21.2 C
Tiranë
E hënë, 8 Qershor 2026

Daim Hiseni

PLATFORMA KOMBËTARE

Risultato immagini per shqiperia

KËSHILLI KOORDINATIV

PLATFORMA KOMBËTARE

SHKUP, 2021

 

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË BALLKAN/ GADISHULLI ILIRIK

Shekulli XXI çështjen shqiptare e gjeti politikisht të pazgjidhur. Pas, më shumë se  gjysmë shekulli të ndryshimeve politike, ekonomike, e sociale sidhe pas tranzicionit me fitoren e forcave politike dhe demokratike ndaj sundimit të sistemeve totalitare ndër popujt e Evropës juglindore, në veçanti ndër popujt e Ballkanit, ku në pjesën më të gjërë të saj shtrihet populli shqiptar me territorin e vet, çështja shqiptare u aktualizua si çështje me rëndësi të veçantë e cila edhe sot e kësaj dite kërkon zgjidhjen e saj.

Shqiptarët mësuam shumë gjëra nga përvojat dhe përjetimet shekullore të shumë gabimeve dhe lëshimeve tona, por edhe nga kombinime dhe këmbim qëndrimesh politike që çuan deri në faktorizimin dhe krijimin problemit me çështjen akoma të pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë.

Gjeneza e çështjes sonë tash më dihet fare mirë, se fillimet e krizës së saj janë të lidhura me vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, vendimet e më vonshme të Konferencës së Paqes në Paris më 1919/20. Pasojat e rënda të këtyre vendimeve në dëm të popullit dhe kombit shqiptar tashmë nuk janë  transparente vetëm për shqiptarët, por, edhe për gjithë popujt dashamirë të botës demokratike. Këto vendime të padrejta të kancelarive evropiane përshkuan mespërmes indin kombëtar të shqiptarëve duke e dëmtuar seriozisht popullin tonë deri në ditët e sotme. U copëtua trungu kombëtar, u cenua dhe u pengua zhvillimi ekonomik dhe tregu i përbashkët i shqiptarëve.

I tërë arsenali kulturor e shpirtëror i kombit shqiptar u nda dhe u fragmentarizua në dëm të zhvillimit të kombit shqiptar. Prandaj, vendimet e këtyre konferencave i konsiderojmë si vendime të gabuara politike, me tendencë të mbështetjes së ortodoksizmit sllavë dhe e gjithë kjo me presion dhe insistim të Rusisë Cariste duke dëmtuar zhvillimet ekonomike, kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët dhe për vendin e tyre, madje, pasojat e këtilla shqiptarët i përjetojnë rëndë edhe sot. Për këtë shkak çështja shqiptare u bë çështje e përgjithshme kombëtare dhe si e këtillë kërkon zgjidhje të përbashkët. Tashmë është e qartë se me çështjen shqiptare nuk mund të bëhen spekulime, sepse për në shqiptarët kjo çështje përbën tërësinë e natyrshme dhe vitale të interesave të popullit më të lashtë në Ballkan. Zgjidhjen e fatit të saj e konsiderojmë çështje jetike dhe pikërisht këtë çështje e lidhim me ekzistencën dhe me parimet zhvillimore të popujve demokrat dhe në kuadër të tyre edhe të popullit shqiptar.

Me fjalë të tjera, në fazën e proceseve integruese Euroatlantike rajonale dhe globale, zgjidhjen e çështjes shqiptare e konsiderojmë të mundshme në kuadrin e ndërvarësisë së kësaj çështje me proceset integruese zhvillimore të integrimeve bashkëkohore ndër shqiptare në rajon dhe më gjerë. Për këtë shkak mendimi i lirë politik dhe demokratik i fundshekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit njëzetenjë shkaktoi shpalosje të gjithanshme të organizimit politik, historik, etnografik, demografik, ekonomik, kulturor e fetar, sipas të cilave shqiptarët janë një etnitet kombëtar. Prandaj, integrimet politike dhe ekonomike rajonale duhet të përfshijnë edhe integrimin e trojeve të shqiptarëve të ndarë dhe mundësinë e bashkimit të tyre. Ky do të ishte një integrim dobiprurës për të gjithë, që do të çonte pashmangshëm në një zgjidhje të qëndrueshme për shqiptarët dhe për të gjithë popujt e botës demokratike.

Natyrisht, zgjidhja e këtillë ka karakter procesor, që mbështetet në funksionin ndërlidhës e koherent ndërmjet subjekteve dhe institucioneve shqiptare në territoret etnike. Këtij procesi do t’i ndihmojë edhe organizimi i institucioneve Euroatlantike për integrimin e rajonit dhe të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Unionin Evropian. Angazhimi i këtillë i faktorit mbarë shqiptar është në harmoni me ecuritë e raporteve politike, ekonomike dhe sociale të botës demokratike duke bashkëpunuar me të gjithë popujt në bazë të parimeve universale të lirisë, të demokracisë, të barazisë, të paqes dhe të drejtësisë. Prandaj konsiderojmë se motivi dhe vizioni kryesor duhet të jetë integrimi dhe bashkimi i shqiptarëve në paqe dhe me paqe.

