1.
Me shtatë vëllime me poezi të botuara në harkun kohor të pesë viteve të fundit, Demir Rusi vjen para lexuesit si një poet i spikatur, që paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm. Ai nuk është i ngjashëm me askënd, është plotësisht dhe thellësisht vetvetja. Këtë identitet ai e shfaq, jo në një e dy por në 100 poezitë e vëllimit të 6-të më titullin intrigues “SUZI”.

Le ta nisim me disa vargje të poezisë që është edhe titulli i librit: “Drutë janë djegur, prushi ka mbetur,/Se e mbulon mirë, mbetet i patretur/ Kështu edhe jeta, kushdi ta jetojë/ po i fryve prushit, ai do xixëllojë.”..”.
Mjaftojnë qoftë edhe këto vargje për të konkluduar se D.Rusi është ndër të paktët poetë, i cili synon origjinalitetin dhe jo imitimin, konstrukton vetveten, për të mos qenë i ngjashëm. E kësisoj, si poet i dashurisë njerëzore, po në këtë poezi ai jep edhe mesazhin e vazhdimësisë së jetës: “Suzi, e Suzanat bëni pak durim/Jeta pa zënka, nuk paska kuptim/ Kthehuni tek ishit, jetën ta zgjatojmë/ t’mos e fikim zjarrin, ende ekzistojmë..”.
Poezia e këtij autori është përçuese e përjetimeve një castëshme, por edhe e cilësive identifikuese të njerëzve që e rrethojnë apo edhe e atyre me të cilët i takon të polemizojë për ngjarje e problematika therëse, si tek poezitë e titulluara: “Eros n’parlament”; “Konfuzioni”. “Pa gjumë” etj.

Një vecori tjetër dalluese në poezinë e D.Rusit është konceptimi popullor i realitetit. Kështu, në këtë vëllim ka poezi si ato me titull: “Në katund”, “Ura…”, ”Malet…” etj, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, Kështu ai vargëzon thjeshtë e bukur se: “S’ka më mirë të besh një urë,/T’a bësh e t’mos mburresh kurrë/ T’jesh human detyrë, cilësi/ Pavarësisht se ku jeton ti….” Duket kjo edhe si një poezi pikturë, ndoshta edhe për faktin se ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë e përjetuar poeti
Ka në këtë vëllim me dhjetra poezi ku D.Rusi shfaqet një poet lirik, i qetë e i ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit. Ja si e reflekton ai këtë lirizëm në poezinë “Malet: “Malit të dal më është bërë zakon/ n’dimër e vere kur s’më rrihet n’Tiranë/ Malet i kam aleat të përjetshëm/ mes maleve dua ta ngrys edhe jetën…….”për të vijuar me pas në strofën e tretë: “Më pëlqen t’jetoj dhe me kafshët/ ata janë më t’mirët e mi aleatët/ Madje me të besës nuk gjen /të duan pa hile t’i mbash afër vlen….”. Kësioj nga këto përjetime duket se poeti ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri….

