THIRRJE E HESHTUR

Hajde ti pëshpëritja ëngjëllore,
zbrit nga mali me pisha,
me zërin antik të një përjetësie,
kthehu në melodi në të ëmblat hapësira,
ti baladë e zjarrit me gjuhë mirësie.
Hajde ti drithmë e flladit pranveror,
vishu me pëlhurën e kodrave të mëndafshta,
me sytë valë deti deshifroji dashuritë,
kukafshehtas në befas mos gërvisht lëngata,
në vargun e fildishtë mos i mblidh mëritë.
Hajde atëherë kur të jesh ylber në shi,
e trëndafiltë të dukesh, e qeshur në diell,
mos më ler në borxhe me mençurinë,
më jep fjalën e tingujve që zhurmojnë në qiell,
në gjak të ëndrrës,lashë peng lumturinë.
Hajde se pikët të gjallëve ua korita,
të vdekurve në gjumë u vodha rehatinë,
thonjtë ia ngula tokës sime paqësisht,
pa fre e pa pranga lartësova poezinë,
sa nyje të heshtura, m’u këputën befasisht.
DITA…
Dita është bredharake,
e vjetër,
shekullore,
i dallohet plaga,
është palca e zërit në frymën kohore,
të cilën e thith nata,
e ushqen ëngjëjt e zemrës,
nën shkërmoqje yjesh që dehin hënën,
e prekshëm sfiliten, e digjen ëndrrës.
Dita është fluturake,
shkelëse,
e pjekur,
i dallohet ikja,
është pluhuri i fjalëve ne kafen e hidhur tretur,
në vargonj shkallësh ngjitja,
në gjysëmlakun,imagjinare e panjohur,
ku zhurma e dritës mbledh djersën,
e zhytet në përrallën e pangopur.
Dita është syth’i lindjes së diellit,
në trungun e universit të mbijetesës ,
ku nënqeshja e syrit të qiellit,
është pulitja e lotit në boshtin e harresës.
SOT…TANI…
Koha thyhet me moshë,
fryma,shpirti,aty,
fjala,kujtimi bëhen dry,
jeta, ajo hyjnorja ka limit,
lindja shpresë,
vdekja s’ka me prit.
Dje,mendja , kudo.Të gjithë,
kaluar përciptas fati,
lule, mure bërë gati,
zhveshur rrugët në gjumë,
vitet ushqim,
errësira ti rrëmbeu mbi lugë.
Sot,ëndrrën ktheje në vepër,
dita hedh shtat,
ëndrrash mos ec asnjë hap,
e qielli se din kur lot,
vjen nata s’të pyet,
tjetër çati të vë mbi kokë.
Tani, kohën merre në gji,
është buzëqeshja, momenti,
burgu i vetes jemi,
nesër s’e din në të pret,
zërin meteor lëvroje,
yjet qëndisi mbi fletë.