9.5 C
Tiranë
E enjte, 16 Janar 2025

ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI PËR VITIN 2024 I JEPET SHKRIMTARES SË KORESË SË JUGUT HAN KANG

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Më 11 tetor të vitit në vazhdim, Akademia Mbretërore e Suedisë bën të ditur se çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2024 e ka fituar shkrimtarja 54-vjeçare koreanojugore Han Kang.

Akademia Suedeze këtë mirënjohje e ndan prej viti 1901. Deri më tani e ka ndarë 116 herë. Në vite të veçanta, me çmimin “Nobel” janë vlerësuar disa laureatë, kështu që deri në këtë çast këtë çmim e kanë marrë 120 vetë. Krahas prestigjit të madh, shkrimtarja do të marrë edhe një shpërblim monetar prej 11 milionë krunash apo rreth 967 mijë euro, përkatësisht 1 milion dollarë.

Han Kang: “Do të jetë një problem kur të vdes – nuk do të mund t’i përfundoj të gjitha idetë e mia”

Ndërsa romani i saj “Mësimet greke” përkthehet për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, autorja koreano-jugore dhe fituese e Çmimit Ndërkombëtar ‘Man Booker’ flet me Annabel Nugent për polemikat e përkthimit dhe dhunën e gjuhës. Tani fiturse edhe e ‘Çmimit Nobel’ në Letërsi.

Han Kang është e para femër nga Azia të cilës i ndahet ky çmim për letërsi dhe person i dytë i Koresë së Jugut që fiton një prej çmimeve “Nobel”.

Sekretari i Shoqërisë së Nobelit bëri me dije se sapo e kishte thirrur, kurse ajo ka qenë duke darkuar me të birin dhe ka qenë paksa e befasuar. Në arsyetim thuhet se ajo është shpërblyer “për shkak të prozës poetike intensive e cila ballafaqohet me traumat historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”.   

Han Kang ka lindur në vitin 1970 në qytetin Gwangiu, para se në moshën nëntëvjeçare, bashkë me familjen të shpërngulej në Seul. Babai i saj ka qenë shkrimtar i njohur. Krahas shkrimit, ajo i është përkushtuar edhe artit dhe muzikës, gjë që është reflektuar në tërë krijimtarinë letrare të saj.

Karriera ndërkombëtare e Han Kang-ut shpërtheu me romanin “Vegjetariania” e botuar në vitin 2015. Për këtë vepër ajo u vlerësua me çmimin “Man Booker”. E shkruar në tri pjesë, libri i pasqyron pasojat e dhunshme që lindin kur protagonistja e saj Yeong-ye refuzon t’u nënshtrohet normave të ngrënies së ushqimit. Vendimi i saj për të mos ngrënë mish has në

reagime të ndryshme, gjë që i shkakton sëmundje psikike dhe tjetërsim nga familja. Sjelljen e saj e refuzojnë dhunshëm edhe bashkëshorti edhe babai autoritar, ndërsa në pikëpamje erotike dhe estetike e shfrytëzon kunati i saj, video artist i cili pushtohet nga trupi pasiv i saj. Në fund e dorëzojnë në një klinikë psikiatrike ku e motra përpiqet ta shpëtojë dhe ta kthejë në jetën ‘normale’. Mirëpo, Yeong-hye zhytet gjithnjë më thellë në një gjendje që i ngjan psikozës të shprehur nëpërmjet “drurit të flaktë”, simbol i mbretërisë bimore e cila, sa është joshëse, po aq është edhe e rrezikshme.

Kryetari i Akademisë Mbretërore të Suedisë Andreas Olsson në arsyetimin e tij përfundon: “Në opusin e vet Han Kang ballafaqohet me trauma historike dhe me një mori rregullash të padukshme, ndaj në çdo vepër të sajën shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore. Ajo posedon një vetëdije unike për lidhshmërinë që ekziston midis trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve, ndërsa në stilin e saj poetik dhe eksperimental është bërë novatore në prozën bashkëkohore”.

*   *   *

Çmimi “Nobel” për letërsi ekziston më tepër se një shekull.  Për herë të parë është ndarë në vitin 1901. Laureat i parë është poeti dhe eseisit francez Syli Prydom (Sully Prudhomme, emri i vërtetë René François Armand Prudhomme, 1839-1907).

Deri tani çmimin “Nobel” e kanë fituar 120 shkrimtarë: 103 meshkuj dhe 17 femra.

Laureati më i ri ka qenë prozatori dhe poeti anglez Xhozef Radiard Kipling (Rudyard Kipling, Bombay, 1865 – Londër, 1936) i cili e mori çmimin “Nobel” në vitin 1907, në moshën 41-vjeçare.

Laureate më e moshuar ka qenë prozatorja britanike Doris Lesing (emri i vërtetë Doris Mej Tajler, anglisht: Doris Lessing, Doris May Tayler; Kermanshah, 22.10.1919 – Londër, 17.11.2013) e cila  u vlerësua me këtë çmim në vitin 2007, kur ajo ishte 88-vjeçe.

I vetmi që e ka refuzua “Nobelin” është romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez  Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, Paris, 1905 – Paris, 1980). Kjo ka ndodhur në vitin 1964.

Në vitin 1957 u botua në Itali në italisht romani “Doktor Zhivago” i poetit dhe prozatorit rus Boris Pasternak (Boris Leonidoviç Pasternak, 1890 -1960). Në vitin 1958 ka roman u botua në Itali edhe në gjuhën ruse. Romani bazohej në traditën e “romanit të madh” (Leon N. Tolstoj “Lufta dhe paqja”). Në BRSS ky roman u konsiderua si antisovjetik, ndërsa në Perëndim Pasternakut iu dha çmimi “Nobel” për letërsi. Në Bashkimin Sovjetik kundër tij u zhvillua një fushatë e tmerrshme. Si rrjedhojë, Pasternaku nuk shkoi ta marrë çmimin.

Vitin 2023 çmimin “Nobel” për letërsi e fitoi shkrimtari norvegjez Jun Fose. Në atë çast kjo shkaktoi befasi për arsye se pretendues të tjerë konsideroheshin favoritë.   

Çmimi ndahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së kimistit, shpikësit, filantropit, kozmopolitit dhe industrialistit suedez, i cili parapëlqente ta quante veten bamirës të njerëzimit, Alfred Bernhard Nobel (Stokholm, Suedi, 21.10.1833 – Sanremo, Itali, 10.12.1896).

Shënim: Në nder të Alfred Nobelit është quajtur elementi kimik nobelij i zbuluar në vitin 1956.

admin
adminhttp://dritare.org
Dritare.Info, Admin
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.