20.5 C
Tiranë
E hënë, 25 Gusht 2025

Agustin Z. Gjinaj

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Muzeu i Armëve dhe historia e treguar keq e Ushtrisë

U habita gjatë një emisioni për Muzeun e Armëve të Forcave të Armatosura, kur Drejtori i Muzeut, duke folur për avionin supersonic MIG-21, i tregoi gazetarit që kishte përgatitur dokumentarin, si një raketë të drejtuar të këtij avioni, rezervuarin vartës të karburantit, ( serbatori shtesë për mbajtjen e vajgurit të avionit).
Më pas “dëgjova” mjaft broçkulla të tjera, pasiguri, të përcipta e pa ndjenjë, pa respect, sikur flitej për periudha prehistorike e jo për periudha plot peripeci në historinë e Shqipërisë.
Bashkëbiseduesit ironizuan edhe faktin se “me këtë armatim Shqipëria nuk bëri asnjë luftë”- qëndrim ky aspak realist, pak për të thënë naiv e dashakeqas, madje fyes edhe për formimin e tyre intelektual, pasi që pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë shtet i Evropës nuk ka bërë ndonjë luftë, ashtu si edhe Shqipëria. Nuk është domosdoshmërisht i nevojshëm për luftë armatosja e një shteti, pasi qëllimi i parë i armatosjes së shteteve apo individëve është shkurajimi i të keqes, parandalimi i luftërave. Kjo shpjegon atë që edhe pse asnjë shtet në Evropë nuk ka bërë një luftë, megjithëse armatimin, pajisjen e modernizimin e ushtrive të tyre ato e kanë bërë nga viti në vit. “Mrekullia” e kësaj armatosje ka qënë pikërisht frenimi i luftërave.
Përgjigjet e drejtorit të muzeut, të pasigurta e evasive, të tipit, si “duhet të ketë qënë”,.. “ishte afërsisht…” etj etj, e tregonin atë si një njeri të “vendosur” në atë detyrë për të marrë rrogën, me pak e aspak respekt për ç’ka kishte përpara apo që i tregonte publikut, pavarësisht se ky muze duhet të tregojë për pasuri, investime, derdhje fondesh në shifra që përfshijnë miliona dollarësh, të sajuara nga puna e popullit shqiptar të varfër e të vuajtur, të vëna në dispozicion të mbrojtjes së vëndit, si përpjekje për të mbrojtur lirinë e jo si armatosje për një “luftë që nuk erdhi kurrë”.
Muzeu nuk tregon as njerëzit që e ideuan një mbrojtje e armatim të tillë, cilat ishin detyrat e llojeve të Forcave të Ushtrisë Shqiptare, të armëve e shërbimeve të veçanta të saj, sa realiste apo jo ishin ato detyra që shtroheshin për t’u realizuar me këto pajisje, sa ishin ato efektive apo të krahasueshme me vendet e rajonit apo Shqipëria ishte i vetmi vend i Evropës që u armatos në ato vite?
Muzeu ka nevojë për për t’u sistemuar larg qëndrimeve politike. Në këtë Muze anashkalohet lidershipi i ushtrisë në vite, ministrat e Mbrojtjes, krerët e Shtabit të Përgjitshëm që nga pavarësia, në vitet e Mbretërisë, ato të pushtimit, ndërsa pak e aspak “flitet” për Luftën e Dytë Botërore, brigadat partizane, llojet e armëve të Ushtrisë Popullore, ndërkohë që ata janë persona realë historikë. Gjatë një vizite në muzeun e gjigandit gjerman të prodhimeve farmaceutike BAYERN në Leverkusen të Gjermanisë, unë kam parë një poster të Adolf Hitlerit, në dimensione reale të personazhit, që shoqërohej me porositë që kishte dhënë ai gjatë një vizite.
Në muze nuk tregohet për fatin tragjik pothuajse të shumicës së drejtueve të formacioneve partizane, të Shtabit të Përgjithshëm të Luftës NÇL, të heronjëve të Popullit, të grupit Puçist, etj., etj., dhe nuk del e qartë ajo që Ushtria Shqiptare megjithëse ishte konceptuar si një ushtri pa aleatë, ajo ishte e rregullt, e disiplinuar, e aftë ushtarakisht dhe karakterizohej nga vendosmëria, patriotizmi, besnikëria ndaj popullit e atdheut.
Muzeu e anashkalon trajtimin e kritikueshëm të municionit e armatimit të ish-Ushtrisë Popullore në 30 vitet e fundit. Pasuria e Ushtrisë, pavaresisht nëse ajo ka qënë e dhuruar, e blerë me valutën e paktë shqiptare apo edhe e prodhuar në vend, ishte një pasuri e popullit shqiptar dhe mjaft e konsiderueshme, për të cilën klasa politike e këtyre viteve nuk ka treguar kujdesin e duhur. Shitja apo transformimi i materialeve ushtarake nuk dha ndonje kontribut në mirëqënien e shqiptareve apo modernizimin e Forcave te Armatosura.
