në shumë të pathëna,guxon e thëna ime.
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Unë nuk ëndërroj më,
(je ne rêve pas)
(quelque fois c’est chaud,mais aussi c’est froid)
dhe çastet e ftohta i shoqëroj me një cigare,
se të bukura ka aq pak,
në rrethin e kujtesës veç mote të egra,
ditë me këmbë të thyera,
orë çalamane,
mëngjese të brymta,
(mais pourquoi toujours c’est comme ça)
klithma flakësh që herë-herë shuhen me lot,
mbrëmje të zëna ndryshk nga smogu i ditës varfanjake,
(pauvre nous)
(je ne rêve pas,aussi je ne “dors” pas)
sikur hëna magjistricë as unë nuk fle,
xhindet e natës janë bërë me brirë,
vërdallë kafshojnë dëshirat e njerëzve pa krahë,
si kope grënjare,
i sulen heshtjes sime të plasur,
prush dritat e syve,
dua të qetësoj kohën,
sërish të ndez një cigare.
kafenë me dy gëllëjka e kam përcjellë,
mu kujtua Safoja ,
si mund të ketë qenë ajo,
pse shkroi për dashurinë,
dashuria është si një flutur,
krejt delikate,
me kandra fluturuese,
me luspa shumëngjyrëshe,
e bukur,
por sapo lëshon larvat e saj ajo vdes…
këto nuk janë të paditura,
të pathënat janë thinjur besoj,
sot dimë më shumë se dje,
duam më pak se para një dite,
premtojmë e bëhemi lojtarë fjalëkryqesh,
gjurmësh e udhëtimesh pa një stacion,
pagëzohen epshet idiliste femërore,
frymë prilli,
fat i çeljes së luleve,
si dehje ëngjëllore.
Në emër të dashurisë mbetemi të rinj.
çastet e lumtura
nuk plaken,
nuk shuhen,
poetët shkruajnë…
një kamare fjalësh i vënë radhë nëpër libra,
burime interesante për shekullin tjetër,
sot vetëm vragë të thella mbi lëkurë,
bërë rrudhë mbi rrudhë,
sepse gjuha e moshës flet,
gjykon e ka tjetër obsion,
nuk është si një syth i gjelbërt gjithmonë,
nuk është vetëm pranverë,
shpërthen më së shumti në dimër,
e nusëron mbi stinët që arnojnë astarin e jetës.
Po agon…
(ça arrive,c”est important)
parmaku i dritares duket vetëm pak,
abazhuri i dhomës sime e ka zbehur dritën,
yjet ende nuk i kanë mbyllur sytë,
gjinjtë e qiellit kullojnë si ujvara qumështin që i duhet tokës,
është vesa me syçka si rruaza të ndritshme
mbi ca fije bari ende të pashkelura,
ndërsa jam unë me shqisa të zgjuara,
në mendime të mbira si tërfil,
të padeshifruara,
një tjetër myshk në cepin e vargut tim,
moliset si përditësuar,
mbi copëzat e akullta nën brinjët e mia,
dikur ngjizur si kërthi i bekuar,
vetveten e gjej sërish të ndasuar,
një amanet i rinisë s’u zu më në gojë,
u zbeh pa i mbaruar motmoti,
u zhvesh sikur të dyndej nga stuhitë,
një pamje e zverdhur,
si zemërim i lashtë,
prej orteqesh dëbore shembur.
…do t’i mbledh me një furkë të gjitha këto fjalë koti,
fërshëllimë e një zëri që i është pirë lëngu,
do të ruaj vetëm pakëz mall,
i përjetshëm,
diku i fshehur e diku i paprekshëm,
pa ëndrra në shpërthim.
në buzën e lodhur bërë jeshil,
ca shenjëza gërmash ngatërruar,
kjo poemë sa një meditim,
prap medaljon mbeten vetëm ndjenjat,
nëse nuk janë perënduar,
oaze monologjesh me veten,
…ndoshta asgjë nuk thashë deri tani,
pikla pasioni flluskohen vazhdimisht,
klithin mbërthyer verigash,
në ferrin e harresës,
një pasthirrmë e ngacmuar
s’ka frymë,
s’ka emër,
diçka i flet qasjes së kësaj bote të djallëzuar,
diçka prej dremitjes sikur rrëshqiti,
por rruga qesh,kur qeshet shpirti…
Po agon,
s’e di…
unë nuk ëndërroj më,
as nuk “fle”më.
((quelquefois j’ai chaud,mais le temp, c’est froid)
moi,
je ne rêve pas,et bien sûr je ne “dors”pas)….