EJA VËLLA
Eja vëlla, një raki e cigare ta ndezim të dy,
Dhe fort tavolinës i rashë me pëllëmbë,
Kjo s’është tavolinë avokati apo ministri,
Eshtë vëndi ku hamë veten me dhëmbë.
Tek kjo tavolinë kemi thënë gjithçka,
E vetmja faltore ku hallet i qajmë,
Eja ta djegim pak hidhërim,
Se unë e ti njëri tjetrit i ngjajmë.
Eja, pije dhe ta bëjmë gëzuar,
Të kam si vëlla ndaj dhe të ftoj,
E di që dhe ti je si unë buzëvarur,
E di që hallet i kemi njësoj.
Merrim dhe një kafe, ta bëjmë tamam,
E di që s’te pihet menjëherë do thuash,
Mos rrëmo në kuletën bosh vëlla,
Se kurrë s’të lë ta paguash.
Unë të ftova mos u zë ngushtë,
Ti e di s’jam më i pasur se ti,
Po sot këto lekët e fundit,
Si mbajnë dot xhepat e mi.
Gëzuar për ty dhe për mua
Bota është llum kafeje që nxin,
Kur s’plasëm që na iku rinia mjeruar,
Tani të djallosça pleqërinë.
Arjana Fetahu Gaba
Sa shumë e dua detin,
Dhe blunë ja dua shumë,
Erën ja kam frymë,
Kur valët sjellin shkumë.
Ja pikturoj zemrën,
Me ca perla sysh,
Seç më sjell një joshje,
Me një dallëndysh.
Këmbët kur i lag,
Në gojën e tij,
Buzës së detit,
Sikur perëndi.
Djelli më puth pa fre,
Dhe deti me ngadalë,
Një psherëtimë më nge,
Shtrirë përmbi valë..
Sa shumë e dua detin,
Dhe blunë ja dua shumë,
Më çojnë në ekstazë përkundjet,
Pastaj më vënë në gjumë.