10.5 C
Tiranë
E mërkurë, 1 Prill 2026

Albana Methoxha

SA SHUMË MË DO

Nata më përkund nëpër ëndrra,

mëngjesi erdhi i bardhë,

i fshiu ato,

mundohem t’i kujtoj,

zhduken në mjegull,

sa keq, – më the,

sa shumë më do.

“””””””””””””””””””””

TRADHTIA

Tregim

… Ishte ulur në një nga lokalet e bukura të qytetit dhe po shijonte aromën dehëse të luleve që ia sillte flladi i mbrëmjes. Kureshtare vështroi nga vinte aroma. Ishte një lule që përdoret për dekorime oborresh dhe që çel vetëm mbrëmjeve, në një vilë aty pranë.

-Ke shumë që pret?-dëgjoi zërin e së motrës.

-Pak ,-u përgjigj, – u çua dhe e përqafoi.

E shtrëngoi fort.

-Më mori malli, -i tha.

U rehatuan në kolltukë dhe i bënë shenjë kamarierit të merrte porosinë.

-Je dobësuar, -i tha e motra. Ti e di që nuk të shkon të dobësohesh. Shihi rrathët poshtë syve.

-Epo u plaka unë tani.

-Po, po, u plake ti, shoqet e tua janë pa martuar.

Elona psherëtiu thellë. E motra e vështroi me habi. Asgjë të mirë nuk premtonte ajo psherëtimë. Ato e njihnin mirë njëra-tjetrën. Kuptoheshin pa fjalë, vetëm me vështrime.

-Mirë je? Si është Gerti? Fëmijët?!

-Gerti më tradhëton, -tha me një qetësi sa edhe vet u çudit.

E motra në fillim qeshi, pastaj u nervozua dhe më në fund u zverdh në fytyrë.

-E dëgjon çfarë thua ti, apo…?!

-Unë e di mirë çfarë po them, -i tha përsëri me qetësi ajo.

Hapi çantën dhe nxorri prej saj disa fletë formati të palosura dhe ia zgjati.

-Shiko.

E motra me duart që i dridheshin i mori. Nga mesi i tyre ra një fotografi dhe përfundoi poshtë tavolinës tek këmbët e saj. Një bjondinë e ëmbël po e vështronte nga fotoja.

-Po kjo?.-pyeti e shokuar. Kush është?!

-Kjo është ajo. Ja, gëzuar për shëndetin e tyre, -ngriti gotën me lëngun e saposhtrydhur që

kish sjellë kamarieri. As vet s’po e besonte që ishte aq e qetë.

Ndërsa e motra ishte tronditur. Sytë e mëdhenj ngjyrë kafe tashmë ngjanin si të shqyer.

Ajo nuk ua ndante sytë letrave, fotos, së motrës që çuditërisht qëndronte e qetë, sikur ajo që sapo kishte zbuluar ishte skenari i ndonjë telenovele. Fjalë nuk kishte. Nuk mundej ta besonte edhe pse ndodhej para një fakti të kryer.

I kishte adhuruar të dy. Mënyrën se si dukeshin, si silleshin me njëri-tjetrin, në familje, në shoqëri. Ishin çifti perfekt. Por përballë atyre fakteve, me data, me vende ,me foto po kuptonte që perfeksioni i tyre kish qenë veç një ilustrim.

E pa motrën me dhimbje.

-Çfarë do të bësh tani? Ja ke thënë Gertit që ti di gjithçka? Si e zbulove gjithë këtë?!

