Mendime rreth Romanit
“Në telat e kitarës melankolike”
të shkrimtares Znj. Lela Dardha Kokona.
Faleminderit Znj. Lela,
Mirënjohje për romanin që na ke dhuruar. Na e zure kohën, nuk e lëshuam nga dora derisa e përfunduam së lexuari. Fituam një kohë me produktivitet të plotë, u bëmë pjesëtarë aktiv në të gjitha faqet e romanit. Aty gjetëm gjithçka që ndodh rreth nesh, bile dhe një pjesë të jetës tonë të përgjithshme, Krijimtaria juaj në këtë vepër përbën një pjesë të veçantë e të kumbueshëm. Tabloja e madhe e pikturave që përbejnë romanin duket në çdo dialog apo monolog. Ata akordohen si telat e kitarave të serenatave dashurore. Kontrastet me rënkime dhimbjesh e lotësh, i zgjidh me harkun e violinës melodioze, ku asnjë notë e pentagramit nuk është pa vlerë dhe rolin e saj. Çdo ndodhi, apo problem i ke shkruar me gjuhën e shpirtit, në një univers vërtetësie që të bindin dhe të rrëmbejnë.
Dihet se jeta ka zik-zaket e saja shpirtërore që penda juaj i ka përshkruar në mënyrë kronologjike, psikologjike e shkencore. Në roman, kronologjikisht ke ecur, ke vrapuar dhe në asnjë kapitull nuk je rrëzuar, por ato ndjekin dhe pasurojnë njëri-tjetrin. Ke jetuar madhërishëm emocionalisht me veprën tënde dhe i je futur shumë thellë dimensionalisht, sa dhe neve na ke rrëmbyer e na duken pak, fjalët që mund të themi. Aty kemi gjetur dhe plotë gjëra që na mungojnë dhe nuk e dimë se sa gjatë do jetojnë episodet e përshkrimeve tuaja, të jehonës së zemrës tënde, në vetëdijen tonë. Në këtë roman ke hapur krahët në kaltërsinë e pafund, po që nuk ke prek vetëm zambakun e bardhë në gur, por deri lartë në yje. Mendoj se forca dhe madhësia e vlerave të këtij romani, nuk do të digjet si flaka e kashtës, por ai është një zjarr me prush që do ngrohi gjithmonë e kudo, sepse aty është një shtjellim i një bote të pastër ekzistente, serioze, ku duhet forca e fjalës, të shprehurit bukur nëpërmjet një mozaiku metaforash e figurash letrare. Gjuha është përdorur e pastër me veprime të zhdërvjellëta artistike, kulturore që paraqet shumë qartë, në mënyrë ndijore, format e saja piktorike, në çdo realizim të realitetit jetësor. Ndritshëm, janë dhënë përshkrimet e botës së jashtme si dhe e çasteve të ndryshme, po ashtu dhe shprehitë shpirtërore, ndjeshmëria, emocionet, bashkëjetesa e dashuria për jetën. Ke arritur shumë mirë të futesh në botën e padukshme, duke zbërthyer atë që ke patur në mendje, për t’ia dhënë pendës tënde që shpesh ka zbritur dhe në momente nostalgjie. Ekuilibrat që vendos në roman, janë shumë të admirueshme. Shumë mirë aty njeh dhe ndjenjat e mëshirës njerëzore, humane, po ashtu di dhe t’i kapërcesh për të evituar edhe përplasjet e akullta që mund të kesh, t’i kapërcesh, sidomos në familje. Tradicionalizmin e ke vlerësua, po duke mbjellë edhe filiza të dobishme.
Ke vlerësuar pa masë dashurinë, duke e zbukuruar në zenit emblemën e saj të pastër e të vërtetë. E këtu është dhe merita e madhe e jote, në të gjitha përshkrimet për të dhe zmadhimin e rolit të femrës, brishtësinë, ëmbëlsinë, butësinë dhe fisnikërinë e saj si qenie delikate. Gjithnjë duke e bërë aktive, në dashuri të pastër. Ke urryer ato veprime dashurore instiktive e të çastit që nuk janë drejtuar nga ndjenja shpirtërore, siç ishte rasti i pronares së hotelit me djaloshin Flori Kosta.
Ke përshkruar atë dashuri që të bën sytë të lëngëzuar e të shndrijnë nga kënaqësia, të bëjë buzët të mishëruara që t’i ngjajnë një shege të kuqe, me kokrra të mëdha dhe të lagura nga vesa e mëngjesit, në rrezet e diellit.
Gjatë gjithë leximit, kemi ndierë flladin a puhinë mëngjesore dhe iden, rrezet e diellit të sapolindur në një baçe me jargavanë e lloj-lloj lulesh që lëshonin aromë dhe nektarë. Ky libër, me finesë i ka të katër stinët brenda. Aty na lind mendimi se nuk paskan krahë vetëm laureshat, krahë paskan edhe shkrimtarët, që shpesh me veprat e tyre, të bëjnë të mendosh se mos ndonjë hyjni apo hyjneshë, u bashkua me pendën e tyre për të dhënë vepra të tilla, kollose. Vepra të tilla që lexuesi si romani “Në telat e kitarës Melankolike”, që gjatë leximit të duket sikur ndonjë të përkëdhel, apo të puth e të ledhaton në një “oaz” të freskët shkëmbor. Unë sikur u hipnotizova dhe harrova që isha lexues, por sikur isha personazh, e kënaqësi.
Autorja ndan gjykimin me ne për çdo personazh të saj, për psikologjinë e veprimtarinë e tyre, sikur kërkon dhe mendimin nga ne, për zbërthimin që ajo vetë u ka bërë veprimeve të tyre. Në roman shohim, bardhësi fluide të pështjellimeve të çdo problematike. Sa bukur fletë, “se fëmija sjell buzëqeshje si nektar”, “sytë i ndrisin si mijëra vezullime duke të mjekuar edhe plagët” e vazhdon, “Me prindërit duhet të jemi bigatë mbrojtëse e t’i ndihmojmë që të gjejnë hapësira për fluturim”! Autorja flet edhe për përpjekjet për të jetuar normalisht dhe përshkruar bukur dhe nevojat ekonomike që të detyrojnë edhe të braktisësh vendin tënd, porosit, “Mbaj personalitetin tënd e dinjitetin”, “Mos u bëj skllav, por puno me ndershmëri”, “Trego kush je”! Ajo edhe në fatkeqësi, “Duhet gjetur mënyra për t’a përballuar, se jeta vazhdon”! Përmallshëm flet se, sado të mira të arrish në dhé të huaj, ai dhe të vdekur nuk të mban si të mban dheu i vendit tënd, që krahëhapur të pret që të prehesh aty ku ke lindur.
Së fundmi, kam lexuar e ndjekur me kënaqësi tragjeditë e Shekspirit.
Më kanë magjepsur “Rubairat” e Omer Khajamit.
Më kanë mrekulluar novelat e Stefan Cvaigut.
Shumë tërheqëse kanë qenë romanet e Stendalit.
Bukur janë përshkrimet e John Goldsworthy.
Më kanë emocionuar shkrimet e Ernest Hemingway.
Të mban në lexim me veprat e tij Gi De Mopasan.
E shumë, e shumë të tjerë, pa përmendur autorët tanë të mrekullueshëm.
Po mua më tërhoqi shumë romani “Në telat e kitarës Melankolike”, të shkrimtares Znj. Lela Dardha Kokona!
Ajo ka vetëm “Bio” dhe vetveten e saj, ngjyrën dhe shpirtin e saj krijues, letrar shqiptar.
Asllan KASA