20.1 C
Tiranë
E mërkurë, 14 Maj 2025

Alda Taçe Shpata

GËRSHËRËZA

Gërshërëza nxori kokën e saj të vogël nga shega ku ishte futur dhe rrëshqiti duke tundur trupin mbi dysheme. Nuk e di sa milimetra i zgjaste shikimi, por sapo hipte mbi dicka të lartë bënte një rrotullim njëqind e tetëdhjetë gradë dhe ndryshonte drejtim. Çuditem si u gjenda i përfshirë nga lëvizjet e saj të çoroditura. Më hutoi ajo gjallese myku e lagështire.
Për habinë time e pagëzova menjëherë me emrin Lara. Ky emër më doli tak-fak nga mendja. Sikur kishte pritur të shfaqej sapo të më dilte para një gërshërëz. E nxora nga ajo ditë që e pashë të shtrirë e të vdekur, të zverdhur e të rrethuar me një amzë dylli të sapo shkrirë.
Lara gërshërëz sikur i ndjeu sytë e mi mbi veten dhe i shpejtoi lëvizjet. Herë-herë rrokullisej nga nxitimi dhe i shihja një barkth pak të rrumbullakosur e me ngjyrë më të çelur se pjesa e sipërme e trupit të saj. Nuk e mora vesh as vetë si u gjenda në gjunjë , i përfshirë i gjithi nga ato lëvizje të trembura. I dhashë pak trupit dhe lashë t’i binte një fashë drite dyshemesë ku lëvizte si në skenë Lara. Për një çast më dukej e sëmurë dhe e lajthitur, sikur trupi i kërkonte të çlirohej nga demonët dhe përplaste bishtin e ndarë në mënyrë të njejtë, në dy tehe gërshërësh, nga të cilat ka marrë dhe emrin. Herë tjetër më dukej sikur brenda i vlonte pezmi për llojin e gjallesës që i kishte rënë për pjesë të ishte. Drejtonte dy antenat që kishte majë asaj grimce që mund të quhej kokë dhe gjuante ajrin e rraskapitur, sepse ato veprime të dëshpëruara as nuk mund të shquheshin.
Lara ma shtrëngonte dorën gjithmonë që ndiente se këmbët i bëheshin të ngurta, më shikonte në dritë të syrit dhe shquante brenda vështrimit tim. Zvarritej mes retinës duke rënkuar e me zor, aq sa në fund u dorëzua e shtrirë në një dërrasë, nga e cila buisën një re gërshërëzash pothuajse të gjitha njëlloj.
Më mbytën këto kujtime dhe iu vura pas me gishtin tregues gërshërëzës. Goja m’u mbush me lëng dhe rrahjet e zemrës m’u shtuan. Më hipi gjaku në kokë dhe i rashë me grusht dyshemesë aq fort, saqë dërrasa lëvizi nga vendi dhe krijoi një të çarë të errët. Gërshërëza shpëtoi nga grushti im dhe rrëshqiti në errësirën mes dërrasave. M’u ligështua aq shumë vështrimi, saqë rashë pa asnjë shpresë në dysheme. U lëshova si një thes i zbrazur, gjerba lotet që më dilnin nga sytë dhe hundët dhe iu dorëzova dhimbjes. U ndjeva i humbur e i dërrmuar, që atëherë kur e humba për së dyti Larën e di mirë se ç’është pikëllimi.
Për shumë kohë nuk ua hodha sytë shegëve, sepse nga to më binin për pjesë gërshërëzat. Por edhe tani që kanë kaluar aq vite dhe kujtimet pothuajse më janë shuar, më hipën gjaku sapo shoh një gërshërëz. I qepem pas në çdo cep që futet, e shkel me këmbë ose e shtyp me gishta, aq sa bindem se kalbësia e saj nuk do ta qelbë më shumë botën. Për ta hequr nga çdo forme jete atë, e hedh në qypin e banjës, i urinoj sipër dhe e shkarkoj ujin disa herë rresht.
“”””””””””””””””””””””

