Udhëtoj me urban cdo ditë. Ndërsa kthehesha një pasdite me kohë të keqe, nuk prita linjën që udhëtoj gjithmonë, por mora linjën ë bashkisë fqinjë.
Prej kohës së keqe, urbani ishte plot dhe mezi gjeta një vend nga mesi i urbanit, me sedilje mbrapsht. Në stacionin e radhës hynë shumë njerëz, sa urbani u tejmbush.
Qielli rrudhi mbi tokë. Binte aq shi i furishëm, sa xhamave të urbanit rridhte valë-valë dhe nuk lejonte të shihje asgjë jashtë.
Ata ndodheshin tek pjesa e “fizarmonikës” dhe zhurma që shiu bënte, po i trulloste..
Në gjithë ate mizëri, e vetmja zonë e lirë ishte ajo e “fizarmonikës”, ku mund të rrotulloheshe, të merrje ajër, mund të shikoje orën apo përgjigjesge në telefon.
Ai ishte një burrë rreth të pesëdhjetë e pesave, shtatvigan, sa për pak koka i arrinte në tavan. Kishte një fytyrë të rëndë, vrarëlije. Ishte tepër i shqetësuar. Herë pas here shikonte nga dritarja të kuptonte se ku ishte. Telefoni i binte parreshtur, herë përgjigjej dhe herë e mbyllte i bezdisur. Veshur sportiv, por kuptohej nga parfumi dhe finesa në veshje që i përkiste një rangu të lartë shoqëror.
Dy zonja kishin zënë vend në të dy anët e tij dhe nga ana tjetër ndodheshin një grup studentësh.
Urbani kish ndaluar në vend.
Bie zilja dhe zotëria e hap telefonin. Kishte një zë bass, paksa të ngjirur, plot nota nervozizmi.
Një zë femre dëgjohej në anën tjetër të telefonit.
– Ku je?, – nga tonaliteti dukej që ishte e
shqetësuar.
– Po vij, – toni autoritar nuk linte për dyshim,
se në telefon duhet të ishte gruaja..
Zotëria uli telefonin dhe hapi një sms në watcup që sapo i erdhi. Një buzëqeshje i preku cepat e buzëve.
Filloi të kthente përgjigjen. Chatoi për rreth pesë minuta dhe çdo sms e lumturonte.
Bie prapë zilja e telefonit dhe ai e hap disi i besdisur.
– Po, mor babë.
Zëri që erdhi nga telefoni dukej i ndonjë
djaloshi adoleshent që sapo ka filluar t’i trashen kordat.
– Ku je, babi?! Me makinë je? A po bie shi
andej? Do vonohesh shumë?.
Zëri vinte si një zukamë dhe një lumë pyetjesh vërshuan
– Nuk di ku jam këtu – iu përgjigj zotëria.
– Isha në stadium, pashë ndeshjen. Jo nuk e mora makinën. Në urban jam, por s’di, se ku…bie shumë shi dhe nuk duket asgjë… Ka trafik,. nuk lëviz…
E mbylli telefonatën me tërë shqetësim e nervozizëm, po shikonte jashtë dritares, se mos arrinte të shquante ndonjë gjë.
Njëra nga zonjat i tha: – Jemi pranë kryqëzimit për të dalë tek Zogu i Zi .
– Ku jemi moj ? – ashpërsia e zërit e bëri zonjën
të heshtë.
Përsëri një telefonatë…
– Hektor ku je ?
– Eh, mo burrë – iu përgjigj Hektori, me sa dukej ndonjë miku i vet.
– Ja futa vetes. Pashë ndeshjen në stadium e tani po kthehem. Jo, jo, nuk e kam makinën.
Zëri, nga ana tjetër, vinte i mbytur.
– E kam lënë te lokali. Atje më prit, po më prit, he burrë, se do vijë. Ja zëre se kam ardhë.
Hektori mbylli telefonatën dhe hapi chatin, lexoi goxha aty dhe fytyra i mori tjetër ndriçim. E fshiu bisedën dhe sa do e fuste telefonin në xhep të brendshëm të xhupit, erdhi sërish një sms. E hapi.
Urbani u nis menjëherë dhe krejt pasagjerët u epuan dhe desh u rrëzuan. Dikush mërmëriti, një tjetër shau shoferin, ndërsa telefoni i Hektorit përfundoi në prehrin e një zonjushe që ish ulur ngjitur me mua në sedilet mbrapsht.
Në ekran lexohej sms i sapohapur:
– Sa goool të bukur shënove sot, zemër, më pëlqeu.
Vura buzën në gaz. Urbani hyri në korsi të vet.