Avokati i Izet Haxhisë rrëfen dëshmitë e truprojës së Berishës: Ja çfarë ndodhi ditën e vrasjes së Hajdarit, nga takimi i Azemit me Saliun, te telefonatat dhe bisedat brenda PD

Avokati Idajet Beqiri ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga gjyqi i klientit të tij Izet Haxhia. Në kuadër të një sërë rrëfishme sh mbi këtë proces, ai këtë herë ka dhënë detaje mbi atë se çfarë ndodhi ditën e vrasjes së Azem Hajdarit, kjo në bazë të deklarimeve të klientit të tij. Beqiri ka treguar intrigat në PD, dëshmitarët që ishin prezentë dhe takimin që ndodhi mes Berishës e Hajdarit para ngjarjes. Po ashtu ai ka treguar se dhe si u përfshi klienti i tij në këtë ngjarje.
(Vijon nga shkrimi i kaluar)
…Në një moment kur ishin duke pritur personat e tjerë te kafe “Aroma”, Halil Haklaj është shkëputur për pak çaste duke dalë nga kafja dhe duke e lënë vetëm Izet Haxhinë aty. Pastaj është kthyer. Meqenëse Jaho Mulosmani dhe Fatmir Haklaj po vonoheshin, Izet Haxhia i ka thënë Halil Haklajt se po largohej, pasi ishte vonuar shumë dhe do të ishin bërë shumë merak njerëzit e shtëpisë së tij. Janë ngritur dhe kanë dalë nga kafe “Aroma”. Sapo kishin kapërcyer pragun e derës së kafe “Aroma”, e cila ndodhej pranë “Ushtarit të Panjohur”, kanë dëgjuar të shtëna me automatikë dhe me pistoletë. Dukej si një përplasje grupesh me armë. Në këtë moment Halil Haklaj është alarmuar shumë dhe ka bërtitur “obobo djemtë”! Izet Haxhia nuk po kuptonte asgjë çfarë po ndodhte, veç konstatoi se të shtënat e armëve që u dëgjuan, nuk ishin më larg se 200 metra nga kafja ku ndodhej ai me Halil Haklaj. Halil Haklaj jepte dhe merrte me radion dhe mundohej të ndërlidhej me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Në këtë moment Izeti ka dëgjuar zërin e Fatmir Haklajt në radio, i cili i tha Halilit “më ndiq te shtëpia e Nehat Kullës”. Të hutuar nga breshëritë e armëve të dëgjuara, si dhe nga sa tha Fatmir Haklaj në radio, Izet Haxhia ka shkuar pas Halil Haklajt dhe shoferit Agim Logu, të cilët kanë hipur në fugonin e policisë dhe janë nisur në drejtim të shtëpisë së Nehat Kullës. Fugoni i policisë Tropojë ku ishin Halil Haklaj dhe Izet Haxhia mori drejtimin e nëntë katësheve dhe u kthyen djathtas te Rruga e Dibrës. Pa shkuar te “Selvia”, në radio Izeti ka dëgjuar që Fatmir Haklaj po i fliste Halil Haklaj për një të plagosur. Pak para se të mbërrinin te Spitali “Nënë Tereza”, u shfaq një Benz me Fenelinë. Në këtë makinë Benz ndodheshin Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu. Fugoni i policisë e ndiqte atë nga pas. Morën rrugën e Tufinës. Aty, para shtëpisë së Nehat Kullës, Benzi ndali. Benzi ishte me targa të Vlorës. Zbriti Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani. Në sedijen e pasme të Benz-it ndodhej Naim Çangu i plagosur. Ata e nxorën prej aty Naim Çangun dhe e futën në fugonin e policisë, duke e urdhëruar shoferin Agim Logu ta çonin me shpejtësi në Spitalin “Nënë Tereza”. Izet Haxhia qëndronte si i ngrirë në fugonin e policisë, së bashku me Agim Logun, pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Në momentin që Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani futën në fugon Naim Çangun, Izet Haxhia ka parë që Fatmiri mori nga Benzi një radio, një kallashnikov, targat e makinës dhe sende të tjera, të cilat ia dha Halil Haklajt duke i thënë: “Zhduki të gjitha këto”! Janë nisur të gjithë për në Spital. Izet Haxhia ka pyetur Halil Haklajn se çfarë ka ndodhur! Por nuk ka marrë asnjë përgjigje.