Shpesh herë keqkuptimet mes njerëzve krijojnë situata të pakëndshme sa komike aq edhe tragjike, ngjarje të tilla arrijnë absurdin kur ndodhin në vende e kultura të ndryshme. Mbase shumë prej jush mund të keni dëgjuar për historinë e ҫiftit zvicerian të cilët bashkë me qenin e tyre të dashur, kishin shkuar si turistë në Tajlandë. Pas një dite të gjatë vizitash në vende interesante shkuan për darkë në një restorant. Ata u munduan me këmbë e duar të kuptoheshin në anglisht me kamarieren e cila nuk dinte asnjë fjalë tjetër në atë gjuhë përveҫ fjalës Yes. Kështu që iu lutën asaj nëse ishte e mundur që dikush të kujdesej për qenin e tyre dhe ta ushqenin atë. – Yes, yes, – përgjigjej kamarierja. Sakaq ҫifti i lumtur porositën menunë e ditës dhe verë të kuqe. Nuk vonoi shumë dhe mbi tavolinë u shtruan pjatat e tyre dhe vera, aroma e mishit dukej tunduese. Pasi shijuan gatimet vendase, ҫifti kërkoi të paguante llogarinë. Kamarierja e shkathët u solli mbi tabaka faturën bashkë me rripin e kuq prej lëkure, që deri dy orë më parë qeni i tyre kish mbajtur në qafë. Vetëm në atë moment ҫifti zvicerian kuptoi që kishin ngrënë qenin e tyre.
Një ngjarje keqkuptimi, krejt ndryshe nga ajo e para i pati ndodhur kushëririt tim, shumë vite më parë. Sapo kishte mbërritur si emigrant në Itali e duke mos ditur gjuhën vendase ai filloi punë në bujqësi. Gradualisht nisi të mësonte ndonjë fjalë tek-tuk sa për tu marrë vesh me padronin e moshuar italian i cili ishte një zotëri i vërtetë, punëtor, i ndershëm e besimtar i rregullt. Pas pak kohësh padroni ndërron jetë dhe kushëriri im sipas zakoneve shqiptare i shkon familjes për ngushëllim. Në shtëpinë e të ndjerit gjen zonjën e moshuar dhe disa zonja të tjera. Duke dashur ti shprehte ngushëllimet e sinqerta dhe për të vlerësuar figurën e të ndjerit siç e do zakoni me fjalë kortezie si psh Ka qënë burrë i mirë. Ka ndihmuar shqiptarët e afrikanët, etj, kushëriri im me italishten e tij të virgjër thotë me solemnitet:
– Lui era grande homo.
Pas një heshtjeje të thellë zonja e turbulluar ndërhyn:
– Ma noooo, lui non era homo.
– Si signora, io conosciuto bene. Lui fato tutto con albanesi, africani.
– Dio mio, – thotë zonja e shokuar, – pas dyzet vitesh martesë mësoj që paskam jetuar me një
pederast. Nesër do flas me priftin e kishës dhe do e nxjerr trupin e tij nga varri i familjes. Nuk
dua të kem pranë në botën tjetër një njeri aq ordiner. E pas këtij ultimatumi zonjës i ranë të fikët dhe u plandos për tokë. Ndërkohë që zonjat e moshuara i bënin asaj fresk me gazetë, kushëriri im ishte larguar nga shtëpia e padronit të ndjerë, i sigurt se i kishte bërë denjësisht nderimet e duhura dhe respektin e fundit.