INTEGRIMET NDËR SHQIPTARE dhe BALLKANI/GADISHULLI ILIRIK

Në rrjedhjen e sotme politike  proceset integruese ekonomike dhe sociale kanë hapur portat integruese për shumë vende duke përfshirë edhe trojet shqiptare. Këto procese integruese të përgjithshme po konkretizohen gjithnjë e më tepër edhe në proceset integruese ndërshqiptare, sikurse edhe ato të shqiptarëve me të tjerët. Lirimi gjithnjë e më i shpejtë nga euforia, nga ngazëllimi dhe nga ngarkesat sentimentale të tepruara, po krijohen ndër gjithë shqiptarët energji të reja për shtrirje të gjerë të lirisë politike dhe të zhvillimit demokratik. Këtë energji shqiptarët e trojeve të ndara dhe shqiptarët e diasporës e kanë drejtuar në zhvillim të institucioneve demokratike dhe në ngritje të vetëdijes kolektive kombëtare për t’i arritur synimet e kamotshme kombëtare.

Në këtë mënyrë pasojat e së kaluarës së hidhur të ndasive politike, ekonomike, kulturore, madje edhe të ndarjes dhe përçarjes, po zëvendësohen me ndërveprime politike, ekonomike, sociale, infrastrukturore dhe kulturore.

Këto lloje ndërveprimesh më të theksuara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ndërsa më të pakta ndër pjesët tjera shqiptare, me të gjitha nuancat e tyre po përforcojnë procesin e integrimeve ndërshqiptare krahas integrimeve rajonale dhe të proceseve të globalizmit të raporteve integruese ndërkombëtare. Në “Botën Shqiptare” hasim burime të mëdha intelektuale, individë profesionistë dhe burime financiare të rëndësishme për zhvillim më të shpejtë të shoqërisë shqiptare në trevat e tyre.

Të gjitha këto burime kanë mundësi të futen në qarkullim ekonomik, në rend të parë në qarkullim ekonomik ndërshqiptar. Viseve të banuara me shqiptarë, më shumë se kurrë i nevojitet komunikimi ekonomik, infrastrukturore e zhvillimore, qarkullimi i lire i resurseve njerëzore, para së gjithash, i barrierave të mendimit shkencor, i vlerave shoqërore, i mallrave dhe i kapitalit ndërshqiptar. Do të thosha se në kushtet e integrimeve dhe të konkurrencës ekonomike rajonale shumë shqiptarë po bëhen aktorë aktiv të tregut të lirë. Realitetet e hapësirave të reja ekonomike dhe sociale kanë nevojë për kontributin e mendimit shkencor që duhet të bëjë prirjen për fillimin e strategjisë së integrimeve ndërshqiptare dhe të bashkimit kombëtar. Ky realitet i krijuar me ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomiko-sociale po përballet me një frymë të re të bashkërenditjes së përpjekjeve të shumë shqiptarëve në shtytjen e ritmeve integruese ndërshqiptare. Por rezervat ndaj këtij projekti do të shfaqen edhe atëherë kur këtë ide e shikojmë në kuadrin e rrjedhave bashkëkohore dhe të proceseve zhvillimore të përbashkëta. Për më shumë, këto rezerva ndaj integrimit ndërshqiptare do të jenë të pranishme edhe atëherë kur këtë integrim e parashtrojmë jo vetëm në trajtën e proceseve, por edhe në sfondin e integrimeve shqiptare në civilizimin Euro-Perëndimor. Megjithatë, për ne rëndësi të posaçme ka fakti se tendenca e integrimit ndërshqiptar është fuqizuar në kushte të veçanta të zhvillimit të kombit shqiptar.

Mirëpo, për realizim të suksesshëm të këtyre proceseve, lëvizjet me karakter mbarëkombëtar duhet të veprojnë në drejtim të harmonizimit të programeve politiko-strategjike dhe të bashkërendisim veprimet tona në mbarë hapësirën shqiptare sidhe në diasporë duke u përcaktuar në projekte konkrete.

 

BASHKIMI KOMBËTAR SHQIPTAR NË BALLKAN / NË GADISHULLIN ILIRIK

Duke qenë  të vetëdijshëm se bashkimi i kombit shqiptar nuk mund të realizohet me mbajtjen e një kongresi apo kuvendi mbarë kombëtar, por kërkon angazhim permanent në realizimin e një strategjie unike dhe të veprimit në faza, duke përmbushur gjitha obligimet që dalin nga proceset integruese në rajon, NATO dhe UNIONI Evropian paneglizhuar proceset integruese ndërshqiptare.

  1. FAZA E PARË:

Kjo fazë përfshinë BASHKIMI SHPIRTËROR – dhe ka filluar me rënien e MURIT TË BERLINIT (1990) dhe me hapjen e kufijve brendashqiptar ku lëvizja e lirë e tyre në hapësirën shqiptare dhe më gjerë bëri të mundur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Kjo fazë është kah fundi i mbylljes, ku zenitin e vet e arriti gjatë viteve 1999-2001, me luftërat që u zhvilluan në KOSOVË, KOSOVËN LINDORE (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) dhe në MAQEDONINË VERIPERËNDIMORE, ku pjesa dërmuese janë shqiptarë autokton, me ç‘rast fuqishëm erdhi në shprehje thënia:  “NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË QËNDRIM“.

