Si sot, pikërisht sapo thyhej dita, plot 50+1 vite më parë, të mërkurën e 28.01.1970, Ju – jetëdhënësi im më i parë, kaluat në amshim! Mëngjesi i asaj dite, edhe pse u përshëndetëm, thuajse si zakonisht, ishte e fundit herë që u pamë sy më sy. Teksa ktheshim nga shkolla 8-vjecare me vëllain, Nikollin, nuk paskësh qenë e thanë të të themi “Mirdita babë!”, apo si je e si kalove,…! Zemra juaj, e c’filitur nga sëmundjet, qe ngadalësuar në rrahjet e lamtumirës. As nuk donim t’a besonim, as nuk po iu besonim syve, që kishin shpërthyer në lot…

U ngjite në qiell kur Unë isha vetëm 11 për 12 vjeç, teksa edhe më i madhi djalë, Pashku, sa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak, kurse, të dytin, Lleshin, e kishe dërguar për shkollim në gjimnaz, në Rrëshen. Duke qenë largimi yt, i pari nga familja juaj e madhe, jo vetëm vdekja e parë në sytë e mij ende fëmije, por dhe nga ato që dhimbja të ngulet në asht, në përfytyrimin tim fëmijënor u duk se ora dhe vetë jeta ime do të ndalonin aty. Por, fatmirësisht jo! Ti do të na ndihmoje edhe nga Parajsa, ku shkove të prehesh përjetësisht! Na le jetim, vërtetë të varfër, si gjithë të tjerët, por na le trashëgimi të madhe: ballin e rrugën të hapur dhe vetëm miq. Na ndihmoi emri yt dinjitoz e respekti që la pas, si burrë i besës e fjalës së mbajtur, që i faleshe vetëm të drejtës e virtytit; dëshira mos me i ba keq kujt dhe me ndihmuar më hallexhinjt, edhe pse në varfëri kolektive; zemra jote e bardhë e shumë bujare, edhe me zemërvogëlit, pa e ulur asnjëherë kokën, zvarrisur a lejuar padrejtësinë; na ndihmuan edhe bletët e konsiderueshme që na la, por mjalti mbi mjaltë ishte shembulli yt jetësor e këshillat tuaja: “pasuria më e madhe është yrzi/nderi”, “me shtri këmbët, sipas jorganit”, “mirënjohja është njerëzillëk”…!
Vërtetë na iku “kulmi” apo “trau mbajtës” kryesor i shtëpisë, por Zoti na kishte bekuar me shoqen tënde të jetës që pate zgjedhur të kishim ne për Nënë, të cilën, dhimbja për Ty, aq sa i preu krahët dhe e ligështoi, edhe më shumë e bëri të gjej forcë për t’i bërë ballë jetës, të gjithë së bashku rreth asaj, me mundin tonë, sikurse bëre vetë dhe na porosisje gjithherë të bënim.

Mjerisht u ndamë bash at’herë kur Unë, si i fundit në radhëlindje dhe që më besove të trashëgoj në mënyrë të përsëritur emrin e Gjyshit, sipas rregullit një brez po, tjetri jo, kisha aq shumë nevojë për Ty, apo kur edhe Ju do të merrnit pak më lirshëm frymë, teksa në halle t’u bë krah djali i madh dhe dora-dorës edhe ne tre të tjerët. Ju vetëm na dhatë, deri në fund, jo thjeshtë vetëm atësi e identitet. Por, sëmundja mizore nuk iu la kohë të merrnit mbrapsht borxhin jetësor që investove, të vilnit kënaqësinë, përkujdesjen, fjalën e mirë e respektin e duhur nga pasardhësit, të cilët paskësh qenë shkruar t’ju gëzonin disi vonë, e madje edhe pas tre vëllezërve e motrës tonë (Prengës, Martes dhe Bibës së dyfishtë), nga të cilët Zoti iu privoi, ju si prindër dhe neve, duke i marrë shumë shpejt pranë vetes. Dhe kjo: merr e mos kthe nga ne që jetuam, sidomos ndaj dhuruesit biologjik të jetës, na mbeti brengë e pashëruar. Por, …kjo qenka jeta – jo rrallë e padrejtë!