Elona u mbush me ajër, piu pak lëng frutash.
-Tani do shijoj këtë aromë lulesh dhe fllad mbrëmjeje.
Çuditërisht gjithë ajo peshë që kish pasur, tani që kishte folur me të motrën, ishte larguar.
Ndihej e qetë dhe me mendime të kthjellëta.
-Jo, Gerti nuk di asgjë. Nuk i kam thënë asgjë. Po planifikojmë pushimet.
Fjalët e saj shkaktuan një tjetër shok tek e motra.
-Ti mendon ta falësh?
E vështroi të motrën me sy të perënduar…
Me një zë të qetë, por me nota lodhjeje, filloi t’i tregonte gjithçka…
Elona pa orën. Ajo shënonte 23:30′. U ndje e lodhur.I shoqi kishte fjetur me gjithë fëmijët… Kontrolloi me sy të gjitha elektroshtëpiaket, fiku dritat dhe shkoi të flinte.
U fut në dhomë pa u ndjerë… Mori nga rafti një këmishë të kuqe që i’a nxirrte linjat bukur dhe hyri në banjë, të bënte dush. Derën e la hapur dhe buzëqeshi djallëzisht. Lëshoi ujin e rubinetit dhe ndjeu muskujt t’i shtendosen. Largoi perden e dushit dhe hodhi sytë në dhomë.
I shoqi vazhdonte të flinte. Drita që vinte nga banja ia tregonte mirë fytyrën. Ai buzëqeshte në gjumë. Ishte i lumtur. Mbaroi së lari, veshi këmishën, lëshoi flokët që i kish kapur më parë për të mos i lagur dhe u fut në shtrat. Si një kotele e vogël shkoi e u kot pas tij. I pëlqente të mbështeste kokën në kraharorin e tij, të gjerë e leshtor.
-Arushi im, -i thërriste me përkëdheli. Aroma burrërore e dehte. U afrua të ndjente aromën e gjumashit të saj që nuk po ia ndjente prezencën.
Befas shtangu… Një aromë e lehtë parfumi “Euphoria” ndihej në kraharorin e tij. Jo… Nuk mundej… U afrua sërisht, por kësaj radhe me frikë të përzier me ankth. Aroma tashmë përzihej me aromën e shampos së trupit, aromën e pasrrojes ,antidjersës me aromën e shampos së saj të flokëve…
Një shok i vërtetë e mbërtheu.
-Qetësohu, -i dha urdhër të prerë vetes së saj. Budallaqe, -e shau për guximin e dyshimit.
Mbështeti kokën në jastëk dhe frymëmarrja filloi t’i normalizohej.
-Fli tani dhe mos mendo marrëzira, -urdhëroi përsëri veten. Buzëqeshi. E kapi veten xheloze.
-Hë tani, fli se të zuri mëngjesi zgjuar, -tha përsëri.
Sytë filluan t’i mbyllen dhe subkoshienca e saj të turbullohej, por befas u çua e iu afrua të shoqit e vendosur dhe filloi të nuhasë. Ajo shquhej për këtë shqisë të saj. Në fillim mjekrrën, gushën, pastaj antidjersën dhe kraharorin. Aty aroma e parfumit ndjehej vërtet.
Po, po , ajo e njihte mirë këtë parfum. E përdorte motra e saj. I kishte ardhur dhuratë nga Australia. E motra sa herë që donte diçka nga i shoqi përdorte atë parfum.
“Po përdor artilerinë e rëndë” , – thoshte. Ai parfum e bënte sensuale, ekzotike, romantike seksi . Nuk kishte asnjë dyshim për prezencën e parfumit.
Ai hapi sytë sikur ta ndiente se mbi të po zhvilloheshin hetime.
-Erdhe “plakushe”,-e përkëdheli ai.
E thërriste kështu së fundmi se ajo i ankohej: – U plaka tani.
U zgjat dhe e puthi.
-Sa ështe ora?, -e pyeti.
-Po shkon dy,- gjegji Elona.
-Pse kaq vonë?,-foli i përgjumur duke rrëshkitur dorën poshtë këmishës së natës.
-Fli, -i tha ajo duke u përpjekur të ruante qetësinë e zërit dhe i ktheu kurrizin.
-Më dhemb koka, -pasoi justifikimi klasik.
Ai nuk insistoi dhe pa kaluar as dy minuta filloi të gërhiste lehtë.
Nuk mundte të flinte. Në kraharor zemra përpëlitej e shqetësuar. Diçka i digjte në fyt. Dhe lotët edhe pse përpiqej t’i mbante filluan t’i rrjedhin mbi jastëk. Nëpër mend i kalonte e gjithë jeta e saj. Fëmijëria, shkolla, vitet studentore, njohja me Gertin, fejesa, martesa… lindja e fëmijëve.. shtëpia e re…, makina…, drekat…, darkat. Gjithçka shumë bukur, ata ishin të lumtur.
