PËRTEJ ERRËSIRËS
Veç kur na vjen ikja zvogëlohemi,
dje ishim të mëdhenj,
ishim rritur,
lartësuar,
mes tokës e qiellit lobohemi
hija jonë zuri shumë vend,
si tepër e llastuar,
me frymë tejmase thithur,
grabitur,
hapsirës ia mori oksigjenin gënjeshtra,
fjala jone e Madhe,
rrugicës me pengesa,
hapi ynë hedhur në mendësinë e ngushtë.
I vdekuri kur solli shpirtin një ditë mbi tokë,
filloi sëpari të qeshë si unë,
e pastaj…rrugën ta përlotë,
të nënqeshë,
të përqeshë,
në njërin cep syri lotin e mallit,
në cepin tjetër i trembur nga egoja e djallit.
Dje ishim të mëdhenj,
më të mëdhenj se vdekja,
me bark të tejmbushur,
qepur në grykë si gardh i vjetëruar,
duke u ngutur..
sot jemi bërë vetvetja
në emër moderuar,
jemi mjeshtra të një çmimi me kosto të lartë,
jemi bindja më e butë e ligjit të artë.
U zvogëluam e të gjithë hymë në një valle,
të përulur
u trullosëm,
e thithëm sërish cigare,
në kafazin e mushkërive
tymrat na u gufosën.
lakuriq i zhveshëm epshet,
krenarisht në luftë me veset,
i qëndruam të vërtetës besnike,
të ”mirëkuptuar”,
me ndjesë të lënduar
zbuluam dashurinë më fytyrë hipokrite.
në ditë,
në natë,
zemra filloi të flasë,
ndërgjegja të ftojë mirësinë,
të na rrekë mërzinë.
U zvogëluam në fund fare
kur gjithë delikatesë ikja po na pret,
si një ganxhë e shkulur jetës lakmitare,
përtej errësirës o njeri …Dritë bëhu vetë…