Dhe vitet e dekadat rendin, e rrjedhimisht edhe ajo ditë aq e trishtë e ndarjes sonë largohet, koha bën të sajën dhe plagët marrin të shërohen, por malli për Ty nuk shterron baba i shtrenjtë! Madje, me ecjen e moshës, bashkë me të cilën rritet zakonisht edhe ndjeshmëria, plus me ndërprerjen e punës a paksimin e aktivitetit intensiv, kujtimet sikur e shtokan dhe bëjnë mallin edhe më brejtës. E, si kundërpeshë e mëkatit tim, që s’kam mundur të vij e “çmallem” sa dua tek banesa jote e përjetshme atje në Oroshin e princave e burrave të dheut, teksa bëj të kundërtën me Nënën që prehet në Tiranë, prandaj me sa duket takohemi shumë rrallë edhe në ëndërra. Por, krejt natyrshëm e jo rrallë më “gudulis” në mendie, biseda e kujtime. E ndër ato grimca memorje fëmije, mbaj të “fotografuar” anën e oxhakut me takëmet e kafes e ferruken/shishen e rakisë në gatishmëri, ku rrije zakonisht, këmbëkryq me vështrim tek zjarri dhe mendjen kushedi se në ç’hall, apo shtrirë, sipas gjendjes shëndetësore; fytyrën tënde që s’lejoje të tregonte asnjëherë se ç’vuante trupi, përherë të rruar (sikur shkoje në zyrë a dasem), burrërore e fisnike, mbi të cilën të rrinin si kurorë flokët e bardhë të shkurtër, që nuk të braktisën asnjëherë; kësulën e bardhë rrafshatake, që e kishe aq merak të shndriste nga pastërtia; takfinën/portofolin ku bashkë me lekët e pakët, ruaje Bardhok Bibën në foto; bisedat me miqt kudoherë të mirëseardhur a udhëtar të zanë nata jashtë, sikurse me bashkëfshatarët, kushërinjt, një prej të cilëve edhe baxhanak e shoq i mirë, hallën a xhaxhain që kishte edhe eksperiencën e luftës partizane, përgjithësisht i kursyer në fjalë, i ftohtë në gjykim e më së shumti serioz, por esencialisht optimist racional, jo vetëm brenda familjes së vogël; “Po” ose “Jo”-në që kur e nxirrje goje, se ndryshonte kurrë koha, apo premtimin shoqëruar me fjalët përbetuese “Për ner të Flamurit”!…
Dhe jeta – stafetë, eci! Ne u rritëm e burrëruam, u bëmë mësues të lartë, inxhinier a oficer e avokat, me detyra të ndryshme të nderuara shtetërore e shoqërore, sikurse krijuam edhe familjet e reja e ardhmërinë e jetës. Më l’a jetim pa bërë 12 vjeç, teksa tani Amelia – mbesa, që më rinoi e bëri gjysh, po vrapon drejt datëlindjes së nëntë e Alicia drejtë gjashtës. Iu gëzove vetëm lindjes së një nipi e mbese, nga Liza – vajza e vetme aq e dashur: Lekës e Landës (siç iu thërrisje Ti), si dhe Teftës së “porositur”. Teksa përgjatë rrjedhës së jetës erdhën në jetë edhe 15 mbesa e nipa nga djemtë, lindjen e të cilëve pati fatin t’a përjetonte bashkëshortja juaj e Nëna jonë e shtrenjtë, që, deri në frymëmarrjen e fundit, bëri gjithçka mundi për minimizimin e mungesës tuaj në jetët e atyre që sëbashku sollët në jetë, madje duke u përkujdesur e mbajtur merak edhe për fëmijët tanë. Gruaja sojnike e bijë në derë të fisme, ta ka realizuar e tejkaluar amanetin, ndërsa ne pasardhësit nuk jam i sigurt ta pohoj plotësisht, edhe pse uroj të kemi ende kohë e rrugë për të bërë. Por, një si amanet tuajin nuk druhem ta pohoj: detyrat shtetërore e shoqërore që na u besuan, nuk i shfrytëzuam, asnjeri e në asnjë rast, për t’i bërë keq njeriu, paçka se ndoshta nuk kishim diskrecion e shumë në dorë për me ba mirë. Nipat e mbesat nuk patën privilegjin t’i gëzoheshin të paturit gjysh (madje të mijt – Miri, që zgjodhi të trashëgojë kishërisht emrin tuaj, si dhe Besi – as nga nëna) dhe dashurisë e përkëdhelive tuaja, por edhe në kushtet e kësaj mungese, të duan e nderojnë në shpirt, secili sipas mënyrës së vet, për genin e gjakun tënd të pastër e fisnik që iu rrjedh në vena, edhe pse janë hallakatur nga Tirana, në Stockholm, Dijon, Dallas, Kretë e Prishtinë, ku për një jetë më të mirë, kanë krijuar e shumuar familjet e jetesën e tyre me 30 stërnipa e stërmbesa, nga doktoreshe Dajana tek Beatrice princesha, që sapo ka nis të belbëzojë, në pritje që ndonjë syresh t’ia bëj edhe bam me ndonjë fejesë, duke krijuar premisa për gjeneratën më të re, të katërt në jetë. Shumica syresh, përfshi mua, kanë bërë, sikurse bëre edhe Ti, babë, për pak vite, kur ishe i ri, që shkove në Dardani. Kjo sepse Shqipërinë e bekuar nga i gjithëpushtetshmi, por të mallkuar e djallosur nga mongolo-osmanët, kufitarët zollumqar e të babëzitur që nuk i zgjedhim e ndryshojmë dot, e jorrallë edhe nga vetë shqiptarët, as brezi ynë nuk mundi ta bëjë dhe afrojë kushte jetese e ardhmërie si Europa, madje as si fqinjët historikisht lakmitarë shtyrje kufijsh e përvetësues të rëndomt historie(!).
