parëve nga pushtetet politike që ngjiteshin e zbritnin karrigeve rrotulluese. Lura u mbushi xhepat pushtetarëve të djathtë e të majtë duke u tretur si qiriri. Drejt Lurës nuk u shtrua asnjë dorë e vetme asfalt, le më pastaj drejt liqeneve e pllajave malore për të zgjuar bukuritë turistike e për ti kthyer lurasit në vendlindje.
Dibra pësoi ikjen më masive të banorëve të saj në të gjitha kohët, shumë më të madhe se ikja nga serbi në vitet 1913-1920, ikje biblike…
U hap një degë universiteti në Dibër, kur duhet të kishte një universitet të madh ku të studionte Dibra mbarë, Dibra e kësaj dhe asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar. Dhe më gjerë…Gostivari, Tetova, Kërçova, Struga…
E mbyllën duke ua prerë djemve dhe vajzave Dibrane rrugën drejt dijes e emancipimit.
Skandal? Pak është përdorimi i këtij emri.
Partitë politike në Dibër, PD, PS, LSI në trajektoren e ngjitjes në pushtet këto 11 vjet i kanë borxhe të mëdha Dibrës. Përballë Dibrës ata janë jo “brekëgrisur e brekë arnuar” por pa brekë, lakuriq në mes të “Bulevardit të Blirëve”.
Dibra dhe dibranët janë një trevë dhe një popull HERO. Titullin e lartë të HEROIT TË PUNËS” e kanë merituar në saj të “hapit kilometër dhe orës minutë” që kanë bërë jo thjesht në një ditë por në shekuj.
Një historian i huaj dy shekuj të shkuar shkruante se “Po u dogj Stambolli, Dibra e ngre të ri nga themelet, ndërsa po u dogj Dibra…”
Dibra u dogj dhe u shkatërrua pas kryengritjes së madhe popullore të shtatorit 1913 në mbrojtje të “Qendrës gjeografike” të Kombit Shqiptar. Luftoi e vetme pa praninë e asnjë luftëtari nga trevat e tjera shqiptare. U detyrua të ikë për ti shpëtuar dhunës shfarosëse serbe.
Pushka mbi nivelin e ujit të Gani Tuçepit piketoi jo vetëm mrekullinë e heroizmit dhe sakrificës së punëtorit hero Dibran, kanalin e Çidhnës por me dhjetëra vepra ujitëse në të gjithë vendin.
Dhjetë Heronj të Punës ka dhënë një fshat i vetëm në Dibër, Trebishti, heronj në ndërtimin e urave, oxhaqeve të lartë të kombinateve, fabrikave e uzinave në të gjithë vendin.
Çidhnakët, Darnjanët, Reçjanët… ishin “Luanë të Tuneleve” të hidrocentraleve të mëdhenj të vendit që nga Dajti, Ulza, Shkopeti, Vau i Dejës, Fierza, Komani… Çanë tunelet duke derdhur djersë e gjak, duke dhënë jetë njerëzore…
Dibranëve në këto 25 vjet nuk iu dha kurrë mundësia e ndërtimit të vetë Dibrës dhe të Shqipërisë.
Nuk ka trevë në Shqipëri që të ketë pësuar fatin e Dibrës dhe të Dibranëve, e shuarjes së minierave, gjeologjisë, pemëtarisë, industrisë përpunuese të frutave e perimeve e nxjerrjes hariç të vendeve të punës.
Partia socialiste me deklaratën e Gjiknurit në ditën e parë të fushatës… ”Qeveria shqiptare do ti qëndrojë pranë dibranëve për të gjitha projektet e rëndësishme që ne kemi filluar” i ka humbur zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Dibrës. Ajo noton në të njëjtat ujëra të ndenjura midis “Mbytjes së Dibrës” dhe “Harresës së Rrugës së Arbrit”.
E vetmja alternativë e saj është që menjëherë, të deklarojë se nuk do ta prekë, nuk do ta mbysë dhe shkatërrojë luginën e bukur të Drinit të Zi. Dhe menjëherë të dërgojë makineritë e rënda për hapjen e tuneleve të Rrugës së Arbrit, të hedhë themelet e urës së re të Vashës dhe tu bëjë thirrje dibranëve të tregojnë se edhe brezi i ri, për të mirën dhe begatinë e Dibrës, e bën “hapin kilometër e orën minutë”.
Me parulla me “brekë të grisura” duke kërkuar t’ia ulin kokën dhe dinjitetin Dibrës, beteja është e humbur…
Thjesht e qartë se “brekë grisur”, brekë arnue” e “pabreks” nuk janë dibranët por “treshja” e partive politike në pushtet e opozitë dhe konet pas tyre.
“Dibranët do tu drejtohen me këngën therëse…
More brekëgrisur,
Fort na keni bezdisur.
More brekëarnue
Forta na keni harrue.
Lakuriqë të Tiranës,
Na pikon loti i NANËS.
“Brekëgrisur”, Brekëarnue” e “Pabreks” për Dibrën dhe Dibranët janë partitë politike shqiptare.
Dibra ka kohën e vet më të bukur për tua heqë pantallonat e për të treguar të vërtetën që mbajnë fshehur…
Dibra është mësue me luftue e me fitue me shtatë krala…e jo më me shtatë ngjala…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 16 maj 2016