Kjo fazë ka qenë mjaft e rëndësishme për shqiptarët në Ballkanin perëndimor, sepse arriti të lidh fijet e shkëputura ndërmjet shqiptarëve për pesëdhjetë vite izolimi, dhe të ngre vetëdijen kombëtare në një nivel shumë të lartë për rrezikun që u kanosej vëllezërve të tyre në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovën Lindore, në mbrojtjen e territoreve nga pushtuesit SLLAVO-ORTODOKS.

  1. FAZA E DYTË:

Kjo fazë përfshinë Bashkimin (bashkëpunimin) INSTITUCIONAL – dhe ka filluar me shpalljen e R. së Kosovës shtet SOVRAN dhe i PAVARUR në Ballkan me një mbikëqyrje të lehtë ndërkombëtare, dhe me anëtarësimin e R. së Shqipërisë në NATO si anëtare e plotfuqishme.

Kjo fazë e bashkëpunimit institucional mes shqiptarëve është e një rëndësie të veçantë, sepse brenda procesit të integrimeve ndërshqiptare do të duhej të krijohen institucione të përbashkëta me karakter mbarëkombëtar të cilat do të përshpejtonin proceset e integrimit në të gjitha fushat e jetës. S’ka dyshim se bartës të këtij bashkëpunimi institucional do të jenë R. e Shqipërisë dhe R. e Kosovës si shtete të pavarura dhe sovrane duke përfshirë në këto institucione të përbashkëta edhe viset tjera shqiptare në realizimin e projekteve të përbashkëta.

Natyrisht këto projekte të përbashkëta do të kenë për bazë frymën e bashkëpunimit rajonal si parakusht për anëtarësim në institucionet Euro-Atlantike.

Në fazën e bashkimit institucional duhet të ketë angazhim konkret, projekte konkrete siç janë:

  1. Themelimi i INSTITUTIT për çështje strategjike kombëtare i cili do të hartonte strategjinë e zhvillimit politik, ekonomik, social, arsimor e kulturor në Maqedoninë e Veriut dhe të harmonizuar me hapësirën mbarë shqiptare.
  2. Themelimi i një BANKE mbarëkombëtare e cila do të duhej të akumuloj kapitalin shqiptar në viset ku jetojnë dhe në diasporë për investime kapitale në mbarë hapësirën shqiptare.
  3. Themelimi i një AKADEMIE të shkencave dhe arteve e cila do të themelohej me vendim të kuvendeve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe do të përfshinte në radhë të sajë ajkën e Shkencës nga trojet shqiptare dhe diasporë.
  4. Hartimi i ABETARES së përbashkët për gjithë nxënësit shqiptar si dhe harmonizimi i plan-programeve nga arsimi para universitar deri te ato universitare dhe pasuniversitare.
  5. Hartimi i ENCIKLOPEDISË mbarëkombëtare, jemi ndoshta i vetmi popull që s’kemi enciklopedi kombëtare.
  6. Themelimi i QENDRAVE për bashkëpinim profesional të shoqërisë civile, OJQ-ve, shoqatave kulturore dhe klubeve sportive me qëllim të forcimit të lidhjeve më të ngushta të zhvillimit dhe realizimit të programeve të përbashkëta duke ju dhënë hapsirë bashkëpunimi krijuesve shqiptar në të gjitha lëmitë e veprimtarisë së tyre dhe të veprimit profesional, shkencor, artistik dhe sportiv.
  7. Themelimi i TEATRIT mbarëkombëtar duke angazhuar aktor të mëdhenj që veprojnë në trojet shqiptare dhe në diasporë qoftë ai edhe vetëm me origjinë shqiptare.
  8. Themelimi i një KINOSTUDIO me karakter gjithëkombëtar e cila do të prodhonte film cilësor nga kultura dhe trashëgimia mbarëkombëtare.
  9. Themelimi i një qendre biznesi (Odë ekonomike) ku do të zhvilloheshin aktivitete ekonomike nga gjithë hapësirat shqiptare dhe diaspora.
  10. Organizimi i një konference permanente e cila do të jetë me karakter mbarëkombëtar dhe do të angazhohet për tolerancën dhe intolerancën ndërfetare brenda shqiptare për të identifikuar qarqet e ngarkuara me gjysmë të vërteta dhe të pavërteta lidhur me besimet e tyre.

Me formimin dhe funkcionimin e institucioneve të lartshënuara do të filloj një epokë e re, ku këta institucione në të ardhmen do të hartojn planet dhe programet e tyre si pjesë e  strategjisë kombëtare në zhvillimin, organizimin, kultivimin dhe jetësimin e interesave të tyre duke përfshirë të gjitha fushat dhe lëmitë e duhura.

