MALLI PËR TY….
(Nënës sime të ndjerë)

Malli për ty, nënë do të jetë i pashuar
Këto ditë me heshtje unë i fola vetes
Vazhdoj edhe sot t’i flas me lot heshtjes
Nënë, malli për ty s’do të shuhet dot
As sot e as nesër dhe për jetë e mot
Nëna jonë e dashur, sa shumë na mungon
Kaluan ca kohë që na ike nga kjo jetë
Zemra seç më therr, pasha diell e hënë
Malli edhe dhembja po rriten sa një mal
Sa vjen e na shtohet, pasha vajzë e djalë
Nënë, nga malli yt s’mund t’them asnjë fjalë…
Zemrën seç ma djeg si vullkan me llavë
Ditët po kalojnë me mall dhe lot n’sy
Megjithëse jem të rritur,ishim fëmijë për ty
Pa ty, o nënë e dashur, më s’ka ngrohtësi
Ditët seç po ikin, malli për ty na shtohet
Shëmbëlltyra jote, nënë kurrë nuk harrohet
Mungesa e jote, jo zëvendësim nuk ka
Fjalët , më janë të pakta, e dashura mama
Zemra ime e shkretë ndjen dhimbje për Ty
Vetëm me heshtjen flas, o imja dashuri
Nënë, o nëna jonë, me zemrën si flori
Malli ditë e natë më shumë po më shtohet
Kujtimi për ty, nënë, assesi s’largohet
Aq e kujdesshme ishe me ne, nëna jonë
Fjala e zëri yt i ëmbël, më duket se jehon
Sa herë jam i vetëm, malli seç më kaplon
Kujtimi për ty, nënë kurrë nuk do të shuhet…
Fjala jote e artë prej nesh do të ruhet
Fjalët janë të pakta për ty që të shkruhet
Lutemi që shpirti jot të pushojë i qetë…
Për ty nëna jonë, që ne na dhe jetë
U prehsh në parajsë, o nënë e vërtetë
“””””””””””””””””””””””””””
KOSOVË, JE AR DHE THESAR
1.
Kosovë –
Kopsht i Lulëkuqeve
Kokë binjake
Në trup të shqiponjës,
I kuqërremtë
Qiell i Dardanisë
Plisbardhë
Mbi sy të Arbërisë
2.
Kosovë –
Këngë kreshnikësh
Të Moteve të Mëdha
Dhe i Dadës Shotë
Je gërshet i lidhur.
Je besa e dhënë
Për liri e nder
I t’madhes Xhevë Lladrovcit
Je dëshirë dhe shpresë
E Ylfete Humollit
Për atdheun e lirë
Je betim n’Flamur
I Antigonë Fazliut:
VDEKJE A LIRI !
Je fortesë qëndrese
N’kuvende e logje
Ishte magji bese
Gjithmonë fjala jote
3.
Kosovë-
Truall Lulëkuqesh
Trëndafil n’lëndina
Me plagët në shtat
Fëmijë, gra dhe burra
Të mbrojtën me gjak
Ranë kurrë për të mos vdekur
Për tëndin bajrak-
Kuqezi Flamur
Kala gur mbi gur
4.
Kosovë-
Je ti vetë
E kuqja Drenicë
Prekazi i shenjtë
E shtrenjta Qyqavicë
Reçaku plot dhimbë
Llapi ilirik
Rrafsh i Dukagjinit
Bajgorë
Mitrovicë
Dhe Anamoravë
I lashtë Kaçanik
5.
Kosovë-
Kala qëndrese
Nderi edhe bese
Fortesë e Jasharëve
E Shabanit
E Ademit
E Hamzës
E Flamurit
E Atdheut
E SANDOKANIT
E Nuhi Gecit
E Skënderit
E Shqiptarit trim
Gjak i kombit tim.
6.
Kosovë-
Qëndrestare
Qiell me bubullima
Je Ali Ajeti
E Bahri Fazliu
E Agron Rrahmani
Besnik Restelica
E Shefki Kuleta
E Shaban Avdiu
Isë Havolli Trim
Hasan Ramadani
Ilir Konushevci
E Afrim Zhitia
Dhe Fahri Fazliu
E Nexhmi Llumnica
Je Zahir Pajaziti
Ballin me vetëtima:
Lidhur plagët e trupit
Me shokën e brezit,
Të Dardanisë Ilirike
Plagë e Gjergj Elez Alisë
Për motrën besnike
7.
Kosovë-
Fole shqiponjash
E djep i kreshnikëve
Dhe kokë kryengritëse
E Mëmë Shqipërisë
Motër e Preshevës
Dhe e Çamërisë
E Iliridës trime
Dhe e Malësisë së Madhe
E Hotit e Grudës
E Plavës dhe Gucisë
8.