 

DHJETË PAKO KAFE…

Tregim

Atë ditë e mbaj mend mirë. Sapo kishin kaluar plakat e marsit dhe dëbora e freskët e një nate më parë pikte shtëllunga-shtëllunga e binte si varbeca të vrarë nga degët lakuriq të blirëve, mburrja dhe krenaria e qytetit tonë të vogël. Një shtëllungë më ra kokës e stërkalat e ngopura me ujë më hynë në qafë e u shkrinë lugthit të kurrizit duke ma ngjeth mishtë. U drodha e përdrodha derisa pikat u shkrinë e u thanë nga temperatura e trupit në rrjedhën deri te thembrat e këmbëve. Ngjita shpejt shkallët e ulëta të ndërtesës ku kisha zyrën, një ndërtesë me themele betoni hedhur që në kohën e pushtimit  italian e me mure e ngrehina ndërtuar me punë vullnetare në vitin dyzet e gjashtë. Dyshemeja e korridorit, me dërrasa kapur me gozhdë pas trarësh prej pishe tash e dyzet vjet të shkuara, rënkoi nga këpucët me dhëmbëza, si kopertonat e makinave, që mbaja në ditë me dëborë e lagështi.
Nxora çelësat të hap derën e bërë shoshë nga bravat e mbërthyera nga paraardhës  dhe shkulur nga pasardhës pa më përjashtuar edhe mua. Kur matesha të rrotulloj çelësin, një rënkim i lehtë dërrasash më bëri të kthej vrik kokën. Dikush pas meje dihaste, siç dihasin ata që kanë vrapuar apo që përjetojnë një ankth të madh. Ishte djali im i madh që muajin e ardhshëm mbushte pesëmbëdhjetë vjeç.
– Baba Kiu…- më tha mbushur me lot që i rridhnin faqeve të zbehta.
– Çfarë?-  E pyes duke mbledhë në grykë lëmshin që më hodhi me drithërimën e zërit të tij.
– Baba Kiu…- dhe u shkri në vaj- Baba Kiu iku…
– Si iku? Ku iku?
– Kështu më tha mami. Morën në telefon nga Kruja dhe ajo filloi të qajë e thërrasë.
– Eja, – i them unë. – Shkojmë shpejt tek shtëpia.
Nuk e di se sa shpejt e kalova bulevardin dhe i ngjita shkallët deri në apartamentin tim në katin e pestë.
– Iku babai, iku- më thotë ajo e shpërfytyruar nga dhimbja dhe lotët që kishin shpërthyer digën e liqenit njerëzor.
E kapa për supesh dhe e shtrëngova në gjoks si të desha t’ia marr dhimbjen. Ishte me të vërtet një çast ku dhimbja të hynte në palcë. Ajo e kishte baba, kurse unë vjehërr. Për mua ai ishte një shok, një mik, një njeri që më respektonte, një njeri që të hapte portat e shpirtit në dy kanate e të mbante atje  si të të kishte gjak nga gjaku i tij.
Vinte çdo vjeshtë në shtëpinë tonë dhe nuk i ikej. Vinte e u gëzohej dy nipërve e mbesës, dy vëllezërve e shumë miqve, aq shumë sa shtëpia jonë paksa e ngushtë zgjerohej si të ishte prej llastiku e kafenetë e pakta të qytetit bashkonin tavolinat.
Vjeshtën e shkuar e fiksova zërin e tij në një magnetofon që mezi e sigurova me autorizim falë punës që bëja, magnetofon që më kushtoi sa dy rroga mujore. Shiritin e ruaj midis gjërave të vyera të jetës, shirit ku kam atë, të shoqen dhe babanë e nënën time.
