Era kishte fryrë gjithë natën. I kish ndjerë telat të vërshëllenin dhe pemët t’i kërcisnin degët nëpër strehëza. Larg dëgjohej deti i egërsuar. Gjumi ishte arratisur. Në mend i vërtitej biseda me të. Ishin grindur. Gjithçka kish nisur si shaka dhe më pas kishte degraduar në debat. E peshoi dhe një herë gjithë bisedën dhe i theri në shpirt, kur kujtoi sytë e saj me lotë.
Mori telefonin në dorë, por pa se ishin orët e para të mëngjesit… Ndoshta ajo flinte, por ndoshta as atë s’e kish zënë gjumi…
I pavendosur e la t’i telefononte në mëngjes.
Syte i kishte të rënduar, por e ndjeu dritën dhe pak të ftohtë. Mbajti vesh, stuhia kish pushuar.
– Sa mirë, – mendoi. Ndonjëherë zgjat me ditë.
Zgjati dorën dhe mori telefonin.
– Po fle? Të zgjova? – pyeti gjithë merak.
– Jo, po shoh këtë mrekulli, – iu përgjigj ajo plot entuziazëm. – S’e ke parë akoma? Dil në
Ai u ngrit gjithë përtim, i çuditur nga ekzaltimi i saj. Hodhi sytë nga dritarja.
– Uaaa!!! – Habia ishte e pamasë. Nuk po u besonte syve. Përpara tij shfaqej qilimi i bardhë. – Borë… .
Ishulli nuk kishte parë borë prej thuajse një dekade.
– Takohemi tek vendi, – foli i mahnitur.
U vesh me të shpejtë. Vuri shallin, kapucin dhe dorezat që i kish dhuruar Nada. Doli. Rrugët ishin plot me fëmijë dhe pse ishte herët, gazmonin.
Një top bore s’di nga i erdhi. U kthye andej. Një grup çamarokësh po luanin me topa bore. Bëri shpejt e shpejt dy-tre topa dhe gjuajti në drejtim të tyre… ata vrapuan të fshiheshin.
Qeshi me shpirt dhe nxitoi. Frynte erë e lehtë. Retë në qiell ishin shpërndarë. Era luante me borën. E merrte ngado. Pemët, telat, çatitë. E sillte rrotull dhe ambienti pushtohej nga mijëra fluturza. Dukej se po binte rishtaz. U avit tek vendi i tyre. Nada nuk kishte ardhur akoma… u mahnit nga gjithë ajo bukuri. Pamja ishte përrallore. Me Naden vinte gjithmonë këtu për magjinë dhe relaksinë që iu falte panorama. Aty ishin njohur.
Endrit, si tip sportiv që ishte, i pëlqente natyra. Shpesh e linte pas qytetin dhe ngjitej kodrës. Disi i lodhur, ulej dhe magjepsej nga pamja. Atje tej shtrihej deti i paanë, qyteti i vogël dhe i bukur. E adhuronte atë pamje. Nuk ngopej me të. Sa e sa perëndime kish shijuar aty…
Mallin që i digjte kraharorin e harronte këtu. Zëri i nënës dhe i vendlindjes e thërriste nga larg. Ishte në proces dokumentacioni dhe s’mund të largohej. Mërzitej dhe përlotej, ndaj merrte kodrën përpjetë. Aty ajri i pastër,deti,perëndimet pak nga pak ia lehtësonin peshën e kraharorit.
Një ditë, ulur në stol pa të pushonte një vajzë. Motorri i saj ishte aty dhe në anën bosh të stolit kaska. Ishte përhumbur krejt dhe nuk i ndjeu hapat e Endrit.
– A mund të ulem dhe unë?! – zëri i tij burrëror e kishte trembur.
E kish parë e çuditur këtë djalosh me theks të keq të greqishtes, por buzeqeshja dhe vështrimi i pafaj i Endrit, e kishin çarmatosur.
– Eja, – i kishte thënë në shqip.
Më pas do qeshnin me këtë intuitën e saj.
– Endri – Nada, – ishin prezantuar.
Ishte ditë prilli dhe gjethet, lulet erëmonin. Të dehur nga gjithë kjo, ata humbën në sytë e njëri – tjetrit. Endri kishte sy blu të thellë, ndërsa Nada sy të medhenj, të zi.
Doli se dhe ky ishte “vendi i saj”, u çuditën se si nuk ishin takuar më parë. Nada vinte me motorr rrugës automobilistike, ndërsa Endri merrte monopatin. Qeshnin pa shkak dhe nuk ndaleshin së zhyturi brenda syve, sikur donin të preknin shpirtin. Më pas u takuan disa herë dhe çdo herë panorama krijonte magjinë. Ata humbisnin shikimit të tyre. Erdhi një moment që prania e njëri – tjetrit u bë si ajri, e domosdoshme. Pëlqimi i kalonte kufijtë. Nisi me një prekje të lehtë dore, me një mbështetje koke në sup, një përqafim, një puthje e rrëmbyer dhe magjia e fjalës “Të dua”.
Ditët vraponin, po kështu muajt, stinët. Ata aty, larg gjithçkaje përballë magjisë së natyrës, brenda magjisë së ndjenjës. Humbur përqafimeve, puthjeve, zjarrit të moshës. I kishin shijuar lindjet, perëndimet në çdo stin. Por këtë magjinë e borës nuk e kishin provuar.
Endri ishte përhumbur duke kujtuar gjithçka… Nada po vonohej…, priste të dëgjonte gumëzhimën e motorrit.
Mos vallë ishte kujtuar, se ishin grindur dhe kishte ndërruar mendje?! Filloi ta kapte ankthi, iu kujtuan sytë e saj me lot… Nada kishte të drejtë mos t’i fliste, e kishte lënduar. Iu mblodh një lëmsh në fyt…
Befas dikush i mbylli sytë me duar. U kthye rrëmbimthi nga kjo shaka pa kripë, por dy buzë u mbështetën mbi te tijat dhe e puthën me afsh. Nada. Nada e tij ishte aty. U hutua. S’e kishte ndjerë të vinte. Ajo po e puthte lidhur me duart në qafë.
– Po motorri? – belbëzoi duke iu shkëputur buzëve të saj.
– Torollak, – e përkëdheli ajo. Në borë ta merrja? Pastaj ta shijojmë gjithë këtë.
E pa ngultas në sy dhe i vodhi një puthje.
Endri e përfshiu në krahët e tij burrëror dhe filloi ta rrotullonte. Era shkundte flokët e fundit të borës mbi pemë dhe gjithçka ishte një magji…