30.5 C
Tiranë
E shtunë, 19 Korrik 2025

Çun Lajçi

 

Të Buni i Bajraktarit fjeta
Deri n’Bogë, mirëboll m’çoi ky zekani jem. Veç mbasi u ndala me i dhanë ujë sharovit, n’Prronin e Thatë, ma s’ia mur mendja me i shtërrnua kambët. Nisi me hingëllua e birave t’hundês me i dalë avull!
E pashë, se s’po ban ballë me iu përdredhë gjarpnores për Qafëthore!
Kal gjermani je bre i thashë! Për dimën e verë t’kan punua! Edhe për bjeshkët e Shalës, jo veç për t’allamonit, ani pse janë veç kërsha t’lamë me pishat si bajrak!
Berti, organizatori, m’tha, le bacë t’pushojë ky teknefec. Eja me mua.
Dhe si cjepët kërshave, ne u ngjitem shpatieve t’Bogës!
I pata ra vitin e kaluem Tamarës deri n’Vermosh, por Bjeshkët e Namuna m’u futen mes Kelmendit e Thethit. Thashë, kur do t’ma bjen Zoti me i pa edhe ato bjeshkë t’egra t’Shalës. Atëherë s’na shkoi mendja se nji kokërr virusi, do t’na i shkundë mirë morrat, e do t’i kemi mall edhe Theth e Shalë!
Por ja që del dikush si

Eduart Grishaj

, birë i këtyne bjeshkëve, e don me ngjallë luftën e malësorve me malazez, tash e 85 vjet ma parë, e na bashkon neve artistëve, n’Bunin e Bajraktarit!

Vjen Tinka me 87 vjet e fiu! Vjen Çuni që librat ia bleu toptan Shkodra, e Adem Karaga i Kërçovës. Vjen Alfred Trebicka, ndoshta i Trebickës! Ku ta di.
N’Qafëthore na pret Gëzim Olaj me t’shoqën Ritën, le e rritë n’Bogë, e n’Lodër lindë femijët!
Mbas dy dekadash kthye n’bunin (dbanin) e babës, mu n’qafën që e ndanë Malsinë me Shalën!
Bukuri magjepse, që përjetohet, por nuk spjegohet!
Aqë sa e frikshme me egërsinë e gurit, e pjerrtësitë marramendëse, po aq joshse me molikë, pishë e klekë, e luginën përrallore të Thethit!
Gropa e Portit me treqind dele tue kullotë barin e kripçit vjeshtak!
Na marrin ngrykë, si kohnave t’bukura, e rakia e thanës na servohet nga Rita.
Artist, m’thotë i zoti i konakut, Gëzim Olaj. Edhe treqind dhi brinore me keca e cjepë, i kam n’Bogë!
Ti qenke vlla me mua i them. Se u rrita n’torishtat e dyqind bardhokave, m’atanë Bjeshkëve t’Namuna!
Sonte e pësë netët tjera, do t’fleshë në trollin ku ka le At Zef Pëllumbi.
Çohen n’kambë, n’shej nderimi, dhe sikur s’iu besoj veshve, i them: Si si?
Njëktu, n’ket kodër, dhe ban me dorë, sikur s’mjafton veç shikimi, aty të ajo molikë, Fishta e pader Anton Arapi, kanë meditua çdo verë. Zef Pëllumbi asht rritë n’prehnin e tyne, e falë Antinit asht ba prift!
Krajl as mbret, s’na kan shkelë artist, se rradaket ua kemi thye me gurë, thot e qeshet!
E lashë Londrën, e paret e djersës që ia mora, i shtina n’trojet e babës.
Këtij dimni do ta blejë edhe nji fadromë për mirëmbajtjen e rrugës, se beson ti a jo, pesë metra borë bjen, sa që as shtëpitë tona nganjiherë s’i shohim! Por ne s’e shohim as Shkodrën për pesë muej, se gjamë e bubullimë deri n’trishtim, shkon këtyne majave!
Po ku asht shteti, i them, që ju len të ngujuem!
Shteti ka shumë punë o artist, e ne i kemi qëllua edhe Zotit edhe pushtetit pak s’i n’qoshe, e besa e Zotit rrallë bajnë ballë me dalë me na pa ku jetojmë e si jetojmë! Atyne iu mjafton me lexua “Majat e Shalës” t’Rose Wilder Lane, e udhëpërshkrimet e Editit, për me ditë se ku asht Thethi e ku Buni i Bajraktarit!
Ç’histori e bukur e kohve t’shkueme, e sa e dhimbshme e ditëve t’mia, kur t’harron pushteti, i them, dhe nga lumnimi që ma n’fund i dola Thethit përsipri, e marr sharkinë e knoj:
*
Kjeka çua Shala n’kambë
Mori Shkodër këtu na ke
Çoje kryet kqyr përpjetë
Nga dy zemra i kem për ty
Mos le krajla përmbi ne
Veç njiherë kemi me vdekë
*
Dhe lëshohet muzgu. Shikimi s’shkon ma as n’Theth poshtë, as n’Pukë atje naltë. Hapin gojët thepat që e rrethojnë veriun, e nisë fishkëllimë ere e bahet ftoftë.
Gëzimi e Rita e dhezin zjarrin e madh para konakut, e ne artistët i lexojmë batutat me regjizor Eduartin.
Sharkia bjen deri vonë, se vjen nga Shkreli Don Sheldia, e m’thotë: Knoma kangën e Dervishit ” Moj Shqipni mos thuej mbarova” e zani përplaset kërshave t’Shalës deri n’Dukagjin!
Lumi unë që s’vdiqa dje me libra n’atë zapullimë Shkodre, se kisha mbetë pa e pa ket bukuri!
Qafëthore, 18.09.2020
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.