Kosovë-
Me lot prej zemrës sime
Plagët t’i prekë me dorë,
O jelek me plumba
N’ Flamur je Shqiponjë
O shtat i Mic Sokolit,
Në të topit grykë
O Pushkë e Bajram Currit
N’Shpellë të Dragobisë
Dhe e Haxhi Zekës
Dhe e Ali Ibrës
E Ahmet Delisë
9.
Kosovë-
Tokë e rrahur
Me zjarr dhe me hekur,
E larë dhe me gjak,
Gjithmonë e paepur
Me kokë drejt në qiell
Kurrënjëherë e mekur
10.
Kosovë-
Simfoni tragjike
Me tone shumë
Je sfidë e përgjakur
N’stuhi e furtunë
Në thëllime
Në luftëra heroike
Gjithnjë me qëndresë
Dhe zemër besnike
11.
Kosovë-
Moj kreshnike
Mbretëreshë e rrallë
Në zërat e çìftelisë,
Në këngët e pushkës
Në rrezet e lirisë
12.
Kosovë-
Ëndërr stërgjyshore
E ëngjujve të trazuar
Me shiprt të Shqipërisë
Mbledhur rreth një kënge
Mbledhur rreth një sofre
Pagëzim ndër shekuj
E Pagëzim ndër mote
Besë dhe trimëri
Lirika e jote
Me breshër e shi
E me lot e gjak
Veç për një Shqipëri…
13.
Kosovë-
Epikë kreshnikësh –
Emrat:
Gjergj Elez Ali
Mujë e Halil
E çerdhe fatosash –
Zemrat:
Dashuri, miqësi, besim
14.
Kosovë-
Varg i Poetit të Madh
Që u mëkua me qumështin
Nga gjiri i shenjtë
I mëmë Shqipërisë:
“Kosova
Është gjaku im që nuk falet!”
15.
Kosovë-
Xhamadan kuqezi
E mbushur me lavdi
Je gjak i dëshmorëve
I djelmënisë dardane
Në Flatrat e Shqiponjës
16.
Kosovë-
Je mal me luftëtarë
E Fushë me lulëkuqe
Me krushq pajtimtarë
Je Kështjellë Krenare
Epikë e Përgjakur
E Alpeve Shqiptare
17.
Kosovë –
Tokë e mbushur me varre,
T’mbretërve
E t’sulltanëve
Ndër shekuj trupi yt
Është larë me gjak,
Por gjithmonë fortesë
Kështjellë
Barrikadë
E pamposhtur prore
N’ furtunë dhe shtrëngatë
18.
Kosovë-
Mikpritëse e dashur
Për të shtëpisë mik
Përherë e shtruar sofër
Me bukë e me kripë
Dhe me Besa-Besën
E kullave shekullore
Dhe burrërinë malësore
19.
Kosovë-
Këngë e Përvajshme,
E zemër e drithëruar
Në dëshpërim,
Në ankth
Je ëndërr e kombit
Në vaj,
Në këngë,
Në mallëngjim
20.
Kosovë-
Zemër e nënave-
Lokemadheve
Me zemrat Dragobi-
Shamibardhave
Me zemrat Dardani-
Duarbardhave
Me të dëlirin lot
Për dëshmorët tanë
Që të quajtën NANË
Flamur kuqezi
Me zemër SHQIPNI.
21.
Kosovë-
Djep me dëshira
Për Breznitë Orëmira
Shqipe n’t’ bukurën Valle
Me PUSHKË dhe me SHPATË
Për Shqipëri Natyrale
22.
Kosovë-
Epikë e Vargjeve
Legjendë e shekujve
Kreshnike
Vigane
Me zemër dardane
Me vello nusërie
Je Nuse Lirie,
E Shpirt Shqiptarie
23.
Kosovë-
Moj Fushë e paanë
Dhe ashpërsi shkrepash
Ti, Jehonë Këngësh
Mitesh dhe legjendash,
Mbretër e tiranë
I lave në gjak
Se s’u pate hak
24.
Kosovë-
Qëndrestare moj
Kujt s’i pate hak
Kujt s’i bëre lak
As dje e as sot
Askurrë jetë e mot
25.
Kosovë-
Plagë e dhembjes
Visare e Kombit
Veshur kuq e zi
Kështjellë e barotit
Dhe Shtëpi mikpritëse
E mikut dhe e Zotit…
26.
Kosovë-
Me plisin e bardhë
Gjithmonë mbi vetull
E kaltërt ëndrra jote
Si kaltërsi qielli
E ngrohtë zemra jete
Porsi rreze dielli
27.
Kosovë-
Dhembje e madhe
E plagë që kullon,
Baladë e të vrarëve,
Truall i përgjakur
Vatër e të parëve
Lulëkuqe në fusha
Jo kurrë s’të vret pushka.
Tradhëtarë dhe t’pabesë
Ka me i vra buka,
Thotë poetja vetë:
“Plagë e thellë e zemrës
Je për çdo shqiptar”!
Je ar dhe thesar
28.
Kosovë-
Zemër Shqipërie
Dhe Shpirt Dardanie