MË THE…
Merri ngjyrat e pikturave të mia
dhe ngjyros nga pak vargjet e tua
Merri gjithë puthjet diku harruar
nëpër vargje poezish ato i dua…
Merri dhe përqafimet e mia ndër vite
dhe lidhi me to vargjet nëpër strofa
Shpirti, peizash që pikturon mendimi
Poezia, kambanë që tronditet bota
Më the…merre edhe vetminë time
Mbështill të thyerat kujtimet tona
Qëndron heshtja mbi pritjet e mia
Vitet e jetës tek pikturat i mbolla
Më the…ktheji në vargje pikturat e mia
sepse PIKTURAT “flasin” si vetë POEZIA
A.TREBICKA 02.03.2022
“””””””””””””””””””””””””””
GJUMI I TRAZUAR.
——————————-
Ma trazoi gjumin një mik poet
Dhe fjalët m’i hutoi pak nga pak
M’u duk në ato çaste aq i afërt
Ndonëse jeton larg, shumë larg
I zgjoi miku im ca ëndrra të mira
Dhe sikur m’u fshehën vitet mua
Befas unë ndjeva disa drithërima
U çorodit gjumi, nata u thërrmua
Eshtë bukur, kur sjell vjeshta këtë ndjesi
Dhe ëndrrat diku fjetur… zgjohen përsëri
A.TREBICKA 02.O9 2021
NË MUNDESH…
Në mundesh ma plotëso një dëshirë
Mbas vitesh të pijmë një kafe bashkë
Dhe të kujtojmë ca caste të hershme
Ndërsa nipërit tanë do luajnë jashtë…
Për ty, si shenjë, lëvizte perdja e dritares
Sinjal ish edhe bluza e kuqe në ballkon
Edhe gurët e vegjël që hidhje tek xhami
Edhe fërshëllimat që të dilja në oborr…
Në mundesh eja të qeshim sëbashku
S’është mëkat të kujtojmë ca çaste
E kaluara nuk na tremb më si dikur
Ndoshta vitet kanë lënë ca haraçe…
Në mundesh eja të pijmë njëherë kafe bashkë
E kaluara është brenda nesh, ne jemi jashtë..
A.TREBICKA 19.02.2021