Në këtë vëllim lëxon me endje e të mbeten në mendje edhe poezi të tilla si: “Çohu Dibër …!”; “Me qenë njeri”, “Opingat”, etj, ku realizohet ndërthurja plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë.
Dhe po të vazhdosh të lexosh këtë libër, të shfaqet një poezi tradite në varg e motiv dhe ku motivet dhe temat zënë një vend në dukje dytësor por që të mbeten në mendje. Temat janë: Mëmëdheu, qyteti, liria, shpendet simbolikë, referimet e ndryshme te personazheve, vende që kanë një histori të caktuar, etj.
Ritmi në poezitë e këtij libri lëviz për shkak të përdorimit të natyrave të ndryshme strofore. Poezitë e tij janë plotë metafora e krahasime befasuese.
2.
Libri i shtatë, “Mikja”, i Demir Rusit, (si edhe i gjashti, me 100 poezi të zgjedhura) është një prurje interesante, e veçantë, brenda stilistikës së këtij poeti lirik, mjaftë poduktiv e cilësor. Këtë produktivitet dhe ngjitje dinjitoze të këtij poeti në shkallaren e poezisë shqipe, e konstatojmë qoftë dhe nga qindra e mijëra komentet për çdo poezi që Ai hedh pothuajse çdo ditë në faqen e tij në facebook. Gjithsesi “e shkruara mbetet”,-thonë latinët. Ndaj dhe Demir Rusi nuk ngurron që të përzgjedhë më të mirat poezi të tijat dhe t’i përmbledhë të botuara në kolanën disa vëllimëshe, pjesë e së cilës është padyshim edhe libri i tij “MIKJA”.
Brenda lëndës së këtij libri s’është e vështirë të konstatosh se si poeti përqëndrohet te ndjenjat dhe emocionet e veta për një çështje të caktuar.
Le të marrim në fillim si shembull poezinë me titull “Mos lë gjë mangut vetes”, ku ky autor, si vëzhgues dhe perceptues i përditshmërisë së dhjetra, në mos qindra personave që kontakton dhe evidenton brengat e tyre, ndër të tjera i reflekton ato në vargjet: “Përderisa je akoma në jetë/ bëj mo ato që do vetë/ Mos i lërë gjë mangut vetes/ nuk i dihet si i vjen jetës….”.
Në këtë vëllim gjen gjithashtu edhe poezi lirike në të cilat poeti D.Rusi i thurr lavdi një individi apo dhe një ngjarjeje.
Kështu te poezia “Gëzuar Albana!”, s’ka dyshim që poeti vargjet e mëposhtme ia kushton një individi, ndër më të dashurit në jetën e tij: “Edhe emri Albana më tha të shkruaj/ ta ngjitën prindërit në dhe të huaj/ Nostalgjia e mallit të djegur/ të dhanë emrin e Atdheut përkëdhelur…”.
Ndërsa reflektimet në vargje për ngjarje të përjetuara prej tij i konstatojmë në dhjetra poezi, nga të cilat do të veçoja atë me titull “Ariu dhe unë”, ku poeti njëherësh me lirizmin e tij shpreh edhe dhimbjen për ariun e ballsamosur: “Të shkretin Ari e kanë ballsamosur/ A ndoshta lëkurën me kashtë ja kanë mbushur?/Para kësaj me plumb e kanë vrarë/ pastaj n’lokale njerzit për ta parë….”.
Lirika, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit është evidente në tërësinë e lëndës së këtij vëllimi. Mjafton për këtë qoftë edhe strofa e parë e poezisë “Mikja”që është zgjedhur edhe si titull i librit: “Mike të kam dhe prapë do të kem/ s’kam patur frikë dje, as sot ta them/ Madje për kohën e artë krenohem/ ç’kaluam bashkë kurrë nuk harrohen…”.
Në disa poezi të tjera të këtij libri, autori shpreh reflekse të vazhdimësisë së jetës nëpër valë medituese nëpër ditë e net, nëpër çaste e stinë, duke u rritur me drojë e frikë, se fare pak nektar po arrijmë të mbledhim nga jeta, si për shembull tek poezia: “Dashni e ndalueme”: “Mbi dyzet vjet kanë kaluar/ fati i parë të është ndaluar/ S’more dot atë që deshte/ biografinë kish djali t’keqe…./”, për të vijuar më pas në strofat e fundit: “Jeta mori drejtim tjetër/ tash me moshë paksa t’vjetër/ Të besoj kur ti më thua/ dashuria t’u ndalua/ Testamentin keni lënë/ një nga fëmijët me emrin vënë/ Pak nga emri i të dyve/ për dashninë e atyre viteve…”.
Dhe jo vetëm kaq. Poezia e Demir Rusit frymëzohet si nga “I madhi Hygo”, ashtu edhe nga “Dhimbja që vret” e “Trojet e t’parëve”. Ai vazhdon kërkimin pavarësisht se shpeshherë mund ta ndjejmë veten të dorëzuar para fatit e lutjeve, britmave, pengesave, e pendimeve për ëndrra “të mëdha” që kemi thurur symbullur a syhapur, sikurse thurjen e një kurore me lule, diku në një lëndinë fëmijërie. Shembulli më sinjfikativ për këtë janë poezitë me titujt: “Natyra jonë”; “Macja e zezë”; “Marsi, dita e parë”, etj.
Nga tërësia e lëndës voluminoze, por edhe mjaftë cilësore e këtij libri (si edhe e gjashtë librave tjerë), mund të konkludojmë pa asnjë mëdyshje se Demir Rusi është tashmë poet i kërkuar dhe i preferuar nga lexuesi. Ndaj dhe i uroj suksese të mëtejshme në rrugën e bukur të poezisë shqipe.