Krijimi i institucioneve të përbashkëta do të mundëson unifikimin e mendimit dhe këndvështrimit racional të pozitës faktike dhe formës të së jetuarit bashkarisht si shqiptar.

Kjo situatë e krijuar, së shpejti do të prodhon edhe normën juridike për t’u bashkuar shqiptarët politikisht.

  1. FAZA E TRETË:

Kjo fazë përfshinë BASHKIMIN POLITIK SHQIPTAR. Fillimi i saj është në momentin kur plotësisht do të përfundojë faza e dytë, e cila kishte të bëjë me Bashkimin dhe bashkëpunimin institucional duke krijuar institucione të përbashkëta si nevoj e domosdoshme në ngritjen e nivelit të barabartë intelektual dhe të vetëdijes kombëtare si parapërgatitje për aktin final të përmbylljes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan. Duhet patur parasysh që edhe Bashkimi politik shqiptar në Ballkan i ka disa etapa nëpër të cilat do të duhet të kalojnë shqiptarët, dhe ate:

  1. Përshtatja ndaj gjeopolitikës së re në Ballkan që determinon strategjinë për Shtetëzimin e Shqiptarëve në vendet ku jetojnë gjatë shekujve e jo me shkëputje dhe bashkëngjitje Shqipërisë. Mbi këtë strategji u krijua Kosova shtet i pavarur dhe sovran dhe, Maqedonia e Veriut është rrugës për t’u transformuar në shtetin e tretë Shqiptar në Ballkan.
  2. Integrimet Euro-Atlantike do të hapin mundësinë e përshpejtimit të bashkimit politik të shqiptarëve. Kjo etapë është e rëndësishme për shqiptarët, pasi që ata përfundimisht bashkohen në trojet ku jetojnë të ndarë, kurse në Bruksel do të bashkohen përfaqësitë e tyre.
  • Bashkimi politik Shqiptar në Ballkan fillimisht do të ndodhë si bashkim i shteteve Shqiptare e më vonë edhe pjesët e mbetura jashtë, pra mund të ndodhë një “BENELUKS” Shqiptar në Ballkan, sipas modelit Konfederativ, Federativ apo Union shtetesh.
  1. Nuk mund të përjashtohet bashkimi politik shqiptar në Ballkan me korrigjimin apo ndryshimin e kufijve në Ballkan, për çka janë të interesuar edhe popujt tjerë në Ballkan si Serbia, Kroacia dhe Bashkësia Ndërkombëtare e cila e sheh si një nga opsionet e nevojshme për të zgjidhë një herë e përgjithmonë problemet etnike në Ballkan, si nevojë e garancës së sigurisë dhe paqës në rajon dhe më gjërë.

 

ANGAZHIMI I KËSHILLIT KOORDINATIV NË JETËSIMIN E PLATFORMËS KOMBËTARE

  1. Këshilli Koordinativ parimet e përgjithshme nga kjo platformë kombëtare do t’i përfshinë në programin e Lidhjes, duke krijuar dhe kultivuar forma të ndryshme të veprimit, formimin e trupave sidhe afatizimin për operacionalizimin e tyre drejt realizimit të qëllimit dhe ate: Kumtesa, deklarata, peticione, memorandume, konferenca shtypi, tribuna, sesione, simpoziume, konferenca shkencore, përvjetorë, promovime, manifestime kombëtare sidhe përmes mekanizmave, trupave dhe metodave demokratike që i kërkon dhe imponon situata.

Këshilli do të angazhohet:

  • Në mënyrë që të gjitha format e veprimit të saj të kenë karakter gjithëkombëtar dhe të shtrihen në gjithë hapësirën shqiptare duke përshirë edhe diasporën.
  • Për një bashkërenditje të veprimeve të përbashkëta në mbarë hapësirën shqiptare dhe në diasporë me qëllim të marrjes së qëndrimeve të përbashkëta për çështjen madhore të kombit.
  • Për të vendosë komunikimin dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet dhe asociacionet që në veprimtarinë e vet shtrojnë e shqyrtojnë çështjet me interes gjithëkombëtar.
  • Që Projekti më serioz dhe më i rëndësishëm i KËSHILLIT KOORDINATIV të jetë ai i arsyeshmërisë historike, politike, ekonomike, demografike, kombëtare dhe ndërkombëtare i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, si zgjidhje e vetme e drejtë dhe e plotë për çështjen shqiptare.

Interes jetik i ardhmërisë së kombit është bashkimi i kapaciteteve tona, që me përkushtim dhe sa më shpejt të fillon implementimi i PLATFORMËS KOMBËTARE  i paraparë me etapat, fazat, faktorët dhe mundësitë e ndryshimit të pozitës së shqiptarëve deri në zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare. Platforma Kombëtare e KËSHILLIT KOORDINATIV paraqet një kontribut të veçantë të kësaj natyre dhe në këtë fushë të ndërtimit të strategjisë kombëtare.