Atë vjeshtë ai iku i mërzitur si asnjëherë, një mërzi që i kishte hyrë e bërë rrënjë në shpirt. Shokët e luftës, me të cilët takohej ditë për ditë, i kishin folur për gjendjen ekonomike në fshat, për mungesat deri në ekstrem për bulmet, fruta e perime, për dimrin që po vinte pa zahirenë e zakonshme e rezervat aq të njohura të familjeve në fshat, që nuk kishin mbush as gjysmën e magjes dimërore, karakteristike e Dibrës.
Atë vit nuk mori asgjë me vete, siç merrte vit për vit. Unë i pata premtuar se do ti gjeja gështenja, por nuk ia gjeta dot.
Kjo më dhëmbi atëherë, por më tepër po më dhemb sot, ditën kur ai iku për të mos ardhur më kurrë…
E mblodha veten. I thashë gruas të përgatitej për udhë, një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm fizikisht e shpirtërisht.
Bisedën e parë telefonike e bëra me një mik të tij e timin, drejtor i parkut automobilistik. I thashë për dhimbjen dhe e ngushëllova për mikun e tij. Më kuptoi menjëherë dhe fjala e parë që më tha, pasi më përcolli ngushëllimet, ishte:
– Në sheshin e pazarit do të kesh një autobus në dispozicion. Po qe se jeni më shumë do të keni dy, edhe tre…
E falënderova dhe nisa menjëherë lajmërimet. Njoftova vëllanë  dhe miqtë e tij me porosinë që të njoftonin kë të mundnit, njoftova prindërit, vëllezërit, motrat e mia duke u treguar adresën ku na priste autobusi…
Një mort në Dibër pa kafe është mort i mortit. E kafja në atë vit të mbrapshtë ishte legjendë. Një pako kafe njëqindgramëshe mbështjellë me letër ambalazhi, ishte racioni i muajit. Në raste morti racioni, me një firmë të zëvendëdrejtoreshës së tregtisë së qytetit, dyfishohej, madje mund të shkonte edhe në pesë apo dhjetë pako.
Shkova dhe trokita në derën e saj. E gjeta midis letrash, me siguri pa bukë e mall brenda, pasqyrë e gjendjes në magazina.
Pas përshëndetjes i tregova për ngjarjen dhe pa e zgjatur i kërkova një kile kafe.
– Nuk ka! – ma preu me të parën.
– Si nuk ka? – e pyes. Ka ikur nga jeta një njeri që i dha këtij trualli ku jetojmë unë e ti rininë e vet, gjak nga plagët e babait të tij që e pushkatuan serbët dhe gjak nga plagët e tij të luftës, një njeri që na ka vënë në këto pozita ty dhe mua.
– Nuk ka! – ma preu përsëri duke vazhduar: – Kafja jepet vetëm për familjet e qytetit…
– Pse unë qenkam familje e fshatit? Pse gruaja ime nuk do t’i shërbejë një kafe babait tënd, shok lufte me babanë e saj?
– Unë… e zbuti paksa fytyrën – po të jap një pako kafe nga ana ime….
– Mbaje për vete. – i thashë duke bërë prapa e duke ia përplasur derën prej kompensate në fytyrë…
Nuk qe nevoja që unë të çoja kilen e kafes. Ai i kishte thënë së bijës se kur të iki unë do t’i njihni miqtë e shokët e mi…
Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Atij iu bë një varrim i denjë për një njeri që i kishte takuar në jetë të merrej me drejtësi, e të jepte drejtësi…

