Sikur ngjyrat, t’i kishte dora,
Ah, sa shumë gjëra që do të ndryshonte.
Sepse mbi të do derdhej shpirti,
Ngjyrat, si lumi do i vizatonte.
Sa herë sytë të buzëqeshnin
Dora mbi diell, do qëndronte
Dhe sa herë sytë të lotonin
Dora, shiun do t’a rrëzonte
Sa herë buza të belbëzonte
Të kërkonte mallin për djalë
Dora yjet do i zgjonte
Një nga një ashtu me radhë
Edhe kur zemra fort të rrihte
Nga zjarri i djegur i vetmisë
Dora malet do i lëvizte
Djep do i bëhej dashurisë
Sa herë bota të zhurmonte
Të shante, të fyente e të tërbohej
Dora do dridhej mbi tërmete
Mbi fusha e pyje do rrëzohej
Sa herë shpirti të gjëmonte
Zotin në heshtje t’a kërkonte
Dora do shtrihej ashtu e rrudhur
Lëmoshë urtësie do të kërkonte