Ngushëllohemi së paku, se larg problemeve pafund të kësaj bote, në të përtejmen, më së fundi, pushon babëzia për territore, strategji kundra njëri-tjetrit e pasuri pa limit. Atje nuk dëgjohet se vëllai e motra, prindi e fëmija vrasin a përdhunojnë njëri-tjetrin, se prodhohet virus zhdukjeje, e ngjajnë munstruozitete neveritëse që s’numerohen. Atje, veç varfërisë, merr fund dhe vetmia vrastare e këtejme. Dhe, mes të shumtëve, edhe juve, Babë, iu janë bashkuar jo pak.
Më e keqja mbetet se ndrrimjeta nuk vjen as sipas moshës. Përvec tre djemve, bashkë me nipat: komisar Nduen në moshë martese, e Ndrekën e sapokunorëzuar, si dhe dy vajzave të axhës Prengë, plus Gjonit – me shok vetëveten sidomos për muhabet ode e sofre, bejte e humor, plagë të tjera të mëdha brenda pemës tuaj familjare, na kanë shkaktuar të gjithëve “këputja” e disa luleve të jetës – zemrave tona të shtrenjta, ende pa filluar të shijonin jetët e tyre e gëzonim njeri-tjetrin, duke nis nga pjesëzemra e Nikollit & e Terezes me Pranverën engjëllore që, sapo la 10 muaj, ”fluturoi” drejt qiellit tek gjyshi, sikurse t’u bashkua edhe në banesën e përjetëshme; Aleksandrit & Donikës, deri sa fatmirësisht iu supergëzuam Dajanës “këmbëmbarë”, që kryeson si moshë dhe gjeneratën më të re; Leonorës & Simonit, veçanërisht me largimin misterioz të Losianit aq ëngjëllor e me zhvillim tej të zakonshmes, si dhe e dyta Pranverë ëngjëll, ajo e Adelina & Rigers, që po mirëpritej të vinte e na ”zevendësonte”, së paku si emër, edhe tezen e saj të pafat, me të njejtin emër, por që paskësh qenë shkruar që edhe Ajo të bëhej ylli më i ri qiellor, në gji të tezes e stërgjyshërve. Por dihet se, përtej dëshirës, është e vështirë që të gjitha lulet që celin, t’i mbaje dega, apo pemët!
Gjithësesi, pavarësisht plagëve jetësore, derteve a brengave dhe çdo gjëje të pakëndëshme, por sidomos më së pari shëndetit e mirësive që gëzojmë, edhe në këto kohë kaq të trazuar pandemie, tashmë kur edhe më i vogli yt po i afrohet moshës së ndarjes tuaj nga jeta, edhe në këtë përvjetor pas pesë dekadash, si në cdo 28 janar, të përkujtojmë me dashuri e mall të pafund, si babë e vjehër, si gjysh apo stërgjysh, por edhe idhull në shumë aspekte jete! Bashkë me Nënën time hyjnore dhe engjëjt pasardhës që kanë ”nxituar” t’iu bashkohen, tashmë të gjithë ju si ëngjejt tanë mbrojtës, jetoni thellë në mendjet dhe zemrat tona, si pjesë e parë dhe e rëndësishme e nderit tim e, pamëdyshje, të të gjithë pasardhësve të tjerë, deri në bashkimin e përtejmë!
Ishulli im!
Pa mundur t’ju vij sot aty ku të vendosëm të preheshe para 51 viteve, duke të kërkuar ndjesë, u mjaftova t’ju shkruaj thjeshtë këtë përkujtese e “raportoj” përciptas ç’është bërë me trungun tuaj familjar, teksa pa asnjë zili, ka të tjerë që as lodhen, e as kursejnë t’ju bëjnë prindërve edhe libër a monografi, që janë në modë së fundi. Por, Unë e di se babës tim modest i mjafton edhe kaq!
Në mbyllje, duke falenderuar dhe njëherësh kërkuar ndjesë kujtdo që e lexon këtë përkujtesë disi të zgatur, apo ”Letër Babait”, sepse kështu ndodh kur nuk di të shkruash shkurt, paçka se ky është i pari ”prezantim” i babait tim me fb-un, me shumë dëshirë e, si për sheqerosje, po e shoqërojë atë me pjesë nga poezia, për mua sa aktuale aq dhe pikante, e poetit brilant Petrit Ruka: