Faktori X. i gjenive.
Shumë herë kam pyetur veten, çfarë ka më tepër një gjeni nga një artist normal, i mirë, i mrekullueshem apo jashtë normës? Për të mos thënë artist mediokër, me të cilët bota është e mbushur plot e përplot. Çfarë e dallon pra një gjeni nga pjesa tjetër e grupit të cilët kontribojnë në të njëjtën fushë? Simbas mendimit tim modest, përveç dhuntisë së tyre natyrale dhe predispozicjonit për të krijuar art, talentit pra për të vizatuar dhe krijuar me baltën, ngjyrën apo gdhendur me daltën, duhet patjetër edhe faktori X. Në rradhë të parë duhet që gjeniu të jetë një puntorë i pandalur. Vetëm në saj të punës sistematike realizohen kryeveprat. Mund të keshë talent sa të duash por po nuk pate vullnet? Por nuk mjafton as vullneti. Ka patur bota talente të mrekullueshme në rini apo shkollë. Talente të habitshëm që profesorët thonin me besimin më të patundur se ai do të bëhet i madh, por me kalimin e viteve, o prej dembelizmit, o prej humbjes se entuzjazmit, apo kushteve te reja shoqerore dhe ekonomike, ato janë zbehur si në shpirt ashtu edhe në mëndje dhe nuk i kanë dhënë asgjë njerëzimit. Kane humbur pra çdo interes krijimi dhe kerkesash ndaj vetvetes. Por ka edhe raste të kundërta.

Studentë mediokër, të cilët veç mbasi kanë dalë në jetë, e kanë zhvilluar talentin e tyre duke dhënë në fushat e artit vlera të padiskutueshme. Një nga veçoritë, kusht themelor pra për formimin e një gjeniu është edhe dalja e tij nga pellgu artistik që e ka lindur. Shumë artiste ndërkombëtarë, veç kur kanë dalë nga pellgu i vogël dhe hermetik që i lindi, duke parë, duke hulumtuar, duke vëzhguar, duke reflektuar, duke punuar dhe kërkuar, kanë arritur të japin gjëra të mrekullueshme në çdo fushë të artit. Vlera të mirfillta shpirtërore. Mikelanxhelo ishte një shpirt i madh? Simbas hulumtimeve të mia, ai jetonte një skizofreni të çuditshme. Nga njëra anë ishte artisti -hyjnor i cili në mënyrë të mistershme, të pakuptueshme,të mrekullueshme, bashkë me daltën skaliste tek dora e Davidit gjithë energjinë e 16 vjeçarit, lëvrimin e gjakut ndër deje, forcën madhështore të shpirtit të njeriut, bukurinë ideale të adoleshentit hebre, por nga ana tjetër, ishte i tërhequr si njeri. Fare i pakomunikueshem, kapriçoz, inatçi, mendjemadh dhe sidomos kurrnac.

Aq shume kurrnac ishte Mikelanxhelo sa në pleqëri, i fshihte verdhushkat poshtë dyshekut me një arkë dhe e dënonte veten dhe ndihmësit e tij duke ngrënë bukë të zezë, qepë dhe pak djath. Kjo skizofreni më ka bërë disa herë të reflektoj mbi shpirtin njerzor. Është e mundur pra që një shpirt aq i madh artisti i cili kishte mbuluar 5 mijë metra katrorë të Kapelës Sikstine me afreske, që kishte gdhendur me daltë Mojsiun dhe Davidin, të ishte pra në jetën e përditshme kaq meskin, genjeshtar dhe kapriçoz? Duke i lënë mënjanë këto pyetje themelore, dua të theksoj se askurrë më parë dora e artistit nuk kishte arritur një përsosje kaq të madhe sa ajo e artistit nga Kaprese, të Arezzo-s. Nga vinte energjia e Mikelanxhelo-s? Eshtë veç energjia që çlirohet mbi veprën e artit që e dallon një kryevepër nga të tjerat krijesa artistike? Njerëz me energji të theksuar i kemi parë shpesh në historinë e njerëzimit. Gjithë ato njerëz të ndritur. Filozofë, artistë, mbretër, shkencëtarë, profetë. Duke filluar nga Krishti e Budha, të cilët e kishin Pranën e tyre aq të shndritshme sa i pari bënte mrekullira, spostohej ne materje, materializonte sende, shndërrohej në figurë drite, fliste me gjuhën e Kozmosit, që është veç gjuha e dashurisë, ndërsa i dyti arriti dritën e Nirvanës. Pastaj duke kaluar tek Aleksandri i Maqedonisë, hyjnori Aleksandër, i cili arriti të bënte të pamundurën. Kjo e pamundur që ai e arriti as edhe 33 vjeç nuk mund të arrihet pa mbështetjen e një Hyjnije. Bota ka njohur pra filozofë dhe artistë, udheheqes karizmatike dhe lider plot shpirt frymezues, shkencëtarë dhe profetë që falë energjisë së tyre në trup dhe në mëndje i kanë falur njerëzimit dritë. Drita që Mikelanxhelo i fali njerëzimit ishte ajo e veprave të tij, ku shprehet një forcë aq madhështore sa sinqerisht, nuk arrij ta besoj së ajo ka veç origjinë njerëzore. Nëse Dante, pararendesi i tij, për të cilin M. kishte një adhurim total, i fali me Pranën e tij, me energjinë e tij njerëzimit Komedinë Hyjnore. Vepra më e thellë dhe sublime që njerëzimi ka lexuar dhe pasur ndonjëherë ndër duar. Nëse Dante pra, i fali njerëzimit modelin më të lartë të përsosjes morale në optikën, vizjonin, Kristjan; Mikelanxhelo e derdhi tërë energjinë e shpirtit të tij mbi format e skulpturave sublime dhe mbi afreskët madhështorë që ai na la. Kemi parë se si energjia e Van Goghut, falë duarve të tij mbruhej, mpleksej me ngjyrat në penel, dhe në mënyrë fare të mistershme, tërë ajo dashuri e marrë për jetën, për njerëzimin, dramatike dhe sublime, ka mbetur përjetësisht aty, mbi ngjyrat e tij pastoze. Gjithçka nga gjaku dhe shpirti i tij, tani i dhurohet njerëzimit t’a kundrojë me çmimin modest të një bilete dhjetë eur-she. Vepra e tij është tashmë përherë e gatëshme të na mrekullojë, lumturojë nga ana estetike. Gjeniu atëherë na qenkërka një sërë komponentësh bashkë. Janë këto shpirtëra të ekzaltuar, të përzgjedhur, me një Pranë të dendur energjie, nga nuk e di se Kush, që arrijnë t’i japin, ti falin dritë të re njerëzimit?

Po njëlloj edhe në mendim, ne filozofi, në shkencë. Si ne mendim, si ne sjellje morale, në art? E njëjta Pranë energjitike e theksuar, e mbulonte, vishte pra, edhe Michael Jackson, i cili me mjete të tjera artistike, më bashkekohore, si një vullkan energjie, arrinte të trasmetonte vitalitetin e tij të mrekullueshëm duke e trasformuar atë në tinguj eksplozivë dhe në një kërcim mahnitës. Po e njëjta gjë i ndodhi edhe Mozartit apo Bethovenit, në epoka të tjera të njerëzimit. Këta artistë të cilët çlironin energji në formë arti nga duart, duke manipoluar formen dhe materien, arritën të farkëtonin vepra të mirëfillta arti, vlera shpirtërore për tërë njerëzimin. Ata pra janë edhe gjenitë më të plotë dhe të paarritshëm në shërbimin tonë. Ti shijojmë atëherë ç na lanë dhe t’i gëzohemi veprave të tyre të pavdekshme.