Ndonjëherë është mirë të mos harrojmë të kaluarën…
Viteve pa shpresë,
ditëve të errëta, të ngopura
me lagështirën e shtypjes,
që amortizonte mendimet,
të burgosur në kafazet e frikës .
Mëngjeseve gri vraponin njerëzit
duke u shtyrë,
autobuzëve të stërmbushur,
drejt ndërmarrjeve, fabrikave,
që gumëzhinin nga zërat
në konture lumturie,
të endur me fije të kalbura,
dhe shpërblime qesharake.
Në fytyrat e tyre
endej buzëqeshja e shtirur,
si maskë e mbijetesës ,
dhe fjalët që dilnin,
të përpunuara mirë
nga truri;
premtimet boshe,
me ngjyra fallco
në portretin e zbehtë të jetës.
Kush ishim NE ;
brezi i ri që rriteshim
në kafaze të padukshëm,
të injektuar në gjak,
idetë komuniste.
Kush ishim NE
që vishnim të njëjtat kostume,
robotë të komanduar
me trup njerëzor
dhe ndjenja të kontrolluara.
Ishim brezi i ri
servil,
nën thundrën e diktaturës,
me ushqim të racionuar,
dhe buzëqeshnim si klloun
kur flisnin eprorët
dhe shkruanim gënjeshtra ,
në sa zemrat rrihnin të friksuara,
në konturet e zhgënjimit.
Të privilegjuarit,
besnikët e partisë,
kapërdiseshin me injorancën e tyre,
në sa burgjet mbusheshin
me njerëz të pafajshëm,
njerëz te mirë .
Prangosën trurin e kombit,
Intelektualët, klerikët,
mendimin e lirë,
dhe jetën tonë,
duke e lënë nën hijen e frikës.
Në shpindat e maleve,
rrugëve gjarpëruese,
familjarët e rraskapitur,
me çanta në shpindë,
shkonin të shihnin të afërmit e tyre,
pas kangjellave te burgjeve,
për pak minuta dhe,
heshtje, asgjë,
përveç fytyrave të shtrembëruara,
nga dhimbjet e shpirtit,
fytyra të ngrira,
fytyra pa lot,
që dukej sikur koha,
për to kish ndaluar.
Nënat vajtonin fëmijët të gjallë,
gratë,
burrat e tyre.
ditëve të ngrysura,
kur dielli perëndonte,
që në mëngjes,
dhe shpresat vdisnin çdo ditë,
në zemrat e tyre.
Buzëqeshte Shqipëria
në ekrane televizorësh,
fëmijët këndonin
për jetën e lumtur.
Në skenat e teatrove
drama të kontrolluara
luheshin.
Dhe ne duartrokisnim
gënjeshtrat tona,
shkëlqimin e rremë.
Tashmë ishim mësuar
të mashtronim vehten,
Ëndrrat tona,
që mbeten të ngrira
n’ eter.