  1. Një fushë e veçantë e interesimit për Këshillin Politik do të jetë çështja e diasporës shqiptare. Fakti se pjesa më e madhe shqiptare jeton në diasporë, vetvetiu e faktorizon dhe veçon diasporën si një prej çështjeve më të rëndësishme, por edhe më të ndjeshme të çështjes shqiptare. Me qenë se shkaqet e një shpërndarje të madhe të shqiptarëve nëpër botë janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe politike, këto dy aspekte të çështjes së diasporës shqiptare do të jenë në fokus të interesimit të KËSHILLIT KOORDINATIV, sikurse që është angazhimi dhe nevoja për bashkërenditjen e veprimeve dhe unitetin e saj.

Nëpërmjet veprimit të vetë në diasporë Këshilli Koordinativ do të angazhohet:

  • që çështja shqiptare të sensibilizohet në institucionet shtetërore të vendeve të Evropës dhe të SHBA-ve me qëllim të sigurimit të përkrahjes së qeverive të atyre vendeve, në mbështetjen e procesit të zgjidhjes së drejtë dhe të plotë të pozitës së shqiptarëve në trojet e veta etnike.
  • në ruajtjen e lidhjeve të diasporës me atdheun, me familjen, me vendlindjen, me jetën, zakonet, gjuhën dhe kulturën e tyre;
  • ta përqendrojë veprimtarinë e vet në organizimin e diasporës shqiptare mbi baza kombëtare, nëpër organizata, klube dhe shoqata, e jo mbi baza politike e partiake që mund të shpijnë në copëtimin e saj.

Këshilli do të interesohet veçanërisht për sigurimin e kushteve dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të shpërndare nëpër botë, duke dhënë ndihmesën e vetë të drejtpërdrejtë për shkollimin plotësues e cilësor në gjuhën amtare të fëmijëve te mërgimtarëve tanë, ku parasheh botimin e librave të ndryshëm, nga abetarja e përbashkët deri te historia e vërtetë dhe e përgjithshme e popullit shqiptarë.

Në kuadër të angazhimit më diasporën dhe rreth diasporës Këshilli Koordinativ do të shfaqë një përkujdesje të veçantë në përpjekje për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur duke mbështetur investimet e biznesmenëve shqiptar dhe të huaj në viset shqiptare dhe duke krijuar kushtet për kthimin e tyre.

  1. Këshilli angazhohet për krijimin e konsensusit shqiptar në shtruarjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare në tërësinë e saj:
  • Këshilli nuk miraton atomizimin e çështjes shqiptare në Ballkan, por të kundërtën, atë e sheh si të dëmshëm për tërësinë e saj, me epilog tashmë të njohur të trajtimit të një gjysme të kombit shqiptar si pakicë kombëtare.
  • Këshilli do ta ketë për detyrë të përhershme që opinionit të brendshëm e, veçanërisht atij ndërkombëtarë t’ia paraqes çështjen shqiptare si gjendje të një populli të ndarë, për t’ia bërë të njohur botës të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar, keqtrajtimet dhe gjenocidin që ka përjetuar ky popull dhe që t’ia arsyetoj botës synimin shekullor të shqiptarëve për bashkim.
  • Këshilli do të angazhohet ta përmbushë veprimin e vet të përditshëm edhe nëpërmjet formave të veçanta të veprimtarisë nga organizimi i konferencave shkencore deri te botimi i veprave të veçanta nga kjo fushë e interesimit të saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi, angazhim ky që do të fokusohet në depërtimin e së vërtetës për të drejtën historike dhe etnike të shqiptarëve për trojet në të cilat ata jetojnë.
  • Konsiderojm se vetëm një angazhim më i madh në këtë fushë do të sigurojë që bota të mësojë të vërtetën për Shqipërinë etnike, e cila, me tendencë dhe qëllime propagandistike antishqiptare, veçanërisht në qarqet serbe e më gjerë, paraqitet si përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Sintagma “Shqipëri e Madhe” konsiderohet e huaj për shqiptarët dhe ajo si e tillë nuk bën pjesë në fjalorin politik të tyre.
  • Do të angazhohemi për integritetin kombëtar të shqiptarëve duke e konsideruar integritetin kulturor shqiptar parakusht, madje edhe themel për integritetin e përgjithshëm shpirtëror kombëtar të shqiptarëve. Në programin e KËSHILLIT KOORDINATIV, në fazën e parë të qenies dhe të veprimit të saj, do të dominoj përpjekja për të kultivuar integritetin kulturor të shqiptarëve, si paraprijës për integritetin e përgjithshëm të tyre.
    1. Duke e konsideruar bashkimin kombëtar zgjidhjen e vetme të drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare, përcaktimet tashmë të pjesshme të shqiptarëve në Kosovë, në Kosovën Lindore, në Maqedoninë e Veriut, Sanxhakut dhe në Mal të Zi, bashkë me statusin e përkufizuar të Çamërisë, i konsiderojm vetëm si zgjidhje kaluese drejt zgjidhjes së drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare.

Këshilli mbështet vetëm ato zgjidhje të pjesshme të çështjes shqiptare të cilat nuk e mbyllin, por e lënë të hapur rrugën e zgjidhjes së drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare. Angazhohemi për depërtimin e së vërtetës për shqiptarët në botë dhe për të drejtën e tyre për të jetuar të lirë e të barabartë me popujt e tjerë, duke arsyetuar të drejtën e tyre për të jetuar në një shtet, si synim historik i shqiptarëve të ndarë.

  1. Besojm, se rajoni do të vazhdojë të jetë vatër krize e konfliktesh dhe se nuk do të mund të integrohet në Evropë pa zgjidhjen e drejt, të plotë dhe të qëndrueshme të çështjeve kombëtare të popujve, përfshirë këtu, natyrisht, edhe çështjen kombëtare të popullit shqiptar.

Këshilli konsideron se më e drejtë është rivendosja paqësore e kufijve etnikë se sa ruajtja e përgjakshme e kufijve ekzistues, me pasoja përherë të rrezikshme për paqen e stabilitetin në rajon dhe në Evropë përgjithësisht, duke qenë e ndërgjegjshme se zgjidhja e drejtë dhe e plotë e çështjes shqiptare kërkon edhe zhvendosje kufijsh shtetëror.

  1. Këshilli Koordinativ shfaqë pikëpamje se paqja dhe fqinjësia e mirë ballkanike nuk mund të sigurohet me pozitën e kombit shqiptar të ndarë më dysh e të copëtuar nën shtetet e reja të sllavëve të jugut. Ajo angazhohet për korrigjimin e padrejtësive të kancelarive evropiane ndaj kombit shqiptar, duke mos cenuar të drejtat dhe liritë e popujve të tjerë dhe të vendeve të tyre.

Këshilli Koordinativ zgjidhjen racionale e demokratike të çështjeve etnike dhe kombëtare i konsideron parakusht të evropianizimit të Ballkanit, të zhvillimit të demokracisë moderne, të krijimit të shoqërisë civile dhe të konceptimit të ekonomisë së tregut.

  1. Këshilli Koordinativ, me gjithë përcaktimet e tashme politike të pjesshme të shqiptarëve, çështjen e pozitës së tyre, sikundër dhe çështjen shqiptare në përgjithësi, e trajton si një çështje të pandarë. Madje, ajo konsideron se ngritja e plotë, e pandarë, pra e pashkoqur e tërësisë së çështjes shqiptare po bëhet gjithnjë e më e arsyeshme, qoftë nga aspekti historik e politik, ashtu edhe nga aspekti kushtetues – juridik i saj.

Duke u angazhuar për një qasje të plotë të çështjes shqiptare, Këshilli Koordinativ

  • e konsideron të padrejtë gjendjen e tashme faktike të ndarjes së popullit shqiptar dhe të trojeve të tij etnike dhe, deklarohet kundër vrojtimit dhe të shqyrtimit të çështjes shqiptare në disa pjesë të saj.
  • angazhohet që çështja shqiptare, si në komunikimin brendashqiptar, ashtu edhe në komunikimin me subjektet me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare, të shtrohet dhe të shqyrtohet si çështje unike.
  • konsideron se vetëm në këtë mënyrë qendrat e vendosjes ndërkombëtare do të mund të kishin një qasje të drejtë dhe të plotë për çështjen shqiptare dhe projeksion të qartë për zgjidhjen e saj, pra për të ardhmen e shqiptarëve në Evropën Juglindore.
    1. Duke u angazhuar për një qasje të plotë të çështjes shqiptare, Këshilli Koordinativ shpreh bindjen se pa një zgjidhje të tërësishme të pozitës së shqiptarëve në Evropën Juglindore, nuk mund të ketë zgjidhje të krizës politike në të dhe në rajon. Shqiptarët janë i vetmi popull në Evropën Juglindore që nga të gjitha anët, kufizohet me vetveten, me qenë se në të kaluarën është copëtuar në disa shtete. Këshilli Koordinativ shtron para subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare kërkesën për përfilljen e popullit shqiptar si një tërësi unike dhe vrojtimin e çështjes shqiptare në mënyrë tërësore.

Këshilli Koordinativ thekson se shqiptarët në këto troje e kanë gjithë historinë e tyre, traditën, trashëgiminë, kulturën, shtresëzimin social, komunikimet dhe raportet me popujt e tjerë përreth . Popullata shqiptare në trojet e veta në ish Jugosllavinë dhe territori i saj etnik gjatë gjithë historisë ka jetuar dhe ka funksionuar si një bashkësi etnike më pjesën tjetër të shqiptarëve ne Ballkan.

  1. Këshilli konsideron se shqiptarët përballen sot me dy sfida të mëdha historike: çështjen e pazgjidhur kombëtare dhe integrimin në qytetërimin perëndimor.

Këshilli vlerëson se çështja shqiptare në proceset e reja politike në Ballkan ende nuk e ka trajtimin përkatës nga ana e subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare, madje ndonjëherë edhe injorohet fare, me faktin se ajo shtrohet si e pandarë, në kuadër të segmenteve të veçuara të saj. Kështu është me çështjen e pozitës së shqiptarëve në Kosovën Lindore, me atë të shqiptarëve në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me përbërësit e tjerë të saj.

Për shqiptarët e Kosovës krijimi i shtetit paraqet një përfundim logjik të etnikumit poligjenetik. Vetëpërcaktimi është e drejtë e shqiptarëve dhe nëpërmjet së drejtës për vetëpërcaktim ata, në fakt, pretendojnë të bëhen faktor dhe subjekt i vërtet politik, jo vetëm në raport ndaj vetes por edhe në raport ndaj të tjerëve. Nga pikëpamja konstitucionale, është e padiskutueshme se shqiptarët në Kosovë paraqesin një etnikum të qartë me të cilin identifikohet popullata kompakte me territorin e vet, prandaj, si historikisht ashtu edhe politiko-gjenetikisht, është fare e logjikshme që secili etnikum, pra edhe etnikumi shqiptar në Kosovë, të synojë krijimin e shtetit si realizim të vetin në histori.

  1. Këshilli Koordinativ, Kushtetutën e Maqedonisë të vitit 1991 e konsideron si gjeneratorin themelor të krizës në raportet shqiptaro-maqedonase, përshkak të pozitës denigruese kushtetuese-juridike, të shqiptarëve në të dhe veçmas për shkak të trajtimit të tyre si pakicë kombëtare.

Duke u nisur nga nevoja e avancimit të pozitës kushtetuese-juridike të shqiptarëve në Maqedoni dhe njohja e së drejtës së tyre për të qenë subjekt i barabartë dhe shtetformues në të, Këshilli Koordinativ shtron nevojën për arritjen e një marrëveshjeje historike ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera autoktone në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Këshilli Koordinativ angazhohet për ripërkufizimin e Maqedonisë si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtetformues dhe politiko-kushtetues të barabartë të popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut., si pikënisje për nxjerrjen e kushtetutës së re të saj.

  1. Përkufizimin e Maqedonisë së Veriut si “shtet i përbashkët i popullit sllavo-maqedonas, i popullit shqiptar dhe i pakicave kombëtare e i grupeve të tjerave etnike, si në kuadër të shtigjeve historike të lindjes dhe të zhvillimit të mëvetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut., ashtu dhe në kuadër të qenies bashkëkohore të saj”.
    • Për ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “mbi bazën e afirmimit të plotë të lirive kombëtare të qytetarit dhe të lirive institucionale-kombëtare e të barazisë së plotë kombëtare ndërmjet tyre”,  nënkupton:
      • Ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për të ndërprerë represionin dhe dhunën sistematike të pushtetit serb ndaj popullatës shqiptare në tri komunat e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) dhe e nënvizon se shkallëzimi i represionit dhe i dhunës së pushtetit serb ndaj shqiptarëve etnik në këto troje veçanërisht është rritur pas artikulimit të kërkesave të tyre për një autonomi politiko-territoriale, me njohjen e së drejtës së tyre për vetëvendosje. Synimi i tyre i fundit është bashkimi me Kosovën, vullnet ky të cilin ata e kanë shprehur nëpërmjet referendumit, të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992.

Këshilli Koordinativ, duke i konsideruar shqiptarët e këtyre trevave subjekt të rëndësishëm politik, angazhohet për afirmimin e kërkesave nacionale të tyre në shkallë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve, në të drejtë bashkimi me Kosovën.

  1. Këshilli Koordinativ konsideron se një numër i madh shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta etnike, në Malin e Zi, sistematikisht janë të privuar jo vetëm nga të drejtat kolektive kombëtare, por edhe nga liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, kështu që ata, në fakt, njihet si qytetarë të rendit të dytë në këtë republikë.

Këshilli Koordinativ thekson se e kaluara e shqiptarëve në këto troje ishte e hidhur, po sikurse është denigruese edhe sot pozita e tyre në kushtetutën e Malit të Zi. Pushteti malazias është shtirë, i shurdhër për kërkesat e shqiptarëve për emancipimin qytetar dhe nacional të tyre, kështu që ata përherë janë të diskriminuar në raport me malazezët. Përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet dhe në jetën publike përgjithësisht është fare i pakonsiderueshëm.

Këshilli Koordinativ, duke u nisur nga fakti se shqiptarët në Mal të Zi jetojnë në trojet e veta etnike, mbështet të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe kërkesën e tyre për ndryshime kushtetuese, nëpërmjet të cilave atyre do t’u bëhej e mundshme udhëheqja autonome e rajoneve të banuara me shumicë shqiptare.

  1. Prania e shqiptarëve në Greqinë fqinje është shumë e hershme. Shqiptarët etnik banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre, të cilat janë në vazhdimësi të pandërprerë me territorin e Shqipërisë dhe të cilat kanë qenë për mijëra vjet pjesë përbërëse e territori shqiptar, pavarësisht nga kufijtë që u vendosën në vitin 1913. Ata banojnë në viset e Çamërisë, Kosturit dhe Follorinës, “të cilët ose nuk u dëbuan me dhunë nga se ishin ortodoksë ose i bënë bisht dëbimit duke e mbajtur të fshehtë fenë myslimane”.

