13.5 C
Tiranë
E premte, 7 Nëntor 2025

Abdurahim Ashiku

FLLADI QË MË SJELL KASTRIOT LEKDUSHI…

 

Krijues të mërgatës shqiptare në Greqi

Kisha mbledhur flladin dhe lulet e këngëve të Labërisë, Kastriot Lekdushi. Freskohesha sa herë flladi kapej e mblidhej pas isos së këngës që aq bukur binte me shpërthim ujëvarave të bardha të maleve të vendlindjes tënde nga zërat brilante të burrave dhe grave të “Vëllazërimit”. Shpërthenin si himne për atë truall të vogël tonin në gjirin pa gjoks të Evropës plakë. Shpërthenin për ti thënë se ne jemi këtu: të parët, ndash thoni “ndër të parët”, por këtu jemi; me rrënjë e me degë, me racë e me gjuhë tonën, krejt tjetër nga gjuhët e tjera të botës.

I kam dëgjuar ato këngë skenave të Athinës, Lushnjës, Gjirokastrës, Tuzit të Malit të Zi, Kosovës… I kam dëgjuar edhe provave në ndonjë mjedis tre me tre metra nëntokës së Athinës në pamundësinë e egër të shtetit tonë të ndërkryer për të na sajuar një “qendër kulturore”, qendër që “andej” është edhe në ndonjë fshat apo qytet të vogël me dhjetëmijë banorë dhe nuk është në një qytet me treqind mijë mërgimtarë shqiptarë që u qan shpirti për këngën dhe fjalën shqipe.

Kisha mbledhur lule dhe këngë…

Sot më erdhi e mu bë komb në fyt, komb që nuk më le të përtyp e bëj gjak të trupit tim demokracinë shqiptare. E mbrapshtë më ka ardhur tash e 22 vjet. E mbrapsht më vjen sot, më e mbrapsht se kurrë, mbetur si lyps para dyerve të Evropës, pa pas të drejtën të hyjë, pa qenë i zoti të ngre dorën dhe të trokas, pa pas shpirt që të ngre grushtin e të bërtas:
“Evropë! Hapi dyert, po vijmë ne bijtë e Gjergj Kastriotit…”

Kastriot Lekdushi duke bërë “Kronologjinë e “Demokracisë” Shqiptare” thotë se ajo i “vjen si dëshmi historike 20-vjeçare”. Dua ta korrigjoj. Jo si njëzet vjeçare por si gjashtëdhjetë vjeçare se të gjashtëdhjetat i mbush më 16 tetor 2013 dhe gjithçka në krijimtarinë e tij këtyre viteve është mbjellë, ka hedhë rrënjë, nga nxjerr degë e lule, është pjek e ka lidhë fryte jete në këto gjashtëdhjetë vjet jetë.

Një mik imi, Kristo Zharkalliu, pasi mori me përkushtim krijimin më të ri të Kastriot Lekdushit, pasi e lexoi, më shkruante “Libri i Lekdushit sikur na kujton pak Epopeja e Ballit Kombëtar të Musarajt. -jo në nivelin e njohur-por sidoqoftë lexohet lehtë”

Këtë e thonë të gjithë ata që marrin në dorë dhe hedhin vështrimin kur në rreshtat e parë lexojnë:

U mbush Shqipëria

Me “demokratë”,

O burra shpejtoni,

Të ndërrojmë pllakë”

Bërrylin epokës

Marksiste-Leniniste,

Se iku koha

E “Enveristëve”

Se me Peres-(trojkën)

Gorbaçovjane,

Vajti dhe “Strategjia”

Ala Ramiziane!

“Nëpërmjet këtij pamfleti-politiko-satirik, shkruan në Koment-parathënie të librit autori Lekdushi, në kujtesën e bashkëkohësve, por edhe të pasardhësve, jam munduar të sistemoj historinë 20 vjeçare në pafundësi të tranzicionit demokratik shqiptar, në një stil me veprën madhore “Epopeja e Ballit Kombëtar” të shkrimtarit të nderuar Shefqet Musaraj, por me një ndryshim themelor, ku i nderuari z. Musaraj pasqyron një periudhë tre vjeçare, të një organizate nacionaliste, në krijimtarinë time flas kronoligjikisht, me saktësi, për një periudhë tragjikomike mbi 20 vjeçare të popullit tonë të viktimizuar nga një elitë politike e papërgjegjshme dhe e pamoralshme, ndaj fateve të kombit dhe të atdheut!”

