17.4 C
Tiranë
E shtunë, 13 Qershor 2026

Bujar Qesja

Inmemoriam

Të mirin Fatmir Belegu nuk e kemi më

Nga BUJAR QESJA

Atmosferën tonë shpirtërore, e rëndoi akoma më shumë një tjetër lajm i kobshëm. Një lajm me burimin fillestar nga dy fëmijët e Fatmir Belegut, vajza Klodiana dhe djali Bardhi. Por mëndja më shkon në këto çaste, tek motra e jonë, tek shoqja dhe mikesha jonë e hershme, e mira, e ëmbla, babaxhania dhe zemërmadhja Jeta Belegu (Kërtusha).

Më thonë miqtë dhe shokët, të afërmit po e po, kujdes me këto shkrime Bujar, pasi kanë brenda dhimbje, kanë brenda ngarkesë shpirtërore dhe e shikojmë që ti i përjeton shumë. Por zemra e jote, sado e madhe që të jetë, kapet në vështirësi. Prandaj njëmijë herë kujdes!
I falenderoj pa masë për vëmëndjen ndaj meje, por ja që nuk mund të qendroj i palëvizur, kur ndahen nga jeta njerëz që i njohim dhe na njohin, njerëz që kemi ndarë në këtë jetë relativisht jo të shkurtër derte dhe halle, të mira dhe gëzime, pak muhabet shoqëruar me një kafe shpirti. Kemi pyetur se si jemi dhe e kemi inkurujar njëri tjetrin, për t’u përballuar me vështirësitë dhe tatëpjetat e kësaj jetës tonë me shumë ngarkesë.
Kështu ndodh edhe me Fatmir Belegun, durrsakë të hershëm por që na bëjnë të kujtojmë me kryelartësi edhe origjinën tonë Krujën. Dhe ky Fatmir Belegu u lind në Krujë me 2 qershor 1940 dhe sytë e tij qëndruan të hapura deri më 26 janar 2021 duke u mbyllur përgjithmonë. Por frymëmarrjen e tij do ta dëgjojmë gjithnjë, pasi do ta ndjejmë krahas frymëmarrjes tonë, sepse ishte njeriu ynë, ishte pjesa e jonë më e mirë. Dhe më duhet të zëvëndësoj foljen ishte me foljen është.
Si mund ta harrojmë Fatmirin tonë aq të afërt, me një komunikim oh vetëm ai e kishte dhe të vinte keq kur ndaheshim për tu ritakuar? Me Fatmir Belegun na bashkoi edhe kardio kirurgu i famshëm italian, një nga mrekullitë e mjeksisë botërore Alberto Albertini. Jetën edhe unë edhe Fatmir Belegu, e kemi nga ky i thekur i mjeksisë, duke bërë mrekulli mbi zemrat tona. Në një nga klinikat e famshme kardiovaskulare italiane në Lugo, në afërsi të Bolonjës, mbi dy shqiptarë, mbi dy durrsakë, mjeksia italiane bëri çudinë, të pamundurën, duke na lënë në frymëmarrje. Dhe që nga ajo kohë kanë rrjedhur 17 vite.
Fatmiri mbeti shumë aktiv. E shoqëruar nga zonja e tij e përkryer Jeta, duke iu ndodhur pranë Klodi, Bardhi dhe Artani, por edhe nusja me dhëndërrin, por edhe nipat dhe mbesat, Belegu ynë ndërtoi një jetë komode, të lumtur, ashtu siç e meritonte.
Por oksigjen më vete ishin edhe shoqëria për Fatmir Belegun. Ai i donte dhe i respektonte shokët, familjet e tyre dhe gjithnjë buzqeshte, kënaqej, gëzohej dhe lumturohej. E kemi parë në krah të Gjergj Vlashit, Ejup Maliqatit, Hysen Haxhisë, Agim Shehut dhe të shumë miqve të tjerë.Imazhi mund të përmbajë: 2 njerëz, njerëz që qëndrojnë, pemë, lule, bimë dhe jashtë
Një kapitull i artë i jetës së Fatmir Belegut, mbetet e paharruara Fabrika e Duhan Cigareve “Telat Noga” Durrës. Ai mbaroi me rezultate të larta Fakultetin e Inxhinjerisë (dega mekanike) dhe emërohet në këtë fabrikë. Punoi shumë, u lodh shumë, por edhe u kënaq shumë. Kolektivi linte kokën për Fatmir Belegun.
Që kur lindi ky njeri ishte i mbarë. Ju vendos fati menjëherë. Emri Fatmir ishte prerja më e mirë, që i shkoi për shtat tërë jetën. Fatmir ekuivalencë njeri i mirë, njeri me fat të mirë, zemër mirë. Dhe më me fat ishte, kur lidhi jetën me një zonjë që e kishte emrin Jeta. Pra lidhi jetën me Jetën. Një fat i dyfishtë për të. Shkëlqente Durrësi kur ecnin në rrugë çifti Fatmir dhe Jeta Belegu (Kërtusha). Të folshëm, të qeshur, të gjindshëm në hallet e njerëzve, ato bënë historinë më të bukur të këtij qyteti, njerëzit e të cilit vetëm flisnim mirë për të mirët e tyre.
Me fat edhe për fëmijët. Klodi, një kardiologe shumë e njohur. Durrsakët lenë kokën për të. Por edhe Bardhi shumë popullor, e i kërkuar në shoqëri. Dhe Dritani nuk mbetet pas. Por edhe dhëndërri Edi dhe nusja e shtëpisë Genta, janë për tu pirë në kupë. Dhe në krye të qoshesë qendronte gjithnjë ai, i urti dhe i miri Fatmir Belegu.Imazhi mund të përmbajë: një ose më shumë njerëz dhe njerëz që qëndrojnë
E mërkurë, 27 janar 2021. Një kohë e ftohtë, por me diell. Një diell që do ta shoqërojë për në banesën e fundit, këtë të ndriturin tonë, që sa qe me frymë manifestoi një shkëlqim të rrallë. Varrezat e hershme të Durrësit, sot do të kenë pjesë të tyre Fatmir Belegun. Do të kenë bashkëshortin e denjë, babain e dhëmbshur, gjyshin aq të dashur, mikun dhe shokun tonë shumë të preferuar.
Bashkë me ngushëllimet e një populli të tërë, bashkohet edhe ngushëllimi i një miku të sprovuar të familjes Belegu, i një njeriu që e ka bashkuar zemrën e tij me atë të durrsakëve, ashtu siç bëri tërë jetën e tij 81 vjeçare njeriu ynë i çmuar, i paharruari Fatmir Belegu.
Pushim të paqtë vëlla!

Durrës: 27 janar 2021

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.