Apo ashtu mendonte ajo? Apo gjithë sa shkoi nëpër mend ishin veç një fasadë???
Kishin pasur dhe ata problemet e tyre si të gjithë, por ishin kalimtare, sa nuk ia vlente t’i përmendte. Jo, jo. Ata ishin të lumtur.
Jashtë, së largu, dëgjohej kënga e një këndezi. Tashmë Elona po i dorëzohej mbretërisë së gjumit.
Ra alarmi i orës. Hapi sytë me vështirësi. 6:30′. Kokën e kishte të rëndë. U ngrit si një robot që i bën gjërat mekanike. U mor me higjienën e saj. Ndërsa lante fytyrën, u vështrua gjatë në pasqyre. Poshtë syve dallonin dy rrathë të mëdhenj të zinj.
-Nga pagjumsia, -mendoi.
Veshi një fustan të lehtë dhe para se të dilte nga dhoma vështroi të shoqin. Ai flinte i qetë.
Shkoi ne kuzhinë dhe filloi përgatitjet e mëngjesit. Pas pak fëmijët do çoheshin. Ishte java e fundit e shkollës.
Pasi kishte përgatitur mëngjesin, kishte përcjellë fëmijët për në shkollë dhe Gerti ishte larguar për në punë. Ishte afruar ta puthte në buzë, por ajo i kishte kthyer faqen. Ai shpejtonte, por e kishte vënë re ftohtësinë e saj.
Elona ishte ulur në tryezën e pangritur, por nuk i hahej dhe as kishte dëshirë të punonte. Në mendjen e saj ngriheshin mijëra aludime, mijëra pyetje dhe mijëra pikëpyetje si përgjigje. Faqeve filluan t’i rridhnin lot hidhërimi dhe zhgënjimi.
Filloi t’i bënte punët mekanikisht. Ndërsa po mbushte makinën larëse, syri i kapi këmishën që kish veshur Gerti një ditë më parë.
Instiktivisht e afroi tek hunda. Një aromë e lehtë djerse i depërtoi në hundë. E largoi menjëherë, e hapi dhe e vështroi. Asnjë njollë e dyshimtë.
-Mos po bëhem paranojake, -mendoi.
Vazhdoi rutinën e punëve të përditshme dhe e harroi.
Kur Gerti u kthye nga puna, një hije dyshimi i lindi përsëri.
Ai u soll normalisht si gjithmonë. E puthi lehtë.
-Ku janë fëmijet? Çfare ke gatuar për drekë?, -e pyeti.
Elona i shtroi bukën dhe u inatos me veten.
Gerti i sapolarë u ul në tryezë dhe aroma e shampos mbushi kuzhinën.
-Mmm, duket e shijshme ,-tha. Të lumshin duart.
Ndërsa Gerti hante me uri, Elona mori bishtaja bizelesh dhe po i hapte.
-Për cfarë i do ato?-e pyeti ai me gojën plot.
-Për rizoto për darkë, -iu përgjigj ajo.
-Lëri se kam prenotuar jashtë, -i tha Gerti. Do dalim për darkë.
Për të dytën herë në pak minuta Elona u ndje fajtore që dyshoi.
I buzëqeshi.
Orët në vazhdim rrodhën normalisht. Fëmijët përgatitën mësimet. Gerti fjeti pak.
Elona u mor me sistemimin e shtëpisë.
Po afrohej ora e prenotimit dhe të gjithë ishin gati. Fëmijët të zhurmshëm ngacmoheshin me njëri-tjetrin. Gerti luante me ta në pritje të saj.
-Elona mos na vono, zemër!
-Një moment, -u përgjigj ajo dhe filloi të kontrollonte çdo pajisje elektroshtëpiake. Zgjati kokën në dhomën e gjumit. Pa në banjë për ndonjë rubinet të hapur dhe syri i kapi këmishën e Gertit hedhur shkujdesur gjysmë jashtë koshit të rrobave të palara.
-Shkatarraq,-murmuriti me ëmbëlsi.
Ndërsa po e vendoste brenda koshit pa një njollë të kuqe në jakën e saj. E mori në dorë, e pa me vëmendje, e nuhati. Ishte njollë të kuqi buzësh dhe përsëri ndjehej aroma dehëse e parfumit “ EUPHORIA”.
Ndjeu marramendje dhe një pështjellim në stomak.
-Mami, mami, -dëgjoi zërin e djalit. Eja, u bëmë vonë.
Doli nga dhoma e gjumit dhe pa në korridor. Gerti ishte nervozuar.