Në pergjithësi “kompozimi” i Muzeut të Armëve nuk e tregon se çfarë çmimi ka kërkuar përpjekja e shqiptarëve për armatosje në mbrojtje të lirisë, nuk tregon se kjo lloj armatosje ishte një tendencë botërore e atyre viteve apo ishte vetëm një “çmënduri shqiptare, nuk tregon nëse ky përqëndrim armatimi ishte apo jo në gjëndje të realizonte qëllimin e mbrojtjes së vendit, ndërsa pot ë shtosh këtu paaftësinë për ta shpjeguar si duhet të kaluarën, atëherë kupton se ky muze nuk e tregon të saktë as historinë e ushtrisë e të armatosjes së këtij vendi.
Duke shpjeguar si duhet historinë mund të kuptohet më mirë se pse është i rëndësishëm fakti që sot Forcat e Armatosura te Shqiperise janë anëtare të NATO-s, Aleancës më të madhe ushtarake në historine e njerëzimit, pjesë e mbrojtjes kolektive të strukturave atlanike.
***
Sa për histori, sipas dokumentave arkivore Ushtria Popullore e viteve ’80, kishte këtë organikë:
Katermbëdhjetë Korpuse e Komanda të Larta Ushtarake.
Korpusi i Mbrojtjes në Fier; Gjirokastër; Korçë; Tiranë; Pukë; Grupimi në Tiranë; Burrel; Elbasan; Shkodër; Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore në Tiranë; Komanda e Aviacionit Luftarak në Tiranë; Komanda e Flotës Luftarako-Detare në Tiranë; Komanda e Mbrojtjes së qytetit të Tiranës; Komanda e Ishullit të Sazani.
– Njësi Taktiko-Operative të Ushtrisë:
74 Brigada Këmbësorie, 19 Sulmuese, 14 Tankesh, 13 Artilerie, 3 Xheniere, Ndërlidhje, 8 të Rinisë Shkollore, 5 Rinisë Universitare, 6 F. Vullnetare.
– 5 Regjimente të Aviacionit, 23 të Artilerisë Kundër Ajrore, 2 Raketash Kundër Ajrore, 1 Zbulimi, 6 Kundër Tanke, 4 të Artilerisë Bregdetare, 1 Kundër Kimike, 1 Radioteknike.
– Shkolla ushtarake me organizim brigade: Shkolla e Bashkuar, Akademia Ushtarake, Akademia e Shtabit të Përgjithshëm, Shkolla “Skenderbej”, Shkollat e kuadrit Rezervist, (tre shkolla), Shkolla e Aviacionit, Shkolla e Marinës.
.- Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore, 11 Brigada, Bazat Ushtarake: a-Bazat e Furnizimit të Ushtrisë, b- Bazat Ushtarako-Detare, c- Bazat Ushtarako-Ajrore.
Armatimi jashte bazave te furnizimit
Aviona luftarake të tipave të ndryshëm 175 copë; Helikopterë 36 copë; Makina të ndryshme: 14.120 copë; Diagaçë të ndryshëm 630 copë; Tanke luftarakë 1080 copë,Transportues të Blinduar 638 copë; Anije luftarake të ndryshme mbi ujëse 85 copë; Nëndetëse 4 copë; Artileri Reaktive 72 shtretër lëshimi; Raketa Tokë-Ajër 16 shtretër lëshimi; Pistoleta 480.853 copë; Automatik 216. 110 copë; pushkë të llojeve të ndryshme 363.257 copë; mitroloza të lehtë e të rëndë 36.052 copë; Granata hedhës Kundër tank 1370 copë; mortaja 60 m/m, 82 m/m, 120 m/m dhe 160 m/m gjithsej rreth 13.000; mitralozë Kundër ajrorë 12. m/m 1485 copë; mitralozë 14.5 m/m 2-4 grykësh 896 copë; Topa kundër tanke model 75 m/m, 107 m/m, 85 m/m rreth 7700 copë;
Top Obuza 122 m/m 1892 copë; Topa 100 m/m 120 copë;Topa 57 m/m 120 copë; topa 130 m/m 24 copë; Topa Kundër Ajror 37 m/m dy grykësh 1820 copë; Topa KA 57-150 m/m 2-4 grykësh 1310 copë; Topa KA 25 m/m 2 grykesh në anije 12 copë ;Topa KA 37 m/m në anije 27 copë; Topa 85 m/m në anije 4 copë; Topa në tanke 85-100 m/m 1060 copë; Topa në aviona-( 23 m/m, Topa 30 m/m, topa 37 m/m)- gjithësejt 310 copë; etj;
Municioni jashtë bazave të furnizimit:
Fishekë të llojeve të ndryshëm të kalibrit 7.62 m/m 538 milionë copë, Fishekë mitrolozi 12.7 dhe 14.5, dy dhe katër grykësh 732 milionë copë, Granata dore mësymëse dhe mbrojtëse, reth 4 milionë copë; Predha të GHLKT, rreth 2 milionë copë, Predha mortaje 60, 82, 107, 120, 160 m/m, reth 151 milionë copë; Predha të artilerisë tokësore të kalibrave 75, 76, 122, 130, 152 m/m dhe të artilerisë reactive rreth 6 milionë copë, Predha të AKA të kalibrave 37, 30, 57 , 85, 100, 150 m/m, 38 milionë copë. Mijra bomba 250-500 kg të aviacionit. Sasi të konsiderueshme Lëndë Helmuese Luftarake, mina e lëndë eksplozivash të ndryshëm.
Pesë Bazat e Furnizimit të Ushtrisë në Tiranë, Elbasan, Berat, Tepelenë dhe Mirditë kishin sasi të mëdha armatimi, municioni, karburanti, veshmbathje, ushqime, medikamente, hekur, makina, etj. Efektivi i përgjithshëm luftarak me rezerviste ishte 585.000 persona.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.