“”””””””””””””””””””””
Buzëmbrëmje nje djalosh anës detit priste.
Kitarën kish ne sup, në duar trëndafilë
Vala bregut përplasej, ankthin po i rriste,
vajzën dashuronte , s’ish thjesht nje idil.
Tej duket capkënia, si sirenë deti
Djalit i afrohet mbuluar plot magji
Djali drithërohet krejt i shtangur mbeti.
Bukuri e vajzës, xhind apo perri..?
Verë kish sjellë vasha, djali trëndafila.
Shishja zu të zbrazej, gotat plot të mbush.
Kitara s’pushonte , si njëmijë bilbila,
Buza eksploronte sy, faqe e gushë.
Mëngjesi e gjeti kitarën të braktisur.
Petale trëndafili shpërndarë ngado,
Gotat me verë buzët duke pritur,
Deti është tërhequr , asgjë nuk tregon…