NJËRI NGA NE KA FRIKË

Kam gjetur një të dashur, zonjushë Anjën. Buzëqeshja e saj është si diell dhe më zotëron shqisat. Natyrisht, nisur nga logjika, pamja ime e shqetësuar nuk mund ta shmangë dot dashurinë e shfaqur hapur për të.
Është shumë e shkathët, humbet për ditë të tëra në botën e saj të fshehtë. E kërkoj gjithmonë, më është bërë shtysë. Ndonjëherë lodhem shumë ta gjej. Ka raste që dhe tërhiqem, veçse, kur e ndërmend ç’vajzë e gjendur është, e gjej forcën sërish.
E kam ende ne mendje herën e pare që e ndoqa. Padashur, mendja më shkoi te sikleti që ndjeva kur u pamë në sy. Prania e saj më pengonte ta shihja më qartë, ula syte në tokë dhe një sëmbim në zemër gati më paralizoi.
Anja nuk më ka dashur ndonjëherë aq sa e dua unë. Këtë e ndiej, jo vetëm kaq, e ndiej dhe e di sepse e ndoqa një ditë kur doli nga puna.
Ajo ecte shkujdesur, unë i përvidhesha dhjetë metra pas me majë të gishtave.
Dyshimet e mia qenë kaq të forta, saqë kisha kohë që e planifikoja ta ndiqja. E ndoqa pra, pa e bërë fjalë me asnjeri tjetër.
M’u ftohën duart dhe ngriva në këmbë kur e pashë që trokiti në një derë të vjetër.
Trokiti tri herë dhe dera kërciti dhe e përthithi brenda. Më erdhi një mendim i ndyrë dhe volla.
Tani që e risjell në mendje atë rast e quaj veten me shumë fat që u ndjeva më mirë pas të vjellave. Instinkti im mashkullor i ra në të, e kuptoi menjëherë sesa e vështirë ishte lidhja me Anjën.
Nuk kam kujt t’i ankohem, mbase do të lehtësohesha disi në qoftë se do të kisha dikë t’i hapja zemrën.
Jam një burrë frikacak, e kam më të lehtë t’ia mbath gjetkë, nëpër përfytyrime, sesa t’i dal para dhe t’i flas çfarë ndiej së dashurës sime. Tani që e gjeta , mundem ta quaj kështu, e dashura ime. Më vonë do mundohem t’i shoh gjërat më qartë, por mbase deri atëherë do ta quaj të dashur.
I hapa derën e shtëpisë, i janë ndryshkur menteshat dhe kërcet kur e hap. E kemi lënë me fjalë, pas tri trokitjeve ia hapim derën njëri-tjetrit. Megjithëse në lagjen tonë nuk ka shumë lëvizje, vetëm disa çifte të moshuara që mbyllen brenda herët, nga frika se mos dikush i përndjek për t’i vjedhur.
Një dyshim i sëmurë, ca spazma të tmerrshme ankthi ma morën frymën në mënyrën më të keqe kur e pashë Anjën të tmerruar nga prania ime në rrugë. Ashtu në hall siç isha ia vura duart mbi fytyrë, ia zura hundët dhe ia shtrëngova aq fort sa më nëpërmendën përpëlitjet e fundit të këmbëve të saj.
Anjën e lëndova sepse e dua. Instinkti im i panginjur nuk i përket më së ardhmes sime, unë këtë e di, ama ajo tani është e qetë. Nuk e ndjek më askush, ajo është bërë imja me të gjitha, pa asnjë përjashtim. Sipas rastit, ajo nuk vjen në shtëpi për ditë të tëra. Ndërkaq unë jam përndjekësi i saj i betuar, është e kotë të shtirem, më i lënduari në të gjithë këtë unë jam. Nuk e di si nuk u morëm vesh e na humbi filli fare, nuk patëm asnjë parandjenjë për t’u kapur e për të mos humbur shpresat. Në fakt shtëpinë e blemë të dy, do të ishte e tepërt të thosha se unë kam kontribuar më shumë për të.
Veçse për derën nuk u morëm vesh ta ndërronim, ajo ma besoi mua, unë ia pata me hile, plus që u druajta për jehonën e tri të trokiturave.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.