9.5 C
Tiranë
E enjte, 21 Nëntor 2024

Akademik Dibran Fylli,

HISTORI E MANIFESTIMIT “EPOPEJA E UCK-së” (Mars 1999).

Historiku i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe i Programit Artistik “Ai është i gjallë”, tash “Epopeja e UCK-së” është ky që është, edhe pse deri me tash shumë pak është thënë për Trupën Artistike Ushtarake dhe për Manifestimin “Ai është i gjallë”. Kjo Trupë dhe ky Manifestim, rrënjët i ka në flakë të luftës së lavdishme të UÇK-së. Është ideuar, ndërtuar, themeluar e organizuar gjatë ofensivave serbe. Është një emër i ri në historinë e kulturës shqiptare e deshën e së deshën të tjerët…. Këtë më mirë se unë nuk e dinë askush, as ata rrahagjoksamanët që deri dje janë “byrytë” e as këta strukomanet që tash po “byrytën”, gjëja se po e bëkan një punë aq te madhe!

Fillimi i parë:

Trupa Artistike Ushtarake është themeluar në fillimin e muajit shkurt 1999, në kuadër të SHP të UCK-së në Likofc, ndërsa emërtimin e Trupës, me emrin e heroit Hamëz Jashari, e ka miratuar po i njëjti Institucion ushtarak më 18 shkurt 1999.

Manifestimi i parë “Ai është i gjallë”, 06 mars 1999.

Pas themelimit të TAU “Hamëz Jashari”, para Këshillit Artistik u paraqit skenari për ditën e Manifestimit Përkujtimor, në shenj nderimi për ditën e rënies heroike të Kryekomandantit Adem Jashari dhe të Jasharajve, në Betejën e 5, 6 e 7 Marsit.

Në skenar ishte paraparë; Rreshtimi i njësiteve ushtarake, Ngritja e flamurit, Dhënies e raportit, Pjesa foljore, Pjesa muzikore e recitative dhe në fund Pjesa skenike “Ai është i gjallë”. Skenari u pranua dhe u vendos që Manifestimi të mbahet më 6 Mars 1999, si dhe emërtimi i Manifestimit të jetë sipas emrit të pjesës skenike “Ai është i gjallë”.

Përkushtimi ynë dhe provat intensive, bënë që programi artistik të jetë gati me kohë dhe në nivel të lartë profesional. Pritej dita dhe ora e fillimit të programit me padurim. Vendi ishte caktuar. Manifestimi do të mbahej në Prekaz, në një largësi jo të madhe nga forcat serbe të stacionuara afër lagjes Jasharaj dhe për rreth Fabrikës së Municionit në Skënderaj.

Dita e 06 marsit 1999, mbeti e pa harruar dhe me rëndësi të veçanet për TAU-në, por edhe për numrin e madh të pjesëmarrësve në këtë Manifestim Përkujtimor. Publiku ishte i respektuar dhe në masë të madhe. Rendi dhe qetësia ishin në nivel të duhur. Kur para tyre u paraqit Figura e Kryekomandantit Adem Jashari dhe zëri i tij që mbërrinte kupën e qiellit duke iu drejtuar popullit me fjalët: “Mua me keni kudo, kudo, kudo…”, plasi masa dhe nga çdo kush dëgjohej të thoshte e të pëshpëriste, “More a po e sheh së, Ai qenka gjallë”

Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje: Sylejman Selimi, Komandant i SHP te UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës i UÇK-së, Komandanti i ZO të Drenicës Sami Lushtaku, Komandantët; Ilaz Kodra, Rrustem Mustafa, Nuredin Lushtaku, Zenë Prokshi, Sahit e Musë Jashari, Fadil Kodra, Zenun Kodra e shumë të tjerë. Manifestimin e regjistruan shumë media të shkruara dhe vizive, kombëtare e ndërkombëtare…

Fillimi i dytë:

Këto ditë kanë një domethënie të veçantë, jo vetëm për pjesëtarët e UÇK-së por për gjithë Kosovën, për shqiptarët e për shqiptarinë në përgjithësi. Janë ditë të shenjta që s’do harruar kurrë. Ditë që gjenerata e gjenerata do t’i kujtojnë e s’do t’i harrojnë dot. Këto tri ditë e net, zjarri dhe flaka e lirisë shndriti në mbar trojet shqiptare. UÇK-ja, në krye me Kryekomandantin e vet Adem Jashari, po thërriste në emër të lirisë, në emër të Atdheut e të flamurit që të gjithë të bashkohemi në luftë për çlirim e bashkim kombëtar.

 

 

Manifestimi “Ditët e Përndritjës”, 5, 6 e 7 Mars.

Me propozimin e udhëheqjes së TAU “Hamëz Jashari”, në janar të vitit 2000, SHP i TMK-së, e kishte pranuar propozimin dhe kishte vendosur që 5, 6 dhe 7 marsi të shënohen me një Manifestim të madh gjithëkombëtar dhe këtë obligim me urdhëresë ushtarake ia kishte lënë në barrë Trupës Artistike Ushtarake dhe udhëheqësit të saj Dibran Fylli.