-Ku ngele, -u ankua.
Por kur pa fytyrën e saj të zbardhur, u shqetësua
. -Çfarë ke kështu?
-Ndoshta tensioni, -gënjeu ajo.
Darka kaloi hareshëm. Mes shakave, batutave. Gerti ishte tepër i vëmendshëm në këtë drejtim.
Vera ishte fantastike dhe ajo piu dy gota. Kishte dëgjuar se pija të hiqte dertin dhe piu. Filloi të qeshte, të harronte. Gerti e kuptoi që vera dha efekt dhe i pëshpëriti në vesh: -Pijanecia ime.
Ajo u drithërua krej nga ajo pëshpërimë. Filluan të flirtonin me sy. Shihnin nga fëmijët dhe ndiheshin si adoleshentë.
Teksa ktheheshin, Elonës iu desh të mbahej tek krahu i Gertit. Kishte marramendje.
-Mami është dehur, -qeshte ai.
Dhe fëmijët i zbaviste kjo gjendje euforike e saj.
Ajo përherë ishte korrekte dhe mbante gjithçka nën kontroll. Nuk mungonin as kritikat.
-Mamin do ta çojmë drejt e në krevat, -u tha fëmijëve Gerti. Ju shpejt lani dhëmbët dhe gjumë.
Elona qeshi me shpirt.
Sapo u mbyll dera e dhomës së gjumit, i hodhi duart në qafë dhe e puthi gjatë.
Ishte e dehur…e dehur nga vera…, e dehur nga dëshira. Ai ishte aty, ishte i saj.
Ajo mbrëmje që u nis aq dhimbshëm përfundoi aq pasionante.
Të nesërmen u ngrit vonë, me dhembje koke. Gerti kishte dalë, fëmijët po ashtu. Tavolina në kuzhinë ishte si fushë beteje. Kishin ngrënë me nxitim. U ul e pafuqishme dhe mbështeti kokën mes duarsh. S’po e kuptonte përse kish pirë.
Befas u kthjellua. U çua rrëmbimthi dhe nxitoi drejt dhomës së gjumit për të vërtetuar që gjithçka ishte e vërtetë dhe jo një ëndërr e saj. Këmisha ishte në kosh dhe njolla në jakë. Nuhati aromën e parfumit dhe dy lotë i ranë nga sytë. La këmishën dhe u kthye në kuzhinë. U ul e dërrmuar. Mendime nga më të çuditshmet i vinin në kokë. Nuk po mundej të arsyetonte me kthjelltësi. Dhembja e kokës, ca nga pija dhe ca nga dyshimi, po bëhej e padurueshme. E detyroi veten të çohej dhe piu një qetësues. Filloi mekanikisht të pastronte tryezën. Një gotëi shkau nga duart. Ciflat u përhapën në dysheme. Ndërsa u përpoq të ngrinte një copë të madhe qelqi preu gishtin.
-Dreq,-shau nëpër dhëmbë.
Nxitoi të merrte kutinë e ndihmës së shpejtë në raftin e banjës. Fytyra që pa në pasqyrë e trembi. Vazhda të gjata rimeli kishin vizatuar lotët. U kujtua se një natë më parë e kish çuar Gerti në shtrat. Kishin bërë dashuri. Ai e donte. Ishte Gerti i saj. Babai i fëmijëve të saj. U vështrua gjatë në pasqyrë dhe imazhi përballë shpërfytyrohej prej lotëve.
U fut në dush e topitur. Uji i nxehtë i rridhte nëpër trup. Më pas i vakët dhe në fund i ftohtë. Nuk po e besonte dot se ajo, Elona që gjithmonë kishte gjithçka nën kontroll dhe për çdo situatë gjente një zgjidhje, kishte rënë thuajse në depresion.
Mblodhi forcat dhe doli prej dushi…
Kur Gerti u kthye nga puna ajo i buzëqeshi.
-Dukesh e mrekullueshme, -tha ai dhe e puthi. Se ç’të ka rënë një nur. Ndoshta duhet të pish pak më shpesh, -e ngacmoi dhe i shkeli syrin.
Ndërsa ai ndërrohej, ajo i serviri drekën. U kujdes që asgjë mos t’i mungonte në tavolinë. Kur u kthye, pa se Gerti po e vështronte nga dera e kuzhinës.
-Je vërtet mahnitëse “plakushja” ime. Vitet të kanë mbajtur me hatër. Ky fustan, ky model flokësh. Do më bësh të dashurohem sërish.
Ishte afruar dhe e përqafoi para se të ulej për të ngrënë.
Elona fsheu dhembjen nën buzëqeshje, siç kishte fshehur rrathët e zinj të syve nën makjazh.
-Ua,-e qesëndisi. Pse të ka humbur dashuria për mua?
