Vetëm për ty o bijë,o e bukura ime,
rrezaton hëna e mund errësirën,
vetëm për ty burimet qeshin
pa u ngurtësuar,
të ëmbla
e puthen me dritën.
Vetëm për ty o ëngjëll,o mrekullia ime,
lëvizin yjet e çelin trëndafilat,
prej nurit tënd fushat ngopen me ngjyra,
lulet zbukurojnë majin
e këndojnë bilbilat.
Lagështia e viteve, më ka prekur gjith’kockat,
më ka zgjuar sa dhimbje në çdo qelizë,
por rrëkenë e shpirit me shpresë ti ma mbushe,
gurgullon fryma jote në çdo qoshe të shtëpisë.
Zëri yt më nuk meket,mes reve fëminore,
bëhet këng’e dashurisë më t’ bukur që jehon,
ngrihen peshë tempujt,përgjumen stuhitë,
ti drithmë hyjnore,
që më ngjan e më freskon.
Për ty bija ime,ndjej ngrohtin e diellit,
dhe kthesa prek shpirtin,si nism’universale,
herë sfidoj lotin, herë dallgën e detit,
nuk jam vëllim i heshtur,
por nëna legjendare.
Për ty as në natë, mendjen s’ma zen gjumi,
si rrezen e mëngjesit,mallin përqafoj
s’të jam pranë o bijë, o e bukura ime,
në sofrën e zemrës,
Ditëlindjen po ta gëzoj.
“”””””””””””””””””
Një ëndërr si brengë,u zhyt në detin e vdekur,
aty ku algat fundosen në gojën e thellësisë,
aty ku fjala tundohet e flirton e rrekur,
si statujë elegante në rrethinat e qetësisë.
U tret ajo e lodhur në mesin e rrugës,
sa një top pinpongu u bë krejt e lehtë,
mbajtur me genjeshtra në bishtin e lugës,
si kod i vështirë ngatërruar nëpër netë.
Si një gjysëm gërme e ngrënë e shëmtuar,
zhgënjimi pafund shkeli sikur vdekja,
në venat që fryhen ndodhitë u shumëzuan,
sa shtypin papërmbajtshëm dashuria dhe urrejtja.
Kësaj ëndërre mirësi,konfuze, paradoksale,
heshtur e thyer si krah’i paralizuar ,
ia ruajta ca fragmente,ia fsheha nëpër vargje,
i mbështeta pas zemrës si një gjurmë e dyzuar..
“””””””””””””””””
Njerëzit e mi nuk më ngasin,
megjithëse më rrëmojnë me tehun e gjuhës
të hidhët e miskine,
më zhbirojnë ditën gjer në stacionin e fundit
e u ndryshojnë ngjyrë
palave të zemrës sime.
Njerëzit e mi nuk më shtynë,
se u ngecet mbase ndonjë cikël mishi
ngjitur në mua,
e padashur ciken e vriten,u zhvishet lëkura
kur të bien pas meje,
rrëzuar këmbë e thua.
Njerëzit e mi nuk më harrojnë,
emrin dhe fytyrën diku m’a shohin
por s’i dëfren thjeshtësia,
më përflaket përqafimi i humbur,
bërtasin kujtimet,
më vidhet dashuria.
Njerëzit e mi nuk më ngatërrojnë,
në udhëtim me to jam,
se gjaku ka të njëjtin burim,
në enigmë tretur,kafshatat e së djeshmes,
në trungje akulli kthehet,
më ftohet malli im.