Pas vendimit të lëshuar nga SHP i TMK-së, u ftuan shumë intelektual nga mbar shqiptaria për ta marr edhe mendimin e tyre së si do të dukej dhe si do ta këtë fizionominë ky manifestim i madh që do të mbahet në Prishtinë dhe në Prekaz. Në mbledhje erdhën të gjithë ata që shprehnin gatishmëri për ta ndihmuar organizimin. Me idetë dhe me punën e tyre, në vazhdimësi na ndihmuan: Isa Qosja, Adem Gashi, Daut Demaku, Ilir Shaqiri, Sunaj Raça, Adem Grabofci, Sami Lushtaku, Musa Jashari e shumë të tjerë të cilët pa hezitim ndihmuan deri sa përfundoi ky manifestim ndër më të suksesshmit në Kosovë.

Së pari manifestimi u nda në tri pjesë, të tria morën emër. Sipas propozimit të Adem Gashit manifestimi do të titullohej “Ditët e Përndritjës”, deri sa unë në emër të TAU-së propozova që së cili program të këtë emrin e vet:

-Dita e parë, 5 marsi, të jetë një program artistik që do të titullohet “Ai është i gjallë”. Në vitin e ardhshëm do të jetë programi qendror dhe do t’i shtohet edhe parakalimi i ushtarëve të të gjitha Zonave dhe njësive vartëse të SHP të TMK-së, para Komandantit të Përgjithshëm do të raportohet dhe do të vazhdonte me programin artistik.

-Dita e dytë 6 marsi, në Prishtinë do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar figurës së Kryekomandantit Adem Jashari dhe dëshmorëve të UÇK-së. (Për këtë ditë u propozua që në një të ardhme të afërt, data e 6 marsit të shënohet si dita e dëshmorëve të UÇK-së).

-Dita e tretë, 7 marsi-Nata e Zjarreve, do të mbahet në Prekaz duke filluar nga ora 20:00, me ndezjen e zjarreve dhe programi do të vazhdonte deri në orët e mëngjesit, me këngë e valle, recitime e recitale etj. Mbrëmja do të quhet “Nata e zjarreve” dhe do ta këtë karakteristikën e veçanet, me ndezjen e flakadanëve dhe zjarreve, në të njëjtin vend ku kishte shkrepur flaka e lirisë dy vite më parë. Këto propozime, me disa vërejtje e kritika, u pranuan dhe u miratuan nga pjesëmarrësit në këtë mbledhje dhe nga SHP i TMK-së.

Për tri ditët u vendos që të ngarkohet nga një regjisor me përvojë si: Isa Qosja, Latif Zariqi e Sunaj Raça, deri sa u propozua dhe unanimisht u përkrah që skenarist dhe regjisor i krejt manifestimit të mbetët shefi i TAU-së dhe ideatori i këtij Manifestimi Dibran Fylli. Edhe pse ishte një ngarkesë e madhe, me kënaqësinë më të madhe e pranova për vet faktin së manifestimin e kisha filluar nëpër flakë të luftës dhe tani po e vazhdoja në frymën e lirisë.

Manifestimi, me gjithë vështirësitë që u paraqiten në grumbullimin e mjeteve financiare, kaloi pa pengesa, derisa për dështime as që bëhej fjalë.

Për sukseset e arritura folën dhe shkruan mediat e shumta që e kishin përcjellë me vëmendje dhe interesim të shtuar manifestimin dhe punën përgatitore, kurse për arritjet tjera, flet fakti së edhe sot e asaj dite ky manifestim po mbahet me të njëjtin skenar dhe formë të organizimit, pa shtuar as munguar gjë.

 

Fillimi i tretë:

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, 5, 6 e 7 Mars

Vetëm një vit më vonë, saktësisht në janar të vitit 2001, me vendimin e SHP të TMK-së, i ndërrohet emri Manifestimit nga “Ditët e Përndritjes” në “Epopeja e UÇK-së” (ndoshta këtu i ka fillet hajdutllëku i autorësive dhe ideve të të tjerëve). Prapë së prapë, Manifestimi mbeti me të njëjtën fizionomi. Puna dhe organizimi kryesor i ngarkohet prapë shefit të TAU-së Dibran Fylli, ideator dhe autor i këtij Manifestimi.

Fundi i fundit:

Sado që, tash e sa vite, ky Manifestim po mbahet nën patronatin e kryeministrave e ministrave, me shpenzime sa po ju do hatri e xhepi, nuk ndryshojë e nuk ndryshon asgjë!? Mua aspak nuk më ngelet hatri pse nuk jam në përbërje (tash e sa vite) aty ku është dashtë të jem, sepse nuk mundem dhe nuk dua të jam pjesë e taborit të atyre që mundohen (vetëm mundohen sepse e kanë të kotë) t’i tjetërsojnë autorësitë dhe idetë e të tjerëve, por ama, e kam nga frika (sepse këtu të ne, nuk po dihet ka sa po shkon pasuli) se deri nesër këta tipa do të thonë se edhe mbishkrimi AI ËSHTË I GJALLË, që rrinë aq bukur në Kullën e Qëndresës, në Kompleksin “Adem Jashari”, është i tyre!.

Këtë e pëlqeu apo së pëlqeu dikush nga kolltuqxhinjtë e kohës dhe atyre që i janë bashkëngjitur këtij tabori për një mëditje, se ky Manifestim është produkt artistik dhe krijim imi i pa kontestueshëm me vlera të mirëfillta artistike, nuk mund ta luan as fjala e as topi …

-Jam i gatshëm te ballafaqohëm publikisht me këdo që e thotë ndryshe!

 

Dibran Fylli,

 ish pjesëtar i Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”,

shef i TAU “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe TMK-së

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.