– Kujtesa e gruas – (poezi)
-Jam lindur në ditët e pranverës
në muajin e luleve,në kohën e beharit.
Jam rritur me këngën e bilbilit
në degën e frashërit,
me mjegullën ndër lugje,në faqen e maleve,
me cicërimën e trumcakut të borës
majë hunjëve të gardhit.
Me sytë e përgjumur,me copën e bukës thatë,
jam shtrirë mbi postin e dhisë,
të deles, të dashit,
me shikimin jerm,të tretur mbi trarët e kullës,
mbi lbozën e vargonjeve të oxhakut,
përzier n’trishtim e n’frikë
me zërin e ariut ndër shpate
arushës së munguar ndër duar
përrallën e pa thënë të nënës.
Vajzë atëherë,kam nisur
kam nisur zbardhjen e ditës duke qarë,
me pantallonat e shkyer,të shkepur,
me këmbët e zbathura,
me zemrën e plasur.
E mbyllur në të katër anët mot pas moti
miqtë e mi kanë qenë
cunga,rrasa,qielli,oborri.
Jam zënë me britma e zhurma
për fëmijërinë,për rininë e vjedhur,
kam rrahur veten me grushta,
kam sharë e stër-sharë
dhe prapë jam penduar për fjalën e fundit,
për fjalën e mbrame,fjalën e pa larë.
Unë jam, jam sot
Unë jam tani grua dhe nënë
moderne e metropoleve
kam vajzë,kam djalë
Kujtesa jam.
Shpesh kthej kohën e kokën mbrapa
tek rrënjët e mia,tek djepi im i ruajtur,
tek arka e vjetër,
tek çiftelia e gjyshit varur bri hutës
me shaminë e lidhur në majë,
tek shtëpia ime,tek kolibja e qenit
sipër stanit,
tek hija e rëndë e lisit e ahut
tek kroi ku dashuroheshin vashat,
tek yjet që numëroja me gisht natën,
tek shtegu që s’munda ta prek
pa lejen e babës,
tek ëndrrat,tek shtojzavallet,
tek shokët e bjeshkët që s’i pata.
Bardh Leci.
“”””””””””””””””
– Mos ndal ! (Poezi)
– Mos ndal
se koha vrapon pas shpinës tënde
si dreri ndër male
e pret si një sharrë
si veriu në Mars
dhe shih nga të shkosh,
se në muranën e vjetër
ku luaje fëmi
po vajton qyqja,
për gruan,që s’pati vlad,
për gruan,që mbeti e ve!
Duhet të ecësh,të shkosh larg,
të bëhesh bujtina ndër stane,
e fjala e lypur me grosh,
se dikush do të pyesë për ty
një ditë
e dikush do të thërrasë në emër!
Mos ndal!
Se bariu ia nisi melodisë së fyellit
deri në qafën e Çikës,
atje ku lind dielli,
atje ku çakalli sheh perëndimin
deri tek mali i Bardhë!
Përpara!!!
S’duhet të mendosh shumë
mblidhi muskujt,
nervat në një,
kundër synimeve shkatërruese,
kundër vështrimëve kërcënuese,
kundër heshtjeve vrastare,
kundër qenve që zihen
për një kockë,
kundër poetëve që bëjnë llafe
për një varg,
për një strofë,
s’duhet të presësh aspak
rrahjet e zemrës tënde
janë tik-taku,
matësi,
përcaktuesi i hapave të tu,
i vrapit tënd
kurrë!!
S’duhet të jetë,
as i fatit tënd!!
Unë!-
Po thërras!-
Mos ndal!-
Unë jam lisi i gjakut
ti je lisi i tamlit.
Unë jam burri,
ti je gruaja.
Unë jam lisi e ahu,
ti je prushi e zjarri!!
Mblidhe veten tënde,
në ke palcë,në ke rrënjë,
pa mashtrime,pa zili,pa mllefe,
pa arrogancë,
për veten tënde vendos ti
dhe askush tjetër,
Të kesh parasysh,
asnjë pritë,asnjë shënjestër,
veç bishës ndër strofulla
e dhelprës në gëmusha
e ferra,
asnjë mëdyshje,
për atë që thua,
për atë që bën,
asnjë ashkël mbrapa,
asnjë namë dheu nga bota,
asnjë sorrë,asnjë korb
majë çatisë,
asnjë krenari,
të pa peshuar mirë,
të pa menduar,
ku dhe kur,
si dhe pse,
asnjë njollë në ballë,
asnjë halë në sy,
asnjë brengë në shpirt!
Të jesh do të thotë,
të mos bësh asnjë pakt me djallin,
e të mos ndalosh,
do të thotë të jesh!
Përpara!
Mos ta njohësh kurrë fundin,
as mos ta shohësh në ëndërr,
as mos ta zësh në gojë,
as të mos bësh be’ e rrfe’
për të,
e kështu si po të them,
mos ndal!
T’ju vësh gishtin një e nga një
yjeve,
e të numërosh puthjet
me udhëtaren tënde!!
– Bardh Leci- Janar 2021.