11.5 C
Tiranë
E shtunë, 19 Prill 2025

Besim Hoxha 

BRAKTISJA E LIGJËRATËS

 

 

Sa herë kalonte korridoreve të fakultetit apo rrugëve të kryeqytetit, ajo e përpinte me sy.

Kishin kaluar muaj dhe, një ditë ai e përcolli derisa u largua nga parku para ndërtesës së fakultetit. Pak para se të mbërrinte te ndërtesa në formë trekëndëshi e Radio Prishtinës e përshëndeti dhe i propozoi të shkonin në ndonjë lokal aty afër, për të biseduar bashkë. Ajo i tha se atë ditë nuk mund të ndalej, por nëse dëshironte mund ta takonte të nesërmen, në të njëjtin vend pas përfundimit të ligjëratës së fundit.

Takimi i parë ishte në një kafiteri me muzikë të lartë ku nuk mund të merreshin vesh si duhet. 

E lanë një takim të dytë.

Takimin e dytë e bënë në Restaurantin Rugova. Të dytë folën gjerë e gjatë për jetën e tyre. Ai edhe këtë herë gaboi. I foli për një dashuri të tij të parealizuar, kur ishte i ri në shkollën e mesme. Për të dytën herë, që po e bënte të njëjtin gabim. Herën e parë kishte gabuar kur ishte njohur me një vajzë kur ai ishte maturant, e ajo në vitin e tretë. Gati gjatë gjithë takimit i kishte folur me pasion për një vajzë që nuk e hiqte nga mendja. Asokohe nuk e dinte se e gjithë vëmendja duhet treguar ndaj vajzës që e kemi afër. Ajo dhe vetëm ajo, të jetë gati gjithmonë epiqendra e mendimeve tona në çdo kohë gjatë bisedave dhe qëndrimit bashkë, pa përrallisur shumë për dashuritë tjera të parealizuara.

***

Ajo atë ditë kishte ardhur në ligjëratat që i mbanin bashkë një herë në javë bashkë të dy grupet e Katedrës së Albanologjisë. Valit s’kishte si të mos i bëhej qejfi. Ermilda jo çdoherë ishte e pranishme në ato ligjërata, sepse studionte edhe në një fakultet tjetër, dhe në fakultetin ku studionte ai dukej rrallë, për t’ia shtuar atij mallin e pritjes dhe mërzinë.

Atë ditë ishte ulur në një nga bankat e mesit bashkë me një shoqe të sajën, ndërsa ai në bankën e parafundit afër murit, në rreshtin afër derës. Profesori trashalluq dhe tullac, me sytë e zgurdulluar dhe të kuq, me siguri nga leximet e shumta, vazhdonte ligjërimin e tij, ndërsa Vali dëgjonte dhe sytë e mendjen i kishte te vajza që ia kishte rrëmbyer zemrën prej dy muajsh.

Pas përfundimit të pjesës së parë të ligjëratës, ajo i bëri me shenjë që të dinin në korridor dhe të tymosnin nga një cigare bashkë.

– Si thua, pjesën e dytë të ligjëratës po e braktisim, të dalim pak në qytet, ta shijojmë këtë ditë të bukur pranvere. Nuk e di si të duket ty, por mua ditët si kjo më grishin të dalë jashtë dhe të eci rrugëve dhe shesheve të qytetit.

– Dakord,- i tha Vali- Por mos të të bëhet ves që ta braktisim ligjëratën sa herë që të jesh e pranishme edhe ti. Ashtu-kështu, mungesa jonë nuk do të bie në sy. Po të mungonin dy Antonët apo dy Shotat, mungesa e tyre do të vërehej menjeherë.

Dy Antonët uleshin gjithmonë në bankën e parë pranë tavolinës së profesorit, ndërsa dy kusherirat nga një fshat i Deçanit, me flokët e bëra gërshet si të heroinës Shote Galica, uleshin në rendin e parë afër derës.

Pasi shëtitën gjatë, dhe me hapa të ngadalshëm, ashtu siç ecin çiftet e dashuruara, shkuan bashkë te Pallati i Rinisë.

Kur e kaluan portën kryesore, iu kujtua titulli i një gazete që e kishte lexuar diku: “Elita te Elida”. Pasi e kaluan tërë holin me shitore dhe lokale në të dy anët, ai i propozoi të hynin në Ëmbëltoren e njohur “Elida”, për t’u freskuar me ndonjë pije.

– Ja ketu i ke të gjithë intelektualët e kryeqytetit brenda xhamave si në akuarium,- i tha kur po kalonin afër xhamave të ëmbëltores së njohur. Ka nga ata që janë specializuar jashtë. Ketu pijnë pijet e tyre të parapëlqyera, hajnë ëmbëlsira dhe thithin duhan me elegancë dhe pamje prej filozofësh dhe intelektualësh modernë. Të rinjtë, veçanërisht studentët i shikojnë me adhurim. Bile njëri nga ata, që hobi e kishte pikturën, kur i publikonte ato, pa qenë fare jashtë, në njërin cep të pikturave e shënonte ndonjë nga emrat e qyteteve europerëndimore.

Pasi ëmbëltorja ishte e stërmbushur me njerëz, nuk kishte vende të lira, vendosën të ngjiteshin shkallët për në tarracën sipër, ku ishte një restaurant i qetë. Brenda kishte shumë pak njerëz, prandaj mund të zgjedhnin tavolina sipas qejfit. U rehatuan në një tavolinë afër mesit, për të biseduar lirshëm, pa drojën se ndonjë kurreshtar të përcillte bisedën e tyre.

Pasi i porositën pijet dhe kamarieri u largua nga ata, Ermilda hoqi xhaketën e lehtë dhe e vendosi mbi shpinën e ndenjëses.

– Si po të duket fustani që e kam veshur sot? – i tha ajo.

-Ky fustan ta thekson edhe më shumë bardhësinë e fytyrës,-  iu përgjigj  ai.

– Hëm, paske shije.

Fustani i llojit tub, ngjyrë hiri të çelët, ia zbukuronte edhe më shumë fytyrën e saj ovale si të perëndeshave antike.

Pas pak kamarieri u solli pijet. Ajo mbushi gotën,  e afroi te buzët,  piu pak dhe pastaj nxori paketën e cigareve nga çanta. Valit i dukej se sa herë pinte duhan ajo bëhej disi më serioze, dukej pak e përhumbur në mendime. 

Vali zgjati dorën e djathtë drejt dorës së saj të majtë,  që e kishte të lirë, dhe filloi t’ia ledhatonte gishtat. Me këtë gjest sikur dëshironte të merrte sadopak nga trishtimi i saj. Fytyra e saj e rrethuar nga tymi i cigares dukej tepër misterioze. Buzët sensuale që hapeshin sa herë që thithte cigaren dhe nxirrte tymin jashtë, sytë e saj që e përpinin si në ditët e para kur shikimet e tyre kryqëzoheshin në rrugë, e sfidonin me forcë në lojën e magjishme të dashurisë.

Besim Hoxha 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.