Pikërisht këto, në vargje të shkurtra e në strofa katërshe i gjen faqe më faqe, i lexon e pastaj kthehesh dhe i rilexon rresht për rreshti. Herë – herë qesh, nuk e mban dot gazin, herë – herë ngrysesh e shtrëngon grushtet dhe herë – herë bie në mendime e tund kokën e mbërthyer në dhimbje.

Mbi 330 strofa, mbi 1300 vargje, radhë që zgjaten në një “vresht”, në një “ullishtë”, në një “pemishte”… ku herë gjelbëron, herë vyshket, e herë-herë thahet jeta njerëzore shqiptare, jetë që autori e mbledh dhe e ngjesh në dy epigrame që u paraprijnë 107 faqeve…

Epigrami 1:

Elitarëve Politikë Pseudo-Demokratë

Të “lindur” për oborrtarë!

Surrate për “sundimtarë”!

Të rritur kanakarë,

Mbollën helm, korrën t’vrarë

Epigram 2:

Dhe kur ta lexoni

Jo, si Militantë,

Vargjet mos m’i vrisni,

Mos bëni mëkat!

Kastriotit do ti sugjeroja që në botim të dytë (jam i sigurt se do të ketë, madje ndoshta edhe një të tretë) librit t’ia zvogëlojë formatin, ta bëjë në përmasat e një libri xhepi, libër që secili, kudo që ndodhet, në udhëtimet qytetëse, ndërqytetëse, në autobus, tren, vapor, avion… ta nxjerrë, ta lexojë e rilexojë, të qeshë e të ngryset, të gjejë me emër dhe mbiemër njerëz që si karagjozë klasikë, sunduan në vitet më të mbrapshta të historisë së re shqiptare, vite pa kokë, pa këmbë, pa tru, pa turp.

Një kronologji në vargje ku humori, sarkazma, dhimbja të vijnë si në një ekran, të marrin e vit pas viti të venë në rresht, në rreshtin e gjatë të ngjarjeve që erdhën dhe ikën duke lënë gjurmë që nuk shlyhen, që nuk shuhen, të paktën për brezin që i jetoi.

Kastriot Lekdushi, mërgimtar prej dy dekadash, nuk ka se si të harrojë vetveten , shokët, miqtë, hallet, udhëtimet me trastë në krah maleve e shtigjeve të pashkelura, betejën e tyre në dy krahë, atë për mbijetesë në vendin që i ofroi kundrejt një diskriminimi racist dhe pune tepër të lodhshme e herë-herë të papaguar apo e paguar si lëmoshë, betejën e identitetit të humbur ku vendi amë pati dhe ka dorën e zezë.

Në emigracion:

Emrat i ndërruam,

Në Shqipëri:

Origjinat mohuan!

……………………………………………………

Njëzet vjet,

Kurajë, durim,

Mërgimi mbeti,

Shpresa për shpëtim!

………………………………………………………

E dhimbshme vjen në “Kronologji…” ajo që quhet humbja e identitetit në veçanti për fëmijët e mërgimtarëve, fëmijë që po humbin gjuhën e nënës, atë të shkruar nga duart e tyre të vogla dhe të lëçitur nga zërat e tyre fëmijërorë.

Nga dhimbja…
Edhe zogjtë në shtegtim

Cicërimën nuk e humbin,

Gjuha Shqipe në mërgim,

Viktima, që mori plumbin!

Vjen thirrja…

Bilbila merrjani këngës,

Gjuha Shqipe të marrë jetë,

Trashëgimia jonë Ilire,

Më e lashta në planet!

 

Kastriot Lekdushi nuk harron nënën, amanetin e saj…

Nga zemra, po ju flet nëna:

Të më vini sa jam gjallë,

Mos më rrini atë hëna,

Se ju pret nëna me mall!

Dhe po nuk më gjetët gjallë,

Lule përmbi gjoks më vini,

Një qiri tek koka ndizni,

Një grusht dhe, mbi varr ma hidhni!

Lekdushi ynë ka mall, nga ai lloj malli që, siç thotë ai, “strallin tret” për të udhëtuar …

Maleve…

Lëndinave me trëndelinë,

Ku Bleta mbledh nektarin,

Ku kopeja blegërin!

Për gjithçka e merr malli Kastriotin…

E merr malli për një dasmë,

Flakë të ndizet shamia,

Si e do zakoni i vendit,

Me shtatë të shkojë dollia

Kur lexon Kastriot Lekdushin (Llapaj) të vijnë e të ulen në prehër, si zogj shtegtarë, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli… në meditimet e tyre të mërgimtarit për mallin dhe brengën e atdheut që u lëngon në shpirt…

Shkrimtarët, poetët, mësuesit…janë Rilindës të Kohës Sonë…

Abdurahim Ashiku

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.