Në fakt, kur e njoha më vonë, shumë më tepër se njohja fillestare, kur miq u bëmë dhe vinte edhe në shtëpinë time në Shkodër, në ndenjat e gjata dhe bisedat e pafund, kam mësuar mbi të gjitha se Njeriu që kishte qenë në themelet e UÇK-së, ashtu si ishte, njeri i shpotitshëm, gazmor e shpirtplot,
që nuk merrej kurrë me anësoret,
që falte edhe kur nuk e falnin,
që linte kokën pas shokëve,
që fjalët i kishte gjithnjë të duhura,
që duke qeshur thonte të vërteta,
që të donte pa hile dhe nuk ti duronte hilet,
që e dinte se ku gabonin shokët, por nuk çirrej,
që i dhembte Kosova dhe nuk ia vinte re se kishte nisur harresa; miku më i afërt i tre herojve të shquar , Zahirit, Ilir Konushevcit dhe Ardian Krasniqit;
i dënuar me 20 vite në mungesë nga gjyqet e Serbisë dhe nuk ia ndjeu kurrë,
i përndjekur nga një skotë udbashe, të cilët shihnin tek ai njeriun e zakonshëm që, pasi kishte bërë histori , ishe kthyer në familjen e tij,
njeriu që kishte çarë borën për vite me rradhë, duke shprishur kufijtë e dhunshëm dhe ndërtuar historinë e re,
që kishte pasur në duar qindra mijra marka e kishte mbetur i varfër, i pabindur ndaj së keqes ,por i shtruar në punët e mira;
i rënë në prita dhe i dalë prej tyre i përgjakur;
që kishte idhull Adem Jasharin e mbi të gjitha donte Shqipërinë;
i papërkulur në thelbësoret dhe që linte anash mëritë;
më i miri, më i dashuri, më i sinqerti dhe më i ndershmi i Kelmendve ( më i ndershmi mes të ndershmëve);
mikpritës dhe i drejtpërdrejtë,
ky ishte Qerimi që kam njohur, që kam ndër mend,
që e kam dashur më shumë se gjithë Kelmendasit e tjerë, megjithëse me të isha njohur përmes Ibrahimit dhe të cilit, Shpirtmadhit, nuk ia prisha kurrë.