“””””””””””””””””””””””””
RIPOST
EJA
Endem më kot udhëkryqesh,
rrugëve bosh të lara nga shiu,
ku ndrijnë tek-tuk rrufetë,
kërcënim që vjen nga lart
për udhëtarë të pafat.
I vetëm,
mes trafikut të zhurmshëm
ku mijëra makina e kalimtarë
nxitojnë
kush e kush të arrijë më parë,
pa e ditur se
destinacioni është fundi i aventurës.
E unë mes tyre ec ngadalë
rrugëve bosh – mes turmës
bosh – pa ty.
Më kot provoj të orientohem me erërat
si marinar i braktisur mbi një copë dërrasë,
shkëputur prej asaj që dikur ish anije a varkë.
Këmbët çapiten pa komandë,
këpucët prej plumbi të rëndë
gërvishtje plagësh lënë pas,
ca shenja ndryshku mbi asfalt.
Ec ngadalë,
drejt aromës së blirit mashtrues
që më ngjan me parfumin tënd,
por e ndjej që ti je larg,
ky çorientim po më çmënd,
aq sa gjilpëra e busullës brenda meje
shkakton aritmi.
Të lutem e dashur,
më nis një puthje me shiun
të gjej koordinatat e të vi te ti.
Mjaft më,
nuk duroj dot,
nuk mundem,
qetësoi retë të lutem.
Rrufetë ma verbuan shpirtin
eja,
më jep një puthje,
që busulla ime të gjejë perëndimin,
e mëngjezesh të lindë sërish diellin,
syve të tu.
David Boseta