Çështja çame është e hapur dhe pret zgjidhje. Grekët kanë ushtruar presion të gjatë mbi shqiptarët për të mohuar përkatësinë e tyre etnike. Për më shumë, Athina okupuese që moti akuzon Tiranën si agresore dhe, një ditë para Konferencës së Paqes në Paris, “me qëllim që ta zgjidhte përfundimisht çështjen e trojeve etnike shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të saj kishte dëbuar, madje vetëm brenda 48 orëve, shqiptarët myslimanë që popullonin krahinën e Çamërisë pa asnjë dallim moshash dhe gjinishë, nën akuzën e pabazë se kishin bashkëpunuar me okupatorin gjerman”.

  1. Këshilli Koordinativ synon të bashkojë potencialin krijues gjithëkombëtar në emancipimin e përgjithshëm politik, ekonomik, shoqëror, gjuhësor, kulturor e shpirtëror kombëtar.

Këshilli Koordinativ gjithë veprimtarinë e vet në të ardhmen do ta zhvillojë në dy drejtime themelore:

  1. 1. Në integrimin e plotë të kombit shqiptar në qytetërimin perëndimor.
  2. 2. Në zhvillimin e mëtejshëm të etnitetit dhe identitetit etnopolitik drejt bashkimit kombëtar.

Në përpjekjet për t’u përballë me këto dy sfidat të mëdha historike të kombit shqiptar, Këshilli Koordinativ do ta përqendrojë veprimtarinë e vet, veçanërisht, në ato fusha të veprimit, të cilat i kontribuojnë çështjes shqiptare kombëtare dhe zgjidhjes së drejtë dhe të plotë të saj.

Këshilli Koordinativ synon të bëhet krah i ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të çështjes shqiptare, në frymën e proceseve të rendit të ri ndërkombëtar dhe të ristrukturimit rajonal e evropian.

Duke mbështetur synimin historik të kombit shqiptar dhe duke u angazhuar për jetësimin e tij si proces i integrimit të plotë në civilizimin perëndimor evropian, të cilit i përket historikisht, gjeografikisht e shpirtërisht. Këshilli Koordinativ veprimtarinë e vet do ta fokusojë në krijimin e mundësive për zhvillimin e lirë ekonomik, shoqëror, gjuhësor dhe kulturor të kombit shqiptar dhe përjetësimin e idealeve historike kombëtare të tij.

Këshilli Koordinativ konsideron se është i dobishëm institucionalizimi i subjektit kombëtar në përpjekjet e tij për zhvillimin e çështjes shqiptare. Institucionalizimin e subjektit kombëtar ajo e konsideron kusht të rëndësishëm të institucionalizimit të çështjes shqiptare në përgjithësi.

  1. Këshilli Koordinativ përkrah proceset e reja të krijimit të shteteve kombëtare mbi parimin e vetëvendosjes në hapësirën e tyre etnike, duke theksuar se vetëm ky parim krijon mirëkuptim dhe paqe midis popujve.

Këshilli Koordinativ kundërshton standardet e dyfishta të vetëvendosjes që aplikon sot bashkësia ndërkombëtare: në njërën anë pranon ndryshimin e kufijve me dhunë e gjenocid në mjediset heterogjene etnike, ndërsa në anën tjetër mohon vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike.

Këshilli Koordinativ konsideron se pa integrimet kombëtare nuk mund të ketë as integrime rajonale e ndërkombëtare. Shqiptarët nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike. Ajo thekson se shqiptarët asnjëherë nuk ishin pushtues.

Këshilli Koordinativ kërkon njohjen dhe garantimin e së drejtës për vetëvendosjes të shqiptarëve, si e drejtë e natyrshme etnike, historike, kulturore, politike dhe njerëzore e tyre.

Këshilli Koordinative merr për obligim mbrojtjen ndërkombëtare të së drejtës për vetëvendosje dhe atë e kualifikon si mbrojtje të rendit të ri, të parimit të demokracisë, të drejtësisë dhe të lirisë.

Këshilli Koordinativ nuk miraton kërkesat për sakrifikimin e interesit kombëtar të popullit shqiptar “për hir të paqes ballkanike”. Këshilli Koordinativ kundërshton kushtëzimin që i bëhet Shqipërisë dhe synimit të saj për integrim ndërkombëtar me pranimin e statuskosë së çështjes shqiptare, sikurse që është kundër çfardo imponimi të zgjidhjeve modus vivendi për pozitën e shqiptarëve qoftë në Kosovën Lindore, Maqedoni ose Mal të Zi, zgjidhje këto që do të përligjnin statusin e minoritarëve për shqiptarët në trojet e veta etnike.

Këshilli Koordinativ hapësirën etnike shqiptare e konsideron njësi kombëtare, historike, gjeografike, ekonomike e kulturore, prandaj këtij dokumenti do të duhej t’i bashkëngjiten edhe të dhënat etnike, demografike dhe gjeografike që flasin për shqiptarët, numrin dhe shtrirjen territoriale të tyre që, vetvetiu paraqesin faktorë të rëndësishëm dhe shumë përcaktues kur të vendoset për të ardhmen e tyre.

 

KËSHILLI KOMBËTAR

       Daim Hiseni

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.