*                 *                *

Një vit më vonë nga një fshat i malit të Dardhës me një shervete lidhur përmesi zbret një burrë. Nga përkulja dhe shkopi i thantë mbi të cilin rëndonte si të donte të shponte rrugën e gurtë, dukej se i kishte kaluar të shtatëdhjetat e jetës. Priti në sheshin e Zall Dardhës autobusin me turi, modifikim i kohës i një kamioni sovjetik kopjuar e shpërndarë nga kinezët, që sillte si zakonisht punëtorët e hidrocentralit të Komanit në pushimin e muajit atyre fshatrave gjerdanit të “Nëntë maleve” që lindën, rritën e trashëguan “luanët e tuneleve”. Bëri vend në një ndenjëse në radhët e para, vend që ia liroi me nderim njëri prej punëtorëve. U ndal në hyrje të qytetit të Peshkopisë  në njërin nga këndet e trekëndëshit që mbaronte me një lapidar me një lug çezme, përuruar me ujin e vjetër të qytetit dhe përcjellë nga media si “Uji i Korabit”. I ra mes përmes bulevardit duke përshëndetur ndonjë të njohur që bënte rregullin e pashkruar të ec e jakës së mbrëmjes nën kurorën e blirëve të Agushit që për pak takonin degët duke i dhënë rrugës së gjerë pamjen e një tuneli.
Në fund të tunelit të degëve në gjumin dimëror të blirëve mori teposhtës së pazarit për tu ndalur tek agjencie autobusëve ku për fat takoi një mikun e tij, i cili jo vetëm ia zgjidhi kërkesën por i dha edhe një vend të mirë nga ato vendet që jepeshin me autorizim.
Nuk e zgjati rrugën më tej se shtëpia e një miku të tij që, siç thoshte, po ta merrte vesh që kishte zënë hotel, nuk mund ti dilte më përpara.
Të nesërmen do bënte vend në autobusin e linjës që atë vit, me ndërmjetësinë e një dibrani me pushtet, nuk ndalej më as në Laç e as në Milot për të marrë trenin, por shkonte drejtpërdrejt në Tiranë, tash në një rrugë më të shkurtër, nëpërmjet Kamzës. Kjo i volitej sepse atij i duhej të ndalonte në Fushë Krujë për të marrë urbanin për Krujë.
Në sheshin qendror të Krujës, atje ku ndalojnë urbanët desh të marrë të përpjetën  ku Skënderbeu i hipur mbi kalë dukej sikur do të hidhej në fluturim drejt detit, tek pallati në qosh të të cilit, lart, kishte bujtur sa e sa herë në shoqëri të mikut të tij. Qendra e qytetit kishte ndryshuar, në ballë ishte kinemaja dhe shtëpia e kulturës kurse në të djathtë  një godinë e re mbi portën e së cilës shkruhej “Komiteti Ekzekutiv i Rrethi Krujë”. I bëri përshtypje pamja ndaj, para se të ngjitej ndali hapin dhe pyeti një  kalimtar. Shqiptoi emrin e mikut dhe pyeti se ku e kishin shtëpinë djemtë e tij. Kalimtari, i cili me sa dukej e njihte mirë njeriun dhe vendin, i tregoi një portë fare pranë duke i thënë të kalojë qemerin dhe pasi të ngjitej në një palë të vetme shkallësh të trokiste në portën majtas ku shënohej emri i njeriut që donte.
I ngjiti shkallët me parafabrikate me mozaik dhe, pasi mori thellë frymë e u mundua ta drejtojë trupin, shtypi lehtë butonin e ziles. Një cicërimë zogu pasoi përkuljen e dorezës së derës për ti nxjerr para syve një grua me shami të zezë mbi flokë e një shprehje që tregonte bujari në tërë qenien e fytyrës.
– Urdhëroni, i tha gruaja duke e hapë derën aq sa u dëgjuan takimi me murin e korridorit.
– E shoqja e…
– Po, i tha, urdhëro, të mbaj mend mirë kur vije në Peshkopi, por edhe kur vije tek shtëpia e vjetër. Mirë se të pru Zoti!
Burri pa u përkulur, me një të mëshuar thembrave, hoqi këpucët dhe i shtyu paksa në një kënd të sallonit. Një palë çorape leshi thurur e qëndisur me kujdesin e nuses së djalit, të pastra, përcollën mbi dysheme trupin e tij në dhomën e pritjes ku do të pushonte në një kolltuk nga ata të modelit të vjetër, kolltuk që ishte ulur e ngritur sa herë kishte trokit e bujte në atë shtëpi.
– Më fal se do të lë nja dy minuta vetëm, sa të bëj kafen. Djali dhe nusja janë në punë, kurse nipërit janë në shkollë.
– S’ka gjë. Ulu se e kam një fjalë, pastaj e pimë edhe kafen.
Tha këtë dhe  pasi zgjidhi nyjën e shervetes lidhur për brezi dhe e shtroi mbi tavolinën e vogël përpara kolltukut, hapi me kujdes një qeskë e prej saj nxori një nga një dhjetë pako të mbështjella me letër të zakonshme ambalazhi, ngjyra e së cilës kishte kohë që kishte mbetur pa emër.
– Nuk munda me ardhur në varrim –  tha me kokën ulur. Më erdhi fjala vonë dhe nuk munda të vij me shokët. Vonë është por…
– Miku jot thoshte që mik më i mirë është ai që e ruan dhembjen. Dhe tregonte një mesele dibrane. Ju jeni dhe do të jeni mik i nderuar i kësaj familje. Ne gati e harruam kurse ti për një vit e ke mbajt në zemër e në shpirt…
– Desha të vij edhe ma para por hapin ma ndalën këto pako të shkreta. Mu desh një vit ti mbledh, një e nga një, nga një pako në muaj, për të bërë kilen. Nuk mund të vija pa një kile kafe për mikun tim e të familjes time, njeriu që më shpëtoi jetën dhe nderin e familjes. Kafja ka kuptim të madh në Dibër…
– Një vit ke mbledhë muaj pas muaji racionin e kafes? Nuk e ke vu xhezven në zjarr, vetëm për…
– Po, po, një vit. E tash merre një pako kafe dhe na e piq ta pimë bashkë në kujtim të bashkëshortit tënd, e të mikut tim…

*            *                 *

Atë natë, në atë shtëpi të zakonshme dibrani larg Dibrës, u mblodhën të gjithë; djem e nuse, nipër e mbesa…
Ata i thanë se sonte na e ngjalle babën…
Ai u tregoi se si lindi miqësia me Të, si Ai i shpëtoi jetën…

Abdurahim Ashiku

Tetor 2012

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.