Ai qeshi dhe vazhdoi të hante plot uri dhe shije.
Pasi kishte vënë rregull në kuzhinë, Elona u afrua tek dhoma e gjumit, prej andej vinte një gërhimë e lehtë.
-Do fle pak,- i kish thënë Gerti, se pas orës gjashtë kam një takim pune.
Fëmijët nuk kishin dalë nga dhoma tërë pasditen. Përgatitnin mësimet. Era kishte provimin përfundimtar në matematikë, ndërsa Leo mësonte të përmirsonte notën e gjeografisë.
Hapi lehtë derën. Sytë i shkuan mbi celular, ku pulsonte një dritë e vogël blu. Me duart që i dridheshin dhe me zemrën që i përpëlitej në kraharor mori telefonin.
Qëndroi disa çaste mes dilemash. Ajo e donte Gertin dhe dashuria bazohet mbi besimin, por…
E hapi. Direkt mbi ekran u shfaq një gjysmë mesazhi nga nje adresë mesenxheri.
Nje vajzë bionde buzëqeshte: Takohemi tek vendi ynë.
Nuk guxoi ta hapte. La telefonin në vendin e mëparshëm dhe doli nga dhoma. Priti para televizorit duke ndëruar kanalet, derisa u ngrit Gerti. Ai erdhi i qeshur, i veshur këndshëm. Kish hedhur nga parfumi i blerë kohëve të fundit.
-Po dal unë zemër,- i tha dhe nxitoi.
Ndërsa Gerti doli, ajo shkoi tek dhoma e vajzës.
-Mami po del, zemër. Do takohem me tezen. Mbaroni mësimet, shikoni televizor, ka kek në frigorifer nëse u hahet dicka.
Nxitoi, dhe ndërsa ai dilte nga garazhi, ajo u afrua tek makina e saj. Vendosi ta ndiqte në distancë. Në mendjen e saj zhvillohej një duel i ashpër. E drejta dhe e gabuara.
Diku makina para mori një kthesë. Ajo i dha gaz. Nuk deshi ta humbasë.
E pa teksa parkonte në anë të një lokali. Uli shpejtësinë dhe po vështronte me vëmendje, se ku mund të parkonte pa u vënë re. Ndërkohë, Gerti kishte arritur në hyrje të lokalit. U afrua.
Nga vetrata vështroi se si ai nxitonte mes tavolinave. Diku ndali.
Pa, se si vajza bionde e mesazhit po e priste në këmbë rrëzëllitëse. U puthën dhe u ulën shkujdesur. I vështroi dhe për pak. Mes tyre nuk egzistonte ndrojtja. U largua.
Nëse brenda vetes po vdiste pak nga pak, në sipërfaqe ishte e qetë, e qeshur. Jeta vazhdonte normalisht. Diku kish dëgjuar, se nuk ka hetues më të mirë se një grua xheloze. Ndërsa Gerti qeshte, bënte shaka, e mbulonte me puthje, lule, çokollata, dhurata, ajo e dinte se gjithçka e bënte të qetësonte ndërgjegjen e vet.
E hapte telefonin e tij teksa ai flinte i qetë, i lumtur. I transferonte bisesat, fotot në adresë të saj. E ndiqte nga larg në “takimet” e tij të punës. Zbuloi gjithçka për vajzën bukuroshe. Ajo vinte nga një qytet i vogël në jug. Ishte studente në fakultetin ekonomik. Ishte e dashuruar me ëmbëlsinë dhe sharmin e Gertit.
As e kishte idenë se Elona ekzistonte. Dhe aq më pak të dinte për ekzistencen e Elës dhe Leos. Ju dhimbs.
*
E motra e vështroi e shokuar. E kuptonte të gjithë dhembjen që kishte kaluar, por e habiste qetësia e saj.
-Dhe mbas gjithë kësaj ti mendon ta falësh?, -i përsëriti për herë të dytë pyetjen që s’kish marrë përgjigje.
Elona buzëqeshi. Diku kishte lexuar apo dëgjuar, nuk i kujtohej mirë: Gruaja është LIMANI dhe burri ANIJA. Sado larg anija të lundrojë përsëri në liman do ankorojë…
Më duhet të largohem, -i tha së motrës. Dritat ishin ndezur në qytet.
U çua dhe e përqafoi.
-Po këto? -e pyeti ajo për letrat që gjendeshin ende në tavolinë.
-Po ti lë ty. Ti do dish si të veprosh, -e pa plot kuptim në sy.- Ajo meriton ta dijë.
U largua me shpirtin pupël.

F U N D

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.